Fenomeni “Fake news” nuk është i ri, por dëmi nga ky fenomen merr përmasa edhe më të mëdha tash në kohën kur lajmet e tilla përhapen me shpejtësi marramendëse. Dëmi është në dy anë: së pari nga vetë lajmi i rremë e së dyti nga mundësia që ky fenomen u jep politikanëve dhe të tjerëve që edhe lajmet e vërteta, që nuk u pëlqejnë, thjesht t’i shpallin “lajme të rreme”. Dhe kështu humbet dallimi mes së vërtetës dhe rrenës, ndërsa rrena shpesh bëhet shumë më atraktive, e me këtë edhe më e rëndësishme sesa e vërteta.
Javën që shkoi është arrestuar Roger Stone, për të cilin pakkush jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ditur më parë edhe pse mund të ndodhë që ai të ketë qenë ndoshta edhe personi më i rëndësishëm në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është arrestuar nga FBI-ja dhe do të paraqitet para gjykatës për t’u përgjigjur ndaj akuzave në kuadër të hetimeve për ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale amerikane. Stone thuhet të ketë qenë “spiun doktori” më i mirë që ka pasur Amerika, për shkak se ka qenë i paskrupullt në përdorimin e sulmeve personale ndaj kundërshtarëve politikë, shpesh edhe me rrena e shpifje, si mjet për të legjitim në garën politike. Thuhet të ketë qenë i afërt me presidentët Mixon, Bush e së fundi edhe Trump. Madje, ai vetë shkon aq larg sa, në një film dokumentar nga Netflix me titull “Get me Roger Stone” thotë se e ka bindur Donald Trumpin që të kandidohet për president të Amerikës, së pari përmes “Partisë reformatore” e së fundi edhe si kandidat i suksesshëm i republikanëve. Kur dikush ta shikojë filmin dokumentar në fjalë dhe ta krahasojë atë që në atë film për vete flet Stone, të cilin vetë Trumpi e lavdëron tej mase si një gjeni, me atë që flet Trumpi e sheh lidhjen mes këtyre dyve edhe më mirë.
Stone thotë se ai gjithmonë ka qenë në gjendje të sjellë në Shtëpinë e Bardhë një kandidat dhe në Donald Trumpin ka parë lojtarin ideal që mund të zbatojë parimet e tij. E ato parime janë “Fuqia e dezinformatës”, “ të jesh jopopullor është më mirë sesa të mos flitet për ty” dhe se “Më keq është të jesh i mërzitshëm sesa të jesh gabim”. Rrena, sipas tij, ka efekt edhe pse më vonë zbulohet si e tillë.
Nuk ka punuar vetëm, por pas vetes ka pasur shumë njerëz që në lobimin amerikan kanë pasur rolin kryesor në shumë vitet e kaluara. Qasja e tyre ka qenë shumë e thjeshtë: të përhapet ideja se mediat tradicionale nuk duan ta thonë të vërtetën e pastaj ajo “e vërtetë” të përhapet përmes “mediave alternative”. Kështu kanë përhapur “të vërtetën” e rrezikut nga imigrantët. Sidomos nga meksikanët, të cilët “do të vijnë me qëllim që të vrasin secilin amerikan të bardhë nën moshën 16-vjeçare!”. Se Barak Obama “është një mysliman, i cili nuk ka lindur në SHBA”, se “Bill Clintoni është përdhunues i femrave dhe Hillary abuzuese e tyre”. Kompania e Stones, së bashku me Manaford, që kanë udhëhequr edhe fushatën e Donald Trumpit., me votë kanë marrë para nga regjimet diktatoriale për të lobuar në Amerikë për interesat e tyre.
Sekreti i suksesit të qasjes së tillë ka qenë përdorimi i fenomenit “Fake news”. Së pari për të përhapur lajme të tilla të rrejshme e pastaj për t’i shpallur edhe ato të vërteta si të rrejshme.
Ky nuk është vetëm fenomen amerikan, por gjithnjë e më shumë po e godet edhe Evropën Perëndimore, ku është menduar se popullata është pak më mirë e informuar dhe politikisht e emancipuar, ku ka më shumë burime tradicionale të informatave.
fenomenit të ndikimit të fushatës me “Fake news” në SHBA edhe shoqëritë demokratike të Evropës e kanë pranuar rrezikun që ky fenomen paraqet për demokracitë e tyre. Në fakt tash ky kërcënim po krahasohet edhe me kërcënimet e armatosura, me kërcënimet nga terrorizmi, ndërsa përgatitja për mbrojtje nga ky rrezik po koordinohet edhe nga vetë NATO-ja, Aleanca më e fortë ushtarake në botë.
Bashkimi Evropian ka formuar njësi të posaçme për t’u përballur me fenomenin e “lajmeve të rrejshme”, dhe për të luftuar fushatat dezinformuese të cilat kryesisht vinë nga jashtë. Por problemi për BE-në qëndron sa jashtë aq edhe brenda saj. Dhe atë jo vetëm nga partitë e ekstremit të djathtë që ekzagjerojnë rrezikun nga emigrantët, apo ekstremi i majtë që përdor pakënaqësitë qytetare për fushatë kundër tregtisë së lirë, por edhe nga partitë tradicionale të qendrës. Për shembull në Hungari me shumë sukses Viktor Orbani me partinë e tij po fiton zgjedhjet duke e fajësuar miliarderin amerikan me prejardhje hungareze, Gorge Soros, për secilin kërcënim ndaj Hungarisë apo ndaj Evropës. Sa herë që ka protesta kundër tij, Orbani thotë se ato po i organizon Sorosi. Ai me sukses po i bind masat se qëllimi i Sorosit është që të hapen kufijtë e Evropës në mënyrë që kontinenti i vjetër të vërshohet nga myslimanët, që do ta shkatërrojnë civilizimin perëndimor evropian. Orbani dhe partia e tij “Fidez” i takon grupit të Partive Popullore Evropiane EPP, e cila është një parti e moderuar e qendrës. Pos kritikave ndaj disa veprimeve të Orbanit asnjëherë ky grupim në BE nuk ka ndërmarrë ndonjë masë ndaj tij, sepse Orbani me politikën e tij do t’i ndihmojë kësaj partie të dalë e para edhe në zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian. Pra, numrat në këtë rast janë për EPP-në më të rëndësishëm sesa parimet.
Fenomeni “Fake news” nuk është i ri, por dëmi nga ky fenomen merr përmasa edhe më të mëdha tash në kohën kur lajmet e tilla përhapen me shpejtësi marramendëse. Dëmi është në dy anë: së pari nga vetë lajmi i rremë, e së dyti nga mundësia që ky fenomen u jep politikanëve dhe të tjerëve që edhe lajmet e vërteta, që nuk u pëlqejnë, thjesht t’i shpallin “lajme të rreme”. Dhe kështu humbet dallimi mes së vërtetës dhe rrenës, ndërsa rrena shpesh bëhet shumë më atraktive, e me këtë edhe më e rëndësishme sesa e vërteta.
Lajmet e rrejshme janë një sfidë e jashtëzakonshme edhe për mediat dhe gazetarët profesionistë. Sepse nuk është e lehtë të garosh kundër tyre. Rrallë një e vërtetë mund të jetë aq interesante sa rrena. Ndërsa pas matjeve të bëra nga ekspertët në rrjetet sociale, rrena shpërndahet shumë më shpejt sesa e vërteta. Ko e bën rrenën edhe më të rrezikshme. E njëjta vlen edhe për “gjysmë të vërtetën”, që po ashtu hyn në kategorinë e “Fake news”, për shkak të fuqisë manipuluese që ka.
Në Britani prodhuesit e lajmeve të rrejshme për BE-në, për të huajt në Britani, për mjetet financiare që mund të kursehen nëse del nga BE-ja ky shtet, kanë pranuar se nuk e kanë thënë të vërtetën gjatë fushatës për Brexit. Por tashmë dihet se shumica e qytetarëve britanikë, një pjesë edhe duke besuar në këto rrena, kanë votuar për largim nga BE-ja, e tash dalja nga BE-ja konsiderohet si detyrim demokratik. Kur Komisioni Evropian kishte rekomanduar që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit për BE, një gazetë britanike kishte shkruar se “3.5 milionë shqiptarë mund të vinë në Britani si pasojë vendimit të Komisionit Evropian!”, edhe pse ky ishte vetëm një rekomandim për nisjen e një procesi, i cili do të zgjasë shumë vite. Por procedurat teknike dhe e vërteta për këtë çështje janë tejet të komplikuara, prandaj kanë përparësi ata që përhapin frikë dhe e paraqesin si shumë të thjeshtë “të vërtetën e tyre”. Të dhënat e sakta statistikore se polakët dhe qytetarët e tjerë të vendeve të BE-së, që punojnë në Britani, kontribuojnë shumë më tepër në fondet sociale të Britanisë sesa që përfitojnë nga to, asnjëherë nuk kanë depërtuar tek shumica e qytetarëve të thjeshtë. Madje, aq e fuqishme ka qenë fushata kundër punëtorëve nga vendet e BE-së që kanë ardhur në Britani, saqë edhe emigrantët nga Afrika e Azia në Britani e kanë mbështetur me të madhe daljen nga BE-ja, sepse edhe ata kanë besuar se polakët, për shembull, po ua zënë vendet e punës nigerianëve dhe pakistanezëve. Drejtori i BMW-së nga Gjermania, në një konferencë evropiane, pati thënë se më shumë vetura prodhojnë në SHBA se në Gjermani, por as kjo e vërtetë nuk ka ndonjë ndikim për ata që dëgjojnë propagandën e presidentit Trump se “duhet mbrojtur punëtorët amerikanë” dhe duhet kufizuar importin e veturave nga Evropa.
Lajmet e tilla i vënë në lajthitje lexuesin, dëgjuesin apo shikuesin. Për këtë sot ka edhe mundësi të mëdha teknologjike për montazh zëri, fotoje ose videoje. Për të zbuluar se janë të falsifikuara, duhet të jesh vërtet i kujdesshëm, çfarë nuk janë shumica e njerëzve. “Fake news” janë ato që plasohen si të tilla me qëllim. Ata që i përhapin e dinë se nuk janë të vërteta, por megjithatë i shpërndajnë, sepse duan të arrijnë qëllimin e tyre. Gazetarët, sikurse të gjithë njerëzit e tjerë, mund të gabojnë dhe të plasojnë lajme të pavërteta. Por kur këtë nuk e bëjnë me qëllim, kur shkruajnë diçka që nuk del të ketë qenë e vërtetë, mund të jetë një lëshim profesional, sepse nuk kanë bërë sa duhet kërkime. Por kur qëllimisht shpifet dhe përhapet një rrenë, atëherë kjo kalon në kategorinë e veprave penale. Ky dallim duhet të jetë bazë edhe në qasjen e luftimit kundër “Fake news” përmes ligjeve dhe autoriteteve të shtetit. Sepse duhet pasur kujdes që në emër të luftës kundër “Fake news” të mos shtypet liria e mediave, e drejta e gazetarëve për mbrojtjen e burimeve.
Zgjedhjet evropiane që zhvillohen në javën e fundit të muaj maj, këtë vit, do të jenë ndryshe nga shumë zgjedhje të mëparshme. Do të jetë interesante, të shohim se sa do të ketë efekt në rezultatin e tyre, fenomeni i përhapjes së qëllimshme për lajme të rrejshme, qoftë për kundërshtarët politikë apo për prioritetet politike, që pjesëmarrësit i propagandojnë në fushatën zgjedhore.
Lajmet e rrejshme kanë ndihmuar që Trumpi të jetë president i SHBA-së, që britanikët të votojnë për largim nga BE-ja, që në Francë të rritet popullariteti i Frontit Nacional. Tashmë kanë ndikuar në zhvillimet në BE. Zgjedhjet e ardhshme evropiane mund të jenë një test për të parë a mos po fillon ndoshta edhe faza e re, ku do të nisë rënia e ndikimit të lajmeve të rrejshme dhe fushatës së dezinformimit në procesin demokratik.