Me kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, negociatat midis Kosovës dhe Serbisë do të rinovohen. Trumpi do t’i rikthehet idesë kontroverse të shkëmbimeve territoriale. Kjo është ide e keqe që më herët ishte refuzuar nga shoqëria kosovare. Shkëmbimi i territorit do të nxiste konflikt në rajon. Kjo do ta largonte vëmendjen nga njohja e Kosovës prej Serbisë, njohjes euroatlantike për të dyja shtetet dhe normalizimit të marrëdhënieve të tyre bilaterale.
Administrata Biden neglizhoi raportet SHBA-Kosovë, duke përkeqësuar ngërçin aktual. Përpjekjet e saj me gjysmë zemre dështuan t’i çojnë përpara negociatat. Beogradi ka pritur që Trumpi të rimarrë pushtetin, ashtu që të rinovohet propozimi për shkëmbim territoresh.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAdministrata e Trumpit nuk është një vëzhgues i paanshëm. Në maj, “Affinity Partners”, kompani investimi e udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, u zotua për investimin në vlerë 500 milionë euro për banesa luksoze në Beograd. “Affinity” mori pronën me qira preferenciale 99-vjeçare si këmbim. Kushneri ofroi ndërtimin e një memoriali për viktimat e fushatës së bombardimeve të NATO-s në vendin e qendrës së inteligjencës ushtarake në Beograd. 22 për qind e fitimeve të “Affinityt” do të shkojnë në Serbi.
Rick Grenell, ish-përfaqësues i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, i është bashkuar Administratës Trump si emisar për Misione të Posaçme. Ai është shumë proserb dhe partner në projekt. Gjatë fushatës presidenciale amerikane, ai vizitoi komunitetin serbo-amerikan në Wisconsin dhe mblodhi fonde për Trumpin. Aleksandar Vuçiqi e dekoroi Grenellin duke i dhënë Urdhrin e Flamurit Serb. Grenelli propozoi anulimin e Gjykatës së Krimeve të Luftës në Hagë, ku ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po mbahet nën dyshimin për krime të kryera gjatë luftës.
Trumpi dihet se është shumë transaksional. Qasja e tij shpjegohet në autobiografinë e tij “The Art of the Deal”. Trumpi beson në “Fitimin e shumës zero”, teori ekonomike me dy subjekte konkurruese, ku rezultati është avantazh për njërën palë dhe humbje ekuivalente për tjetrën.
Nëse aplikohet në dialogun Kosovë-Serbi, Serbia do të fitonte territoret në veri të lumit Ibër dhe kontroll komercial të minierave të Trepçës. Kosova do të ishte shtet i cunguar me njohje ndërkombëtare, por i kufizuar si shtet funksional.
Ne fuqishëm kundërshtojmë konceptin e koncesioneve territoriale. Fatkeqësisht, transaksioni ishte negociuar nga Thaçi kur ai ishte president dhe ishte autorizuar nga Parlamenti i Kosovës. Është një zotim në të cilin administrata e Trumpit do të insistojë.
Pika tjetër penguese është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. ekzistojnë shtatë komuna të përziera etnikisht në Kosovë, me popullsi shumicë serbe. Albin Kurti e refuzon si një hap drejt ndarjes. Ai e krahason me Republikën Sërpska, që ndau funksionalisht Bosnjën.
Nëse Kosova e pranon Asociacionin, duhet të ketë kushte. Përkatësisht, nuk ka kompetenca ekzekutive për komunat e Asociacionit dhe aranzhime paralele për komunat me shumicë shqiptare në Serbi.
Sipas censusit të 2022-s në Serbi, janë 61, 687 shqiptarë në Serbi. Shumica dërrmuese jetojnë në pjesën jugore të shtetit, në Luginën e Preshevës. Çfarëdo aranzhimi për vetëqeverisje që jepet për serbët në Kosovë, duhet të jetë në përputhje me kërkesat kushtetuese të Kosovës për qeverisje lokale. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për komunat në Serbi.
Reciprociteti do të përmirësonte të drejtat e njeriut pa i rivizatuar kufijtë. Do të kërkonte lëshime nga të dyja shtetet. OSBE-ja mund të vendosë monitorues për të siguruar që respektohen të drejtat e pakicave.
SHBA-ja duhet të ketë pozicion të barabartë. Washingtoni duhet të caktojë një të dërguar të nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi, në të njëjtin nivel me ndërmjetësuesin e BE-së. Kurti nuk është pritur mirë në vizitën e tij të fundit në SHBA. Nëse ai negocion marrëveshje që i plotëson kërkesat e Kosovës, Kurti duhet të vlerësohet për arritjen e tij diplomatike.
Kosova është në pozicion të fortë për t’i vazhduar negociatat. Që nga pavarësia e Kosovës më 2008, 22 prej 27 shtete anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën. Pos kësaj, 104 nga 193 shtetet anëtare të OBK-së e kanë njohur Kosovën.
BE-ja duhet të përsërisë zotimin ndaj Kapitullit 35, që kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme.
Kosova do të ketë nevojë për garanci nga Këshilli i Sigurisë i OKB-së, se mund t’i bashkohet organizmit botëror. Rusia dhe Kina duhet të zotohen për mbështetje, jo vetëm Serbia. Kosova gjithashtu do të bëhej anëtare e NATO-s duke konsoliduar kështu integrimin e saj në institucionet euroatlantike.
Pos kësaj, Interpoli duhet të angazhohet në hetimin e sulmeve terroriste të vitit të kaluar në Banjskë. Serbisë duhet t’i kërkohet t’i dorëzojë personat përgjegjës.
Trumpi ka mundësi për të afirmuar udhëheqjen e SHBA-së në Ballkan, duke hedhur poshtë gabimet e të kaluarës dhe duke mbrojtur zgjidhjet e rrënjosura në integritetin kushtetues. Trumpi duhet të këshillohet mirë që të avokojë për një strategji të re afatgjate që kërkon njohjen e Serbisë për pavarësinë e Kosovës, që nxit bashkëjetesën e cila siguron drejtësi, respekt të ndërsjellë dhe paqe të qëndrueshme.
Sigurisht, Kosova nuk është e detyruar të bëjë marrëveshje. Negociatat duhet të fillojnë me të kuptuarit se ndryshimi i kufijve është jashtë tryezës. Nëse Trumpi e shtyn Kosovën të lëshojë territore, kjo do të kishte pasoja të mëdha që do të ndikonin në stabilitetin e Bosnjës, Maqedonisë dhe Greqisë.
Kosova mund t’i arrijë qëllimet e veta pa hequr dorë nga territori, duke lejuar decentralizimin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Diplomacia ka të bëjë me një zgjidhje “win-win” që avancon interesat e përbashkëta, përfshirë interesat e SHBA-së dhe të BE-së.
David L. Phillips është profesor i asociuar në Programin e Studimeve të Sigurisë të Universitetit Georgetown dhe Shyqyri Haxha është drejtor në Royal Holloway, Universiteti i Londrës.