OpEd

Kosova duhet të aplikojë për anëtarësim në BE

BE-ja ka shumë kërkesa ndaj Kosovës. Kosova mund ta ketë një për BE-në; kërkesën për anëtarësim. Nuk ka mënyrë tjetër për të testuar se sa vërtet BE-ja “garanton” perspektivën evropiane për Kosovën, nëse me perspektivë mendohet në anëtarësim. Kosova nuk duhet të dekurajohet nga porositë se “nuk janë reale gjasat për status kandidati”. Mund të mos duken reale në këtë moment dhe mund të mos e marrë statusin e kandidatit nëse aplikon. Por nëse nuk aplikon, gjasa nuk ka fare. Nëse për BE-në problem janë 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, atëherë presioni duhet të drejtohet nga ato e jo ndaj Kosovës

Institucionet e Bashkimit Evropian janë të njohura për kujdesin që kanë në përdorimin e gjuhës kur komunikojnë me publikun, por edhe kur shkëmbejnë qëndrimet me partnerët. Është një kujdes sa i kuptueshëm aq edhe tepër i kujdesshëm deri në kufirin e absurditetit. Dhe Kosova është një shembull i mirë se si në BE zbulojnë fjalë të ndryshme për të lënë mundësinë e interpretimeve të ndryshme, shpesh edhe të kundërta. Prej fjalisë së famshme se Kosova është rast “sui generis”, përmes “Marrëveshjes IBM” e deri te përdorimi tashmë bajat i frazave “partnerët nga Ballkani Perëndimor” dhe “perspektiva evropiane” apo “rrugëtimi përkatës evropian”.

Për njohësit e rrethanave në BE, një sjellje e tillë e institucioneve është e kuptueshme. Kur është thënë se Kosova është një “sui generis” (rast i veçantë), është menduar se shembujt nga pjesë të tjera të Evropës apo botës, ku popujt duan të drejtën për të krijuar shtet nuk mund të krahasohen me atë të Kosovës. Kur është përmendur marrëveshja mes “Prishtinës dhe Beogradit” për “IBM”, janë përdorur emrat e kryeqyteteve e jo të shteteve për shkak se as Serbia e as BE-ja nuk e trajtojnë Kosovën si shtet. Kur është përmendur marrëveshja “IBM”, pa e sqaruar se çfarë do të thotë kjo shkurtesë është menduar në “Menaxhimin e Integruar të Kufijve”, që në gjuhën angleze shkruhet si “Integrated Border Management” nga derivon edhe shkurtesa IBM. Por, pasi për Beogradin dhe 5 shtete të BE-së nuk ka kufij mes Kosovës e Serbisë, në anglisht IBM për qejfin e tyre mund të jetë edhe “Integrated Boundary Menagment”, që prapë mbulohet me IBM, por “Boundery” është më shumë si një lloj “vije administrative” sesa “kufij shtetërorë”.

BE-ja bën shumë kujdes në secilin dokument për Kosovën. Nga hezitimi që të përmendë termin “shtetas”, por në vend të saj “banor” apo “rezident” apo edhe “njerëz të Kosovës” e deri te kujdesi që në asnjë rast të mos përmendet për Kosovën “perspektiva e integrimit në BE”. Sepse integrim në BE, në bazë të historisë së deritashme, mund të jetë vetëm anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian. Për Kosovën përmendet “perspektiva evropiane” apo “rrugëtimi përkatës evropian”. Duke qenë një shtet në Evropë, fjala “perspektivë evropiane” apo “rrugëtim evropian” nuk nënkupton asnjë gjë konkrete. Sidomos duke ditur se qëllimisht evitohet marrja e ndonjë obligimi politik nga ana e BE-së.

Kosova së shpejti do të mbushë 14 vjet prej kur ka shpallur pavarësinë e saj. Ndërkohë, të gjitha shtetet e rajonit kanë aplikuar për anëtarësim në BE. Të gjitha, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, kanë marrë edhe statusin e vendit kandidat. Kosova, pasi nuk ka aplikuar, nuk është formalisht fare e përfshirë në këtë proces.

Tash Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të dorëzojë edhe aplikimin formal për anëtarësim në BE. Është gjithsesi një hap i guximshëm, me disa rreziqe, por hap i cili gjithsesi duhet të ndodhë. Pa marrë parasysh se do të ketë shumë “këshilla miqësore” që të mos e ndërmerr “akoma” një hap të tillë, që të presë “një moment më të duhur” e deri tek ato më pak miqësore se “Së pari duhet të merreni vesh me Beogradin”, Kosova duhet të vendosë vetë dhe ta bëjë këtë hap.

Pikërisht, para 20 vjetësh, Kroacia ishte në një pozitë të ngjashme, ani pse nuk kishte problem të mosnjohjes nga disa shtete anëtare. Nga Kroacia kërkohej që të shikojë dhe t’i gëzohej zgjerimit të madh të BE-së ku shtetet si Polonia, Republika Çeke, Sllovenia e Sllovakia bëheshin anëtare të BE-së e ajo as që kishte aplikuar për anëtarësim. Në atë kohë, Kroacia konsiderohej si një “kandidate potenciale”, por kryeministri i atëhershëm, Ivica Raçan, thoshte se duan të jetë “kandidat me potencial” e jo të mbeten “kandidat potencial”. Disa donin ta mbanin në pritje Kroacinë për të pritur Serbinë, disa mendonin se Kroacia nuk i përmbush kushtet. Nga Brukseli i thoshin Kroacisë se “nëse aplikon kërkesa juaj do të mbetet në zarf e mbyllur dhe nuk do të hapet”. I thoshin se “duhet të zbatoni së pari MSA-në e pastaj të mendoni për hapin tjetër”. Por, Kroacia e kishte prerë mendjen. Kishte konsensus të plotë të të gjithë spektrit politik, nuk kishte ndarje mendimesh mes opozitës dhe pushtetit dhe vendosi të aplikojë duke i thënë BE-së: “Ne do ta bëjmë punën tonë, do të aplikojmë, e ju pastaj bëni punën tuaj”.

Kështu Kroacia pikërisht në kohën kur 10 vende nënshkruan në Athinë Traktatin e anëtarësimit, në vitin 2003, dorëzoi kërkesën formale për anëtarësim në BE. Pas asaj gjithçka mbetet histori, me shumë mundime nisi negociatat në vitin 2005, e i përfundoi në vitin 2011 dhe u bë anëtar në vitin 2013. Ishte për Kroacinë një udhëtim shumë më i gjatë, sesa për vendet e tjera. E për të gjithë ata që do të vinë pas saj në radhë do të jetë proces edhe më i gjatë dhe më i vështirë.

Me dinamikën e tashme, edhe po të ishte Kosova e njohur nga të gjitha shtetet, edhe po të mos kishte pengesa të natyrës politike, nëse do të dorëzonte kërkesën në fund të këtij viti, statusin e kandidatit do ta merrte më së shpejti diku në pranverën e vitit 2025. Sepse gjysmë viti do të shkonte për vendimin e Këshillit, një vit e gjysmë për mendimin e Komisionit Evropian, duke ia dërguar Kosovës pyetësorin dhe duke i analizuar përgjigjet, e pastaj edhe duke dërguar nënpyetjet sqaruese. Pasi do ta jepte “Mendimin” Komisioni, nëse ai mendim do të ishte pozitiv, Këshillit do t’i duheshin disa muaj për të miratuar vendimin për dhënien e statusit të kandidatit. Pra, si mund t’i thuhet Kosovës që të “mos nxitojë” për diçka që në rastin më të mirë mund të përfitojë diku në vitin 2025 e të tjerët e kanë hedhur ketë hap para më shumë se 10, 15 apo 20 vjetësh.

BE-ja ka shumë kërkesa ndaj Kosovës. Kosova mund ta ketë një për BE-në; kërkesën për anëtarësim. Nuk ka mënyrë tjetër për të testuar se sa vërtet BE-ja “garanton” perspektivën evropiane për Kosovën, nëse me perspektivë mendohet në anëtarësim. Kosova nuk duhet të dekurajohet nga porositë se “nuk janë reale gjasat për status kandidati”. Mund të mos duken reale në këtë moment dhe mund të mos e merr statusin e kandidatit nëse aplikon. Por nëse nuk aplikon gjasa nuk ka fare. Nëse për BE-në problem janë 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, atëherë presioni duhet të drejtohet nga ato e jo ndaj Kosovës.

Pasi Kosova në shumë aspekte ka qenë vërtet “sui generis”, mund të jetë edhe në procesin e zgjerimit, sidomos në fazën para marrjes së statusit të kandidatit duke aplikuar pa qenë e njohur nga të gjitha shtetet anëtare.

Një nen i Traktatit, i njohur si “kriteret e Kopenhagës”, vërtet përmend termin “shtet evropian” kur thotë se “secili shtet evropian…” mund të aplikojë për anëtarësim. Por edhe pse institucionet e BE-së, me përjashtim të Parlamentit Evropian, i cili e trajton Kosovën si shtet dhe kërkon nga të gjitha shtetet anëtare ta njohin, kanë qëndrim “neutral ndaj statusit”, mund të mos jetë i saktë interpretimi se “Kosova nuk është shtet” për shkak se nuk është njohur nga të gjithë. Po ashtu, disa nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, së pari mund ta bëjnë ndërkohë njohjen, por mund edhe të pajtohen për të nisur procesin e dhënies së statusit të kandidatit pa paragjykuar qëndrimet e tyre ndaj statusit. Por pasi të nisë procedura, njohja duhet të vijë nga të gjithë pasi procesi i negociatave është një proces ndër-qeveritar e jo komunitar i BE-së. Pra negociatat e anëtarësimit nuk bëhen me institucionet e BE-së, por me qeveritë e shteteve anëtare. Kosova nëse nuk aplikon ka më shumë për të humbur sesa nëse aplikon. E BE-ja do të duhej t’i gëzohej aplikimit, sepse ai do të jetë dëshmia më e fortë formale se Kosova e ka të qartë orientimin strategjik nga BE-ja.