OpEd

Kur zgjohesh në këmbë të majtë!

Përndryshe, pasurive të Kosovës përpos linjitit i shtohen edhe komisionet e shumta parlamentare dhe task-forcat e ndryshme. E fundit në vazhdën e task-forcave është Task-Forca Anti Drogë nëpër shkolla, e udhëhequr nga Avdulla Hasani, me dy pistoleta, i katapultuari nga prehri i Jakup Krasniqit, tash në prehrin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Sot ndihem paksa i mërzitur. Arsyeja? Dorëheqja e homologut tim, ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sir. Kim Darroch. E gjitha ndodhi pasi që një kabllogram i tij diplomatik i vitit 2017 rrodhi në publik e në të cilin ai e kishte quajtur presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, "të paaftë" dhe "jokompetent".

Në Parlamentin e Britanisë së Madhe kjo rrjedhje e informatës diplomatike nga ana e disa deputetëve të saj cilësohej si "tradhti kombëtare" dhe se duhej ndërmarrë masa që të gjenden kryerësit e kësaj vepre. Disa politikanë britanikë janë të mendimit se diplomatët duhet të gëzojnë të drejtat që në bisedat e tyre private të kritikojnë lirshëm.

Me të kuptuar për rrjedhjen e këtij kabllogrami diplomatik dhe përmbajtjen e tij natyrisht presidenti Trump zemërohet dhe tani e quan ambasadorin e Britanisë së Madhe "një budalla" dhe se nuk dëshiron që të merret me të.

Pasi që edhe pretendenti për kryeministër i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, deklaroi se ai nuk do ta përkrahte ambasadorin Darroch, ky i fundit u dorëhoq nga pozita e ambasadorit dhe do ta lirojë detyrën posa të emërohet një ambasador i ri.

Unë këtu e shoh se sa fatlum që jam që askush nuk merret me kabllogramet e mia diplomatike. Në fakt, arsyeja pse nuk merren mund të jetë sepse ato janë publike dhe s’kanë nevojë që të rrjedhin nga ana e askujt dhe pastaj të shkaktojnë skandal diplomatik. Kështu secili kabllogram i imi ka emër, ka datë dhe ka adresë. Përndryshe, unë besoj se sasia e kritikës ndaj fytyrave politike nuk mungon, mirëpo ajo është fuqishëm e mbështetur me argumentet e mia satiro-diplomatike.

Qe për shembull, dje pranova një kabllogram të paverifikuar diplomatik, ku thuhej se presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar se "ai është presidenti më i mençur në gjithë Evropën". Që do të thoshin ata të moçmit "luje bull kryet e maces". Po tash njeriu edhe nuk e di se cila ka qenë "njësia matëse e mençurisë", të cilin presidenti e ka aplikuar në mënyrë empirike për të arritur te rezultati i tillë. Ndoshta ka qenë sasia e rrenave, të cilat ai mund t’i lëshojë në minutë dhe të mos japë kurrfarë përgjegjësie për to? Ndoshta ka mundur të jetë sasia e shkeljeve të njëpasnjëshme të Kushtetutës së vendit të cilat ai i bën, natyrisht pa kurrfarë pasojash për të? Mos vallë njësi matëse ka qenë publikimi i librit të vet autobiografik të financuar me paratë e taksapaguesit, si dhe promovimet e këtij libri nëpër botë dhe shpenzimet gjithashtu në shpinë të taksapaguesit pa kurrfarë pasojash për të?

Ndoshta njësi matëse e mençurisë së tij ka mundur të ishte qasja e tij për falje të komunave dhe territorit të Kosovës kundrejt fqinjëve të saj normalisht pa kurrfarë pasojash ligjore për të. E tërë kjo mua personalisht po më dërgon në rezultate të tjera, por që presidenti Thaçi i ka emëruar ndryshe. Rezultatet e mia empirike më thonë që Kosova e ka popullin më inert e budalla në gjithë Evropën, kur e lejon një njeri si Thaçin për president të saj. Para se të më gozhdoni në kryq, më argumentoni që rezultatet e mia empirike epiko-lirike qenkan gabim?

Shkenca kështu funksionon. Mua mund që të mos më doni e as të mos më pëlqeni (shijet nuk diskutohen), mirëpo bindjet e mia mund t’i rrëzoni vetëm me argumente. Koha e përrallëzave në radio dhe TV tuaja për mua ka perënduar shumë moti.

Çdo deklaratë e mësuar përmendësh dhe e llomotitur nga ana e këtij papagalli pulitik në 20 vjetët e fundit për mua ka qenë fyerje e inteligjencës. Por, po qe se ju dëshironi, ju mund edhe ta kuptoni se çka i bëjnë ambicia e sëmurë dhe egoja për pushtet një njeriu. Të mos të flasim kur ai atë pushtet e arrin. Shembullin e keni para jush në formë dhe trajtë presidenti të përzgjedhur në "mënyrë demokratike" në tezgë pazaresh për poste, pozita, para dhe kundërvlera të tjera materiale.

Po ju, o njerëz, a po harroni që jetoni në një shtet me as 1.6 milionë banorë, me një kryeqytet me 400.000 banorë, ku po ta hallakatësh pak shumica dalin akraba ndërmjet vete. A vërtet mendoni se ju mund të bëni diçka në këtë vend dhe të mos merret vesh?

Jo, nuk ka nevojë për AKI, janë tezet, hallat, çikat e tezeve, dajallarët, xhaxhallarët, djemtë e xhaxhallarëve, komshinjtë xhelozë që kanë për të folur për të bamat e juaja. Pordhës suaj të lëshuar në shtëpinë e juaj do t’i vijë era e keqe në qytet ende pa e qitur ju këmbën jashtë nga shtëpia. Përndryshe, nuk është më era e Obiliqit ajo që kundërmon rrugëve të kryeqytetit, por janë pikërisht pordhët e juaja kryesisht të pjerdhura nga vetë goja e juaj.

Si duket, sot qenkam zgjuar në këmbë të majtë. Nga rubrika jonë "Të qeshim së bashku" do ta veçoja kabllogramin diplomatik në të cilin protagonist është kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, që kishte rënë viktimë e ca humoristëve rusë, të cilët në bisedë telefonike i paraqiten si ish- presidenti i Ukrainës, Poroshenko. Zaev e hap barkun e tij dhe i sqaron brengat e tij për rajonin. Për interesat ruse dhe turke në rajon, të shprehura nëpërmjet marrëveshjeve të kryeministrit Rama dhe presidentëve Thaçi dhe Vuçiq. Në këto marrëveshje, sipas Zaevit, përflitet se Kosova do ia jepte Serbisë 10 komuna të saja të veriut dhe do t’i merrte ca komuna nga Serbia. D.m.th. do të ndodhte një shkëmbim territoresh që, sipas Zaevit, për Maqedoninë Veriore janë të papranueshme dhe antievropiane dhe se do të sillnin telashe të reja në Ballkan.

Normal, PDK-ja e kliçkave, pidpidakave, guxhave dhe pilifuncave nuk merret me përfoljen e komedianëve rusë dhe implikimin e emrit të figurës së tyre qendrore (në hije) Thaçit dhe marrëveshjeve të përfolura nga kryeministri Zaev. Ata PDK-ja merren me sporte më të rënda, kashagitin kuaj, këso gjërash, por që nuk kanë të bëjnë me oborrin e tyre.

Në fakt, përderisa unë po e shkruaja ditarin tim, sapo doli presidenti Thaçi në një konferencë për shtyp dhe tha se kryeministri Zaev e kishte thirrur mbrëmë në telefon dhe i kishte kërkuar falje personalisht, e kishte siguruar presidentin Thaçi se ato ishin vetëm thashetheme ruse të Sputnikut.

Flini rehat popull, se foli presidenti më i mençur në Evropë dhe jua hoqi dertin si me gisht.

Përndryshe, pasurive të Kosovës përpos linjitit i shtohen edhe komisionet e shumta parlamentare dhe task-forcat e ndryshme. E fundit në vazhdën e task-forcave është Task Forca Anti Drogë nëpër shkolla, e udhëhequr nga Avdulla Hasani, me dy pistoleta, i katapultuari nga prehri i Jakup Krasniqit, tash në prehrin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Sikur të mund t’i eksportonim edhe këto pasuri në tregun botëror, kriza ekonomike për Kosovën e qindvjeçarit të ardhshëm këtu do të merrte fund.

Sot është 11 korriku, datë e cila përket me përvjetorin e Masakrës së Srebrenicës. Aty u masakruan më shumë se 8.000 civilë të pafajshëm, burra, gra dhe fëmijë. Aty në mënyrën më mizore u shpërfytyrua makineria luftarake dhe paramilitare serbe, e cila kreu një gjenocid të paparë në trojet evropiane që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. E keqja e gjithë kësaj historie të llahtarshme është se kreu politik serb assesi nuk mundet që të dalë nga guaca e saj nacionaliste dhe ta pranojë krimin e saj qoftë edhe pas gjithë këtyre viteve të kaluara që nga ajo kohë. Në fakt, shumë protagonistë të politikës serbe të asaj kohe tani janë ende në pozitat kyç politike dhe vendimmarrëse në Serbi. E për çfarë kërkimfaljeje po flasim këtu? Me këta po të njëjtit, asnjëherë të ndryshuarit dhe të penduarit e krimeve të bëra, edhe Kosova hyn në bisedime politike pa asnjë kushtëzim dhe pa asnjë kërkesë. Në fakt, të shikosh rrjedhën e bisedimeve dhe sjelljet e delegacioneve, dhe të përfaqësuesve serbë në këto bisedime, i bie që Kosova kishte bërë agresion mbi Serbinë dhe kishte shkaktuar masakra në popullatën civile të pafajshme. Kishte diçka që kishte filluar mbrapsht qysh nga fillimi i këtyre bisedimeve, e tashmë ajo e mbrapshta e ka marrë dhenë dhe kanë rënë të gjitha maskat, sidomos ato të presidentit më të mençur në Evropë.

P.S. Ramush, nëse të kërset telefoni këto ditë e të prezantohet dikush si president i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dije që është komedian dhe është duke bërë hajgare, po ti thuji që me e hjek taksën ndaj Serbisë njet s’e ki, kështu që NJET!

© KOHA Ditore