Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Koha për një politikë tjetër

Viti që po e lëmë pas dëshmoi se votuesi kosovar nuk fal më, sepse ai po kërkon një politikë të re që i tejkalon interesat ditore individuale, partiake apo grupore.

Në vitin që po e lëmë pas qytetari kosovar shkoi dy herë te kutitë e votimit, dhe secilën herë dërgoi një mesazh të qartë - se koha e politikës si deri sot nuk shkon më.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në të dy zgjedhjet kishim rezultate befasuese. Në zgjedhjet nacionale, koalicioni PAN edhe pse kishte grumbulluar rreth vetes të gjitha partitë e ashtuquajtura të krahut të luftës, arriti të marrë vetëm rreth 34 %, të votave. Mesazhi ishte i qartë – koha e komandantëve politikanë po përfundonte.

Në këto zgjedhje një rritje befasuese shënoi Lëvizja Vetëvendosje, por siç u pa më vonë edhe nga zhvillimet e brendshme të kësaj partie, më tepër se një votë meritore, ajo ishte një votë e protestës.

Lidhja Demokratike me koalicionin që udhëhiqte u radhit e treta, duke e ndalur një rënie që pritej të ishte edhe më e madhe, si rezultat i koalicionit me PDK-në, i cili nuk ishte pritur mirë nga strukturat e partisë. Një veprim të mirë në këto zgjedhje kjo parti e bëri me angazhimin e figurave të reja, të cilat arritën të fitojnë vende në Parlament.

Partitë politike, edhe pse në një afat të shkurtër, u munduan që të reflektojnë nga ky rezultat, kush më shumë e kush më pak, për t’i hyrë garës për zgjedhjet lokale.

Partia Demokratike këtë reflektim e shfaqi duke nominuar për kryetarë në disa nga komunat kryesore figura të arritura profesionale nga jashtë partisë. Kjo përgjithësisht nga opinionbërësit u përshëndet dhe u mirëprit, por këtë nuk e bëri edhe votuesi tradicional i PDK-së, sepse në Prizren dhe Mitrovicë asnjëri nga këta kandidatë nuk arriti të fitojë, kryesisht, ndër të tjera, edhe për një lloj bojkoti të heshtur të votuesit tradicional. Ky duhet të merret si mesazh për PDK-së se reformat kur vijnë nga lart jo gjithmonë priten krahëhapur nga elektorati tradicional. Prandaj për një reformë të mirëfilltë duhet filluar nga poshtë, sepse kjo lloj reforme edhe pse kërkon më shumë kohë për të dhënë rezultate, është më e qëndrueshme.

Lëvizja Vetëvendosje hyri në zgjedhjet lokale ende në tingujt e ekzaltimit të fitores së qershorit. Por, përveç kësaj, një hendikep tjetër që kishte kjo parti, e cila do të mësohej tek më vonë, ishte një përçarje e brendshme që kishte filluar më herët, por që ishte mbajtur sekret nga opinioni publik. Rundi i parë i zgjedhjeve lokale e zuri VV-në të befasuar. Moskandidimi i personaliteteve adekuate dhe mungesa e një strukture të organizuar mirë në komuna ishin disa nga arsyet që përmendeshin pas zgjedhjeve si shkak i këtij rezultati, por kur ti shtohet kësaj edhe përçarja e brendshme që u mor vesh më vonë, atëherë rezultati ishte realist.

LDK-ja edhe pse fitoi numrin më të madh të komunave, nuk arriti ta përsëritë atë që dëshmoi në zgjedhjet nacionale- nominimin dhe përkrahjen e figurave të reja në garat komunale. Përveç Prishtinës, ku nominoi Abrashin, i cili dorën në zemër rezultatin e arriti falë përkushtimit, karizmit dhe personalitetit individual, dhe jo aq nga përkrahja e partisë, në komunat e tjera nuk pati ndonjë risi të theksuar.

AAK-ja shënoi ndoshta suksesin më të madh në zgjedhjet lokale, dhe këtë për dy arsye: në komunat kyç kishte kandidatë të përgatitur mirë, dhe udhëheqja me qeverisjen qendrore, fakt të cilin e shfrytëzoi në maksimum Haradinaj.

Por nëse do të përpiqeshim ta deshifronim mesazhin e votuesit në zgjedhjet lokale, ai është shumë i thjeshtë - partitë politike nuk mund të ndihen aspak rehat, sepse votuesi po kërkon më shumë se çfarë ata po ofrojnë. Kjo edhe e sjell nevojën e padyshimtë për një politikë të re, tjetër nga ajo që kemi parë deri tani, e cila fatkeqësisht nuk është parë deri tani nga partitë ekzistuese.

LVV-ja, e cila shihej si alternativë e së ardhmes, u pa se ka probleme serioze me vetveten, të cilat tani për tani duken si të pakalueshme, të paktën me qasjen e deritanishme të figurave kryesorë të kësaj partie. Albini nuk mund të vazhdojë të ndërtojë një parti, e cila një ditë pritet të marrë udhëheqjen e shtetit duke u bazuar në ndërtime kultesh, linçime kundërshtarësh dhe metoda pothuajse meskine të luftës se brendshme partiake. Por edhe ata bashkëpartiakë që e kundërshtojnë nuk mund të presin ndonjë përkrahje të gjerë kur këtë kundërshtim e bëjnë nga prapaskena, shpesh duke mos e treguar fytyrën, ose duke kundërshtuar atëherë kur rrezikohet pozita, sepse ky shihet si oportunizëm i pastër, e oportunizmi nuk e reformon një subjekt politik, oportunizmi mund vetëm të rehatojë individë të caktuar. LVV-ja ka nevojë për debat të hapur, të pranojë kritika dhe të mos e shohë gjithkënd që e kritikon si dikush që duhet sulmuar e linçuar. Në të kundërtën, do të bëhet një parti kulti që mund të kënaqë egon e disa individëve, por assesi të bëhet një alternativë serioze për qeverisje.

Partia Demokratike është në një udhëkryq kur më në fund po e kupton se të qenit në pushtet të lodhë dhe se vota klienteliste dikur harxhohet, sidomos kur nuk ke se çfarë t’u ofrosh më atyre klientëve. Reformat që ka paralajmëruar kjo parti mund të mbesin vetëm deklarata, nëse ato nuk janë rrënjësore ku do të prekeshin shtyllat mbajtëse të deritanishme të partisë. A do të mundë ta bëjë një gjë të tillë PDK-ja, është një pikëpyetje e madhe. Por nëse nuk e bën, fundi vetëm se ka filluar t’i shihet, e reforma e mirëfilltë, edhe pse fillimisht do t’i sillte një rënie, në planin afatgjatë do të mundë të ishte shpresa e mbijetesës.

Lidhja Demokratike, e cila në vështrim të parë duket ndoshta si partia me perspektivën më të qartë, përbrenda ka një sfidë që ende nuk po shihet se si planifikon ta tejkalojë- sfidën e gjeneratave. Kryetari aktual i kësaj partie është i gjeneratës së viteve 1990, ashtu siç është edhe votuesi tipik i kësaj partie. Angazhimi i figurave të reja është një hap i mirë i parë, por nëse ai hap mbetet aty dhe nuk vazhdon edhe drejt ndërtimit të një imazhi bashkëkohor të partisë, i cili nuk bazohet më në figurën e Rugovës si alfa dhe omega e partisë, atëherë do ta humbë hapin në tërheqjen e votuesve të moshave të reja, ndërkohë që votuesi tradicional tashmë ka arritur në moshën e pensionit.

AAK-ja duke qenë në pushtet dhe duke udhëhequr me kaq komuna, edhe pse si parti ka ndoshta më së shumti nevojë për reforma, do ta këtë më së vështiri për ta bërë një gjë të tillë. Siç mund të mësojë nga partneri i koalicionit PDK, të qenit në qeverisje të lodhë, dhe shndërrimi në një parti klienteliste është një rrezik permanent. Shtoja kësaj edhe faktin që AAK-ja nuk ka arritur ta kalojë epitetin e të qenit një parti e udhëhequr kryesisht nga një familje, atëherë e bën mundësinë e reformimit edhe më të vështirë.

Pra, partitë politike që synojnë të mbesin në pushtet duhet të ndërmarrin reforma të thella për t’iu përgjigjur emancipimit të votuesit kosovar. Këto reforma do të duhej të ndryshonin të menduarit politik të këtyre partive dhe të mundësojnë ndërtimin e platformave qeverisëse, të cilat do t’i ofrohen votuesit për të zgjedhur.

Por një reformë apo një ndryshim të mendësisë që do të duhej ta adaptonte e tërë klasa politike, është largimi nga kjo qasje e deritanishme “ ose unë, ose askush”.

Partitë politike pa dyshim duhet të garojnë për pushtet, sepse kjo edhe e justifikon ekzistencën e tyre. Por në këtë luftë për pushtet nuk do të duhej të përdoreshin tema të interesit nacional, sepse për ato tema duhet të ketë konsensus të mbarë spektrit politik dhe ato duhet të vihen mbi interesin partiak. Pa një konsensus të tillë dhe pa ndërtimin e një shpirti të kompromisit, do të vazhdojmë të shohim bllokada të panevojshme politike, por edhe vendnumërim në proceset e rëndësishme shtetndërtuese. E votuesi kosovar nuk fal më, sepse ai po kërkon një politikë të re e cila i tejkalon interesat ditore individuale, partiake apo grupore.

© KOHA Ditore