NATO-ja është më shumë se një aleancë mbrojtëse. Ajo është një koalicion i vendeve me vlera të përbashkëta që e kundërshtojnë tiraninë. Edhe më shumë se vetëm nga përkushtimi i tyre për qeverisje demokratike, SHBA-ja dhe Kosova janë strategjikisht të rreshtuara në prapësimin e ndikimit rus në Evropën Juglindore. Administrata e Bidenit duhet ta bëjë anëtarësinë e Kosovës në NATO në prioritet të vetin, gjë kjo që do ta kufizonte ndikimin malinj rus në Ballkan dhe do t’ia rrënonte themelet pretendimit të presidentit Vladimir Putin që Rusia është një partner më kredibil se NATO-ja dhe BE-ja.
Kosova dhe NATO-ja e kanë një histori të bashkëpunimit që nga viti 1999. Këshilli Veri-atlantik i autorizoi sulmet ajrore kundër Serbisë për ta parandaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës. Forca e Kosovës (KFOR-i), një operacion ndërkombëtar paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, hyri në Kosovë më 11 qershor 1999. Vendosja e tij u autorizua nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurisë së KB, e cila Kosovën e vuri në rrugën drejt pavarësisë.
Vendet e NATO-s fillimisht vendosën 50.000 trupa për ta stabilizuar Kosovën e rrënuar nga lufta. Sot në Kosovë ende janë rreth 3.500 trupa nga 36 anëtarë dhe vende partnere të NATO-s, përfshirë trupat e SHBA-ve në Kampin Bondsteel. Edhe pse numrat janë zvogëluar, NATO-ja mbetet e pazëvendësueshme për prapësimin e provokimeve ruse.
Putini i ka kërkuar presidentit Joe Biden të zotohet që NATO-ja se nuk do të zgjerohet në lindje dhe që nuk do të vendosë pajisje ushtarake në vendet fqinje me Rusinë. Putini po ashtu e kundërshton zgjerimin e NATO-s në Ballkan. Rusia orkestroi incidente të dhunshme në Mal të Zi dhe në Maqedoninë Veriore për ta parandaluar integrimin e tyre Euro-Atlantik.
Zyrtarët e SHBA-së dhe të Rusisë do të përqendrohen në Ukrainë, kur të takohen më 10 janar Gjenevë. Presidenti Joe Biden po ashtu duhet ta paralajmërojë Putinin që të ndërpresë destabilizimin e Kosovës dhe të vendeve të tjera pro-perëndimore në Ballkanin Perëndimor, të cilat Putini i shikon si një nën-bel të butë të Evropës. Qasja e Putinit ndaj Kosovës është një letër pazari për ta forcuar ndikimin rus në “fqinjësinë e afërt” të saj, për të konsoliduar ambiciet imperialiste ruse.
Për këtë qëllim, Rusia e ka thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë me Serbinë. Ajo e ka themeluar një bazë të inteligjencës në Nish, afër kufirit të Serbisë me Kosovën, duke e zgjeruar praninë dhe sferën e ndikimit të vet. Rusia është po ashtu duke e furnizuar Serbinë me armatim të rëndë ofensiv, duke e militarizuar në këtë mënyrë rajonin.
Që nga viti 2018, buxheti ushtarak i Serbisë është dyfishuar. Në vitin 2019, Rusia e testoi sistemin e vet raketor tokë-ajër S-400 në Serbi. Pos kësaj, Rusia Serbinë e furnizoi edhe me sistem të mbrojtjes kundërajrore Pantsir-S1M. Ajo po ashtu i shiti Serbisë aeroplanë luftarakë MIG dhe tanke T-72. Kremlini u përpoq ta vendosë një bazë detare në Tivar, por Mali i Zi e refuzoi propozimin e tij në dhjetorin 2013. Putini është duke u përpjekur ta realizojë qëllimin historik të Rusisë për të fituar qasje në Detin Adriatik..
Putini tallet me KFOR-in dhe me zgjerimin e NATO-s në Evropë. Ai është duke u përpjekur ta eksportojë stilin e vet autoritar të qeverisjes të njeriut të fortë në vendet e rajonit. Serbia dhe Hungaria janë partnerë të vullnetshëm në lojën e fuqisë të Putinit.
NATO-ja është duke ia kthyer prapa. Ajo e dërgoi Ekipin Përkrahës Kundër Hibrid në Kosovë për të adresuar operacionet dezinformuese dhe ato ndikim malinj të Rusisë. NATO-ja dhe Ministria e Mbrojtjes së Kosovës janë duke e përgatitur terrenin për përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe (PfP), një lloj inkubatori ky për vendet që janë duke e kërkuar anëtarësinë e NATO-s. PfP i zhvillon kapacitetet e vendeve aspiruese për të marrë pjesë në Planin e Veprimit për Anëtarësimi në NATO, hap i ardhshëm ky për përgatitjen e anëtarëve potencialë për t’iu bashkëngjitur Aleancës.
Putini beson se SHBA-ja janë duke u tërhequr nga skena botërore pas tërheqjes kaotike të NATO-s nga Afganistani. Si një bajonetë që është duke e depërtuar mishin e butë deri sa të hasë në asht, Putini është duke e testuar vendosmërinë e presidentit Joe Biden.
Bideni dhe Putini para disa ditëve folën për de-eskalimin e tensioneve në kufirin Rusi-Ukrainë. Mbetet ende e paqartë nëse Putini do të zmbrapset nga pozitat e skajshme. Pavarësisht nga aksionet e Rusisë në Ukrainë, SHBA-ja duhet të thellojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë midis NATO-s dhe Kosovës.
SHBA-ja duhet t’u bëjnë me dije vendeve të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën, që obstruksioni i tyre është duke e destabilizuar Ballkanin, është duke e dobësuar Aleancën, dhe është duke e forcuar Rusinë.
Shtetet anëtare të NATO-s duhet ta konfirmojnë vendosmërinë e Aleancës për ta përfshirë Kosovën në deklaratën përfundimtare të samitin e ardhshëm të NATO-s.
NATO-ja duhet ta përcaktojë datën për integrimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe, si dhe kornizën kohore për inicimin e Planit të Veprimit për Anëtarësim për Kosovën.
NATO-ja po ashtu duhet ta zgjerojë bashkëpunimin e saj me Kosovën edhe në fushën e sigurisë kibernetike.
Zyrtarët e SHBA-së duhet ta ritheksojnë përkushtimin e Amerikës për t’i mbajtur trupat në Kosovë dhe për ta mbajtur Kampin Bondsteel si një linjën e parë mbrojtëse kundër agresionit ruso-serb.
Integrimi i Kosovës në Aleancë do ta dërgojë një mesazh të qartë: Putinit nuk do t’i lejohet ta diktojë të ardhmen e NATO-s dhe të Evropës. Ky po ashtu do ta sinjalizojë kundërshtimin e Perëndimit ndaj hapave të Serbisë për t’ia rrënuar Kosovës themelet sovranitetit dhe pavarësisë.
David L. Phillips është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe për të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia. Ai shërbeu si këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit nën Presidentët Clinton, Bush dhe Obama. Lulzim H. Peci është drejtor i Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave. Ai shërbeu si ambasador i Kosovës në Stokholm, dhe shkurt si zyrtari i parë Ndërlidhës i Kosovës në Serbi.