Çështja e mjedisit në Kosovë, si nga organet shtetërore të nivelit qendror ashtu edhe nga ata të nivelit lokal duhet të trajtohet me prioritet më të lartë, kanë vlerësuar monitorues nga organizatat joqeveritare “EC Ma Ndryshe”.
Duke i prezantuar të dhënat nga raporti i monitorimit të sektorit të mjedisit për vitin 2021 në nivel qendror dhe në atë komunal, ata kanë pohuar se me gjithë veprimet e ndërmarra, aktivitetet ilegale që e degradojnë dhe e dëmtojnë mjedisin janë ende në numër shqetësues.
Eroll Shabani, monitorues nga “EC Ma Ndryshe”, ka kërkuar që të përmirësohet niveli i zbatimit të strategjive dhe planeve të veprimit në të gjithë sektorët mjedisorë, përfshirë edhe inspektimin.
“Të dhënat, po ashtu, të grumbulluara në kuadër të këtij hulumtimi lidhur me dokumentet e planifikimit, programet dhe projektet për mbrojtjen e mjedisit janë simbolike dhe vetvetiu janë tregues për nevojën e përmirësimit të punës së organeve përgjegjëse në këtë aspekt. Situatë e ngjashme është edhe sa i përket mbikëqyrjes inspektive dhe raportimit mjedisor”, tha Shabani.
Ai ka theksuar se monitorimi do të vijojë edhe në vitet e ardhshme me qëllim të identifikimit të mangësive aktuale në sektorin e mjedisit, të ushtrimit të presionit tek organet publike për përmirësimin e procesit të planifikimit, si dhe të menaxhimit më të mirë mjedisor.
E Kaltrinë Kolukaj, asistente e projektit, duke i numëruar gjetjet nga monitorimet në komunat e Prizrenit, Gjilanit, Prishtinës, Ferizajt, Mitrovicës, Pejës dhe Gjakovës ka pohuar se burimet e pamjaftueshme njerëzore dhe ato financiare kanë reflektuar mbi gjendjen mjedisore në këto komuna.
Ajo ka kërkuar që të përmirësohet praktika e hartimit dhe e zbatimit të dokumenteve që kanë të bëjnë me çështjet e mjedisit.
“Shkalla e hartimit dhe e zbatimit të politikave lokale për planifikim dhe menaxhim mjedisor mbetet prapë problematike, pasi që në shumicën e komunave si dokument kryesor për strategjinë mjedisore është Plani lokal i veprimit në mjedis, e ky dokument është aktiv për momentin vetëm në Komunën e Gjakovës”, tha Kolukaj.
Metodologjia e ndjekur nga “EC Ma Ndryshe” për përpilimin e raportit të monitorimit për nivelin qendror, ka marrë në konsideratë 16 akte ligjore dhe nënligjore që adresojnë aspekte të ndryshme të mbrojtjes së mjedisit.
E për përpilimin e raporteve të monitorimit në nivel komunal, në konsideratë janë marrë 12 akte ligjore dhe nënligjore për adresimin e aspekteve të ndryshme të mbrojtjes mjedisore në komuna.