Jetojmë në kohën kur në mënyrë ironike në pikëpyetje vihen gjërat që janë dukur të garantuara. Ja për shembull bindja se bankat më të sigurta në botë janë ato të Zvicrës. Javën e shkuar disa liderë të vendeve të BE-së, përfshirë edhe ata të Greqisë, për t’i qetësuar qytetarët e tyre se nuk duhet të kenë frikë nga ndonjë krizë e re financiare, e as për ndonjë thyerje në sistemin bankar, u thanë se “ne nuk jemi Zvicër dhe te ne sistemi i bankave është shumë më i sigurt dhe rezistent“
Zvicra nuk është në Bashkimin Evropian, por nuk vuan nga kjo. Sepse në shumë gjëra sikur të ishte. Në asnjë kufi të Zvicrës me vendet fqinje nuk ekzistojnë kontrollet. Sepse Zvicra është pjesë e zonës së Schengenit, një zonë e lirisë së lëvizjes pa kufi në Evropën Perëndimore dhe një pjesë të madhe të Evropës Lindore, Qendrore dhe Jugore. Zvicra nuk është në BE, por shkëmbimin tregtar me të gjitha vendet e BE-së ajo e ka të liberalizuar tërësisht, siç e ka për shërbime, kapital dhe punëtorë. Zvicra pa problem i respekton të gjitha vendimet e Bashkimit Evropian pa pasur të drejtë të votojë për to. Kjo vlen edhe për standardet e prodhimeve, tregtinë me botën dhe shumë gjëra të tjera, sepse kur je pjesë e tregut të përbashkët të BE-së nuk mund të kesh politikë individuale tregtare me të tjerët jashtë bllokut.
Ja tash edhe kosovarët pas nëntë muajsh do të mund të udhëtojnë pa viza edhe në Zvicër. Dhe këtë vendim nuk e ka miratuar Zvicra. Kjo, falë vendimit të BE-së për të liberalizuar vizat. Dhe Zvicra është e obliguar ta respektojë këtë vendim, një lloj sikur edhe Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni. Sepse janë pjesë e zonës së Schengenit pa qenë anëtare të BE-së. Nganjëherë Zvicra konsultohet dhe nga ajo kërkohet ndonjë mendim, por nuk ka mundësi t’i bllokojë vendimet. Në rastin e Kosovës, Zvicra, sipas shumë burimeve diplomatike, ka ndihmuar që BE-ja ta marrë vendimin për të liberalizuar vizat. Ka thënë se ky shtet ka një përvojë të mirë me shtetasit e Kosovës. Dhe nuk ka frikë se heqja e vizave do të paraqiste ndonjë problem të madh për këtë shtet, ani pse është shteti që për kokë banori ka më së shumti banorë me prejardhje nga Kosova në botë. Dhe ky argument ka qenë i fuqishëm. Sepse nëse nga ardhja masive e kosovarëve “nuk ka frikë një Zvicër e vogël, pse të ketë frikë një Francë e madhe”.
Dikush do të pyeste pse Zvicra nuk është në BE kur i pranon pothuajse të gjitha vendimet e BE-së, pa pasur mundësi që të marrë pjesë në miratimin e tyre? Përgjigjja nuk është aq e thjeshtë sa duket në shikim të parë. Por të gjitha përgjigjet mund të përmblidhen në një. Se Zvicra kështu formalisht jashtë BE-së përfiton shumë, e jep pak në BE. Kjo sqarohet me mënyrën se si mbushet dhe si shpenzohet buxheti i BE-së. Ato shtete që janë më të pasura kontribuojnë më shumë në buxhetin e Bashkimit Evropian, ndërsa ato që janë më pak të zhvilluara përfitojnë më shumë nga fondet e BE-së. Kjo quhet “politika e kohezionit“ përmes së cilës, nëse i shtohet edhe politika e bujqësisë dhe zhvillimit rural, shpërndahen mbi 2/3 e buxhetit të Bashkimit Evropian. Zvicra si e pasur nuk ka nevojë për asnjë cent nga BE-ja. Por, përpos në disa programe ku merr pjesë, ajo nuk ka nevojë as të paguaj për buxhetin. Por Zvicra si shtet jo i madh, me industrinë e madhe të prodhimeve, e sidomos të shërbimeve, ka nevojë për një treg shumë më të madh. Dhe këtë e ka duke qenë pjesë e zonës së tregtisë së lirë evropiane. Të njëjtat arsye i kanë edhe Norvegjia e Islanda. Ato për nga mesatarja e bruto prodhimit vendor për kokë banori janë shumë më të pasura sesa mesatarja e BE-së. Në fakt, vetëm Luksemburgu dhe Irlanda janë më të pasur sesa Zvicra e Norvegjia nëse matet pasuria me këto kritere.
Por historikisht, pengesë për mbështetjen e qytetarëve të Zvicrës për anëtarësim në BE ka qenë edhe frika e tyre se kjo do të prishte diskrecionin bankar, që është diçka e shenjtë për Zvicrën. Cinikët dhe kritikët për këtë arsye shpesh e kanë quajtur Zvicrën si lavatriçen më të madhe të parave në botën e civilizuar. Dhe, po të hynte në BE, herët apo vonë do të bëhej e detyruar të jetë pjesë edhe e ndonjë unioni bankar apo monetar dhe t’u nënshtrohej edhe rregullave financiare të Brukselit. Qytetarët e Zvicrës, që i kanë rrogat shumë më të mëdha sesa të gjithë në Evropën Perëndimore, nuk kanë dashur ta humbin apo ta rrezikojnë fare këtë privilegj.
Por tash edhe thënia se paratë nuk janë askund më të sigurta sesa në bankat e Zvicrës e ka humbur shkëlqimin. Thënia “ne nuk jemi Zvicër” në pothuajse tërë botën është përdorur si argument kundër sindikatave kur kanë kërkuar rroga më të mëdha, kundër qytetarëve kur kanë kërkuar sigurime shëndetësore dhe sociale më të mëdha. Me këtë thënie u është dhënë porosia se “nuk jemi aq të pasur” dhe nuk mund të kemi kushte për qytetarët siç i ka Zvicra. Në disa vende të Ballkanit kanë qenë pak më diplomatikë dhe e kanë përshtatur këtë thënie në “Nuk mund të bëhemi Zvicër brenda ditës”. Me demek, do të bëhemi Zvicër e përtej Zvicre, por duhet durim sepse kjo nuk bëhet brenda ditës.
Tash thënia “Ne nuk jemi Zvicër“ po përdoret për të qetësuar qytetarët dhe për t’u mburrur me sigruinë që kanë bankat në zonën Euro. Kjo thënie u dëgjua disa herë gjatë samitit të vendeve të zonës Euro në Bruksel. Ky samit shërbeu për të shqyrtuar edhe ndikimin që problemet në të cilat hasi banka e madhe zvicerane Credit Suisse mund t’i kenë bankat e Evropës.
BE-ja dhe qytetarët e saj kanë një traumë të vërtetë nga krizat financiare, të shkaktuara si pasojë e problemeve të bankave të mëdha. Sidomos pas krizës financiare të Greqisë në vitin 2008 tërë Evropës iu deshën dhjetë vjet për të dalë nga kjo krizë. E edhe vetë Greqia, me masa të rrepta kursimi, doli nga kriza, por me shumë pasoja për qytetarët. Pas krizës financiare të vitit 2008 ishte ajo e pandemisë së Coronavirusit. Pastaj agresioni i Rusisë në Ukrainë që solli edhe krizën energjetike dhe rritjen e madhe të inflacionit. Një krizë e re financiare për qytetarët e Evropës, e si pasojë edhe për elitat politike, do të ishte vështirë e përballueshme. Frika nga revolucionet edhe në vetë vendet demokratike nuk do të ishte e ekzagjeruar, sepse qytetarët janë vërtet të lodhur duke kaluar nga një krizë në tjetrën. Por nga shumë liderë të BE-së, përfshirë edhe nga ata të Greqisë, u dëgjua si porosi qetësuese “ne nuk jemi Zvicër”. Në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian, kryetarja e Bankës Qendrore Evropiane Chrristine Lagarde, citohet t’u ketë sqaruar se sistemi financiar i Eurozonës e ka nxjerrë mësimin e duhur nga kriza e vitit 2008 dhe tash është shumë më i mbrojtur, depozitat janë shumë më mirë të kontrolluara dhe është shumë më pak e mundshme që bankat të hasin në kriza. E nëse ndodh ndonjë krizë dhe dikush të ketë nevojë, ECB-ja i ka mjetet e duhura për të ndihmuar. Kush e di ndoshta një ditë Zvicra do të ndihet më e sigurt që të jetë në gjirin e BE-së. Sikur që sot Finlanda po hyn në NATO, sepse ndihet më e sigurt në gjirin e saj, pasi ka mbi 1000 kilometra kufij me Rusinë agresive. E Zvicra nuk sheh nevojë të hyjë në NATO. Do të shesë sa më shumë armë, por jo edhe për nevojat e Ukrainës për t’u mbrojtur nga Rusia. E ndryshe do të mendonte ajo sikur ta kishte Rusinë në kufij. Është lehtë të luash lojën e neutralitetit kur je shtet i rrethuar me NATO-n dhe nuk ke as dalje në det, që në këtë rast nga aspekti i mundësisë së ardhjes së armikut është përparësi e jo traumë kombëtare. Por edhe Zvicra po e kupton se bota rreth saj po ndryshon dhe me këto ndryshime duhet të ndryshojë edhe ajo. Gjithsesi, akoma shumica e madhe e evropianëve do të donte të ishte sikur Zvicra, jo jashtë BE-së e NATO-s por për nga standardi i jetës, sistemi i mbrojtjes sociale, shëndetësore dhe ai i shkollimit. Sa për banka, ato pak a shumë, po bëhen njësoj gjithkund. Dhe frika nga ndonjë krizë nuk do të zhduket asnjëherë.