OpEd

Kur ligji bie në duart e të fortëve

Sead Zimeri

Kur shtetet e fuqishme e shkelin ligjin për arsye që nuk mund t’i justifikojnë përpara të tjerëve—kur veprojnë pa mbështetje ndërkombëtare, pa konsensus moral dhe pa llogaridhënie—ato nuk e shkelin vetëm germën e ligjit, por edhe frymën e tij. E reduktojnë atë në atë që Steinmeier e quante një “shpatë të topitur”—një mjet që përdoret vetëm nga ata që kanë forcën për ta mbajtur. E drejta ndërkombëtare kthehet kështu në një kod që nuk detyron askënd, por thjesht maskon pabarazitë e forcës.

Sead Zimeri

Që prej studimeve të mia të doktoratës në filozofinë e së drejtës, një pyetje ka qenë në qendër të vëmendjes sime: a është ligji thjesht një sistem rregullash të detyrueshme, apo—siç ka thënë Ronald Dworkin—një degë e moralit? Me fjalë të tjera, a qëndron autoriteti i ligjit vetëm në fuqinë detyruese, fuqinë për të ndëshkuar, apo në forcën e arsyeve morale që aktorët racionalë mund ti pranojnë si legjitime? Këto dy qasje nuk janë domosdoshmërisht kundërthënëse. Ligjet mund të jenë të detyrueshme dhe njëkohësisht moralisht të justifikueshme—andaj forca nuk përjashton domosdoshmërisht moralin. Por nëse ligji ka për qëllim të na detyrojë jo vetëm përmes frikës së ndëshkimit, por përmes bindjes, atëherë ai duhet të apelojë tek arsye që shkojnë përtej forcës—duhet të mbështetet në legjitimitet moral.

Kjo nuk është një ndarje teorike pa pasoja. Ka rëndësi thelbësore, sidomos në të drejtën ndërkombëtare, ku mungon një autoritet qendror që e zbaton ligjin me forcë. Përtej kuadrit të marrëveshjeve dhe institucioneve ndërkombëtare, ekziston vetëm gjendja natyrore—xhungla. Një botë pa norma të përbashkëta detyruese është një rikthim në botën hobbesiane, ku sundon fuqia e jo arsyeja, dhe siguria bazohet në agresion parandalues. Çdoherë që një shtet vepron në mënyrë të njëanshme, në shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare, ai rrezikon të dëmtojë këtë rend të brishtë. Dhe ky akt përçmon të gjitha shtetet e tjera që vazhdojnë të respektojnë marrëveshjet dhe traktatet ndërkombëtare që i kanë nënshkruar.

Por jo çdo shkelje është e njëjtë. Nëse duam të ruajmë autoritetin normativ të së drejtës ndërkombëtare, duhet të bëjmë një dallim të qartë midis shkeljeve që janë moralisht të justifikueshme dhe atyre që janë moralisht të pajustifikueshme.

Ndërhyrjet e NATO-s në Bosnjë (1995) dhe Kosovë (1999) ishin, në kuptimin formal, jashtë kornizës ligjore të OKB-së, sepse nuk kishin autorizim të drejtpërdrejtë nga Këshilli i Sigurimit. Por ato nuk ishin arbitrare në kuptimin moral. Të dyja ndërhyrjet ishin reagime ndaj katastrofave humanitare të rënda—spastrim etnik, mizori masive, dhe në rastin e Bosnjës, gjenocid. Sistemi ndërkombëtar kishte dështuar, dhe ndërhyrjet u ndërmorën—me të gjitha të metat e tyre—për të parandaluar krime të rënda kundër njerëzimit, të cilat e drejta ndërkombëtare nuk kishte arritur ti ndalonte.

Këtu duhet të dallojmë mes së drejtës si sistem rregullash pozitive (ligjit) dhe së drejtës si parim i drejtësisë (Recht). Kur ka arsye të fuqishme morale që rrjedhin nga drejtësia, por ligji pozitiv dështon ti përfshijë ose ti zbatojë ato, atëherë është vetë ligji që dështon. Në raste të tilla, të drejtat e vërteta morale duhet të shërbejnë si bazë për rishikimin, interpretimin apo edhe kapërcimin e ligjit pozitiv. Aty ku ka një mospërputhje mes drejtësisë dhe ligjit, është ligji që ka nevojë të ndryshojë, jo drejtësia që duhet të nënshtrohet.

Edhe nëse disa shtete mbetën të kujdesshme apo të përmbajtura publikisht, arsyet që u dhanë për këto veprime ishin të kuptueshme për aktorët moralë të tjerë. Nuk ishin arsyetime të bazuara në interes të pastër shtetëror, por në vlera universale si dinjiteti njerëzor dhe mbrojtja nga persekutimi—vlera që vetë e drejta ndërkombëtare pretendon ti mishërojë. Pikërisht për këtë arsye, këto shkelje nuk e gërryen autoritetin moral të së drejtës ndërkombëtare. Ato ishin thyerje, por që bëheshin në emër të qëllimit moral të ligjit. Jo pse qëllimet ishin të pastra, por sepse arsyet ishin të mbrojtshme, publike dhe të përbashkëta.

E kundërta ndodh me shkeljet që janë jo vetëm të paligjshme por edhe moralisht të pajustifikueshme. Këto janë akte të njëanshme, të cilat nuk mund të justifikohen përpara të tjerëve pa përdorur manipulime, frika të paqarta apo rreziqe të sajuara. Sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit mbi objektiva në territorin iranian në qershor 2025 janë shembulli më i afërt. Ato u justifikuan me referenca të paqarta për rrezik ekzistencial” dhe me kërcënime të supozuara për të ardhmen—pa prova, pa konsultime ndërkombëtare, dhe pa as përpjekjen më të vogël për të përmbushur kriteret juridike të mbrojtjes paraprake. Nuk kishte urgjencë humanitare, as dështim institucional të sistemit ndërkombëtar, dhe as njohje të përbashkët të nevojës morale.

Aq më keq ishte reagimi i botës perëndimore. Në vend të shqetësimit moral dhe kundërshtimit parimor, sulmet u pritën me heshtje, relativizime apo mbështetje të heshtur. Në Gjermani, për shembull, ku në vitin 2022 presidenti Frank-Walter Steinmeier pati deklaruar se e drejta ndërkombëtare nuk është një shpatë e topitur që mund të shpërfillet”, kësaj here nuk u tha asgjë e krahasueshme. Përkundrazi, kancelari Friedrich Merz, në dy intervista të veçanta në fund të qershorit, bëri komente të tronditshme. Në samitin e G7 në Kanada, ai lavdëroi Izraelin për punën e pistë që e bëri për neve.” Dhe kur u pyet nga Süddeutsche Zeitung më 27 qershor nëse donte të tërhiqte këtë deklaratë, Merz refuzoi me vetëdije, duke ripërsëritur argumente të vjetra të diskredituara dhe duke thënë se nuk ishte në kompetencën e tij të bënte një vlerësim ligjor të sulmeve.

Por Gjermania nuk ishte e vetme. Në SHBA, operacioni u përshëndet si sukses strategjik. Në Britani, Kanada e Holandë, u dhanë deklarata të mjegullta dhe pa qëndrim të qartë. Ligji nuk u shkel vetëm—u anashkalua. Dhe askush nuk doli ta mbronte.

Henning Lahmann, në një ese të fuqishme të botuar në “Verfassungsblog”, paralajmëron se po përjetojmë një krizë normative të thellë. Duke cituar Thomas M. Franck, ai kujton: Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk shpreh në mënyrë të dukshme pakënaqësinë e saj ndaj një shkeljeje të ligjit, atëherë është e arsyeshme të thuhet se norma po bie në harresë”.

Dhe ky është thelbi i rrezikut. Nuk është thyerja në vetvete që e dëmton ligjin, por pranimi i saj pa kundërshtim. Nëse asnjë aktor nuk kërkon llogari, atëherë ligji nuk është më detyrim moral, por instrument i dobishëm për të fortët.

Kur shtetet e fuqishme e shkelin ligjin për arsye që nuk mund ti justifikojnë përpara të tjerëve—kur veprojnë pa mbështetje ndërkombëtare, pa konsensus moral dhe pa llogaridhënie—ato nuk e shkelin vetëm germën e ligjit, por edhe frymën e tij. E reduktojnë atë në atë që Steinmeier e quante një “shpatë të topitur”—një mjet që përdoret vetëm nga ata që kanë forcën për ta mbajtur. E drejta ndërkombëtare kthehet kështu në një kod që nuk detyron askënd, por thjesht maskon pabarazitë e forcës.

Por efekti është edhe më i thellë: me çdo shkelje të pajustifikuar, me çdo precedent të pandëshkuar, minohet jo vetëm besimi te ligji, por edhe te mundësia për një rend ndërkombëtar të drejtë. Më e keqja është se këto shembuj krijojnë justifikime për aktorë të tjerë që duan ta imitojnë këtë sjellje. Rusia tashmë e ka përdorur këtë logjikë për të arsyetuar pushtimin e Ukrainës. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar:

Nëse nuk mund të flini për shkak të konfliktit në Ukrainë, mendoni sikur kjo të ishte në Afrikë. Mendoni sikur të ishte në Lindjen e Mesme. Mendoni sikur Ukraina të ishte Palestina dhe Rusia të ishte Shtetet e Bashkuara”.

Kjo është një pasqyrë e qartë e krizës në të cilën ndodhemi. Kur ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë, ai humb kuptimin e vet si normë morale dhe kthehet në një instrument relativ. Ky relativizëm normativ është jashtëzakonisht i rrezikshëm: sepse legjitimon çdo veprim të palës më të fortë dhe e lë botën në duart e atyre që e përçmojnë të drejtën si kufizim të fuqisë së tyre.

Kjo vlen jo vetëm për ndërhyrjet ushtarake, por edhe për vendimet e institucioneve ndërkombëtare si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ). Nëse vendimet e ICJ-së nuk zbatohen në mënyrë universale, sipas parimit të barazisë para ligjit, atëherë do të thellohet ndarja politike midis shteteve dhe do të shuhet përfundimisht shpresa për një rend botëror të drejtë. E ardhmja do të formësohet jo nga ligji, por nga forca. Do të hyjmë në një epokë ku çdo shtet do të ndiejë se mund të veprojë si të dojë, për aq kohë sa ka fuqinë për ta bërë. Shenjat e kësaj marrëzie tashmë janë të dukshme, dhe çdo shtet që mendon në mënyrë racionale duhet të veprojë për të ndalur këtë prirje.

Ka ende hapësirë për manovrim. E ardhmja nuk është e paracaktuar. Historia nuk është një lumë që rrjedh në një drejtim të pandryshueshëm. Por që të ndryshohet drejtimi, duhen liderë me vizion moral dhe me guxim për të thënë të vërtetën edhe kur është e papërshtatshme politikisht. Duhet të rivendoset parimi se ligji vlen për të gjithë—dhe, më e rëndësishmja, se ai nuk mund të përdoret si vegël për të mbrojtur të fortët, ndërkohë që u imponohet të dobëtëve.

Drejtësia ndërkombëtare është ndërtuar mbi kujtesën e mizorive që duhej të mos përsëriteshin më. Nëse edhe kjo kujtesë zbehet, atëherë nuk do të jetë vetëm ligji që do të humbasë autoritetin e vet normativ, por edhe vetë ideja se rendi ndërkombëtar mund të bazohet në parime që janë të detyrueshme për të gjithë.

Autori është profesor në “Nord University”. Artikulli është shkruar enkas për KOHËN.