Disa diplomatë në BE pohojnë se Kosova ka ngecje aq të madhe në dhënien e rezultateve për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar saqë edhe po ta përmbushë kushtin e ratifikimit të Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi mund të mos e realizojë qëllimin e liberalizimit të vizave. Përderisa për kushtin e parë do të mjaftonte vullneti politik, për të dytin duhen rezultate konkrete nga ana e prokurorëve, gjykatësve, policisë, e këtu Kosova nuk i ka punët mirë e as EULEX-i nuk i ka ndihmuar. Por BE-ja nuk do të kërkojë llogari nga EULEX-i. Prandaj, edhe kushti i dytë mund të jetë ndoshta edhe më i vështirë se i pari
Bashkimi Evropian ka bërë një padrejtësi ndaj Kosovës pas një padrejtësie më të hershme. E ka bllokuar procesin e liberalizimit të vizave në pritje të ratifikimit të Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Ka mundur BE-ja të nisë dhe të përfundojë procesin, siç në fakt edhe ishte rekomandimi i Komisionit Evropian nga viti 2015, e pastaj të presë ratifikimin deri në datën e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave.
Vetëm në këtë mënyrë kosovarët do të ishin të sigurt se me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të fitohej liberalizimi i vizave. Ka qenë e padrejtë që fare të përmendet ratifikimi si kusht, pasi që demarkacioni i kufirit nuk ka qenë kusht për asnjë shtet tjetër për asgjë. Por pas kësaj padrejtësie ka qenë e padrejtë edhe lëvizja e këtij kushti nga “para hyrjes në fuqi të liberalizimit”me kusht për të nisur procedurat në BE. Prandaj, për liberalizimin e vizave me Kosovën procedura në Këshill dhe Parlament Evropian do të nisë vetëm pasi të përmbushet ky kusht, e jo të përfundojë shumë para përmbushjes së kushtit duke e kushtëzuar afatin e përmbushjes me hyrjen në fuqi të liberalizimit.
Pra, tash Kosova është në një situatë në të cilën, nëse përmbushet kushti, nuk ndodh liberalizimi, por nis procedura. E ajo procedurë mund të përmbyllet për gjashtë muaj apo për më shumë. Ajo procedurë mund edhe të ngecë gjatë rrugës, duke u përballur me pengesa të tjera. Kjo është edhe një vërejtje për të gjithë ata në Kosovë, të cilët, edhe pse kanë pasur shumë shembuj se si nuk bën të garantohen data, vazhdojnë të japin premtime për afate se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave.
Dhe, siç e thotë gjithmonë BE-ja, siç kanë tërhequr vërejtjen edhe mediat e edhe shoqëria civile e ekspertët, Kosova nuk e ka kusht vetëm ratifikimin e demarkacionit, por ka edhe kushtin e dytë, atë të luftës së suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë. Për këtë BE-ja do të shohë dëshmi konkrete. Madje ka të tillë që mendojnë se ndoshta në Kosovë mungon vullneti për ta përmbushur kushtin e parë, sepse atëherë do të bëhet presion për të përmbushur kushtin e dytë. E kushti i dytë nuk do të mundë të dëshmohej si i përmbushur pa parë zyrtarë të lartë, të lidhur me krimin e organizuar, në burg dhe pasurinë e tyre të konfiskuar. A ka apo jo Kosova, me këta prokurorë dhe gjykatës, vullnet dhe guxim për ta përmbushur këtë kusht nuk mund ta dimë pa e parë me sytë tanë.
Disa diplomatë në BE pohojnë se Kosova ka ngecje të madhe në dhënien e rezultateve për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që e bën kushtin e ratifikimit të Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi ndoshta edhe më të lehtë se kushtin e dytë. Përderisa për kushtin e parë do të mjaftonte vullneti politik, për të dytin duhen rezultate konkrete nga ana e prokurorëve, gjykatësve, policisë e këtu Kosova nuk i ka punët mirë, e as EULEX-i nuk i ka ndihmuar. Por BE-ja nuk do të kërkojë llogari nga EULEX-i. Prandaj, edhe kushti i dytë mund të jetë ndoshta edhe më i vështirë se i pari.
Në një dokument të BE-së, që e kishte siguruar “Koha Ditore”, e i cili ishte përgatitur në formën e “qëndrimeve të përbashkëta të BE-së për takimin e Këshillit të MSA-së me Kosovën” shihet qartë se çfarë mendojnë në BE për situatën në Kosovë, sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, e që lidhet me efikasitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Shqetësimi kryesor i Bashkimit Evropian me Kosovën janë krimi i organizuar dhe korrupsioni, me të cilat lidhet edhe çështja e respektimit të ndarjes së pushteteve, influenca politike dhe humbja e besimit në sistemin gjyqësor, mosrespektimi i plotë i procedurave në emërimet e prokurorëve dhe gjykatësve, e besa edhe shqetësimet për privilegje të personave të burgosur që janë „të profilit të lartë“.
Shqetësimet kryesore të BE-së rreth Kosovës kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, që është prioritet edhe në kuadër të agjendës së reformave evropiane. BE-ja nënvizon rëndësinë e gjyqësorit të pavarur, respektimin e ndarjes së pushteteve dhe një proces transparent, i cili do të rikthente besimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar në sistemin gjyqësor. BE-ja shpreh shqetësim për mosrespektimin e plotë të procedurave gjatë emërimeve të fundit të presidentëve të gjykatave dhe gjykatësve. BE-ja kërkon edhe veprime për të parandaluar çfarëdo forme të trajtimit të privilegjuar të të burgosurve të nivelit të lartë.
BE-ja madje është e mendimit se në Kosovë mungon përkushtimi strategjik politik, gjë që, krahas ndërhyrjeve të panevojshme pengojnë luftën kundër krimit të organizuar.
Por disa zyrtarë të Kosovës në të kaluarën mundoheshin të bindin opinionin se si kusht ka mbetur vetëm ratifikimi i Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, ndërsa kushti tjetër ishte përmbushur. Madje thoshin se për këtë “garanci” u kishte dhënë personalisht “zonja Mogherini”. Tash në BE thonë se “asnjëherë askush nga BE-ja në mënyrë zyrtare nuk ka thënë se është përmbushur kushti i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Tash në BE sqarojnë se diku në pranverë zyrtarë të saj kishin lavdëruar Kosovën për atë që e kishin konsideruar si “progres të madh në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, dhe tërheqin vërejtjen se pohimet e tilla duhet lexuar me kujdes dhe fjalën “progres” nuk duhet zëvendësuar me “përmbushje të kushtit”, sepse shpesh as progresi i madh nuk do të thotë se kushti është përmbushur në tërësi. Ndërkohë tash thonë se, përderisa në pranverë Kosova vërtet nisi të shënojë progres, duke pasur disa raste të reja të hetimeve dhe ngritjeve të aktakuzave. Prandaj, edhe në BE u vlerësua se, nëse vazhdon kështu, ky kusht do të mundë të përmbushet për një afat të kënaqshëm që do ta bënte të mundshëm liberalizimin nëse përmbushet edhe kushti i kufirit me Malin e Zi. Por prej atij momenti, thonë burimet tona në Bruksel, progresi në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos të atij të lidhur me strukturat politike, pothuajse u ndal apo së paku u ngadalësua. Nuk pati procese të nivelit të lartë gjyqësor e as vendime të plotfuqishme të gjykatave për raste të “profilit të lartë”. E pa vendime të tilla pak kush do të bindet se Kosova e ka seriozisht kur premton luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë.
Prandaj, Kosova nëse vërtet do që ta sigurojë liberalizimin e vizave, nëse vërtet do të krijojë vullnet për të ratifikuar Marrëveshjen me Malin e Zi, e cila, e dëmshme apo jo, e drejtë apo jo, e mirë apo e keqe, më nuk mund të ndryshohet, duhet të jetë e kujdesshme që të sigurojë edhe përmbushjen e kushtit të dytë të cilin, edhe nëse e kanë harruar në Prishtinë, në Bruksel e kryeqytete të tjera evropiane nuk e kanë harruar. Sikur nuk po i ndihmon Kosovës arsyetimi se askush tjetër nuk e ka pasur si kusht demarkacionin për liberalizim vizash, nuk do t’i ndihmojë as fakti se ka edhe vende të tjera të rajonit që janë të korruptuara, por qytetarët e tyre kanë liri të lëvizjes pa viza.