Putini mendon se mund ta shmangë një konfrontim të madh me SHBA-në për Ukrainën, duke krijuar një krizë midis Serbisë dhe Kosovës. Dhuna në Kosovë do të ngatërronte trupat amerikane dhe ato të vendeve të NATO-s që janë të stacionuara në Kosovë. Sulmi mund ta provokojë Shqipërinë për të intervenuar. Këshilli Veriatlantik mund ta aktivizojë Nenin 5 të Aktit Themelues të Aleancës Veriatlantike. “Një sulm ndaj cilitdo aleat të NATO-s do të konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve të Aleancës”, i cili do t’i ndërmerrte të gjitha veprimet e nevojshme për të asistuar
Vladimir Putini pretendon se mbrojtja e rusëve etnikë e justifikon veprimin ushtarak kundër Ukrainës. Shqetësimi i Putinit për pakicën ruse në Ukrainë është bombastik. Synimi më i madh global i tij është që ta konfrontojë NATO-n dhe ta minojë udhëheqjen amerikane për ta rinxjerrë në pah madhështinë e dikurshme të Perandorisë Ruse.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë të gatshme për nxitjen ruse në shumë fronte.
Derisa presidenti Joe Biden është i përqendruar te Ukraina, një tjetër kërcënim po përvijohet në Ballkanin Perëndimor. Serbia, duke vepruar si një satelit i Rusisë, po i intensifikon përpjekjet për destabilizimin e Kosovës, një vend fuqimisht proamerikan që e aspiron anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Putini kalkulon se përshkallëzimi i dhunës së përgjakshme në Evropën Juglindore mund ta shpërqendrojë administratën Biden nga përgjigjja e vendosur ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë.
Ukraina është një fuçi baruti. Më se 120.000 trupa ruse janë grumbulluar në kufirin lindor të Ukrainës, përfshirë snajperët, tanket dhe artilerinë. Vetëm shtatë vjet më parë Rusia ka pushtuar dhe okupuar Krimenë, pjesë e Ukrainës sovrane dhe të pavarur, duke pretenduar se po i mbron rusët etnikë.
Kufiri Rusi-Ukrainë është një vatër e rrezikshme zjarri për përshkallëzimin e konfliktit.
Kur Putini dhe presidenti amerikan Joe Biden u takuan në videokonferencën e 7 dhjetorit, Putini kërkoi garanci që Ukraina kurrë të mos i bashkohet NATO-s apo që infrastruktura e NATO-s të mos lejohet në tokën e saj. Bideni nuk dha garanci të këtillë. Ukraina është shtet sovran dhe i pavarur, i cili i merr vetë vendimet.
Derisa administrata Biden është e përqendruar te Ukraina, një skenar i ngjashëm po shpaloset në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës. Gjatë dekadës së shkuar, Rusia dhe Serbia e zgjeruan theksueshëm bashkëpunimin e tyre ushtarak. Serbia e dyfishoi buxhetin e mbrojtjes gjatë tre vjetëve të fundit në 1.5 miliardë dollarë. Këto janë shumë para për t’u shpenzuar në kohën kur nuk ekziston kërcënimi i jashtëm.
Serbia qartazi po përgatitet për luftë, duke shpenzuar majmë në armë të sofistikuara ofensive, duke blerë aeroplanë luftarakë MIG, tanke T-72 dhe mjete të tjera të blinduara nga Rusia. Serbia dhe Rusia formuar një “qendër humanitare” në Nish, rreth 100 kilometra larg kufirit me Kosovën. Baza është një nyje për operacionet e inteligjencës dhe terren për operacione të veçanta, përfshirë mercenarët rusë.
Në Ukrainë, Rusia vendosi “burra të vegjël, të gjelbër”, që operojnë nën maskim, pa simbole ushtarake. Po kështu, agjentët rusë janë të pranishëm në veri të Kosovës. Operacionet e Inteligjencës ruse përfshijnë ndërhyrjet gjithëpërfshirëse kibernetike dhe operacionet malinje të ndikimit që kanë për synim radikalizimin e serbëve të Kosovës.
Kriza më e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është nxitur nga Serbia në shtatorin e 2021-s. Qeveria e Kosovës i zbatoi masat e reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë. Në kundërpërgjigje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vendosi ushtrinë afër kufirit me Kosovën. Tensionet u përkeqësuan nga MIG 29-shat që vërtiteshin nëpër hapësirën ajrore të Kosovës.
Putini e citoi “precedentin e Kosovës” për ta justifikuar okupimin rus të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore në Gjeorgji.
Duke u dhënë jehonë vlerësimeve të Putinit rreth Ukrainës, Vuçiqi kërcënoi se do të intervenojë ushtarakisht në Kosovë me qëllim që “ta mbrojë popullatën e pambrojtur serbe”.
Ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko, e zgjodhi këtë kohë toksike për t’i inspektuar trupat ushtarake të Serbisë, që ishin në gjendje të ngritur gatishmërie luftarake. Veprimi i tij ishte një deklarim i solidaritetit ruso-serb kundër Kosovës.
NATO-ja duhet të jetë e gatshme për mundësinë që Serbia, në bashkëpunim me Rusinë, të mund ta nxisë një krizë në pjesën veriore të Kosovës, duke hapur një konflikt të armatosur me pionë. Ky skenar e pasqyron qasjen e Rusisë në Ukrainën Lindore, “në rajonin që e quan Dombas”.
Rusia dhe Serbia po e testojnë përkushtimin e NATO-s dhe të SHBA-së për aleatët dhe partnerët. Putini beson se “teatrot e luftës” së njëkohshme në Ukrainë dhe Kosovë do ta tejpërhapin NATO-n dhe do ta testojnë përkushtimin e Washingtonit. Dështimi në mbrojtjen e Kosovës do ta hapte derën për një luftë më të gjerë evropiane, duke ndikuar në rendin aktual botëror.
Diplomati legjendar amerikan, Richard C. Holbrooke, kishte thënë për ish-presidentin serb, Slobodan Milosheviq: “(Ai) mundohet ta zgjidhë një problem, duke e krijuar një edhe më të madh”.
E njëjta mund të thuhet edhe për politikën e Putinit në kufirin e afërt të jashtëm të Rusisë dhe në Ballkan.
Putini nuk e do një konfrontim të përnjëmendtë me SHBA-në në Detin e Zi. Nuk do që as SHBA-ja të zbatojë sanksione të ashpra. Bideni e paralajmëroi Putinin se SHBA-ja është e gatshme për zbatimin e një pakoje të reprezaljeve diplomatike dhe ekonomike gjatë telekonferencës së kohëmëparshme.
Bideni do ta ndërpriste “NordStream 2”, një burim ky kritik i të ardhurave për Rusinë që shet gaz natyror në Evropë, në rast të një sulmi në Ukrainë.
Putini mendon se mund ta shmangë një konfrontim të madh me SHBA-në për Ukrainën, duke e krijuar një krizë midis Serbisë dhe Kosovës. Dhuna në Kosovë do të ngatërronte trupat amerikane dhe ato të vendeve të NATO-s që janë të stacionuara në Kosovë. Sulmi mund ta provokojë Shqipërinë për të intervenuar.
Këshilli Veriatlantik mund ta aktivizojë Nenin 5 të Aktit Themelues të Aleancës Veriatlantike. “Një sulm ndaj cilitdo aleat të NATO-s do të konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve të Aleancës”, i cili do t’i ndërmerrte të gjitha veprimet e nevojshme për të asistuar.
Putini beson se “shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte tragjedia më e madhe gjeopolitike e shekullit 20”. Revizionizmi sovjetik dhe antiamerikanizmi janë karakteristikat definuese të sundimit imperialist të Putinit.
(David L. Phillips është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejta të Njeriut në Universitetin Columbia. Ai ka shërbyer si këshilltar i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, nën presidentët Clinton, Bush dhe Obama. Lulzim Peci është drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime Politike dhe Zhvillim (KIPRED). Ai ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Stokholm dhe për një kohë të shkurtër ka qenë edhe drejtues i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi)