OpEd

Kur gjithçka mund të përmbyset – Një shënim për edukimin medial

Historia ofron mësime të vlefshme. Kur Finlanda fitoi pavarësinë në vitin 1917, ajo u përball me sfida të mëdha, por ajo bëri një zgjedhje strategjike që do të përcaktonte fatin e saj. Vendosi që njerëzit t’i trajtojë si potencialin e saj më të madh. Vendi investoi fuqishëm dhe në mënyrë të vazhdueshme në arsim, përgatitjen e mësuesve, aftësitë qytetare dhe të nxënit gjatë gjithë jetës. Me kalimin e kohës, ky përkushtim e shndërroi Finlandën në një nga demokracitë më të qëndrueshme në botë.

Ndërsa dritat festive ndriçojnë bulevardin “Nënë Tereza”, viti 2025 po i afrohet fundit. Ky është një moment i përshtatshëm për reflektim, për të bërë bilancin e vitit që po lëmë pas dhe për të nxjerrë mësimet që ai ka ofruar. Për lexuesit e Koha Ditore, ky ka qenë pa dyshim një vit i ngarkuar në peizazhin mediatik, i shënuar si nga arritje ashtu edhe nga sfida. Për të gjithë ne si përdorues të mediave, tani është koha e duhur për të reflektuar mbi arsimimin medial, kompetenca mediatike dhe të menduarit kritik — aftësi që nuk janë më abstrakte apo “të buta”. Sot, ato përbëjnë themelin e qëndrueshmërisë kombëtare, stabilitetit demokratik dhe sigurisë afatgjatë.

Ky vit ka qenë gjithashtu një vit festimi. Finlanda ka shënuar 80-vjetorin e librave të dashur Moomin nga autorja finlandeze Tove Jansson. Jansson nisi t’i shkruante tregimet e Moomin gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Evropa ishte thellësisht e trazuar dhe siguria e njerëzve të saj rëndë e kërcënuar. Shkrimi i mundësoi asaj të imagjinonte një botë më të mirë dhe më të sigurt. Moominët, ata trollë të bardhë, të ngjashëm me hipopotamë, që jetojnë në Luginën e Moominëve, formojnë një komunitet të larmishëm që jeton në paqe dhe e trajtojnë njëri-tjetrin si të barabartë. Në shumë aspekte, ata pasqyrojnë vlerat thelbësore të Finlandës: barazinë, përfshirjen dhe pranimin, me një nuancë të lehtë të tuhafllëkut finlandez. Në Moominpappa at Sea (1965), Jansson e përshkruan me qartësi goditëse absurditetin, ankthin dhe paparashikueshmërinë e jetës: “Sa emocionuese është të jesh gjallë,” mendoi Moominpappa. “Gjithçka mund të përmbyset për një çast — pa asnjë arsye”. Këto fjalë tingëllojnë fuqishëm edhe sot.

Gjatë gjithë vitit 2025, jetët tona janë formësuar përditë nga ajo që shohim, ndajmë dhe besojmë. Informacioni ka lëvizur më shpejt se kurrë dhe narrativat kanë kapërcyer kufijtë brenda sekondash. Në epokën digjitale, siguria nuk përkufizohet më vetëm nga ushtritë, kufijtë apo sistemet e mbrojtjes. Gjithnjë e më shumë, ajo varet nga mënyra se si shoqëritë lundrojnë në xhunglën digjitale — nga mënyra se si qytetarët e interpretojnë informacionin, reagojnë ndaj narrativave dhe i rezistojnë manipulimit. Në momente të caktuara, ndjesia vërtet ka qenë e tillë sikur gjithçka mund të përmbyset për një çast.

Historia ofron mësime të vlefshme. Kur Finlanda fitoi pavarësinë në vitin 1917, ajo u përball me sfida të mëdha — faktorë që edhe sot e formësojnë vendin, përfshirë burime të kufizuara, një klimë të ashpër dhe një pozicion gjeopolitik të vështirë. E ardhmja dukej e pasigurt. Finlanda bëri një zgjedhje strategjike që do të përcaktonte fatin e saj. Vendosi që potenciali i saj më i madh qëndronte te njerëzit. Vendi investoi fuqishëm dhe në mënyrë të vazhdueshme në arsim, përgatitjen e mësuesve, aftësitë qytetare dhe të nxënit gjatë gjithë jetës. Me kalimin e kohës, ky përkushtim e shndërroi Finlandën në një nga demokracitë më të qëndrueshme në botë.

Edukimi medial u bë pjesë qendrore e këtij vizioni. Në Finlandë, ai kurrë nuk është trajtuar si një lëndë periferike apo shtesë opsionale. Sot, ai është i integruar në të gjithë sistemin arsimor, nga fëmijëria e hershme deri te mësimi i të rriturve. Nxënësit mësojnë se si funksionojnë mediat, si ndërtohen narrativat dhe si të jenë konsumues edhe si krijues të përgjegjshëm të përmbajtjes. Ky investim afatgjatë ka dhënë fryte. Finlanda renditet vazhdimisht ndër vendet më rezistente në Evropë ndaj dezinformimit dhe ndikimit të huaj, jo sepse kufizon informacionin, por sepse qytetarët e saj janë të përgatitur se si të navigojnë në mënyrë kritike dhe me vetëbesim.

Në disa aspekte, Kosova gjendet në një udhëkryq të ngjashëm. Si një demokraci e re, ajo përballet me sfida të konsiderueshme informative. Fushatat e dezinformimit, narrativat polarizuese dhe manipulimi digjital janë rreziqe të vazhdueshme. Të rinjtë, pjesa më e konektuar e shoqërisë, gjendet në qendër të këtij realiteti. Për Kosovën, vendin me një nga popullsitë më të reja në Evropë, kjo ndonjëherë paraqitet si një cenueshmëri.

Por, kjo mund të shihet edhe ndryshe - si diçka që në të vërtetë edhe është: një mundësi e fuqishme. Kosova zotëron një aset të paçmueshëm: një popullsi që është e aftë në aspektin digjital, është energjike dhe e përfshirë, si dhe e etur për të mësuar, për të marrë pjesë dhe për të formësuar të ardhmen. Të rinjtë sjellin kreativitet, përshtatshmëri dhe momentum: përbërësit thelbësorë për ndryshim kuptimplotë. Ka hapësirë që sistemi arsimor dhe diskursi publik ta njohin dhe ta mbështesin më tej këtë potencial. Investimi te njerëzit, veçanërisht te të rinjtë, sjell kthimin më të lartë që mund të bëjë çdo shoqëri.

Edukimi medial nuk ka të bëjë thjesht me demaskimin e lajmeve të rreme apo identifikimin e videove të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Qëllimi i tij është shumë më ambicioz. Në Finlandë, synimi i promovimit të edukimit medial është mbrojtja e një demokracie funksionale, të shëndetshme dhe të qëndrueshme. Aftësitë e forta mediale i bëjnë shoqëritë më të forta, më të përshtatshme dhe më kohezive. Është thelbësore: këto shkathtësi duhet të zhvillohen në kohë stabiliteti, në mënyrë që, kur të lindin kriza, qytetarët të jenë të përgatitur të reagojnë me maturi, t’i rezistojnë manipulimit dhe të navigojnë pasigurinë me vetëbesim.

Përvoja e Finlandës tregon se investimi te njerëzit mund ta riformësojë fatin e një kombi. Kosova ka sot të njëjtën mundësi: duke i dhënë përparësi edukimit medial, të menduarit kritik dhe fuqizimit të të rinjve, ajo mund të forcojë sigurinë, demokracinë dhe stabilitetin e saj afatgjatë. Kjo qasje përputhet me aspiratat demokratike të përbashkëta të Kosovës dhe Finlandës. Një demokraci e shëndetshme varet nga qytetarë të informuar, të cilët mund të marrin vendime të arsyetuara, t’i mbajnë institucionet përgjegjëse dhe të angazhohen me respekt ndaj pikëpamjeve të ndryshme. Të rinjtë me edukim medial bëhen votues më të mirë, udhëheqës më të fortë të komunitetit dhe mendimtarë më inovativë.

Në vitin 2026, ky fokus i përbashkët do të çojë përpara bashkëpunimin praktik. Përmes projektit “Avancimi i edukimit medial dhe luftimi i dezinformimit dhe kërcënimeve të sigurisë së të dhënave me ekspertizë nordike në Kosovë”, Ambasadat e Finlandës dhe Suedisë, së bashku me Konsullatën e Përgjithshme Mbretërore të Nderit të Norvegjisë, do të punojnë me partnerë kosovarë për t’i forcuar aftësitë që e ndihmojnë shoqërinë për të qenë e qëndrueshme në një mjedis informativ të paqëndrueshëm. Projekti nis nga një vëzhgim i thjeshtë: dezinformimi dhe siguria e dobët digjitale ndikojnë shumë më tepër sesa vetëm politika apo mediat. Ato formësojnë besimin e përditshëm, kohezionin shoqëror dhe madje edhe besimin për të investuar dhe për të bërë biznes. Në vend që të ofrojë zgjidhje të gatshme, iniciativa nxit shkëmbimin — duke bashkuar ekspertë nordikë dhe kosovarë për të ndarë përvoja dhe për t’i përshtatur mësimet me realitetet vendore.

Aktivitetet e planifikuara përfshijnë dy konferenca të nivelit të lartë mbi edukimin medial, dezinformimin dhe sigurinë digjitale, si dhe punë me shkollat në disa komuna, përfshirë jashtë kryeqytetit dhe në komunitetet pakicë. Nxënësit, arsimtarët, gazetarët, shoqëria civile, zyrtarët publikë dhe bizneset do të jenë të gjithë pjesë e diskutimit me ekspertë nordikë që do të kontribuojnë përmes ligjëratave dhe dialogut. Qëllimi është praktik: të arrihen rreth 700 pjesëmarrës, të thellohet kuptimi mbi mënyrën se si funksionon dezinformimi dhe të ndërtohet bashkëpunim që do të vazhdojë edhe përtej vitit 2026. Nëse edukimi medial është një investim afatgjatë në qëndrueshmërinë demokratike, ky projekt ka të bëjë me shndërrimin e vetëdijes në shprehi - dhe të besimit në diçka që mund të zgjasë.

Me këtë shpresë, u uroj të gjithë lexuesve të Koha Ditore një Vit të Ri të mbarë. Uroj që artikujt që lexoni të jenë të thelluar, përmbajtja që ndani të bazohet në fakte, dhe që paqja — si digjitale ashtu edhe reale — të shtrihet nga Ballkani deri në vendet nordike dhe në mbarë botën.

Autorja është Ambasadore e Republikës së Finlandës në Kosovë.