Krijimi i Gjykatës Speciale është një prej dëmeve më të mëdha që i është bërë Kosovës, e që nuk mund të zhbëhet. Shqipëria ka hise edhe në këtë dhe është dashur të ishte edhe ajo konsistente. Sidomos pasi pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty ishin se krimet më të tmerrshme ishin bërë në territorin e Shqipërisë. Liderët e Kosovës, përfshirë edhe ata që janë sot në paraburgim në Hagë, ani pse as pas 2 vjetësh nuk është nisur gjykimi, kanë pasur luhatje në qëndrime, duke shkuar nga paralajmërimet për padi ndaj Dick Martyt, e deri te mburrja në Bruksel se ata janë kampionë të krijimit të Gjykatës Speciale. Për fat të keq, në Kosovë dhe Shqipëri ndasitë politike inatet mes forcave politike janë më të fuqishme sesa bashkëpunimi për interesat kombëtare
Kosova nuk është dashur kurrë të pranonte, për asnjë çmim, krijimin e Gjykatës Speciale. Secili lider politik është dashur të jepte dorëheqje në rast se do të ishte përballë ndonjë presioni të madh nga miqtë ndërkombëtarë. Dhe nuk ka çmim për të cilin do të duhej pranuar krijimi i një gjykate të tillë. Sepse krijimi i kësaj Gjykate i ka lënë Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, një njollë të madhe, të pashlyeshme historike, pa marrë parasysh se cili do të jetë epilogu i fundit i rasteve që pritet të gjykohen në të. Aq më pak, Kosova është dashur të pranojë që ajo të quhet “e Kosovës”. Statusi i kësaj Gjykate, e cila e ka emrin sikur të ishte një agjenci që lëshon dhoma me qira për pushime - “Dhomat e Specializuara të Kosovës” - është temë në vete. Por ajo që është dashur të ndodhte ka qenë një konsistencë e Kosovës dhe e Shqipërisë rreth pretendimeve të ish-senatorit kontrovers nga Zvicra, Dick Marty.
Por pasi as Kosova e as Shqipëria nuk kanë qenë vende ku i besohej drejtësisë, ku mbrohen dëshmitarët, ku prokurorët dhe gjykatësit dëshmojnë se askush nuk është mbi ligjin, e në rastin e Kosovës kishte dështuar edhe vetë misioni i BE-së në këtë fushë, liderët e këtyre shteteve duket se nuk kanë gjetur fuqi të kundërshtojnë Dick Martyn dhe pretendimet e tij.
Njolla për Kosovën dhe shqiptarët është se vetëm për ta është krijuar një Gjykatë Speciale që vepron me status eksterritorial jashtë territorit të tyre. Pra nuk ka mjaftuar as Gjykata e Hagës për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë (gjykatë nën autoritetin e OKB-së); as gjykatat në Kosovë, së pari të OKB-së e pastaj të BE-së, as gjykatat vendore, por është dashur të jetë një speciale. Porosia është se “krimet që ka bërë UÇK-ja, që kanë bërë shqiptarët, janë aq të tmerrshme, saqë asnjë gjykatë nuk ka mundur t’i shqyrtojë, por duhet një speciale”. Ndërkohë, në Serbi dhe në pjesët e vendeve të tjera të rajonit ku serbët kanë pushtetin, glorifikohen kriminelët e dënuar të luftës, përfshirë edhe ata për të cilët është dëshmuar se kanë bërë gjenocid.
Në rastin e ish-liderëve të UÇK-së që sot janë në Hagë nuk është dëshmuar akoma asnjë krim. Nuk ka nisur as gjykimi. Për më tepër, asnjë prej tyre nuk është akuzuar për krimin më të tmerrshëm të pretenduar nga Dick Marty, atë për nxjerrjen e dhunshme dhe shitjet e organeve. Përkundër kësaj, kundërshtarët e Kosovës, jo vetëm në Serbi, nuk ndalen së përmenduri “trafikimin e organeve” sa herë që duhet të flasin për atë që ata e konsiderojnë “Krijimin e shtetit kriminal të Kosovës”.
Përmendja e “trafikimit të organeve” ka qenë arsyeja kryesore për miratimin e Raportit të Dick Martyt në Këshillin e Evropës. Pastaj ka qenë arsyeja kryesore për krijimin e task-forcës speciale. E si rrjedhojë edhe e Gjykatës Speciale, apo siç e ka emrin formal “Dhomat e specializuara të Kosovës”.
Interesi për “Task-forca” apo “gjykata” të tilla, që kanë thithur qindra miliona të taksapaguesve evropianë pa nisur asnjë proces të gjykimit, nuk do të ekzistonte po të mos përmendej “trafikimi i organeve”. Sikur nuk ka asnjë gjykatë speciale për krimet e kryera në pjesë të tjera të rajonit të Ballkanit. Por kanë mjaftuar ICTY dhe tash u besohet gjykatave vendore.
Kjo është edhe arsyeja pse asnjë prokuror që ka marrë përsipër hetimet nuk ka dashur të pranojë se nuk ka dëshmi, së paku jo të mjaftueshme për ”korrje organesh”. Sepse interesi për të mbështetur dhe financiar Prokurorinë Speciale dhe Dhomat e Specializuara do të ishte më i vogël dhe presioni që rastet t’u jepen gjykatave në Kosovë më i madh. Pse t’u besohet gjykatave në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë për shembull, e jo atyre në Kosovë?
Krijimi i Gjykatës Speciale, gjithsesi është dëshmi për dështimin më të madh të misionit të BE-së - EULEX. Arsyetimet se “nuk ka pasur mandat”, nuk duhet të pranohen. Sepse EULEX-i ka pasur mandat ekzekutiv, që përfshinte edhe ndjekjen e rasteve të krimeve të nivelit të lartë. E me “nivel i lartë” nënkuptohet edhe niveli politik i të dyshuarve edhe niveli i krimit.
Kosova ka të drejtë të vendosë një afat për “Dhomat e Specializuara” që të përmbyllë proceset dhe të heqë mbështetjen e saj. Pa marrë parasysh kompleksitetin e rasteve është e patolerueshme që as pas dy vjetësh të mos nisë gjykimi i të akuzuarve. Sikur ishte e patolerushme që aktakuzat e para të ngriheshin plot 5 vjet nga përfundimi i hetimeve të prokurorit të parë special. Kjo gjykatë i ka dhënë vetes tepër fuqi, duke u fshehur shpesh prapa ligjeve të Kosovës e shpesh prapa mbështetjes ndërkombëtare. Por nuk ka një institucion formal, i cili do të mund të kërkonte përgjegjësi nga kjo gjykatë. Por pasi Kosova ka bërë gabimin, duke mundësuar krijimin e saj, tash nuk mund të ndërpresë punën e saj. Por dhënia e një afati që ajo të përmbyllë punën do të ishte një opsion i duhur.
Krijimi i Gjykatës Speciale është një prej dëmeve më të mëdha që i është bërë Kosovës e që nuk mund të zhbëhet. Shqipëria ka hise edhe në këtë dhe është dashur të ishte edhe ajo konsistence. Sidomos pasi pretendimet e senatorit zviceran, Dick Marty, ishin se krimet më të tmerrshme ishin bërë në territorin e Shqipërisë. Liderët e Kosovës, përfshirë edhe ata që janë sot në paraburgim në Hagë, ani pse as pas 2 vjetësh nuk është nisur gjykimi, kanë pasur luhatje në qëndrime, duke shkuar nga paralajmërimet për padi ndaj Dick Martyt, e deri te mburrja në Bruksel se ata janë kampionë të krijimit të Gjykatës Speciale. Për fat të keq, në Kosovë dhe Shqipëri ndasitë politike inatet mes forcave politike janë më të fuqishme sesa bashkëpunimi për interesat kombëtare
Prandaj edhe secila ide shihet nga këndi i gabuar. Me pyetjen se “kush propozoi?”, e jo “çka propozoi?”.