Ekselenca e juaj, kjo është ajo kohë e vitit kur unë jam në vlugun më të madh të punëve këtu në Laplandin tim piktoresk. Pranoj me miliona letra me dëshirat nga më të ndryshmet për festat e fundvitit. Fëmijë me dëshira për lodra nga më të ndryshmet, këlyshë të vegjël për adoptim, kotele, papagaj, dëshira të sinqerta nga shpirtra të sinqertë.
Shumica e qyteteve në Kosovë janë zbukuruar me dekorimet për fundvitin. Sigurisht se kësaj dukurie i gëzohen më së shumti fëmijët. Së paku ne si shoqëri me diçka t’i bëjmë të ndihen të gëzuar.
Dëshiroj që të dal menjëherë në temë.
Para ca ditësh në kabllogramet e mia diplomatike kishte arritur një kabllogram i drejtuar tek unë privatisht. Atë ma kishte shkruar Shën Kolli (Nikolla). Për të painformuarit ky është Babadimri origjinal. Për t'ia lehtësuar vetes këtë shkrim të ditarit tim do ta kopjoj atë kabllogram ashtu në origjinal se si e kam pranuar.
"Ekselenca e juaj,
Shpresoj që kjo letër e imja do t'ju gjejë me shëndet të mirë dhe me disponim për festat e fundvitit.
Ekselenca e juaj, kjo është ajo kohë e vitit kur unë jam në vlugun më të madh të punëve këtu në Laplandin tim piktoresk. Pranoj me miliona letra me dëshirat nga më të ndryshmet për festat e fundvitit. Fëmijë me dëshira për lodra nga më të ndryshmet, këlyshë të vegjël për adoptim, kotele, papagaj, dëshira të sinqerta nga shpirtra të sinqertë. Unë shikoj se sa kanë qenë të dëgjueshëm dhe joproblematikë gjatë vitit, në mënyrë që të vlerësoj se a i meritojnë dhuratat të cilat i kanë kërkuar.
Ekselenca e juaj, unë dhuratat i përgatis dhe i shpërndaj edhe për të rriturit, edhe pse ata nga mendjemadhësia më nuk më dërgojnë letra me dëshirat e tyre, kështu që mua më del më shumë punë për të vrojtuar se sa kanë qenë të dëgjueshëm dhe joproblematikë gjatë vitit. Me gjithë angazhimin tim 24/7 unë arrita që të bëja listën e dhuratave të fundvitit për politikanët shqiptarë.
Hashim Thaçi: Pasi i përcolla të bëmat e tij gjatë vitit erdha në përfundim që ai ka probleme me gjendshmërinë dhe orientimin në hapësirë. Për këtë arsye unë do t’ia dhuroj GPS-in më të ri, fjala e fundit e teknologjisë. Hartat janë të azhurnuara në modelet e fundit ndërkombëtare. Sa i përket hartës së Kosovës, demarkacioni me Malin e Zi është përfshirë aty. Më pyesni, e çka paska atëherë ky GPS që po e dalluaka nga të tjerët. Në rast se përdoruesit i shkon mendja për të bërë çfarëdo ndryshimesh në harta, atëherë GPS-i shndërrohet në Taser dhe e godet përdoruesin me 250.000 Volt shok rryme, d.m.th. e shndërron në skllotë. Mirëpo, kur ia pashë edhe kushtet e jetesës Hashimit se çfarë i kishte, vendosa që t'ia përpiloja unë atij listën e dëshirave për t'm’i plotësuar mua.
Ramush Haradinaj: Pasi i vrojtova angazhimet e Ramushit gjatë vitit të kaluar, në thesin tim për dhurata atij ia kam përgatitur risinë më të re teknologjike nga Japonia. Është një mikrofon karaoke bluetooth me altoparlant të vetin, me të cilin Ramushi do të mund të këndonte gjithë ditën e lume pavarësisht se ku gjendet. Së shpejti shumë njerëz fatlumë do të kenë mundësinë t’i dëgjojnë edhe në shesh dy këngët, të cilat Ramushi i ka ngjimt si ngat a ngat.
Kadri Veseli: Me i përcjellë të bëmat e Kadriut sikur me e përcjellë urithin. Futet nën dhe edhe elfatihak e ke. Po për aq sa pata mundësi të kuptoj, është në nevojë të madhe për një autobus. Edhe këtij do t’ia sjell më të riun nga fjala e fundit e teknologjisë, një autobus elektrik. E ka të sigurt që nuk do ketë nevojë që së bashku me bashkëpartiakët e vet ta shtyjë atë. Edhe në rast se harxhohet bateria industriale e autobusit, ai mund ta zëvendësojë atë me ato bateritë e PDK-së të tepruara nga fushatat e kaluara.
Fatmir Limaj: Ekselenca e juaj, unë njihem si mbrojtës i detarëve dhe peshkatarëve, dhe duke e përcjellë aktivitetin e Fatmirit gjatë vitit, e kam kuptuar se është merakli i fortë në frutat e detit, kështu që atij do t’ia nis shleperin me kallamari. Shleperin thesi nuk ma zë, mirëpo do të vijë i veçantë dhe ndaras nga dhuratat e tjera. Posa të mbërrijë në Kosovë, Fatmiri me të njohshëm mund t’ia bëjë edhe homologimin shleperit.
Pal Lekaj: Veprimet e Palit gjatë vitit ishte lehtë për t’i përcjellë. Edhe dhurata për të, për festat e fundvitit, ishte e kollajshme për ta zgjedhur. Palit do t'ia dhuroj 100 letra shtetërore me vlerë blanko. Shumat i shënon ai, pastaj vetë, sipas nevojës dhe rastit. Shpresoj mos t’i kem hyrë në hak Palit me dhuratën time modeste për festat e fundvitit.
Isa Mustafa: Për të qenë korrekt, është një nga të rrallët prej radhëve të të rriturve, i cili më është drejtuar me një letër dhe me dëshirën e tij që për dhuratë të fundvitit ta bëj president. Më duket se më ka përzier me Albin Kurtin ai mua. Pas analizës së sjelljeve të tija gjatë vitit të cilin po e lëmë pas, për dhuratë kam vendosur t'ia sjell një tabelë shahu, një palë domina dhe një ludo, lojëra për t’u argëtuar pas pensionimit. Edhe pensionimi e ka lezetin e vet, e edhe unë paksa jam lodhur, më ka ardhur koha edhe mua që të pensionohem.
Albin Kurti: Problemin më të madh me përzgjedhjen e dhuratës së fundvitit e kam me Albinin. Frikohem se do t'më shkelmojë dhe t'më quaj Babadimër imperialist, i cili po mundohet që ta korruptojë. Si dashamir i librit që është, unë vendosa që t'ia bëj dhuratë librin e shkruar nga hiç më pak se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Trump "Arti i marrëveshjes". Shpresoj të mos jem i vonuar me këtë dhuratë për Albinin.
Shpend Ahmeti: Nuk e di se a kualifikohet për dhuratën e fundvitit pasi që ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet politike në parti dhe si i tillë më nuk kualifikohet për titullin politikan. Në anën tjetër, të bëmat i ka gjatë vitit, kështu që i bie se ka merita për ndonjë dhuratë. Edhe Shpendit si student Harvardi dhe dashamir i librit do t’ia bëj dhuratë një libër, atë të shkruar nga i ndjeri, drejtori ekzekutiv i IKEA-së, Ingvar Kamprad "Si ta çmontosh partinë for DUMMIES".
Dardan Molliqaj & Frashër Krasniqi: Përzgjedhja e dhuratave për këta dy politikanë në tentativë ishte e lehtë pas analizës së veprimeve të tyre gjatë vitit që po e lëmë pas. Që të dyve do t’ua dhuroj nga një palë dorëza boksi, si dhe një thes që mund t’i bien gjithë ditën. Njëra anë e thesit e ka fytyrën 3D të Milazim Zekës, ndërsa ana tjetër e thesit atë të Haki Abazit. Për Lojërat e radhës Olimpike, kategorinë pendël, Kosova do ta ketë të siguruar me dy boksierë kulmorë pretendues për medaljet olimpike.
Edi Rama: Edi ishte një çun i keq vitin që e lamë pas. I padëgjueshëm, i llastuar, kapricioz, cinik, jo i disiplinuar dhe nevrik. Por, a durohet ai me batutat për Babadimrin kur ta kuptojë se nuk i kam sjellë dhuratë për fundvit. Më mirë t’ia bëj një dhuratë dhe të mos ma çajë trapin pastaj në ERTV. Mendoj se do t’ia dhuroj një qen të trajnuar të Kërkim-Shpëtimit. Më kanë lënë mbresa dialogët e tij me qentë ditëve pas tërmetit që ra në Shqipëri.
Plotësim** sapo e bëra porosinë, mirëpo nuk u kishin mbetur qen për kërkim-shpëtim. Kishin vetëm nuhatës droge. Po mirë - u thashë - ma mbështillni një dhe ma dërgoni me postë! Nuk kaloj shumë kohë dhe e gjeta Interpolin në derë me dyshimet se unë shpërndaj marihuanën me postë! Jo more qafirë, ua kërkova të ma mbështillnin qenin drogënuhatës dhe të ma nisnin me postë, sepse e kisha dhuratë për Edin. Bashkë me qenin do t’ia bashkëngjit edhe një litër raki kumbulle, aso origjinale të shtëpisë së Kralevës.
I nderuari ambasador, dhuratat e mia nuk do të përmbyllen me kaq. Duke e përcjellë punën tuaj të palodhshme për reprezentimin sa më të denjë të shtetit dhe popullit të Kosovës në Facebook, dhe duke e parë interaksionin e qytetarëve në rrjetet sociale, unë kam ardhur në përfundim se shumicës prej tyre më së shumti hair do t’u bënte nëse unë do t’u sillja abetare të përcjellë me një Fjalor të Gjuhës Shqipe, që është një gjuhë shumë e bukur, por ta marrësh guximin ta shkruash aq gabimisht saqë as që i ngjason asaj në cilindo dialekt që ta marrësh, atë gegë apo toskë.
I nderuari ambasador, ishte e vështirë kjo puna ime e përzgjedhjes së dhuratave, por përkundër asaj, unë assesi nuk do të mundja që t’ju anashkaloja juve. Një diplomati të kalibrit tuaj e vetmja dhuratë, e cila do t’i shkonte për shtati dhe me qerpikë, do të ishte libri autobiografik "New State Modern Statesman" i Hashim Thaçit, kostoja e të cilit është më e madhe se të gjitha dhuratat e tjera së bashku.
Ekselenca e juaj, këtu unë ngadalë po e përmbyll letrën time duke ju dëshiruar shëndet, plotësime dëshirash dhe shumë kremtime për shumë mot. Shën Kolli, Babadimri".
Lexues i nderuar i ditarit tim, kjo ishte letra e Shën Kollit në tërësinë e saj, ashtu qysh ajo më kishte arritur privatisht me kabllogramet e tjera diplomatike. Unë ju falënderohem për kohën të cilën ju e ndatë për të lexuar këtë ditar 1.500 fjalësh, duke besuar se Babadimri po dërguaka kabllograme diplomatike. Por ishte një përshëndetje për fundvit me pak sarkazëm dhe humor. Gjithçka që sadopak të dekontaminojmë negativitetin e lajmeve dhe këtë fundvit ta presim me shpresë dhe pozitivitet për ditë më të mira për të gjithë ne.
Gëzuar festat e fundvitit dhe festofshim së bashku për shumë mote!