OpEd

Ia keni tepruar!

Kemi kuvende komunale që i përmbyllin mandatet me rregull, por ende nuk kemi datë. Kemi Kuvend të pakonstituuar; një qeveri (të kontestuar) në dorëheqje, një kryetare që ka shkelur tashmë në vitin e fundit të mandatit dhe një mundësi aspak utopike, që në mars 2026 Kosova të mbetet pa kryetar shteti dhe madje edhe pa ushtrues detyre të kryetarit të shtetit, në rast se Kuvendi vazhdon në pafundësi me seancat çdo 48 orë për moszgjedhjen e Albulena Haxhiut, kryetare të Kuvendit

Sot do të jemi dëshmitarë të vazhdimit të 17-të të një seance konstitutive, që është bërë burim i prishjes së nervave të të gjithëve për shkak të sportit nacional të kosovarëve: inatit.

Nejse, pas inatit, qëndron interesi, por ai nuk është sport, ai është gjendje e përhershme e politikanëve në Kosovë, që për qëllim ka shijimin e mjaltës kur të vihet në pushtet.

Pat pozicioni i përforcuar në çastin kur dikujt iu kujtua mundësia e votimit të fshehtë për ta zgjedhur kandidaten e VV-së për kryetare Kuvendi, nuk mundi, siç edhe pritej, të thyhej as në takimin e përbashkët te kryetarja. Kjo për shkak se të gjithë e dinin se kryetarja e shtetit nuk ka asnjë gjë në duar në këtë stad të ngjarjeve dhe se vetëm mund të llogariste në shërbimet e saj të mira me shpresën se liderët partiakë do ta shpërfaqnin vullnetin e tyre të mirë për ta zgjidhur ngërçin.

Nga deklaratat e përfaqësuesve politikë do të kemi mundur të kuptonim mes rreshtash se në takim ishin mbledhur për të pirë kafe e ujë dhe se secili do të ketë thënë se nuk lëviz nga pozicioni i vet, për shkak se secili e ka bindjen se aktgjykimi i Kushtetueses i jep të drejtë.  Sepse bën të interpretohet edhe kështu e edhe ashtu.

* * *

Çka kemi tash?

Kemi kuvende komunale që i përmbyllin mandatet me rregull, por ende nuk kemi datë. Kemi Kuvend të pakonstituuar; një qeveri (të kontestuar) në dorëheqje, një kryetare që ka shkelur tashmë në vitin e fundit të mandatit dhe një mundësi aspak utopike, që në mars 2026 Kosova të mbetet pa kryetar shteti dhe madje edhe pa ushtrues detyre të kryetarit të shtetit, në rast se Kuvendi vazhdon në pafundësi me seancat çdo 48 orë për moszgjedhjen e Albulena Haxhiut, kryetare të Kuvendit.

E pashmangshme është mbajtja e konsultimeve për shpalljen e ditës së zgjedhjeve për kuvende komunale dhe për kryetarë komunash, që sipas ligjit duhet të ndodhë më së hershmi 6 muaj, e më së voni 4 muaj para skadimit të mandateve. Rezultatet e zgjedhjeve të kaluara lokale janë certifikuar më 16 nëntor 2021, kurse ato të kryetarëve të komunave pas balotazhit më 20 nëntor 2021.

Nëse e marrim datën e fundit, të pasbalotazhit, Osmani do të mund ta shpallte datën e zgjedhjeve qysh javën tjetër, apo edhe cilëndo ditë tjetër, deri më dt. 19 korrik 2025. E tash, zgjedhjet do të duheshin mbajtur më së herëti më 19 a 20 shtator dhe më së voni më 19-20 dhjetor, me kusht që kuvendet komunale nuk shpërbëhen e nuk shpallen zgjedhjet e parakohshme.

Por, po qe se dikujt i kujtohet të shkarkojë kryetar a ta shpërbëjë Kuvendin Komunal, atëherë kryetarja është e detyruar t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme brenda 10 ditësh e që zgjedhjet të mbahen brenda afatit prej minimum 30 ditësh nga vendimi, deri në maksimum 45 ditë nga shpallja e zgjedhjeve.

Me një kalkulim të mbështetur mbi teorinë e pastër konspiracioni, ndonjëra parti politike do ta ketë hedhur mbi tavolinë kërkesën për shpërbërjen e krejt kuvendeve komunale, e që kjo të ndodhë aty nga mesi i qershorit. Po të ndodhte kjo, atëherë zgjedhjet do të mund të mbaheshin aty nga fundi i korrikut apo mesi i gushtit. Ideale për diasporën.

* * *

Pra sado që duket e mundshme në teori, nuk duket fort e realizueshme në praktikë. Zor të besohet se do të mund të kishte marrëveshje ndërpartiake për shpërbërjen e kuvendeve në 27 komuna të udhëhequra nga shqiptarët. Për partitë që e mbajnë pushtetin në to nuk ka asnjë arsye që t’ia shkurtojnë vetes edhe mandatin e edhe fushatën – pavarësisht se sa e mërzitshme mund të jetë kjo e dyta.

Kjo lë shtegun e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të trefishta në vjeshtë (parlamentare, lokale dhe për kryetarë komunash), për shkak se afatet kushtetuese parashohin shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme po qe se qeveria e re nuk del të votohet nga Kuvendi brenda 60 ditësh nga dekretimi i parë. Natyrisht, kjo me kusht që dikur nga fundi i majit ta kemi Kuvendin e konstituuar.

Ndërkohë mungesa e Kuvendit të konstituuar e bën të pamundur miratimin e çfarëdo ligji a marrëveshjeje ndërkombëtare që ka mbetur në pritje, për shkak se në legjislaturën e shkuar edhe pushtet e edhe opozitë kanë dështuar në detyrën e tyre për ta mbrojtur interesin qytetar: pushteti, se nuk i pati numrat ani pse kishte shumicë absolute; opozita për shkak se me dashje i ka bojkotuar seancat ku janë kërkuar prania dhe vota e tyre për t’i kaluar këto marrëveshje.

Për shtyrjet e pafundme të seancës konstitutive, përgjegjësinë kryesore e bart VV-ja. Ajo vazhdon të insistojë në zgjedhjen e Haxhiut, edhe pse e ka shumë të qartë që nuk i ka numrat për të. Refuzon ta kandidojë tjetërkënd, për shkak se “e ka të drejtën për ta propozuar kryetarin/en e Kuvendit” (një arsyetim kot). Nuk e bën të qartë e as transparent qëllimin që ka me këtë zvarritje, por përfundimisht Kosovën e sjell në situatë të palakmueshme. E cila situatë mund të komplikohet edhe më shumë po qe se Kosova hyn në janar pa kryetar Kuvendi – sepse atëherë nis procedura për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, që duhet të zgjidhet 30 ditë para skadimit të mandatit të Osmanit.

Nëse nuk ka Kuvend të konstituuar, nëse nuk ka kryetar Kuvendi, e kryetares i skadon mandati, nuk do të ketë mundësi as të kemi ushtrues detyre kryetari e as zgjedhje të Osmanit për mandat të dytë. Kushtetuta nuk parasheh opsion tjetër.

* * *

Përderisa e humbim gjithë këtë energji për amullinë në të cilën na kanë futur politikanët që po tregohen krejtësisht të papjekur dhe dëshmojnë dashuri minimale për shtetin, i cili u formua me kaq shumë vështirësi e sakrifica, gjendja ekonomike në vend sa po shkon e keqësohet.

Në bazë të shënimeve të fundit që gjenden në ASK, Doganë dhe Trustin Pensional të Kosovës, miku im Shenolli i ka nxjerrë katër indikatorë që tregojnë se jemi duke shkuar keq:

1. Inflacioni ka shkuar nga 0.7% në nëntor 2024, në 3% në prill 2025

2. Deficiti tregtar është thelluar edhe më (për 21.8% në mars 2025)

3. Trusti regjistron 116.107 llogari aktive më pak në janar

4. Në tremujorin e parë të 2025-s ka pasur ngritje të importit të rrymës për 184,98%

Nëse këto shënime nuk janë të mjaftueshme për t’i këndellur kokat e forta të politikanëve tanë të gjithëdijshëm, nuk e di se çka do të jetë ajo që do t’i këndellë. Ndonjë protestë masive, ndoshta?

Nuk do të çuditesha po qe se njerëzit do të acaroheshin me papërgjegjësinë e këtyre dhe me jetën përherë më pak të përballueshme dhe më të shtrenjtë. Me shtrenjtësinë së cilës nuk po i shihet fundi.

Ia keni tepruar!

[email protected]