OpEd

Kërcënimi i heshtur

Shtrëngimi i mekanizmit pezullues të vizave nuk i është drejtuar specifikisht rajonit tonë, por ai i është drejtuar edhe rajonit tonë. Kështu ndonëse me mekanizmin e ri të pezullimit të vizave BE-ja nuk është duke kërcënuar liderët e rajonit tonë, vetë prezenca e tij është kërcënim që nuk duhet injoruar

Liria e lëvizjes ka qenë gurthemel mbi të cilin është ngritur ideja e Bashkimit Evropian. Pasi që kontinenti evropian shpenzoi shekuj të tërë në luftë dhe në konflikte, ideja prapa BE-së ishte që krijimi i një identiteti evropian në një hapësire të përbashkët do ta bënte luftën të paimagjinueshme. 

Kështu, Robert Schumani thoshte se qëllimi i integrimit evropian është ta bëjë luftën “jo vetëm të paimagjinueshme, por materialisht të pamundur”. Dhe mjeti kryesor prapa këtij qëllimi ishte lëvizja e lirë ndërmjet shteteve evropiane dhe integrimi i tyre çdo herë e më i madh. Aq shumë do të integroheshin shtetet evropiane me njëra-tjetrën sa që konflikti dhe përçarjet do të ishin të pamundura. Në këtë frymë, Jean Monneti thoshte se “ne nuk jemi duke ngritur një koalicion të shteteve, por të popujve”. 

Dhe kështu edhe ndodhi. Që nga krijimi i BE-së, Evropa e përjetoi periudhën më të gjatë të paqes dhe të prosperitetit në historinë e saj. Sot, qytetarët e BE-së e njohin lirinë e lëvizjes si gjënë më të shtrenjtë evropiane. Sipas Barometrit Evropian, 89 për qind e qytetarëve evropianë mendojnë se liria e lëvizjes është gjë e mirë, ndërsa 87 për qind e identifikojnë veten si qytetarë evropianë. Sipas një sondazhi të Universitetit të Oksfordit, 78 për qind e qytetarëve evropianë besojnë se BE-ja nuk do t’ia vlente pa lëvizje të lirë. 

Në këtë sfond, BE-ja e zgjeroi suksesin e lirisë së lëvizjes edhe në politikën e saj të jashtme. Liberalizimi i vizave dhe tregtia e lirë u bënë politikat më të suksesshme të BE-së në rajonin tonë. Kur në vitin 2024 qytetarët janë pyetur për top 3 përfitimet nga integrimi evropian, ata kanë zgjedhur: prosperitetin ekonomik, lirinë për të studiuar dhe punuar në BE, si dhe lirinë për të udhëtuar.

Por përkundër gjithë këtij suksesi, liria e lëvizjes është duke kaluar së fundi nëpër një periudhë sfiduese. Liria e lëvizjes është bërë sinonim për migrim, e fjala migrim është bërë fjalë e “rrezikshme” politike e cila po rrëzon dhe po ngre qeveri. Partitë populliste evropiane kanë zgjedhur që për problemet komplekse politike dhe ekonomike t’i fajësojnë “të huajt” dhe ata që po migrojnë drejt vendeve të tyre. Një narracion i tillë ka fituar përkrahje të madhe publike në të gjithë Evropën. Kjo i ka shtyrë partitë tradicionale evropiane që ta përqafojnë një qëndrim më të ashpër ndaj migrimit. Vetëm gjatë këtij viti, njëmbëdhjetë shtete të BE-së kanë rivendosur kufij për të kontrolluar lëvizjen e lirë - Austria, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Norvegjia, Polonia, Sllovenia, Suedia dhe Sllovakia. Qeveria e re gjermane ka shtrënguar politikat e migrimit, duke i dhënë fund procedues së përshpejtuar të fitimit të shtetësisë gjermane dhe duke e pezulluar bashkimin familjar për disa kategori të qytetarëve. Franca ka miratuar ligj të ngjashëm vitin e kaluar. Po kështu kanë bërë pothuajse të gjitha vendet e tjera të BE-së. Dhe ndaj gjithë kësaj, rajoni ynë nuk po ngel imun. 
Rajoni ynë prej kohësh e gëzon liberalizimin e vizave dhe të drejtën e lëvizjes së lirë drejt BE-së.

Historikisht, kjo e drejtë është rrezikuar seriozisht në periudhën 2015-2016 me krizën e madhe të migrimit, kur rajoni ynë u shndërrua në korridorin kryesor tokësor nëpër të cilin qytetarët nga Lindja e Mesme kanë kaluar drejt BE-së. Që nga ajo kohë, vendet e rajonit dhe BE-ja kanë ndërmarrë masa për ta kthyer gjendjen në normalitet dhe prej asaj kohe ka pasur kriza të izoluara të liberalizimit të vizave, sikur ajo e përafrimit të politikës së vizave të Serbisë me politikën e BE-së. 

Sidoqoftë, në frymën e shtrëngimit të politikave të migrimit dhe të kufizimit të lirisë së lëvizjes, BE-ja është duke e rishikuar edhe regjimin e liberalizimit të vizave. Në këtë drejtim, institucionet e BE-së janë duke punuar në rishikim të mekanizmit për pezullimin e vizave me vendet e treta. 

Mekanizmi ekzistues ofron bazë për pezullimin e liberalizimit të vizave në rast se vendi në fjalë e përmbush njërin prej katër kritereve: (1) rritjen e ndjeshme të migrimit të parregullt, (2) rritjen e ndjeshme të azilkërkuesve, (3) refuzimin e bashkëpunimit për ripranim, (4) rrezik për siguri publike. 
Deri më sot, mekanizmi pezullues është aktivizuar dy herë. Njëherë kur Holanda, pa sukses, e kërkoi pezullimin e liberalizimit të vizave të Shqipërisë dhe njëherë në rastin e shtetit të Vanautusë, kur liberalizimi i vizave u anulua si pasoj e skemës së “pasaportave të arta”.

Tani mekanizmi i ri për pezullimin e vizave do ta zgjerojë numrin e kritereve apo arsyeve mbi të cilat BE-ja mund ta pezullojë liberalizimin e vizave. Muajin e kaluar, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian kanë arritur dakordimin për katër arsye të reja për pezullimin e vizave: (1) shkelje e të drejtës ndërkombëtare apo refuzim i zbatimit të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, (2) sulme hibride, sikur militarizimi i emigranteve apo dërgimi i tyre me forcë drejt kufijve të BE-së, (3) ngritja e skemave për investitorët të njohura sikur “pasaportat e arta”, dhe (4) mospërafrimi me politikën e vizave të BE-së. 

BE-ja e ka përditësuar mekanizmin pezullues të vizave bazuar në ato gjëra që ka mësuar nga praktika. Shqipëria në vitin 2022 synoi ta themelonte një skemë investive me “pasaportat e arta”. Vetëm pas presionit nga BE-ja, Rama u tërhoq. Serbia e filloi përafrimin e politikës së saj të vizave vetëm pas presionit nga BE-ja. 

Tani këto gjëra do të jenë të kodifikuara brenda legjislacionit të ri evropian. Nuk dua të them se shtrëngimi i mekanizmit pezullues të vizave i është drejtuar specifikisht rajonit tonë, por ai i është drejtuar edhe rajonit tonë. Kështu, ndonëse me mekanizmin e ri të pezullimit të vizave, BE-ja nuk është duke kërcënuar liderët e rajonit tonë, vetë prezenca e tij është kërcënim që nuk duhet injoruar.