OpEd

Idila evropiane

Një raport i Institutit GAP ka nxjerrë në pah se të shtatë rajonet e Kosovës kanë jo pak punë për t`i përmbushur 146 standardet e kërkuara nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim. Secili nga këto rajone kanë të paplotësuara ndërmjet 12-17 kritere. Janë dy çështje ku ka ngecje serioze: mjedisi dhe trashëgimia kulturore. Duke e pasur parasysh faktin se çështja e Kosovës në aspektin politik, në esencë, ka të bëjë me trashëgiminë, është paradoksale se si asnjëra nga komunat e mëdha nuk e ka bërë asnjë hap në drejtim të hartimit të planeve konkrete për mbrojtjen e trashëgimisë

Kur një organizatë joqeveritare kishte kontaktuar me telefon një zyrtar komunal për integrime evropiane, ai kishte kërkuar që shkresën t`ia drejtonin të birit të tij, ngase nuk dinte vetë ta përdorte postën elektronike.

Megjithatë, ai nominalisht bart funksionin e njeriut të ngarkuar me punë që kanë të bëjnë me plotësimin e më se 146 masave konkrete, të cilat i kërkon Marrëveshja për Stabilizim-Asociim.

Nuk dihet se si do të përmbushen këto standarde, por një është e sigurt që njëri prej tyre - ai për reformën e administratës, do t`ia hajë kokën pikërisht këtij zyrtari.

Si mund të paramendohet plotësimi i këtyre standardeve kur ende ka zyrtarë që kanë njohuri minimale në përdorim të teknologjisë informative. Edhe sot e kësaj dite në komunat kosovare administrata komunale është e stërngarkuar me të deleguar partie, të cilët jo se kanë çfarë të bëjnë aty, përpos ta konsiderojnë komunën si vend pune.

***

Një raport i Instituti GAP ka nxjerrë në pah se të shtatë rajonet e Kosovës kanë jo pak punë për t`i përmbushur standardet e kërkuara nga MSA-ja.

Secili nga këto rajone kanë të paplotësuara ndërmjet 12-17 kritere. Përjashtimisht Komunës së Prishtinës, e cila e ka plotësuar pjesërisht, të gjashtë qendrat e tjera rajonale nuk e kanë përmbushur fare kriterin për planin e veprimit për cilësinë e ajrit.

Derisa statistikat ditore e nxjerrin jo vetëm kryeqytetin kosovar, por edhe qendrat e tjera të ndotura tej mase nga mbeturina të llojeve të ndryshme, kush do të mundë t`i detyrojë komunat që ta rrisin këtë standard?! Kjo, jo për hir të kërkesës së MSA-së, respektivisht BE-së, por thjesht për nevojën e qytetarëve kosovarë për të jetuar në një ambient të pastër.

Nga ky këndvështrim komunat kosovare duhet liruar tërësisht nga ideja e plotësimit të këtyre kritereve, vetëm pse një gjë të tillë po e kërkon Evropa. Më shumë sesa Evropës, ajri i pastër u duhet banorëve të këtij vendi, ndaj këto kritere duhet t`i plotësojmë për vetveten.

***

Janë dy çështje ku ka ngecje serioze: mjedisi dhe trashëgimia kulturore. Duke e pasur parasysh faktin se çështja e Kosovës në aspektin politik, në esencë ka të bëjë me trashëgiminë, është paradoksale se si asnjëra nga komunat e mëdha nuk e ka bërë asnjë hap në drejtim të hartimit të planeve konkrete për mbrojtjen e trashëgimisë. Edhe te ky kriter është Komuna e Prishtinës, e cila ka bërë një lëvizje simbolike, porse jo rajonet e tjera.

Komunat e Kosovës nuk e kanë një strukturë unike për integrimet evropiane, duke e bërë edhe më të zorshëm procesin e plotësimit të standardeve. Ende janë peng i përkufizimeve terminologjike; nga zyrtarë të integrimeve e deri te drejtori specifike të ngarkuara me këto detyra.

Por, përtej zyrtarëve apo drejtorive të linjës, komunikimi ndërinstitucional ka shënuar ngecje evidente. Në raportin e GAP-it bëhet e ditur se zyrtarët komunalë për integrime evropiane nuk kanë asnjë takim gjatë vitit me udhëheqësit e Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE).

Për çfarë integrimesh të flitet, teksa të dy pushtetet ndër vete nuk kanë arritur të integrohen në këtë fushë. Mbase pushteti qendror e ka idenë se integrimet janë punë e tyre, porse jo të komunave (sic!).

Praktika e deritashme e të dy pushteteve për adresimin e çështjeve gjithnjë me kërkesë të palëve ndërkombëtare duhet të jetë e tejkaluar. Momenti në të cilin po kalon Kosova shtron nevojën e një pastrimi të oborrit për nevoja tona, por jo me kërkesë të palëve të treta.

Çfarëdo që të bëhet në sferën e përmbushjes së standardeve evropiane, duhet parë nga prizmi utilitar për kosovarët, por jo të vazhdohet me “ankthin” e integrimit evropian, pavarësisht kur mund të ndodhë ai.

Duket totalisht pa sens që kriteri i mbrojtjes së mjedisit të mos jetë përmbushur qoftë edhe pjesërisht që nga koha e ratifikimit të MSA-së nga Kuvendi i Kosovës më 2015.

***

Ngecjet kësisoj ka mundësi të rriten duke e pasur parasysh frustrimin në rritje në relacion me BE-në, shkaku i mbetjes peng të procesit të liberalizimit të vizave. Kursi antievropian i një pjese të klasës politike kosovare është thjesht njëlloj pështymje ndaj vetes. Janë pikërisht këta që për 20 vjet rresht e kanë lënë vendin në këtë stad, kur ende duhet të përballet me kritere themelore, e që në fakt nuk janë të BE-së, por të çdo vendi që përpiqet të krijojë ambient për jetesë normale të qytetarëve të vet.

Çfarë faji mund të ketë Evropa, nëse asnjëra nga zyrat komunale për integrime evropiane nuk ka ndjekur ndonjë trajnim për aplikim në fondet e BE-së dedikuar Kosovës?!

Kjo shpërfaq paaftësinë tonë për të komunikuar me Evropën. Njëlloj sikurse zyrtari komunal që nuk di të shkruajë email. Konstelacionet politike lëvizin. Aq i bën Evropës nëse këtu jetohet me standarde jashtë kërkesave të saj. Duke e ndjekur logjikën e fabrikimit të një armiku, klasa politike po e vazhdon rrugën e trasuar kaherë. Dikur fajtor për gjithçka ishte Serbia, teksa tashmë në horizont po duket tendenca që ajo të zëvendësohet me Evropën.

Duke e lënë Evropën me punët e veta, është mirë që secili nga vendimmarrësit të përpiqet për komuna evropiane, të cilat pastaj e bëjnë shtetin evropian.

***

Nëse liberalizimi do të bëhet sivjet, mot apo ndonjëherë, kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është që t`i përvetësojmë standardet/vlerat evropiane. Atëherë do të ketë kuptim. Kur Kosova të jetë një copë Evrope! Ngase në instancë të fundit, Evropa është mendësi kulturore. Pra, një vend ku mund të ketë pak, por jo sa te ne korrupsion. Ku ekziston një rend i vlerave dhe kultivimit të tyre. Ku ka siguri. Idila për Evropë tingëllon e lezetshme, po aq sa rrëfimi i trishtë për qytetet tona kaotike.

Ndaj, në mos kurrgjë tjetër, është mirë ta mundësojmë dhe ta jetojmë një pjesë të kësaj idile. Kosova fillon në Evropë!

[email protected]