Në një vend si Kosova, ku liria e medias dhe shprehjes është një nga arritjet më të mëdha pas luftës, kjo liri nuk duhet të vihet në pikëpyetje për shkak të sfidave që sjell realiteti digjital. Përkundrazi, ajo kërkon më shumë angazhim - nga Këshilli i Mediave të Shkruara, nga sistemi arsimor, por edhe nga vetë qytetarët
Asnjëherë më parë në Kosovë nuk ka pasur më shumë media dhe, njëkohësisht, asnjëherë informimi nuk ka qenë më i vështirë. Produktet mediatike që i shërbejnë interesit publik dhe respektojnë etikën e standardet profesionale – jo vetëm në përmbajtje, por edhe në formë – shpesh humbin në zhurmën e pafundme të përmbajtjeve të tjera që qarkullojnë në platformat digjitale. Shumë prej tyre nuk kanë lidhje me gazetarinë, ndonëse ashtu prezantohen.
Ky nuk është thjesht një shpërqendrim i audiencës. Të favorizuara nga algoritmet e platformave të mëdha, përmbajtjet që synojnë vetëm tërheqjen e vëmendjes renditen më lart dhe bëhen më të dukshme. Dhe këto nuk janë gjithmonë të padëmshme – shpesh shkelin kufijtë e manipulimit, edhe kur bëhet fjalë për çështje me rëndësi të madhe.
Në një vend si Kosova, ku liria e medias dhe shprehjes është një nga arritjet më të mëdha pas luftës, kjo liri nuk duhet të vihet në pikëpyetje për shkak të sfidave që sjell realiteti digjital. Përkundrazi, ajo kërkon më shumë angazhim – nga Këshilli i Mediave të Shkruara, nga sistemi arsimor, por edhe nga vetë qytetarët.
Sot kemi dy profile të ndryshme mediash: njëra ekziston për të informuar, tjetra për të përfituar dhe/ose manipuluar. Përmbajtja e bazuar në fakte, kontekst dhe balancë, që ruan standardet profesionale, nuk gjeneron të hyra dhe, rrjedhimisht, vështirë se mbijeton. Ndërkohë, tekstet e thjeshtuara deri në banalitet, titujt provokues dhe tregimet që nxisin imponim mendimi ose vetëm kureshtje sipërfaqësore janë ato që sjellin klikime, shpërndarje dhe të ardhura të mëdha.
Ky kontrast po e shtyn gazetarinë drejt një krize të dyfishtë: financiare dhe etike.
Por çfarë ndodh kur sistemi që duhet të mbrojë vlerat e gazetarisë profesionale nuk arrin të përshtatet me realitetin digjital? Sot vlerësimi për gazetarinë nuk matet më me ndikimin shoqëror apo me cilësinë e informacionit, por me numrin e klikimeve, kohën e qëndrimit në faqe dhe reagimet në rrjete sociale. Kjo logjikë tregu ka kthyer audiencën nga qytetarë të interesuar për informim, në konsumatorë të përmbajtjes së shpejtë dhe shpesh të pandërgjegjshme.
Pyetja që shtrohet është: si mund të mbijetojë financiarisht një media që ruan standardet? Në vendet me tregje të mëdha, modeli ekonomik i gazetarisë cilësore është tronditur nga platformat teknologjike që përthithin pjesën më të madhe të të hyrave nga reklamat. Mediat po eksplorojnë forma të reja të qëndrueshmërisë. Në Kosovë, ku tregu reklamues është edhe ashtu i vogël, mediat profesionale – veçanërisht ato të regjistruara si biznese, jo si OJQ – përballen me një presion të trefishtë: dobësim të vazhdueshëm të tregut të reklamës, konkurrencë të padrejtë dhe mungesë mbështetjeje nga donatorët. Shto kësaj edhe kushtet e pafavorshme të shpërndarjes, të diktuara nga algoritmet e platformave globale.
Ndërkohë, përmbajtjet sensacionale dhe joetike gëzojnë terren. Për pasojë, publiku fillon ta humbë aftësinë për të dalluar mes lajmit të besueshëm dhe përmbajtjes që vetëm duket si lajm. Kjo çon në një rrezik edhe më të madh: normalizimin e dezinformimit si pjesë e diskursit të përditshëm. Dhe kur dezinformimi bëhet i zakonshëm, edhe e vërteta fillon të relativizohet.
Kjo ka prodhuar edhe një kategori “gazetarësh” që parimet etike i quajnë “gazetari të vjetër” – të ngurtë dhe të papërshtatshme për kohën e rrjeteve sociale. Një keqkuptim i rrezikshëm, që në emër të zhvillimeve teknologjike tenton të relativizojë vlerat që ndajnë gazetarinë nga propaganda apo thashethemet. Verifikimi i informacionit, ndarja e lajmit nga opinioni, respektimi i privatësisë dhe shmangia e gjuhës së urrejtjes – nuk janë luks i së kaluarës, por domosdoshmëri universale. Në këtë realitet, vetërregullimi i bazuar në Kodin e Etikës mbetet shpresa që profesioni të mos e humbë kuptimin. Po ashtu, është mënyra më e mirë për të mbrojtur lirinë e mediave, sepse shmang censurën dhe ndërhyrjet politike.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), si mekanizëm vetërregullues, ka njëzet vjet që promovon dhe mbikëqyr zbatimin e Kodit të Etikës. Ai nuk është “polici” i mediave, por një adresë ku qytetarët dhe vetë mediat mund të kërkojnë llogari për standardet profesionale. Vendimet e tij nuk janë ndëshkuese, por mbajnë peshën e opinionit publik dhe të legjitimitetit moral. Pikërisht ky është qëllimi: të mbajë gjallë idenë se gazetaria, mbi të gjitha, është shërbim publik.
Megjithatë, kjo është e pamundur pa një audiencë të vetëdijshme. Edukimi medial nuk është më luks, por domosdoshmëri. Çdo qytetar duhet të jetë në gjendje të analizojë burimin, të kuptojë qëllimin e përmbajtjes dhe të dallojë raportimin profesional nga manipulimi. Kjo është një përpjekje që kërkon bashkëpunim: nga shkollat, mediat serioze, shoqëria civile e nga institucionet. Edukimi medial duhet të fillojë herët – madje në çerdhe. Në shkolla duhet të mësohet si të kuptohet media, si të njihen lajmet e vërteta dhe si të dallohen nga lajmet e rreme apo të manipuluara. Është mënyra e vetme për të ndërtuar një shoqëri të përgjegjshme dhe kritike.
Një sistem efektiv vetërregullimi dhe një edukim medial i mirëfilltë bëjnë dallimin. Por kjo kërkon vullnet dhe angazhim nga të gjitha palët: mediat duhet të jenë transparente dhe profesionale; institucionet arsimore duhet të përfshijnë edukimin medial në programet shkollore; qytetarët duhet të jenë selektivë dhe të refuzojnë përmbajtjen e manipuluar, ndërsa organizatat e shoqërisë civile duhet të ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes.
Në Kosovë, ku liria e medias është një prej arritjeve më të rëndësishme, duhet të bëjmë më shumë për ta mbrojtur atë – jo duke kufizuar fjalën, por duke rritur cilësinë dhe duke edukuar qytetarët që ta kuptojnë dhe ta përdorin me përgjegjësi këtë liri. Vetëm kështu mund të ndërtojmë media që i shërbejnë interesit publik dhe një shoqëri që merr vendime të informuara dhe të përgjegjshme.
(Autorja është kryeredaktore e Grupit Koha dhe kryetare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK). Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Media Jonë”. Qëndrimet dhe opinionet e shprehura në këtë punim i përkasin vetëm autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet dhe opinionet e Bashkimit Evropian. Projekti rajonal “Media Jonë: Nismë për Avancimin e Edukimit Medial, Dialogut dhe Aktivizmit” zbatohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian nga organizatat partnere: SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevo, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, Instituti Malazez i Medias, Instituti Maqedonas i Medias, Shkolla e Gazetarisë Novi-Sad, Instituti për Paqe dhe Bianet)