OpEd

Heronjtë e rinj mbi plagët e vjetra

Nga sheshi i protestave në Pallatin e Kongreseve të Zürichut - gati një gjysmë shekulli për të kaluar 1.7 kilometra: Pas çdo suksesi të mërgatës shqiptare në Zvicër është e domosdoshme të kujtohet rruga nëpër të cilën ka kaluar gjenerata e prindërve tanë. Tani komuniteti ka heronj të rinj. Për shembull: Rexhep Rexhepin. Ose Xherdan Shaqirin. Ose shkencëtaren e re Advije Rizvani. Dhe shumë të tjerë. Pjesa më e vështirë e rrugës është kaluar, por puna sa i përket integrimit s’ka përfunduar

 1.
Në njërën nga intervistat e tij për mediat zvicerane, Xherdan Shaqiri, duke folur për ditët e para pas ardhjes në Zvicër, me një miks mes seriozitetit dhe ironisë thotë: “Po ne as ngrohje nuk kemi pasur në shtëpi”. E kishte fjalën për shtëpinë ku banonte Xherdani në një katund afër Baselit në Zvicrën veriore. Nuk fliste për fshatin Zhegër, prej nga babai i Xherdanit kishte ardhur në Zvicër për të punuar në ndërtimtari, pastaj kishte sjellë edhe familjen, ndërsa gjendja në Kosovë po ashpërsohej si pasojë e represionit të regjimit të atëhershëm serb. “Baba përherë është shefi” - këtë e thotë Xherdani shpesh edhe për të shprehur respektin ndaj një gjenerate - gjeneratës së prindërve tanë -, të cilët kanë kaluar nëpër një rrugë tepër të mundimshme.

 2.

Kur e përmendim fshatin Zhegër të Gjilanit, mendja na shkon, natyrisht dhe sidomos, te Xherdan Shaqiri. Vendlindja e tij. Të shtunën, në Swissalbs, në Mbrëmjen Gala të mërgatës shqiptare në Zvicër, e cila mbahet në Kongresshaus, në Pallatin e Kongreseve në Zürich, çmimin si ndërmarrës i vitit në Zvicër e fitoi Rexhep Rexhepi. Edhe ky nga Zhegra, si Xherdan Shaqiri. Me punëtori të orëve në Gjenevë. E cila quhet Akrivia. Rexhepi prodhon orë. Njëra nga orët e kurdisura – prodhuara! – prej tij në një aksion është shitur për 4.3 milionë franga.

Rexhepi erdhi si fëmijë në Zvicër gjatë luftës së Kosovës. Dhe me talentin e tij ka “ndërhyrë” në kryezanatin e zviceranëve. Aq shumë ka pasur sukses, saqë për të ka shkruar edhe kryegazeta e botës së lirë – “New York Times”. Krahas gazetave zvicerane. Siç e tha Nadine Jürgensen, sipërmarrëse, juriste dhe gazetare zvicerane, kur iu drejtua mbi 500 pjesëmarrësve të kësaj ngjarjeje të paharrueshme: “Ju jeni shpesh zviceranët më të mirë”. E kishte fjalën për komunitetin shqiptar, në suksesin e të cilit kam besuar përherë.

Mbrëmja e së shtunës u përmbyll me një tjetër mjeshtër nga Zhegra: Xherdan Shaqiri u nderua me titullin “Hero i Komunitetit”. Modest, i sinqertë, me plot humor, dashamirës – kështu doli dhe foli në skenë Xherdani. Shtoi se në sallë po shihte plot të tjerë që e kanë merituar këtë çmim. Ashtu si Rexhep Rexhepi, edhe Xherdani tha: mjetet financiare të çmimit do t’i dhurojmë për qëllime humanitare. Dy djem nga Gjilani. Në Zvicër. Shembuj dhe inspirim! Siç ishte Agim Ramadani. Djalë i Zürichut dhe i Zhegrës. Hero i Kosovës.

 3.
Pas çdo suksesi të mërgatës shqiptare në Zvicër është e domosdoshme të kujtohet rruga nëpër të cilën ka kaluar gjenerata e prindërve tanë. Tani komuniteti ka heronj të rinj. Për shembull: Rexhep Rexhepin. Ose Xherdan Shaqirin. Dhe shumë të tjerë. Advije Rizvani, për shembull. Kjo shkencëtare e re u nderua nga Shoqata e Inxhinierëve Shqiptarë të Zvicrës me një çmim mbi sukseset e saj në rritjen e sigurisë së inteligjencës artificiale në fushën e financave. Dikur ishte ndryshe. Dhe ajo histori ndryshe mund të rrëfehet nëpërmjet pamjes së një shtatoreje në Zürich. Ajo gjendet në sheshin Werdplatz në Zürich, përballë sindikatës Unia, e cila përfaqëson interesat e të punësuarve në ndërtimtari, zejtari, industri etj. Që nga vitet 1960 kjo përmendore duhet të ketë qenë pamja e parë me të cilën “përballeshin” punëtorët shqiptarë nga Kosova e viset e tjera shqiptare kur vinin në Zürich. Ata kishin një adresë ku drejtoheshin: hynin në selinë e sindikatës karshi Werdplatzit për të zgjidhur hallet e tyre që ndërlidheshin me burokracinë zvicerane dhe plotësimin e kushteve për të fituar lejeqëndrimin në Zvicër, duke lënë pas statusin e pasigurt të punëtorit sezonal.

 

4.
Në këtë shesh ata afroheshin me hapa të pasigurt dhe me shpresë se do ta takonin Marjan Grudenin, sekretarin e sindikatës me origjinë nga Sllovenia, me të cilin mund të flisnin në serbokroatisht. Vite më vonë do të bëhej i mundshëm edhe komunikimi në gjuhën shqipe - me sindikalistë shqiptarë të punësuar në Unia. Statuja në sheshin Werdplatz ua përkujtonte punëtorëve se për çka kishin ardhur në Zvicër: të punonin dhe të mos flisnin (siç s’flet statuja). Kjo ishte pritja që kishin shumë punëdhënës zviceranë nga punëtorët që vinin në Zvicër.

Shtatorja monumentale u vendos në vitin 1962. Vepra e skulptorit Werner Friedrich Kunz (1896-1981) paraqet një burrë me trup të zhveshur e muskulor, i cili me një gjest heroik çlirohet nga zinxhirët e tij. Një simbol i emancipimit, integrimit, vetëbesimit dhe çlirimit.

 5.
Ngjitur me selinë e sindikatës gjendej restoranti Cooperativo, një vendtakim i rëndësishëm i klasës punëtore, i themeluar nga socialdemokratët italianë më 1905 në një vend tjetër në Zürich. Cooperativo ishte shtëpia e dytë e antifashistëve italianë që jetonin e punonin në Zürich. Ndonjëherë aty hynin edhe punëtorët shqiptarë sa për të pirë një kafe; për të ngrënë, rrallëkush mund të ketë pasur para.

Duhet të ketë qenë një botë e pazakonshme për ta – bota në Cooperativo. Ndonjëri edhe mund të jetë trembur. Në mur qëndronte i varur portreti i Karl Marxit dhe një pikturë e çuditshme: një burrë me kravatë, kostum e syze dhe një burrë me dy gra lakuriq. Burri me kravatë ishte James Schwarzenbach, një politikan agresiv kundër të huajve. Në vitet ‘60 dhe ‘70 ai lansoi disa iniciativa për dëbimin e mijëra të huajve nga Zvicra. Burri lakuriq në pikturë ishte një italian, i cili ua kishte marrë mendjen (dhe jo vetëm mendjen) dy grave zvicerane. Atëbotë ishte e përhapur klisheja se italianët nuk vinin në Zvicër vetëm për të punuar, por edhe për t’ua marrë vajzat më të bukura familjeve zvicerane. Piktori është tallur me këtë klishe.

Portreti i Marxit synonte t’i politizonte mysafirët e lokalit, piktura me Schwarzenbachun ua përkujtonte atyre me ironi se në rrugën e barazisë ka shumë pengesa.

Tregohet një anekdotë rreth portretit të Marxit në restorantin Cooperativo. Shkrimtari Bertolt Brecht e kishte vënë re gjatë një vizite dhe kishte pyetur stafin se pse mungonin Lenini dhe Stalini. “Nuk durojmë diktatorë”, ishte përgjigjja që mori. “As në mur.”

 6.
Pranë portretit të Marxit në Cooperativo qëndronte fotografia e Angelica Balabanoff, një publiciste ruse, e cila një kohë kishte një lidhje dashurie me Benito Mussolinin. U ndanë pas një përplasjeje të ashpër me fjalë. Mussolini u bë diktator, e futi Italinë në aventura lufte, kapitulloi dhe në fund të prillit 1945 u var nga partizanët në një pikë karburanti në kufi me Zvicrën. Balabanoff u kthye në Rusi, themeloi një organizatë të grave, pastaj emigroi sërish dhe bëri karrierë si politikane e majtë në Itali.

Cooperativo ka qenë restorant me histori. Para se më 1917 të nisej për në Rusi për t’i prirë revolucionit të tetorit, Lenini thuhet se hëngri drekën e fundit në Coopi, siç quhej shkurt restoranti. Katër vjet më parë, edhe Benito Mussolini kishte ngrënë në Coopi. Atëbotë ai e quante veten socialist. Si kryeredaktor i gazetës L’Avanti ai mbajti një fjalim në Ditën e Një Majit, festës së punëtorëve. Historia merr një kthesë ironike më vonë: kur Mussolini prej socialistit të rremë u bë fashist i vërtetë, ai e urdhëroi shërbimin e tij sekret të spiunonte antifashistët italianë që takoheshin në Cooperativo. Shumë prej tyre u raportuan tek autoritetet policore zvicerane dhe kësisoj u ballafaquan me probleme.

 7.
Që nga fundi i viteve 1960, Cooperativo u bë qendër e takimeve të socialdemokratëve të Zürichut. Këtu bëheshin bashkë socialdemokratë realistë dhe aventurierë e ëndërrimtarë që dëshironin të ndërtonin një botë më të drejtë. Shpesh ëndrra përfundonte pas zbrazjes së disa shisheve me verë dhe nën shikimin dashamirës të kamerierit hungarez, i cili kishte ikur nga Budapesti më 1956 pas shtypjes nga ushtria sovjetike të kryengritjes popullore hungareze.

Në vitin 2007, Cooperativo ndërroi lokacionin. Më 2023 u mbyll – pas një historie të bujshme 118-vjeçare. Po më 1905 në Zürich u themelua Volkshaus, shtëpia e popullit, si qendër që do të shërbente për takime, edukim dhe argëtim të banorëve të Zürichut, sidomos të atyre që jetonin në lagjet e punëtorëve. Volkshaus gjendet shumë afër shtatores së punëtorit në sheshin Werdplatz. Edhe në Volkshaus ka mbajtur fjalim Lenini (më 22 janar 1917). Një pllakë e vendosur aty përkujton liderin e revolucionit sovjetik, i cili pati pasoja të mëdha në shumë pjesë të botës.

Para kësaj pllake kanë kaluar në vitet 1980 edhe shumë aktivistë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK). Atëherë e quanin veten të majtë, ishin thatanikë dhe mbanin fjalime të zjarrta për lirinë e Kosovës. Shumica prej tyre fjalimet i shndërruan edhe në vepra. Sot duken si kapitalistë dhe kanë hequr dorë nga iluzioni i revolucionit botëror. Një hap jo vetëm për të mirën e tyre.

Para Volkshaus gjendet sheshi Helvetiaplatz. Në vitet ‘80 dhe ‘90 ky shesh mbushej rregullisht me shqiptarë: vinin këtu për të protestuar kundër represionit të regjimit serb në Kosovë. Nga këtu, pra nga sheshi i protestave, deri te Pallati i Kongreseve (Kongresshaus) i Zürichut, distanca është 1.7 kilometra. Për të kaluar këtë rrugë komunitetit shqiptar në Zvicër i është dashur gati gjysmë shekulli. Ishte një rrugë me dhimbje e lot, me dëshpërime, me besim në ditë të mira, një rrugë me plot sakrifica. Çfarë nisi në Helvetiaplatz me thirrjet për liri (në atdhe) po kurorëzohet me një festë në Kongresshaus mbi sukseset në atdheun e ri. Pjesa më e vështirë e rrugës është kaluar, por puna sa i përket integrimit s’ka përfunduar.