Fadil Lepaja
Edi Rama fitoi prapë. Patriarku i politikës shqiptare e tha atë që tashmë është bërë e qartë për të gjithë: “Unë shkoj kur dua vetë,” tha, duke vazhduar të përcjellë numërimin e votave, me shpinën kthyer nga konkurrenca.
I dhemb koka Edit? Po të kishte kokëdhembjet e tmerrshme të Andreotit, mund ta krahasonim me të. Apo të kishte dhuntinë e tij për të heshtur? A është vizioni fuqia e tij, apo… është ky Andreoti shqiptar?
Një gjë nuk ia mohon dot: e duan apo nuk e duan, nuk e largojnë dot. Ata që duan, nuk munden. Ata që munden, nuk duan. Ai nuk është krijues i rregullit shqiptar, ai është krijuesi i kaosit funksional. Njëfarë fanari në kaos, Afërdita e politikës së turbullt shqiptare. Pas vizitës së Aleksandër Vuçiqit në Moskë, ky sikur i vuri turbo-motor politikës shqiptare.
Nëse ke humbur rrugën në ujërat e politikës, mes valësh dhe pasigurie, pyetja e parë që të vjen në mendje është: Ku është Edi? Dhe, gjithnjë me telefon mobil në dorë, Edi ta dërgon lokacionin.
Kësaj radhe, Edi iku përpara. Shumë përpara mikut të tij të dikurshëm, Sali Berisha. Konkurrencë i thënçin, pasi edhe me gjithë këshilltarët e fuqishëm amerikanë, fushata e demokratëve doli huq.
Ndërkaq, mik edhe mund ta quajë Edi, Saliun. A nuk është mik ai që të garanton rizgjedhjen me vetë pjesëmarrjen?
Edhe në Kosovë, diferenca mes të parit dhe të dytit është e madhe, shumë më e madhe sesa ajo midis Edit dhe Saliut. Por Kosova ende nuk ka as parlament, të mos flasim për qeveri. Albini nuk i ka (krejt) numrat. Herë po duket se i ka, herë se nuk i ka. Nuk i ka kapur frerët e politikës kosovare sikur Edi. Nuk i ka frerët e opozitës. Nuk ka një mik për kokë që e rivalizon pasuksesshëm.
Në mënyrë të çuditshme, në Ballkan nuk sundon përmes pozitës. Më shumë e bën këtë përmes opozitës. Nëse nuk ke një opozitë që të nxjerrë në dritë, nuk ia del dot.
Është e qartë, në Kosovë, ndërkombëtarët kanë lënë një “çelës” , “vendet e rezervuara”, për ta kontrolluar situatën. Por nuk është vetëm kjo. Politikani i fundit që kontrollonte me sukses opozitën në Kosovë ishte Rugova. Jo vetëm pozita, edhe opozita punonte për të, kryesisht duke e sulmuar.
Por Edi synon të kapë frerët edhe të politikës ballkanike. Përmes shqiptarëve, të cilët janë faktorë politikë edhe në tri shtete të tjera. Kështu do të kontrollonte shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Por ... “çelësi” i Edit, për Kosovën, ndodhet në Hagë. Sipas tij, në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut bëjnë punë vetëm komandantët. Më saktë, Komandanti i Madh.
Por, gjithçka që vjen pas fjalës “por” është… vetëm politikë. Në Kosovë, fjala komandant kishte tjetër peshë, edhe pse pas ndryshimeve në SHBA as kjo më nuk është aq e qartë. Është ngatërruar koncepti i komandantëve. As komandantët nuk e pranojnë se ishin komandantë. Ishin politikanë.
Përderisa në Hagë ish-presidenti kosovar e mohon të ketë qenë fare komandant i UÇK-së, se kryesisht ishte larg llogoreve të luftës dhe mohon të ketë pasur ndikim në vendimmarrjen strategjike që i atribuohet, mu në mes të Vlorës legjendare, si nipi ndër dajë, serbez-serbez, Edi Rama e quan atë Komandanti i Madh, duke rrezikuar kështu mbrojtjen e “Komandantit të madh” dhe ta thërrasin si dëshmitar të prokurorisë në gjykatën ndërkombëtare.
Kjo deklaratë, në Vlorë, dikur do të ngjallte emocione, pasi fjala komandant dhe qyteti I Vlorës do të asocionin një politikë kombëtare.
Prandaj, Edi i dizajnon deklaratat sipas identitetit të ri. Vlora, qendra e shqiptarizmit, me këtë aeroport tashmë nuk është (vetëm) kombëtare. Është ndërkombëtare. Përmes këtij aeroporti, të huajt do ta “pushtojnë” Shqipërinë turistike, dhe Hajro Ulqinaku do të mbetet simbol i një rezistence të vaktë, i një kohe kur Shqipëria nuk kishte det, nuk kishte demokraci… nuk kishte Edin, që të “pushtohej” pa luftë, që të binte në gjunjë para Italisë, Evropës. Në rregull, det kishte. Të tjerat i solli Edi.
Por Meloni nuk do ta pushtojë Shqipërinë. Kampet nuk quhen, janë me pagesë. Pastaj, pas fuqizimit global të Trumpit, më as Meloni nuk do të kënaqet vetëm me një shall të bukur të zgjedhur me shije nga kryeministri shqiptar. Të bjerë në gjunjë, po, kjo ka kuptim.
Edi e mori edhe një mandat, edhe në gjunjë do të bjerë, prapë. Po aq e sigurt është, se pas riaktualizimit të modelit Trump, vetëm rënia në gjunjë dhe shalli, vështirë se do të mjaftojnë… për Italinë, Evropën, SHBA-në. Shqipëria do të bëhet e madhe përsëri, vetëm sa nuk e ka thënë... Edi.
Kështu, në mbyllje, nuk kishte alternativë në këto zgjedhje. Bie në gjunjë Saliu? Nuk ikën, Edi jo.
Sa për Komandantin e Madh, ishte batutë, e hedhur kalimthi në rrjet. E kishte me shaka Edi. Vetëm sa po e trazonte pak kryeministrin kosovar në detyrë me ish-presidentin. Po synon liderin e botës shqiptare, pra edhe rajonit, pas vizitës së Vuçiqit në Moskë.
Kush do ta udhëheqë botën shqiptare: Edi që bie në gjunjë apo Kurti krenar? Rama synon që duke u bërë lider i shqiptarëve, të dominojë regjionin, të marrë primatin e Vuçiqit, ndërkohë që Kurti ka drejtim tjetër, pra duke rivalizuar Vuçiqin të bëhet lider i shqiptarëve. Por këtu vendos Perëndimi. Kurti nuk bie në gjunjë, kjo u pa. Por, a do të mbijetojë pesha e fjalës, se është kundër Perëndimit? Çfarë është Perëndimi sot? SHBA apo Evropa?