Nëse them se doktor Leci dinte të bëhej edhe arrogant, ju që e njihnit, do të më gjykoni për gënjeshtar të kulluar. Po, një herë e kam parë të tillë!
Doktorin e vranë saktësisht dy dekada më parë.
Atë gjithherë e shihje të qeshur e të butë. Ekstremisht modest. Zëëmbël. Ishte ndër mjekët e paktë që veç me fjalë shërojnë.
Por, ja që isha dëshmitar i një çasti arrogance.
Kur këtu në Drenicë shpërtheu lufta, ai braktisi shtëpinë e shëndetit në Drenas, të cilën e udhëhiqte. Fillimisht odën e familjes së vet e kthei në ordinancë, e kur oda s'i zinte më pacientët, u zhvendos disa metra tutje, në shkollën e fshatit të tij, në Gradicë.
Baba e kishte shok të vjetër, që nga fillorja. Leci e dinte që isha në vitin e parë të shkollës së mesme të mjekësisë dhe, meqë lufta na e ndërpreu mësimin, e kishte porositur babën që të shkoja në shkollën e kthyer në ordinancë, për të bërë praktikë. Dhe shkova, ani se nga shtëpia më duhej të bëja 7-8 kilometra rrugë në një drejtim, secilën ditë.
Si sot më kujtohet injeksioni i parë që e dhashë, nën instruksionet e tij. Ndodhesha në një fshat rrëze Qyqavicës, i jepja injeksion një pacienteje 11-vjeçare, dhe ishte dita kur në Prishtinë qe konstituuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas atyre zgjedhjeve që u mbajtën në nivel vendi, përjashtuar Drenicën.
Praktika më zgjati pak ditë dhe situata krijoi nevojën që të ushtroja punën e teknikut. Evidentoja pacientët dhe diagnozat e terapitë në librin që e kishim, jepja injeksione e infuzione, pastroja plagë... Kisha vetëm gjysmë viti shkollë të mjekësisë, por bëja punën e një tekniku.
Disa motra medicinale i gjeta aty. Disa mjekë erdhën më pas. Erdhi edhe Fadil Beka, i cili ishte i përqendruar në një dhomë që e kishte hyrjen prapa shkollës dhe ishte adoptuar në sallë kirurgjie. Edhe ne, bashkë me doktor Lecin e ndonjë mjek tjetër, ishim në përdhese, por nga hyrja kryesore. Shkolla e kishte edhe një kat sipër dhe thuajse të gjitha bankat nëpër klasë, i kishim kthyer në shtretër. Të plagosur e të sëmurë rëndë ishin të shtrirë aty.
Në këtë kohë, Leci u zhvendos nga dhoma jonë e madhe, ku punonte përpara. Improvizoi një repart aty afër, për tu kryer lindjet. Aty ishte me bashkëshorten, Eminen, një infermiere e zonja. Në shkollë edhe natën e bënte dhe me ditë të tëra më nuk shkonte në shtëpinë që pak minuta ecje e kishte larg. As Eminja s’i ndahej, ndonëse në shtëpi i kishin fëmijët e vegjël, me të cilët çmalleshin kur dikush nga familja i sillte në shkollën ordinancë. Punonin dytë, ditë e natë.
Shkolla u bë referencë për shoqatat humanitare ndërkombëtare që atëkohë vepronin në Kosovë. Ofrohej mbështetje me medikamente e mjete tjera. Midis aktivistëve vendës që aktivitetin humanitar e zhvillonin nën flamurin e këtyre shoqatave, ishte edhe mjeku Shpëtim Robaj, që, po kështu, gjeti vdekjen në luftë. Tek po e rrëfeja vite më parë tematikën e njërit prej takimeve që Leci e kishte me këta aktivistë, Flaka Surroi, që është pronare e kompanisë ku prej më shumë se një dekade punoj, më tha se e mbante mend atë muhabet, sepse ishte pjesë e atij ekipi. Edhe Ilir Tolaj më kujtohet se ishte mes aktivistësh që sillnin medikamente.
Shumë nëna i kryen lindjet aty. Shumë foshnja nisën jetën aty.
Pos tjerash, shoqatat humanitare mbushën me biskota për fëmijë, një pjesë të madhe të korridorit të ambulancës së improvizuar. Ato iu dhuroheshin lehonave që i kryenin lindjet, por edhe fëmijëve të sëmurë që vinin për trajtim.
Siç tregova, unë isha më i riu. Disa prej motrave medicinale më thanë të shkoja te Leci për ta kërkuar një pako biskotash, me të cilat do të shërbeheshim ne dhe eventualisht ta merrnim ndonjë edhe në shtëpi.
I dëgjova. Shkova. E përcolla porosinë.
E kapi një qese të vogël nga një prej qindra pakosh që ndodheshin në korridor dhe ma ofroi, por me një çehre që nuk ia kisha parë ndonjëherë gjatë kohës sa isha në shkollën e improvizuar në ambulancë. Afërsisht me tha kështu, me doza të forta arrogance: “Kjo është veç për ty. Të tjerat janë për fëmijët. Nëse motrat mendojnë që janë fëmijë, le të vijnë tek unë dhe u jap”.
Mesazhi u kuptua. Ai donte që ndihmat për fëmijë që i ishin dhënë në besim, t’i çonte në vend. Ai nuk keqpërdorte. Dhe, as nuk i linte të tjerët të keqpërdornin.
Më 24 shtator 1998 Lecin e vranë. Sipas dëshmitarëve, ai ra në duart e ushtarëve serbë jo shumë larg vendit ku për muaj rresht shëroi plagë lirie, shpëtoi shumë jetë dhe asistoi në shumë lindje. Serbët kishin përdorur një kurth për ta gjetur. Ishin bërë sikur të plagosur dhe kishin thirrur në shqip për ndihmë. Leci kishte shkuar për t'iu ndihmuar. Dhe, kishte rënë në kurth.
Britanikja “The Independent”, atëkohë, kështu e përshkruan momentin përpara se ta vrisnin Lecin: Policia e mbante një fotografi të tij. Kur e kapën, e pyetën se me cilën dorë i trajtonte pacientët. Ai ngriti të djathtën. Pas kësaj, ata ia prenë gishtat e asaj dore. Më vonë e vranë.
Unë nuk udhëtova për Gradicë as një ditë para kësaj ngjarjeje, meqë më datën 22 serbët ndërmorën ofensivë në drejtim të fshatit tim, Gllanasellë. Atë ditë patën rënë disa dëshmorë, në përpjekjen për të na mbrojtur. Mes tyre, Fehmi e Xhevë Lladrovci. Shumë civilë u vranë e u masakruan, po kështu. Furtuna më ndau nga familja dhe më çoi po në Qyqavicë, në malet ku e vranë Lecin. Shpëtova disi.
Të gjithë të tjerët që shërbyem në shkollën e transformuar në ambulancë, jemi gjallë sot. Unë e braktisa mjekësinë, ndonëse e përfundova shkollimin e mesëm dhe i bëra disa vite fakultet.
E, shëndetësia sot është midis sektorëve më të dërmuar. Shpesh dëgjojmë lajme për hajninë e mjekëve. Për joprofesionalizmin. Për, abuzimin me detyrën dhe me orarin e punës. Për mungesën e humanizmit.
Sot na duhen tjerë mjekë. Na duhen profesionistë e humanistë. Të përkushtuar, të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm. Të qeshur e të butë. Modestë. Më shumë se kaq, na duhen arrogantë ndaj tendencave abuzive.
Sot na duhen mjekë si Dr. Leci!