Edhe po t’i kishte institucionet me mandat të plotë e stabile, Kosova vështirë që do të lëvizte në procesin e integrimeve në organizatat ndërkombëtare. E tash kur ka hyrë në një fazë të mërzitshme, joserioze, të paqartë të krizës institucionale, jo vetëm se nuk do të lëvizë, por rrezikon të mbetet në harresë. Në rrethanat tejet të ndjeshme ndërkombëtare, një sjellje kaq joserioze e akterëve politikë në Kosovë është e dëmshme dhe e rrezikshme
Kosova nuk përmendet më fare në Bashkimin Evropian kur flitet për procesin e zgjerimit. Pothuajse është harruar se edhe Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE qysh në fund të vitit 2022. Edhe kur pyeten për këtë diplomatët e BE-së, në përgjigjet e tyre nuk e përmendin Kosovën. Nuk kanë ide se çfarë duan të bëjnë, por e dinë se nuk mund të bëjnë shumë në rrethanat kur qëndrimi i BE-së duhet t’u përshtatet edhe vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Për më tepër, BE-ja më shumë u përshtatet qëndrimeve të pakicës prej 5 shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën sesa të shumicës prej 22 që e kanë njohur. Kosova nuk është pjesë e disa nismave që janë në disa institucione të BE-së për vendet kandidate. Dhe është e vetmja që nuk ka status kandidat prej të gjitha vendeve që kanë kërkuar anëtarësim dhe që thuhet se janë në procesin e zgjerimit. Njëkohësisht, Kosova është e vetmja nën sanksione të BE-së të cilat nuk po hiqen, edhe pse për heqjen e tyre u tha se po punohet qysh para një viti. U vendosën brenda ditësh dhe nuk po hiqen për vite. Kosova nuk mori as paratë e para nga Pakoja e Rritjes në Ballkanin Perëndimor, prapë e vetmja nga gjashtëshja e rajonit krahas Bosnjës që nuk i mori akoma.
Sa i përket rastit të vetëm që Kosova pati para më shumë se një viti për t’u bërë anëtare e një organizate të rëndësishme ndërkombëtare, Këshillit të Evropës, ai rast është humbur. Jo vetëm se nuk hyri as këtë vit, por nuk ishte as në rend dite dhe Kosova nuk po arrin tash të jetë në rend dite as për t’u pranuar në cilësinë e mysafirit nëpër komitete të Këshillit të Evropës e jo më për t’u bërë anëtare.
Është akoma i paqartë edhe qëndrimi i administratës amerikane për rajonin, siç është edhe për shumëçka tjetër. Nuk e dimë as çfarë tha saktësisht presidenti Trump lidhur me “ndaljen e luftës mes Kosovës dhe Serbisë” e lëre më se çfarë mendoi kur e tha këtë. Tash presidentja me një deklaratë po ashtu të paqartë la të kuptohet sikur ajo e di se Trumpi vërtet na e paska ndalur luftën me Serbinë, por edhe ajo u vë në pikëpyetje. Nuk u qartësuan shumë gjëra sa i përket angazhimit amerikan as pas vizitës së Brendan Hanrahan, posti i të cilit titullohet si “zyrtar i lartë i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Aziatike. Është niveli më i lartë i administratës së Trumpit që viziton Kosovën prej kur nisi mandati i ri i presidentit. Dhe tregon në një mënyrë nivelin në të cilin me Kosovën dhe rajonin merret kjo administratë. Formalisht nuk ka ndonjë ndryshim të pozicionit amerikan, por është e qartë se nuk po u intereson shumë dialogu i mërzitshëm dhe i pafrytshëm i Brukselit. Dhe në ankth për të ditur më shumë për qëndrimin amerikan nuk janë vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe BE-ja. As përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialog, Peter Sorensen, gjatë qëndrimit në SHBA nuk u prit nga ndonjë zyrtar i lartë i administratës Trump. Dhe nuk dolën porosi si në të kaluarën se “SHBA-ja mbështet rolin e BE-së në dialog”.
Pritjet po sillen nga mundësia që SHBA-ja të angazhohet më shumë, pa e ditur se në cilin drejtim, e deri tek mundësia që në kuadër të një rishqyrtimi të pranisë ushtarake në Evropë të zvogëlojnë edhe praninë në Kosovë.
E vetë presidenti amerikan kur përmend Kosovën dhe Serbinë i përmend në kontekstin e “parandalimit të luftës” dhe ndjenjës së padrejtësisë që i është bërë pse nuk ia kanë dhënë çmimin Nobel për paqe për këtë vepër. Kur presidenti amerikan thotë diçka, askush duket se nuk po guxon të dalë për të thënë se nuk është e vërtetë. Dhe kjo po ashtu krijon pasiguri. Trump merret me Serbinë edhe kur e njofton se do t’i vendosë tarifa më të larta doganore, në kuadër të luftës së tij me krejt botën për tarifat, me të cilat dëshiron po ashtu të ndreqë padrejtësinë që ai pohon se i është bërë Amerikës në tregti.
Në të gjitha këto rrethana, Kosova sillet sikur asgjë rreth saj nuk po ndodh. Jo vetëm se politikanët e Kosovës e kanë lodhur popullin, por i kanë lodhur edhe politikanët nga vendet e tjera. Askush nuk e përmend këto ditë Kosovën, pos aty këtu ndonjë politikanë nga vendet mike si Kroacia, Finlanda apo ndonjë tjetër. Në Bruksel habiten edhe kur pyesim për Kosovën, sepse tashmë ajo, pos që është nën sanksione, është edhe e harruar. “E po, çfarë mund të themi për Kosovën kur s’ka asgjë” është përgjigjja më e shpeshtë private. E në pyetjet formale, rikujtojnë obligimet nga procesi i dialogut dhe thërrasin për përmbajtje nga hapat e njëanshëm.
Prandaj edhe miqtë e Kosovës do të donin të shihnin konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë, ndërsa ata që nuk e kanë shumë për qejfi Kosovën janë të relaksuar sepse mund t’ia bartin asaj përgjegjësinë për ngecjet në procese, qoftë për pagesat nga Plani i Rritjes, heqja e sanksioneve apo moslëvizja në proceset e integrimeve në Këshillin e Evropës.
Edhe po t’i kishte institucionet me mandat të plotë e stabile, Kosova vështirë që do të lëvizte në procesin e integrimeve në organizatat ndërkombëtare. E tash kur ka hyrë në një fazë të mërzitshme, joserioze, të paqartë të krizës institucionale, jo vetëm se nuk do të lëvizë, por rrezikon të mbetet në harresë. Në rrethanat tejet të ndjeshme ndërkombëtare, një sjellje kaq joserioze e akterëve politikë në Kosovë është e dëmshme dhe e rrezikshme. E dëmet po shihen qysh tash, e do të shihen edhe më shumë në të ardhmen.
Nganjëherë është mirë të mos jesh në rend dite, sepse në rend dite më së lehti vjen kur nuk i ke punët mirë dhe ka tensione. Por nuk është mirë as kur je në harresë. E me këtë situatë të brendshme që ka, me mundësinë që deri në pranverë të vitit që vjen të mos ketë një qeveri me mandat të qartë legjitim, Kosova mund të mbetet për një kohë të gjatë në harresë.