OpEd

Babadimri Sui Grenellis

Si gjithnjë për fundvit do t’i shprehim dëshirat tona për Vitin e Ri. Sivjet, siç jemi në dijeni për shkak të pandemisë me COVID-19 dhe mbylljes së rishtë nga ana e shteteve skandinave dhe atyre evropiane, Babadimri do të jetë në pamundësi që t’i sjellë dhuratat personalisht nga Laplandi i largët. Mirëpo, unë atij do t’i drejtohem personalisht dhe dhuratat do të distribuohen me anë të kaprojve të Ali Expressit, kështu që duhet të jeni mirënjohës për dhuratën, e cila do të mund t’ju arrijë nga Babadimri i sivjetshëm Sui Grenellis

Lexues të nderuar të ditarit tim. E përcollëm edhe një vit së bashku, vit ky të cilin të gjithë ne do ta mbajmë në kujtesë për një vit aq të mbrapshtë. Vit në të cilin çdokush nga ne humbi qoftë ndonjë të afërm, qoftë ndonjë mik nga kjo pandemi e mallkuar. Ndamë së bashku edhe shumë kabllograme të ndryshme diplomatike nga vendi dhe nga bota.

Si gjithnjë për fundvit do t’i shprehim dëshirat tona për Vitin e Ri. Sivjet siç jemi në dijeni për shkak të pandemisë me COVID-19 dhe mbylljes së rishtë nga ana e shteteve skandinave dhe atyre evropiane, Babadimri do të jetë në pamundësi që t’i sjellë dhuratat personalisht nga Laplandi i largët. Mirëpo, unë atij do t’i drejtohem personalisht dhe dhuratat do të distribuohen me anë të kaprojve të Ali Expressit, kështu që duhet të jeni mirënjohës për dhuratën, e cila do të mund t’ju arrijë nga Babadimri i sivjetshëm Sui Grenellis.

I nderuari Babadimër,

Po ju shkruaj në cilësinë e ambasadorit të popullit shqiptar në Facebook. Pranoi përshëndetjet e mia të përzemërta duke ju dëshiruar që ky kabllogram me dëshira diplomatike për fundvit t'ju gjejë ju shëndosh dhe mirë.

Duke mos iu humbur shumë kohë të cilën e keni aq të çmuar, do të kaloj drejt e në dëshirat e mia për politikanët tanë modestë dhe do t’u kërkoj që veç e veç secilit prej tyre t’ua plotësoni dëshirën, të cilën unë e kam përpiluar enkas për ta.

Avdullah Hoti: Kryeministri në detyrë i Qeverisë kundër-kushtetuese i Kosovës shquhet për një urtësi, qetësi dhe ftohtësi që edhe husky-it e tu, të cilët t’i ngrehin sajat do të lakmonin. Babadimër mendoj se dhurata më e çmuar dhe adekuate për kryeministrin Hoti do të ishte një pako, e cila do t’ia rimëkëmbte nervozen dhe temperamentin. Për përmbajtjen e pakos ua lë juve që të vendosni, mirëpo gjithsesi aty ta përfshini një pelerinë të gjykatësve të Gjyjatës Kushtetuese të Kosovës, dhuratë kjo që do të ishte e paharueshme për z. Hoti.

Driton Selmanaj: ushtruesi i detyrës së zëvendëskryeministrit të dytë kundër-kushtetues i Qeverisë së Kosovës flet më shpejt se që truri mund t'ia procesojë fjalët. Pastaj bëhet nervoz se nuk e kemi kuptuar. Babadimër dhurata për të le të jetë abonimi njëvjeçar për Ludo King Universum 2021. Do t’i bënte mirë. Gjithashtu edhe një SKANDI me fjalëkryqe me dispozitat e Gjykatës Kushtetuese.

Arben Gashi: Udhëheqësi i Grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Mendoj se një vaucher për një sesion te Kaci & Sellma do të ishte dhuratë adekuate për deputetin e nderuar, i dashuri Babadimër.

Armend Zemaj: Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Shëndetësisë të Qeverisë kundër-kushtetuese të Kosovës. Babadimër i nderuar. Ky politikan me dëshirën për ta ushqyer ambicien e tij e ndoshta edhe atë sinqeritetin e “pafajshëm” shpeshherë del naiv më shumë sesa joprofesional. Babadimër sjellja për dhuratë një palë stetoskopë, të cilat do të mund t’i varte rreth qafe dhe gjatë xhirove nëpër QKUK, stafi ta merrte si njërin nga ata.

Agim Veliu: Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme të Qeverisë kundër-kushtetuese të Kosovës. Babadimër këtij nuk i ka qenë lehtë. Në qeverinë e kaluar ishte i shkarkuar nga ish kryeministri Kurti, pastaj e ka humbur bastionin e tij, Podujevën, në zgjedhjet e fundit lokale, të cilat u mbajtën aty rishtazi. Tash u shkarkua edhe nga Gjykata Kushtetuese. Babadimër ndoshta ai dhuratë kështu fizike edhe nuk dëshiron, veç sikur të kishe mundur me e inicu një kurshlluz në ato dritat e shëtitores së Podujevës, mendoj që Agim Veliu do t’ua dinte për nder dhe do të ishte dhurata më e dashur e tij për këtë fundvit.

Hykmete Bajrami: Ushtruesja e detyrës së Ministres për Ekonomi në Qeverinë kundër-kushtetuese të Kosovës. Për besë Babadimër kjo është mjaft një grua e zellshme edhe punëtore, po që ka të shkelur diçka si duket. Babadimër dhurata adekuate për të ashtu befasi do të ishte një kasafortë mbi tavolinën e saj të punës me 2.1 milionë euro brenda kasafortës. E di se nuk po tingëllon bash dhuratë modeste i dashuri Babadimër, por më beso qashtu është puna. T'vij.

Isa Mustafa: I nderuari Babadimër, kryetarit të LDK-së mundësisht një dhuratë modeste për një politikan modest siç është zoti Mustafa. Një palë patina për rrëshqitje në gropë septike apo të rrëshqasë drejt zgjedhjeve. Zgjidhja le të mbetet e tija.

Ramush Haradinaj: Kryetari i partisë, e cila është partneri i madh i koalicionit qeverisës kundët-kushtetues. Babadimër këtu përzgjedhjen për dhuratë e kemi të kollajshme. Një nga ata karaoke mikrofonat në të cilët mund t’i instalosh këngët instrumentale dhe mikrofoni disponon edhe me një autoparlant të vogël, i cili operon me bateri. Këngët që nevojiten të instalohen janë "Kah po shkon moj Zanë" dhe "Oh moj Kosovë oh moj bukuroshe". Na knaqë shpirtin Ramushi pastaj gjithë vitin.

Fatmir Limaj: Kryetari i partisë së vogël të koalicionit qeverisës kundër-kushtetues. Këtij njeriu modest dhe paqedashës, i dashuri Babadimër do të lutesha që t'ia dhurosh një prag nga çokollata. Ti shkojë ëmbël viti pasi që një të tillë më nuk do të kalojë. Së paku me atë parti jo, në variante të tjera gjithçka është e mundur.

Albin Kurti: Kryetari i partisë më të madhe, e cila gjendet në opozitë. Babadimër në hall jam çfarë dhurate me i bërë këtij njeriu. Ky me të vërtetë ka qëlluar politikan modest. Ndoshta ekzemplarin e parë të librit mbi Agim Bahtirin, vëllimin e parë të këtij libri, të praruar me kopertina të arta dhe të mbështjella edhe me një kurdele. Ndoshta kjo vepër e frymëzon kryetarin dhe e implementon si Manifesto të partisë të cilën e udhëheq.

Vjosa Osmani: U.d. së presidentes dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës. Babadimër i nderuar kësaj zonje që si trembet syri të lutem ia sjell dhuratë një minton kadife me penj të dukatit dhe me një brosh të yllit gjashtë-cepësh me mbishkrimin e gdhendur “SHERIFF”. Le të dihet kush kollitet në atë nahi.

Enver Hoxhaj: U.d. i kryetarit të PDK-së, partisë së dytë më të madhe opozitare. Babadimër këtij politikani modest t’u kisha lutur që t'ia sjellësh një Haber Mast me të cilin do ta lyente pak ballin dhe ta flladiste, sepse nuk ia ka haberin se çka të bëjë me këmbët e arushës, të cilat ia kanë lënë për me udhëheq partinë.

Edi Rama: Kryeministër i Shqipërisë. Babadimër pasi që ky është kryeministri i “Rilindjes” rezultatet e të cilat i pamë me përafrimin e tij me Vuçiqin, fuqizimin e mini-shengenit e injorimin e vëllezërve e motrave të tij kosovare mendoj se është i denjë që për dhuratë t'ia bësh përkrenaren e argjendtë me dhi n'ta, në fakt me brinjët e dhisë n'ta se ndoshta mos po keqkuptohem se si u shpreha.

Gent Cakaj: Ministër i Punëve të Jashtme në detyrë. I nderuari Babadimër do t’u kisha lutur që këtij politikani modest, recituesi pasionant të poezive të Rilindësve, për dhuratë të Vitit të Ri t'ia bësh një globus të trojeve shqiptare si shenjë mirënjohjeje për angazhimet e tij në Luginë dhe gjetiu. E meriton.

Donald Trump: President i SHBA-së. I nderuari Babadimër, jam i sigurt si ai të është drejtuar vetë me dëshirën e tij dhe mund ta kem edhe idenë se cila mund të jetë ajo. Dëshira ime diplomatike për Vitin e Ri për presidentin e SHBA-së do të ishte një vikend shtëpizë në Lindjen e Mesme në Kosovë, buzë Liqenit Trump aty afër Jezgroviqit.

Richard Grenell: I papunë në Amerikë. I nderuari Babadimër gjithmonë kam një ndjeshmëri për njerëzit e papunë, simbolika të cilëve nuk ua paguan qiranë. Do ta dëshiroja perceptimin e një dhurate për zotëri Grenellin në formë të Rent a Car-it, që do t’i realizonte vozitjet aq të kërkuara nga Kërpimehi për në Kragujevc.

I dashuri Babadimër këto do të ishin dëshirat e mia për dhuratat e Vitit të Ri për politikanët tanë modestë. Shpresoj se do të mund që t'iu përgjigjesh pozitivisht.

Për fund, edhe unë si një ambasador modest do ta dëshiroja një dhuratë modeste për veten time. Mundësisht që të mi sjellësh dy fondacione, “Krasniqi” dhe “Selimi”, se mos po iu bën zarar vetëm atyre dy të parëve.

Me shpresën se dëshirat e mia të shprehura për dhuratat e politikanëve modestë do të plotësohen dhe se kaprojtë e tu nga Ali Expressi do t’i sjellin të gjitha ashtu siç i kam porositur pa ndonjë huqje rasti, pranoji përshëndetjet dhe urimet e mia më të përzemërta për Vitin e Ri.

Sarkazmi ka emër.