OpEd

Keqpërdorimi i Kosovës në Tiranë

Mbi 20 vjet pas masakrës në Krushë të Madhe mediat e oborrit të qeverisë socialiste të Tiranës keqpërdorin një tragjedi kosovare për betejat e brendshme elektorale në Shqipëri. Kjo është punë më e lehtë se sa ndjekja e serbëve të dyshuar për krime të luftës, përfshirë edhe shpalljen e fletarrrsteve përmes Interpolit. Por për ta bërë këtë, Tirana duhet të ketë sistem të drejtësisë funksionale. Që kjo drejtësi nuk ekziston, për këtë janë kujdesur të gjitha qeveritë postkomuniste të Shqipërisë. 

Është irituese t’i shohësh disa media proqeveritare të Tiranës që tek 20 vjet pas masakrës në Krushë të Madhe “zbulojnë” se forcat serbe atje paskan bërë kërdinë. Është e neveritshme t’i shohësh këto media duke e aplikuar metodën e “helikopter-gazetarisë” – eja shpejt e shpejt në Kosovë, mblidh disa deklarata dëshmitarësh dhe banorësh dhe gjeje fajtorin, në këtë rast Lulzim Bashën. Ky person mund të jetë politikan i dëmshëm apo jo (për këtë le ta thonë fjalën e tyre zgjedhësit në Shqipëri), por të keqpërdorësh me kaq gjakftohtësi një masakër të kryer nga Beogradi për larje hesapesh elektorale në Shqipëri, kjo është joetike.

Si më 1997, kur në Tiranë sundonte një tjetër politikan, edhe sot kur sundon dikush tjetër – Kosova shfrytëzohet si mish për top. Mjetet nuk zgjidhen. Në Krushë të Madhe paskësh qenë edhe një shtetas tjetër shqiptar, i cili më vonë u bë deputet i socialistëve. Ky tha tani se kaseta për të cilën po flet një dëshmitar, i është dhënë BBC-së. E vërteta e plotë kërkon një hulumtim përtej “helikopter-gazetarisë”. Por kush ka kohë tani në Tiranë për këso gjërash, 20 vjet pas luftës, tash duhet kryer punën shpejt e shpejt që të gjendet “djalli”, në mënyrë që “super-patrioti” t’i fitojë zgjedhjet. 

Sa i përket kasetës: procesi kundër Sllobodan Millosheviqit ka qenë aq i madh, saqë disa dëshmi e dëshmitarë nuk janë marrë parasysh. Jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Bosnja e Kroacia. Fatkeqësisht. Për të kuptuar këtë, së pari duhet njohur pak rrjedhën e procesit kundër diktatorit serb dhe duhet të kesh qëndruar disa ditë në Krushë të Madhe e vende të tjera në Ballkan. Në ambicien e saj megalomane kryeprokurorja Carla Del Ponte nuk e ndau mega-aktakuzën, që Millosheviq së pari të dënohej për krimet në Kosovë, pastaj për krimet në Bosnjë e Kroaci. Procesi u stërzgjat dhe diktatori vdiq në qeli i padënuar, ndonëse historia tashmë e ka shpallur aktgjykimin e saj. Por edhe pa kasetën e shumëpërmendur, në poceset e Hagës është dënuar pothuaj komplet udhëheqja politiko-ushtarake serbe. Kjo, gjithsesi, nuk mjafton, sepse duhet të dënohen edhe autorët e drejtpërdrejtë të masakrës. Komandantët lokalë të policisë, prijësit e paramilitarëve, oficerët etj.

Shqipëria do të mund të bënte diçka në këtë drejtim. Duhet vetëm të shikohet se si e bëjnë këtë vendet me sistem funksional. Për shembull: Gjermania po i ndjek kriminelët sirianë të luftës. Ndonëse ata nuk kanë kryer krime në territorin gjerman. Pse nuk po e bën këtë Republika e dashur e Shqipërisë ndaj kriminelëve serbë të luftës? Pse nuk ka një ekip prokurorësh në Tiranë që merren me këtë punë? Shqipëria është anëtare e Interpolit - dhe mund të lëshonte fletarreste ndërkombëtare. Por kjo me gjasë nuk shkon me politikat e verbra të "pajtimit" me "mikun tim Vuçiq", siç e quan kryeministri i tanishëm i Shqipërisë.

Më 22 prill në Koblenz të Gjermanisë ka filluar procesi kundë dy sirianëve të akuzuar për krime të luftës në Siri. Sipas ligjeve gjermane veprat e tyre klasifikohen si krime kundër njerëzimit dhe duhet të ndiqen automatikisht. Pse Shqipëria qe 20 vjet nuk ka përshtatur ligjet e saj në këtë drejtim? Me fletarreste sekrete, të dorëzuara në Interpol, ndonjëri nga kriminelët serbë do të kishtë rënë më kurth. Por kjo është "matematikë e ndërlikuar" për politikanët dhe drejtësinë shqiptare. Tani bëjnë sikur janë të shqetësuar pas veprimeve të fundit të Gjykatës Speciale.

“Lajmi” më i ri: Lul Basha paskësh “marrë pjesë në arrestimin” e një figure të UÇK-së. Sipas vetë figurës. E figurës tek dje iu kujtua që e paskësh pasur një ditar “me vlerë historike”, por, qe, atë ditar ndoshta e paskësh marrë e zhdukur Basha, të cilin figura e prezanton si “përkthyes”. Domethënë përkthyesi paska pasur më shumë pushtet se vetë komandantët e policisë së UNMIK-ut, misionit të OKB-së. “Plot 20 vite kanë kalue dhe s’kam dash ta bëjë temë”, thotë figura. Tash e bëri temë, në një televizion të Tiranës që është vënë komplet në shërbim të pushtetit. “Ndihma më e madhe që Shqipëria mund t'i japë Kosovës është të mos bëj sikur e ndihmon!”, shkroi dje kolegu i çmuar Lutfi Dervishi nga Tirana. Sa shumë të drejtë ka!