Është thuajse krejtësisht e pamundur që shtetet anëtare të mos kenë informata të inteligjencës që do t’ua vërtetonin se kush qëndron pas sulmit në Banjskë dhe përse duhen imponuar sanksione kundër Serbisë. Porse është e qartë që interesi ndërkombëtar është më i rëndësishëm sesa një Millan, i cili do që ta kallë Kosovën – fundja, Kosova është e vogël dhe thuajse s’ka litium
Trembëdhjetë ditë pa u bërë viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës doli me një aktakuzë të gjatë kundër 45 serbëve. Dokumenti prej 158 faqesh përmblodhi përshkrime, veprime dhe fakte për t’i ngarkuar një numër të caktuar njerëzish, jo vetëm për Banjskën, por edhe gjithë dhunën që rrodhi në maj të 2023-tës dhe i parapriu ngjarjes që ndodhi më 24 shtator 2023.
Dokumenti i akuzës e vërteton atë që tashmë edhe vetë ai e ka pranuar: se udhëheqësi i grupit terrorist quhet Millan Radoiçiq.
Radoiçiqi iku mu në ditën e sulmit. Se përse dhe si ia doli t’i shmangej arrestimit në Kosovë, do të jetë një temë për shqyrtim a hetim të veçantë e besoj. Sidoqoftë, ajo që është më se e qartë se përse nuk priti gjatë për t’u deklaruar organizator i sulmit terrorist, është se ka dashur të largonte çfarëdo implikimi të shtetit të Serbisë si cytës apo edhe organizues i sulmit, duke e reduktuar në një “aksion kryengritës të serbëve të shkelur në Kosovë”, siç kanë zakon ta paraqesin veten.
Radoiçiqi u arrestua disa ditë më vonë në Serbi dhe u la i lirë që të mbrohet, edhe pse janë ngritur akuza të rënda edhe nga autoritetet e Serbisë ndaj tij. Porse mosveprimi i autoriteteve atje tregon mjaftueshëm sa për të kuptuar se hëpërhë nuk është në interes të Serbisë të merret me të. Se në fakt, atë e ruan si xhoker për ndonjë situatë tjetër, kur ndonjë fuqi e madhe politike perëndimore do t’ia kërkojë ndonjë veprim vullneti të mirë.
E se një sulm i kalibrit të këtillë ka qenë i pamundur pa përfshirjen e Serbisë, edhe këtu nuk ka shumë dyshime. Sado që prokuroria nuk e implikon Serbinë direkt në këtë sulm. Megjithatë, akuza e prokurorisë është e rëndë: qëllimi i sulmit në Banjskë ishte shkëputja e veriut nga Kosova dhe bashkimi i tij me Serbinë.
* * *
Por, t’i kthehemi Radoiçiqit. Pos që është kriminel, ai është edhe biznesmen, që ua ka parë hairin tenderëve si në Serbi ashtu edhe atyre në Kosovë.
Sipas prokurorisë, është konstatuar se Radoiçiqi me kompanitë në emër të Radule Steviqit mori kontrata publike në vlerë prej 23 milionë eurosh nga institucionet e Kosovës në periudhën 2017-2023, kryesisht për punë publike në katër komunat veriore, por edhe në Graçanicë.
E ajo që është më e rëndësishmja në këtë kontekst, është se paratë janë marrë, por punët nuk janë kryer. Fundja, përfundimi i punëve nuk ka qenë me rëndësi – me rëndësi kanë qenë paratë që kanë shërbyer për t’u pajisur me një pjesë të armatimit dhe të veturave e pajisjeve të tjera që janë përdorur para një viti në shtator.
Dhe kështu e përshkruan aktakuza: “Forma e parë e financimit duke i keqpërdorur tenderët e Kosovës që ishin në vlera më të ulëta, ka ndodhur duke marrë kontrata që në aspektin procedural ishin të ligjshme, mirëpo pas marrjes së kontratës, projekti nuk zbatohej fare. Kurse forma e dytë apo më kryesore për nga sasia në vlera marramendëse të parave ishte përmes financimit nga Serbia, ku kjo formë funksiononte në emër të së ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovë dhe Metohi’”.
Aktakuza pretendon se pjesa më e madhe e këtij grupi, (që në maj të 2024-s tashmë kishte treguar se çka ishte në gjendje të bënte që në çastin kur i sulmoi pjesëtarët e KFOR-it dhe gazetarët me armë zjarri dhe mjete të tjera të rrezikshme), kishte hyrë në territorin e Kosovës ilegalisht nga Serbia nëpërmjet rrugëve malore, “...me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake...”
* * *
Sipas aktakuzës, grupi nisi të organizohej që nga 13 tetori i 2021-tës, kur në Rashkë (Serbi) u mbajt një takim, ku mori pjesë edhe kryetari serb Alleksandar Vuçiq. Në atë takim serbët e Kosovës kishin kërkuar armatosjen dhe fillimin e rezistencës së armatosur kundër institucioneve të Republikës së Kosovës në veri.
Pas këtij takimi, më 2022 dhe 2023, ishin shtuar sulmet kundër zyrtarëve të Kosovës dhe janë ngritur barrikada gjithandej. Testi i parë i dhunës së organizuar ndodhi në Zveçan, më 29 maj 2023, dhe kulmoi me Banjskën, katër muaj më vonë.
Sipas aktakuzës, Serbia, ndër të tjera, ia ka ofruar Radoiçiqit edhe infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve të grupit të tij kriminal: “...Serbia ia ka ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve, ofrimin e pajisjeve ushtarake dhe logjistike, krejt këto të nevojshme për të kryer sulmin terrorist të datës 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit të Republikës së Kosovës”.
Ndërkohë, pos parave dhe armëve, Serbia e ka “armatosur” Radoiçiqin me pushtet politik e shoqëror: “Përveç fuqizimit dhe përkrahjes politike, me qëllim të ushtrimit të ndikimit te pjesa e popullatës civile serbe, të pandehurit Milan Radoiçiq i ishte ofruar edhe përkrahje duke e vendosur në pozita kyç me qëllim të krijimit të figurës kryesore në veri dhe përmes këtyre pozitave të kontrollohen qytetarët e kësaj pjese të Kosovës. Pozitat të cilat i kishte mbajtur i pandehuri Milan Radoiçiq ishin: nënkryetar i partisë Lista Serbe, kryetar i së ashtuquajturës ‘Federata e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë’ në sistemin paralel të Serbisë dhe kryetar i të ashtuquajturit ‘Klubi Trepça’ në sistemin paralel të Serbisë”.
* * *
Pra, ne dyshime nuk kemi pasur asnjëherë se shteti i Serbisë qëndron pas këtyre sulmuesve dhe idesë për një kryengritje. Është fakt se shteti i Serbisë qëndron pas Listës Serbe, partisë politike që nuk merr frymë pa leje të Vuçiqit, dhe nënkryetar i së cilës ka qenë Radoiçiqi. Por, nëse të akuzuarit nuk e pranojnë këtë fakt në gjykim, nuk e di se si do të dëshmohet fuqishëm dhe me fakte – aq sa për ta bindur BE-në, për shembull, se Serbia qëndron pas këtij sulmi terrorist.
Aktakuza doli, udhëheqësit politikë kosovarë e përshëndetën (“më mirë vonë se kurrë”), profesionistët e analizuan dhe nxorën konstatimin se pos tre të arrestuarve, gjykimi nuk mund të zhvillohet në mungesë ndaj të arratisurve.
Nga ana tjetër, u prononcua edhe BE-ja, nëpërmjet Peter Stanos, duke thënë se për të pasur qëndrim rreth Banjskës duhej pritur epilogun e gjykimit.
Tallje e BE-së kjo, apo së paku Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë – ngase ekspertët gjyqësorë të BE-së, që kanë ndenjur me vite në Kosovë, nuk ia kanë dalë ta rregullonin sistemin, ashtu që një gjykim të përfundojë brenda një kohe optimale. Për më tepër, i kanë lënë me qindra gjykime pa përfunduar dhe në rrezik për parashkrim.
Pra, nëse e kanë njëmend qëllimin që ta presin aktgjykimin e formës së prerë dhe kalimin e të gjitha mjeteve të jashtëzakonshme juridike që potencialisht do të mund të përdoreshin në këtë rast, atëherë edhe ata e edhe ne bashkë me ta do ta presim atë nja dhjetë vjet.
Prapë po më duhet ta shkruaj këtë: është thuajse krejtësisht e pamundur që shtetet anëtare të mos kenë informata të inteligjencës që do t’ua vërtetonin se kush qëndron pas sulmit në Banjskë dhe përse duhen imponuar sanksione kundër Serbisë. Porse është e qartë se interesi ndërkombëtar është më i rëndësishëm sesa një Millan, i cili do që ta kallë Kosovën – fundja Kosova është e vogël dhe thuajse s’ka litium.
* * *
E meqë nuk kemi litium, kemi presion për dialog – për gjithçka, përfshirë edhe urën historike të Mitrovicës. Dhe, presioni vjen nga njeriu që me lehtësinë më të madhe e lëshon një fjalë të madhe pa u mërzitur fare a është gënjeshtër apo jo.
Javën e kaluar Lajçaku na tha se Serbia e kishte tërhequr letrën e Bërnabiqit, BE-ja refuzoi ta konfirmonte këtë që ka thënë Lajçaku, kurse Bërnabiqi, tash kryeparlamentare e Serbisë, deklaroi në një intervistë se “nuk e dinte se përse e kishte thënë Lajçaku atë që e kishte thënë”. Pra, në këto rrethana, kryenegociatorët janë ftuar për takim trepalësh në Bruksel më datën 17 shtator, i cili me gjasë nuk do të ndodhë për shkak se, sipas Besnik Bislimit, Serbia e ka refuzuar takimin.
Por, nuk i dihet. Deri të martën e ardhshme me siguri do të lajmërohet Lajçaku, që do të na thotë se Serbia e ka tërhequr refuzimin për takim, kurse Kosova e ka refuzuar tërheqjen e refuzimit.