Krizat tona të ndërlidhura kërkojnë përgjigje të ndërlidhur e të bashkërenduar. Nëse kjo rezulton të jetë e pamundur, atëherë nuk duhet të befasohemi nëse shtetet vendosin që t’i ndjekin krye më vete mjetet më pak konsensuale
Krejt ata që janë të zhgënjyer me rezultatet jopërfundimtare nga takimi për ndryshimet klimatike COP26, samiti i fundit virtual midis presidentit amerikan Joe Biden dhe atij kinez Xi Jinping, apo përpjekjet për ta arritur barazinë në vaksinat kundër COVID-19 duhet që të zgjohen për botën në të cilën jetojmë. Në rrethanat aktuale, qeverisja globale është e garantuar të zhgënjejë.
Në raportin e ri “Gjendja jonë globale”, unë dhe kolegët e mi nga Komisioni Global për Politikat Postpandemike ia atribuuam këto vështirësi faktit se ndodhemi nën mbërthim jo të një, por të katër krizave. E vetmja rrugë për ecjen përpara është njohja e ndërlidhjeve midis shëndetit publik planetar, ndryshimeve klimatike, rënies së besimit publik dhe legjitimitetit demokratik, si dhe paqëndrueshmërisë gjeopolitike. Këto çështje janë të ndërthurura. Trajtimi i tyre si domene të veçanta nuk do të na shpjerë gjëkundi.
Tendosjet mjedisore i rrisin gjasat për përhapjen e sëmundjeve zoonotike te njerëzit dhe për shndërrimin e tyre në pandemi. Tendosjet shoqërore, politike dhe ekonomike të shpalosura nga pandemia mandej i ushqejnë qëndrimet dhe sjelljet që e minojnë solidaritetin shoqëror, duke ua vështirësuar qeverive sigurimin e pranimin publik të masave të ashpra të dekarbonizimit. Në vendet dhe sistemet politike, ku besimi në institucione dhe në autoritetin e ekspertizës është minuar nga trashëgimia e krizës financiare të 2008-s dhe nga shtimi i mediave sociale, përballja me krizat e reja mbetet një luftë e zorshme.
Ky përshkrim është veçanërisht i përshtatshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vend te i cili kaq shumë njerëz i kthejnë sytë në kërkim të udhëheqjes. Kriza e besimit ka dobësuar SHBA-në si përbrenda ashtu edhe në skenën botërore, duke kontribuar në përkeqësimin e marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Kinës. Duke ndjekur logjikën e reagimeve, tensionet rreth pandemisë dhe ndryshimeve klimatike i kanë kontribuar krizës më të madhe gjeopolitike të botës. Megjithëkëtë, pa angazhimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë SHBA-Kinë fare pak përparim thelbësor mund të arrihet qoftë kundër pandemisë apo ndaj ndryshimeve klimatike.
Dinamikat e ngjashme janë vënë në pah në dështimin për të ofruar furnizim të mjaftueshëm të vaksinave në vendet më të varfra, një realitet ky që është bërë edhe më evident nga shfaqja e variantit të ri Omicron në Afrikën Jugore. Sipas numërimit për së mbrapshti për vaksinim të Komisionit Global, Azia, Evropa dhe SHBA-ja janë rrugës për të vaksinuar 80-përqindëshin e popullsive të tyre deri në muajt mars-maj të 2022-s, përderisa shumica e vendeve afrikane nuk do të arrijnë në këtë pikë deri nga mesi i vitit 2025.
Bashkëpunimi kinezo-amerikan mund ta mbyllë këtë boshllëk, duke i pasur parasysh burimet e pakrahasueshme kapitale dhe logjistike të këtyre dy vendeve, dhe munden po ashtu të përballen më shpejt me krizën në ardhje të borxhit sovran që pritet t’i godasë vendet me të ardhura të ulëta dhe mandej edhe pjesën tjetër të botës më 2022. Mjerisht, nuk ka gjasa që rishtas të ndodhë një marrëveshje e tillë.
Është kjo një pamje e zymtë që e përbën ogurin e zi për një fatkeqësi të menjëhershme, por më tepër të një zhgënjimi e cenueshmërie të vazhdueshme. Për t’iu kundërvënë kësaj situate duhet të zhvillojmë strategji të reja bazuar në katër parime kryesore.
Parimi i parë – dhe detyra më e menjëhershme – është që të vaksinohen të gjitha popullatat, ashtu që ne të mund ta përshpejtojmë kalimin nga një pandemi në një problem endemik të shëndetit publik që është më i menaxhueshëm. Pavarësisht nëse veprojnë të vetme apo në grup, të gjitha shtetet duhet që si prioritet më të lartë ta vendosin dërgesën e vaksinave në Afrikë dhe në rajonet e tjera në ngecje, si dhe të ndajnë më shumë burime – mjekësore, financiare, logjistike dhe administrative – për t’i mbështetur programet e vaksinimit. Eliminimi i paqartësive të nxitura nga pandemia mundet po ashtu të jetë mënyra më e sigurt për të krijuar besim dhe pranim publik lidhur me masat e qëndrueshme klimatike dhe politikave të tjera të nevojshme porse të kushtueshme të “rindërtimit për më të mirë”.
Parimi i dytë (dhe më afatgjatë) është pranimi se rivaliteti SHBA-Kinë luan një rol qendror në çështjet globale. As ky rivalitet dhe as rëndësia e vazhdueshme e cilitdo prej këtyre shteteve nuk mund të shlyhen. Andaj, detyra më urgjente është që të caktohet një agjendë dhe të krijohet një mekanizëm që dy superfuqitë të konsultohen njëra me tjetrën dhe të bashkëpunojnë rreth sfidave globale, ani se vazhdojnë të konkurrojnë në fushat e tjera.
SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik e ushtronin një disiplinë të tillë gjatë luftës së ftohtë. Por që kjo gjë të mësohet dhe të bëhet janë dashur dekada. As ndryshimet klimatike dhe as siguria ndërkombëtare e qeverisja efektive nuk mund të presin.
Parimi i tretë është se kriza e besimit dhe e legjitimitetit në Perëndim duhet të trajtohet më seriozisht. Brishtësia e rritur e demokracive perëndimore kundruall politikave ekstremiste përbën rrezik jo vetëm për ato vende, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë globale. Në këtë pikë, detyrat më urgjente i përbëjnë përditësimi i rregullave dhe institucioneve demokratike për shekullin njëzetenjë; rregullimi i mediave sociale për t’i bërë këto platforma më të përgjegjshme; ringjallja e qytetarisë nëpërmjet formave të reja të pjesëmarrjes; dhe zgjerimi i investimeve për garantimin e barazisë më të madhe në trajtim dhe mundësi.
Parimi i katërt është pragmatik. Sikurse me vaksinat, shtetet nuk mund të ulen dhe të presin që qeverisja e duhur globale të ofrojë zgjidhje. Pas sukseseve në partneritetin publiko-privat që e jetësuan dërgesën e vaksinave të sigurta dhe shumë efektive në kohë rekorde, kundërvënia e krizave të ndërlidhura të së sotmes kërkon koalicione të gatshme për t’i adresuar problemet e përbashkëta që nuk njohin kufij. Fushat e tjera që mund të përfitojnë nga bashkëpunimi i ngushtë ndërshtetëror përfshijnë teknologjinë për identifikimin dhe monitorimin e patogjenëve të rinj dhe investimet më të mëdha në teknologjitë e energjisë pa karbon, siç është shkrirja bërthamore.
Krizat tona të ndërlidhura kërkojnë përgjigje të ndërlidhur e të bashkërenduar. Nëse kjo rezulton të jetë e pamundur, atëherë nuk duhet të befasohemi nëse shtetet vendosin që t’i ndjekin krye më vete mjetet më pak konsensuale.
(Bill Emmott, ish-kryeredaktor i revistës “The Economist”, është bashkëdrejtor i Komisionit Global për Politikat Post-Pandemike. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).