E quajtën «qen», të sëmurë, të paaftë, karrierist, inatçi, ia deformuan emrin në Jakupovski. I hidhëruar iku nga PDK-ja, të cilën e kishte themeluar. Tash Jakup Krasniqi është kthyer në PDK (nën siglën e Nismës për Kosovën) dhe po përpiqet që për këtë kthesë të pabesueshme të gjejë arsyetime. Dhe po i gjen disa arsyetime – tejet qesharake.
Pjesa më e madhe e anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), domethënë rrethi i ngushtë i Hashim Thaçit, me vite është tallur me Jakup Krasniqin. E kanë quajtur Jakupovski. Me fjalë joetike e kanë quajtur «sheqerash», duke aluduar se si i sëmurë nga diabeti nuk është në gjendje të mendojë në mënyrë racionale. Sami Lushtaku e ka quajtur Jakup Krasniqin «qen», një ndër fyerjet më të rënda që janë dëgjuar viteve të fundit në skenën politike kosovare.
Kur tarafi i PDK-së, i prirë nga Thaçi, nuk e bëri president të Kosovës Jakup Krasniqin, ky i fundit u hidhërua. U hidhërua pa masë, kur e shihte se në kolltukun e presidentit zuri vend Behgjet Pacolli. Madje «sandalinë» presidenciale Pacolli e solli me vete. Si është e mundur, pyeste veten Krasniqi, që në Kosovën e pavarur të mos bëhej president një ish i burgosur politik, një funksionar rajonal i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pse nuk zgjidhej president zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai që pati guximin të dalë e të flasë para opinionit, para kamerave e mikrofonave, me emrin e tij të plotë, pa u fshehur pas pseudonimeve nga kopshti zoologjik? Pse nuk mund të bëhej president njëri nga themeluesit e PDK-së, kryetari i Kuvendit, historiani, dua-të-jem-rilindasi-i-fundit? Dhe pse po bëhej president Pacolli - «emisari i Kremlinit», «ai që e takoi Milosheviqin në ditët kur u vra Adem Jashari», «ai për të cilin ambasadori amerikan ka thënë se nuk i bën nder Kosovës si president»? Me këto mendime sillej nëpër zyrën e tij të kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe parasysh e kishte një fajtor që ia kishte bërë këtë të zezë: fajtori quhej Hashim Thaçi.
Posti i presidentit do të ishte kulmi i karrierës politike të Jakup Krasniqit. Në hidhërim e sipër Krasniqi iku nga PDK-ja dhe themeloi një parti minore (bashkë me Fatmir Limajn), e cila po të futej e vetme në zgjedhjet e 11 qershorit, sipas të gjitha gjasave, nuk do të hynte në Parlament, nuk do ta kalonte pragun. Tash Jakup Krasniqi i është bashkuar sërish PDK-së. Asaj partie për të cilën thoshte se «është larguar nga idealet kombëtare».
Si po e arsyeton Krasniqi kthimin në PDK? Po thotë se është larguar vetëm për shkak të mospajtimeve me Hashim Thaçin. Përpjekja e Krasniqit për ta bërë fajtor Thaçin për çdo gjë, është qesharake. Është arsyetim që nuk ia blen askush. Thaçi sa ka qenë kryetar i PDK-së ka pasur ekip. Dhe ky ekip e ka tallur e fyer Krasniqin. Anëtarët e këtij ekipi janë ende aty, në PDK. Tentimet e Krasniqit për të gjetur arsyetimet më absurde për kthimin e tij në PDK vetëm shkrimtari George Orwell ka ditur t’i përshkruajë: «Gjuha politike ka për qëllim t’i bëjë gënjeshtrat të ngjajnë të vërteta dhe vrasjet të ngjajnë të respektueshme».
Margaritari i radhës i Krasniqit për të arsyetuar bashkimin me ata që ishte përbetuar se nuk do të bashkohej kurrë është ky: këtë sakrificë, thotë ai, po e bëjmë për shkak se na qenkësh e rrezikuar siguria kombëtare. Tani Krasniqi do ta shpëtojë vendin me ata që i shihte si rrezik për sigurinë kombëtare, sepse – po e përsërisim – janë «larguar nga idealet kombëtare». Natyrisht, thotë Krasniqi, më ideale do të ishte nëse Nisma do të bënte koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, por ja që rrethanat paskëshin qenë të tilla që Jakup Krasniqi të kthehet në partinë e Sami Lushtakun, i cili e quante «qen».
Në sytë e Jakup Krasniqit me largimin e Thaçit nga PDK-ja gjërat qenkan spastruar, tani atij gjithçka i duket në rregull. E çfarë do të mendonte për Thaçin nëse ky i fundit do ta kishte bërë president? Me siguri Jakup Krasniqi sot do ta lavdëronte vizionin e Thaçit, patriotizmin e tij, strategjinë e tij të pjekur politike për të zgjedhur president një personalitet si Jakup Krasniqi, i cili e sheh veten të renditur mes «figurave të mëdha të kombit» si Qemal Stafa, Vojo Kushi, Mihal Grameno dhe Avni Rrustemi.
Deklaratat e fundit të Krasniqit me të cilat e arsyeton kthimin e tij faktik në PDK vetëm e njollosin atë pa nevojë. Nuk është duke vuajtur për bukë Krasniqi, këtë problem e ka zgjidhur moti, andaj s’ka asnjë zor të bëjë këso kthesash politike. Me disa qëndrime parimore që ka mbajtur kundër «Klanit Pronto» apo kundër zgjedhjes së Pacollit president, Krasniqi pati fituar simpati në opinion. Këto simpati i ka humbur përfundimisht me manovrën e fundit politike, bashkë me Fatmir Limajn.
Por, me sa duket, ky është trendi në politikën kosovare. Kur një politikan përbetohet se kurrë nuk do të bëjë aleancë me atë apo këtë parti, dijeni se bash kjo do të ndodhë – para ose pas zgjedhjeve. Mjafton të shikohen e dëgjohen (më zë e me figurë) përbetimet e Ramush Haradinajt se nuk bën kurrë koalicion parazgjedhor me PDK-në, se bashkëpunimi me LDK-në para zgjedhjeve nuk do të ndodhë assesi.
Dhe çfarë ndodhi? Pak para skadimit të afatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) jepet lajmi se u bënë bashkë «komandantët» për ta shpëtuar edhe një herë Kosovën. Natyrisht, pakkush beson se kjo aleancë e atyre që e kanë akuzuar njëri-tjetrin për krime e haraç është arritur pak para mesnatës, kur po skadonte afati për koalicione parazgjedhore.
Po, politika nuk funksionon pa kompromis. Por çfarë bën vaki në Kosovë nuk ka të bëjë asgjë me kompromis. Sepse nëse me vite të tëra e keni quajtur një parti fole të krimit të organizuar dhe u keni premtuar qytetarëve se me çdo kusht do të luftoni për largimin nga pushteti të këtyre «pederave» (fjalë e përdorur nga Haradinaj), por pastaj befas bëheni aleat me po këtë parti, atëherë kjo është – thënë më së buti – tallje me votuesin. «Në asnjë variant nuk bashkëpunojmë me partitë në pushtet», tha Haradinaj pak ditë para se të shpallte bashkëpunimin me PDK-në. Çka mund të presim në ditët në vijim? Ndoshta Haradinaj do të tërheqë nënshkrimin nga kërkesa për të hetuar PDK-në për veprimtari kriminale. Çka mund të presim tjetër në ditët në vijim? Ndoshta Haradinaj do t’ia kthejë 1,1 milionë euro Behgjet Pacollit (nëse është e vërtetë se ky ia ka dhënë këto para Haradinajt). Politika në shumë shtete është strehë intrigantësh, por në Kosovë po bëhet gjithnjë e më shumë një gropë pisllëku. Kur edhe Jakup Krasniqi i afrohet kësaj grope, atëherë hendeku mes popullit që jeton në mjerim dhe një «elite» pa asnjë parim dhe pa etikë bëhet i madh.