Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Ju rrit nera, e u pafshim në kohë më të mira!

I kam lexuar pretendimet e ngritura nga “burime” të MPJD-së lidhur me emërimet në poste diplomatike dhe emri im është përfolur si “i emëruar pa konkurs”! Kam pritur se mediat pyesin pak se mbi çfarë baze një emërim me dekret të institucionit më të lartë shtetëror nxirret nga sirtari e i bëhet gjyqi publik si i paligjshëm? Apo se si ka mundësi që drejtori apo sekretari i MPJD-së e kanë kaluar para tre vjetësh nëpër duar, e kanë cilësuar të ligjshëm atëherë, e të paligjshëm tani, kur ligjet janë po të njëjtat, si sot, si tre vjet më parë? Por kjo nuk ka ndodhur. Thjesht, vendimet merren të mirëqena, edhe pse duken sheshit se si me porosi. Se nuk ndërpritet angazhimi për shkak se je angazhuar pa konkurs, kur për atë nivel angazhimi as që parashihet konkurs. Po, nejse!

E si për të mos mjaftuar, pretendimeve të tilla u shtohen pastaj edhe vlerësime nga organe karikatura si kjo Sindikata e MPJD-së, e krijuar po me të emëruar politikë por të shndërruar brenda nate në “të karrierës”, që bazohen në parime gjoja, kurse se si janë emëruar ata vetë, askush nuk i pyet.

Për të qenë tërësisht i qartë, unë jam pajtuar me vendimin. Jo se ka bazë ligjore, po sepse me këtë edhe kam shpëtuar prej “mirësisë” nëse edhe tërthorazi të tillë ka pasur me rastin e emërimit tim ndonjëherë. Unë e di se kam qenë i angazhuar për meritat e mia në fushën përkatëse dhe asgjë më shumë. Madje duke e pranuar atë pozitë ia kam ulur rangun diplomatik vetes, vetëm me synimin që të mund të jap kontribut ku kam menduar se ka nevojë. Por del se ka qenë gabim.

Nuk e kam mirëpritur kohën kur është lëshuar vendimi (në vlugun e shpalljes së COVID-19 pandemi), formën si është lëshuar (në stil partizanësh) dhe faktin se ka bazë të mangët ligjore, dhe e kam kundërshtuar me argumente ligjore tek institucionet relevante të cilat del po ashtu se “nuk janë kompetente” për të! Sepse nuk kanë se si të jenë. Është si të thuash të ndërpritet angazhimi pse ka rënë borë! Por partizani aq di, dhe aq bën!

Unë edhe pa këtë marifet e kam ditur që angazhimi im i ka pasur ditët e numëruara, pasi që me gjithë respektin për institucionin, nuk është më ai për çfarë kam hyrë, dhe prej disa kohësh është në vendnumërim. Në këto rrethana nuk më jepte as satisfaksion profesional e as intelektual angazhimi i mëtejmë, por për ata që kuptojnë mirë, halli është që të tilla angazhime pasi i merr përsipër, edhe të hiqesh, nuk hiqesh aq shpejt nga to sa do ti. Sepse kur angazhohesh në një mision, nuk është se zhvendosesh prej lagjes në lagje... Sidoqoftë, ata që më njohin e dinë se nuk jam angazhuar që t’ia zë vendin askujt, po që përmes angazhimit të motivoj këdo, përtej vijave ndarëse politike për të mirën e institucioneve e të shoqërisë. Por kjo del e pamundur e nuk shoh as se mund të ndryshojë.

Arsyeja pse u bëra pjesë e MPJ-së ishte thjesht motivi për të ndihmuar vendin prej nga i kam rrënjët në atë që e shihja si sferë e interesit, pra në diplomaci, ku besoj se mund të luaj rol dhe e kam demonstruar me punë. Në fakt këto që po i shkruaj unë duhet t’i kishin sqaruar ata që e kanë vënë firmën në vendimet sa i përket angazhimit tim, dhe u takonte. Po sidoqoftë!

Përndryshe, të hysh me konkurs në MPJD nuk ndodh dhe deri sot nuk di që dikush të jetë pranuar si staf diplomatik me konkurs. Disa të tillë (të brendshëm e të jashtëm) janë anuluar gjatë tre vjetëve sa kam qenë pjesë e MPJD-së. Dikush më pati thënë si me shaka se njerëzit ende janë në pritje të rezultateve nga konkurse para 10 vjetësh.

Për dy të fundit e di me siguri, sepse gjithashtu pata aplikuar. Në të parafundit 2019 (konkurs i brendshëm) kurrë nuk mora përgjigje. Në shkresa thonë se është anuluar po nuk rezulton i tillë. E në të fundit, ku “aplikantë” dolën, edhe ish-havera të ortakërisë së fundit dhe familjarë të “presidentit në pritje”, më thanë se isha skualifikuar pa hyrë fare në listë, meqë diplomat (doktoraturë e master në SHBA) “nuk i ke të nostrifikuara!” Skualifikimin natyrisht e kishin bërë pa kërkuar sqarime, megjithëse i angazhuar tre vjet në atë institucion, se për ironi i kam, e kam humbur kohë zyrave të institucioneve të shtetit të ri me maskarenj të moçëm, për t’i nostrifikuar, për të synuar angazhim në universitet (një tjetër lloj cirku.) Për më tepër, “kriteri” fantazmë i nostrifikimit ishte shkelje e procedurave nga ana e MPJD-së, pasi binte ndesh me rekomandimet e Avokatit të Popullit që tashmë e ka cilësuar këtë qasje të MPJD-së si diskriminuese dhe në kundërshtim me dispozitat e barazisë në Kosovë. Po çka të thuash? Ankohu! Për çfarë, që të dalë një zyrtar i rangut e të thotë se ankesa juaj tani është irelevante sepse ai konkurs tashmë është anuluar. D.m.th. padrejtësia e dyfishtë në sipërfaqe e bën këtë veprim të duket legjitim në sytë e publikut. Ngrihet pak pluhur, e kur anulohet pastaj, askujt asgjë. Dhe askush nuk pyet as pse?

Dëshira ime ka qenë që të angazhohem me konkurs në MPJ jo dje, po prej kur është themeluar MPJ. Se nuk ka vend ku të kem hyrë “pa kunkurrue” deri sot. Edhe në “Koha Ditore”, në vitin 1997, me konkurs kam hyrë. Po te kush të aplikohet për MPJD? Në rastin konkret, fjalët “MPJD dhe konkurs” janë një lloj oksimoroni. Aplikimin edhe mund ta bësh nëse “administrata” janë me “hanë të mirë”, por që të përzgjidhesh, harroje!

Dhe pasi prish nervat me ta, del se në fund të fundit është kohë e humbur çdo minutë me ta e për ta, sepse Kosova nuk e ka vetëm atë hallkë që shkon keq, po ngado që rrotullon sytë ka maskarallëqe të kësaj natyre dhe abuzime me pozitën në atë që do duhej të ishte shërbim publik. Ngjashëm ishte edhe për angazhim në UP, para se të angazhohesha në MPJD. I njëjti skenar. E për atë, duhet një kapitull tjetër…

Si dikush që është larguar prej vitesh nga Kosova, gatishmëria ime për t’u angazhuar në Panama ishte e motivuar nga vlerësime personale, meqë Kosova më së shumti ka ngecje sa u përket njohjeve në atë pjesë të botës dhe isha i bindur se duke u angazhuar mund të kontribuoja në mënyrë kuptimplotë. Megjithatë në listën e prioriteteve të MPJD-së Panamaja mbetet prioritet i ulët, sepse le që larg po as mëditjet për të shkuar atje nuk janë të larta, dhe kuadrot miope që veç duan të emërohen dikur rrotull ose “në shtete të Quintit” edhe e kanë sjell situatën si kjo. Madje në Panama ndonjë syresh nga këto “kuadro” edhe kanë qenë të emëruar po as nuk kanë pasur këllqe të shkonin e as s’ia kanë haberin.

Në thelb, nuk duhet të isha unë ai që flas rreth angazhimit tim (në stilin a bon me fol!?) dhe as që do të kisha folur, por e shoh të udhës sepse të tjerët “palohen”. Gjatë angazhimit tim kemi realizuar objektiva të rëndësishme me shumë vende të rajonit nga 33 shtete sa janë. E këto nuk janë realizuar brenda ditës. Po me punë e qindra e qindra telefonata, takime, njoftime, pasqyra, profile, analiza e mbajtje korrespondence me zyrtarë të rangjeve të ndryshme në të gjitha vendet, gjatë tre vjetëve, veç me motivin për të afirmuar Kosovën më tej, pa hile, e pa i hyrë në hak askujt. Dhe pos kësaj gjatë kësaj kohe edhe me mikromenaxhim të njerëzve që i gjen aty si kuadro të dikujt e që vuajnë nga deliri i madhështisë dhe të panjerëzishëm deri në neveri. Ata që e dinë, e dinë shumë mirë. Ata që nuk e dinë, zor se e mësojnë ndonjëherë.

I ndërgjegjshëm për resurset e kufizuara të Kosovës gjatë tërë angazhimit tim kam nxjerrë në pah mes tjerash edhe potencialin e abuzimit të resurseve të misionit në Panama. P.sh. kur pata mbërritur në Panama qiranë e zyrës sonë e kishim 8.500 dollarë në muaj. Kur e pyeta ambasadoren pse ndodhte kjo më tha: Inflacioni!!! Pas pak muajsh, me insistimin tim, çmimi i qirasë për të njëjtën zyrë na u ul $6.200. Se ku mbeti inflacioni, hajde gjeje! E të tilla çudira ka pasur plot. E nëse hiçgjë, të paktën në tre vjet sa isha, qira kemi paguar më pak. Po, nejse!

E me gjasë, si kudo tjetër, edhe në Panama, si Nastradini, dikush ta le nji “shtagë” diku dhe ia sheh sherrin, sado konstruktiv të përpiqesh të jesh. Unë megjithatë provova dhe nuk është se heq dorë kollaj. Kurse për shtagën e Nastradinit, kurdo që ju shkruan lapsi, material gjithashtu ka pafund!

Artikuj të ngjashëm