OpEd

Gjyqtarë a tuxharë?

Për lirinë që e bleu Mefail Shkodra, para se ta kryente vrasjen e trefishtë; për Enver Sekiraqën që gjykata ia hapi portat e qelisë; për mjekët që me raporte të rreme i orientojnë gjykimet; për ministra e zyrtarë që “qëllimi” i shpëton nga dënimet edhe kur keqpërdorin miliona; për zyrtarët publikë që “ndëshkohen” me dy-tri paga kur pronën shumëmilionëshe publike e çojnë te biznesmenë të fuqishëm. Një mozaik padrejtësisht në sistemin ku hetues, prokurorë e gjyqtarë, sillen si tuxharë

Mund të ishin gjallë Selami e Edmond Hasani, e edhe Abedin Hoxha, në rast se Mefail Shkodra nuk do ta blinte lirinë nga prokurorë e gjyqtarë të Kosovës.

Shkodra me dy të bijtë kreu vrasje të trefishtë në Gjilan, sot një javë. Krimi do të parandalohej, sikur ai të ishte në qeli, aty ku e kishte vendin. Por, doli nga paraburgimi, falë fuqisë së parave dhe pasurisë së tij, që mund të jetë ndërtuar edhe me para të fajdeve e krimeve të tjera që i tregon dosja e tij sot.

Drejtësia në Kosovë s’ka burgje për të pasurit. E dëshmuan vetë institucionet pas tragjedisë në Gjilan, kur bënë përpjekje për ta justifikuar lirinë që ia shitën Mefail Shkodrës dhe njërit prej dy djemve të tij, me precedentë penalë.

Më 21 qershor të vitit të shkuar, Prokuroria Speciale kërkoi paraburgim për këtë kriminel të dënuar edhe më herët, si dhe për djalin e tij, Edonisin, për shkak të dyshimit të bazuar se i kryen veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Masa u vu. Por, pa i bërë as katër muaj, gjykata i lëshoi me kërkesë të së njëjtës prokurori. Qelia u zëvendësua me masën e Dorëzanisë. Për lirinë, Mefail Shkodra u pajtua t’i lërë dorëzanë 50 mijë euro, e i biri i tij 20 mijë euro. Paratë nuk i paguan, sepse gjykata pranoi si hipotekë një parcelë ku janë të ndërtuara dy objekte me vlerë 354 mijë euro.

Prokuroria e edhe gjykata vepruan kësisoj, ani se i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, ka numër të madh rastesh të mëhershme: tri raste për fajde; një për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal; tri për kërcënim; një rast për shantazh; dy për detyrim; një për mashtrim; si dhe dy raste për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Prandaj, fajdeja lulëzon. Sepse ky sistem amniston profile të tilla kriminelësh. Nga rreth 1800 të burgosur sa i ka Kosova, vetëm 4 janë të dënuar për “Fajde”. Për këtë vepër, vetëm 8 janë në paraburgim, e të cilët nesër lehtë mund ta fitojnë lirinë duke lënë dorëzanë pasuri të fituar edhe me krim. Nesër mund të varfërojnë të tjerë. Mund të vrasin të tjerë.

***

Është jashtë qelie edhe një nga njerëzit më të rrezikshëm në Kosovën e pasluftës – Enver Sekiraqa. Vitin e shkuar ai u arratis dhe dyert për të ikur ia hapi sistemi i padrejtë i drejtësisë.

Është lehtë e kuptueshme skema kriminale, nëpërmjet së cilës u amnistua njeriu që dikur u njoh si gangsteri i Prishtinës që terrorizonte një kryeqytet.

Në vitin 2007, sipas gjykatës, Sekiraqa e nxiti vrasjen e Triumf Rizës, një prej policëve më me nam atëkohë.

Në vitin 2016, Sekiraqa dënohet me 37 vjet burgim, për këtë rol në vrasje. Por më vonë Apeli e kthen rastin në rigjykimin.

Në vitin 2019, Sekiraqa dënohet me 30 vjet burgim, pra me 7 vjet më pak. Prapë Apeli e kthen lëndën në rigjykim.

Në vitin 2024, Sekiraqa dënohet me 25 vjet burgim, që i bie 12 vjet më pak se në 2016-n.

Para këtij vendimi, gjykata ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak. Dhe, kur e dënoi, i kallëzoi se do t’i kthehet prapë masa e paraburgimit derisa vendimi të bëhej i plotfuqishëm. Pra, i dha sinjal të ikë.

Dhe, Sekiraqa iku! Sot, edhe ky ndodhet në arrati.

***

Blerta është gjallë. Por, mbeti e palëvizshme në një aksident trafiku dhe përjetësisht u lidh për karroce. Mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, që për një kohë ka qenë edhe dekan i Fakultetit të Mjekësisë, në raport shkroi se ajo pësoi “lëndim të lehtë” trupor. Duke u bazuar në këtë raport, një gjyqtar nuk e dënoi me burg shoferin që e shkaktoi aksidentin. E dënoi veç me 200 euro gjobë.

Superekspertiza konstatoi më vonë se bëhej fjalë “për lëndim të rëndë”. Aq të rëndë sa Blerta më të mos mund të ngrihej e ecte në këmbët e saj.

Pas superekspertizës, u ngrit aktakuzë ndaj mjekut që lëshoi raport të rremë për vajzën dhe ndaj gjyqtarit që, duke u bazuar në atë raport, s’e çoi në burg shoferin. Aktakuza kundër këtyre dyve shpejt u hodh poshtë, me arsyetimin se s’mund të vërtetohej se e kanë bërë këtë qëllimshëm, apo kanë përfituar diçka. Pra, kaq e padrejtë është drejtësia jonë.

Blerta s’është viktima e vetme. Viktimat më të mëdha janë të vrarët. Auditori i ka gjetur në Institut rreth 450 raporte të pakryera të autopsisë, shumica për vrasje. Në një shkresë të disa punonjësve të Institutit thuhet se shumë nga këto raste janë zvarritur qëllimisht, në mënyrë që të mos marrin epilog, sepse nga epilogu pastaj varet vendimi i gjykatës për kriminelët, në favor të të cilëve mjekë në Institut punuan.

E njëjta ka ndodhur edhe me më shumë se 100 raporte të ekzaminimit klinik, kryesisht për gra që i janë nënshtruar dhunës fizike e seksuale.

Në shumë raste, mostrat janë degraduar ose shkatërruar tërësisht, me qëllim që kriminelët jashtë Institutit të amnistohen e ata brenda të pasurohen.

Në një letër të sindikalistëve të këtij institucioni është alarmuar për “tuxharllëk me raste”. Ka kohë që letra ka shkuar në adresë të institucioneve më të larta shtetërore. Fatkeqësisht, nuk janë parë veprime. Prandaj, raporte që u japin kah proceseve gjyqësore, vazhdojnë të shkruhen nga mjekë ligjorë që sillen si tuxharë.

***

Nenad Rikallo sot është i pafajshëm. Si ministër i Bujqësisë, bashkë me Kapllan Halimin – atëkohë sekretar i përgjithshëm i dikasterit qeveritar – u akuzuan për korrupsion, pas një hulumtimi që publikoi KOHA për milionat e shtetit që u dhanë jashtëligjshëm për biznese, pronarë të të cilave ishin të lidhur me partitë që e mbanin pushtetin.

Njëri nga biznesmenët që fitoi grant 1-milionësh qëlloi prurje e partisë kryesore në pushtet, tjetri vëlla i tashmë një ish-ambasadori, e i treti një eksponent i strukturave ilegale serbe në veri.

Në shkallë të parë, Rikallo e Halimi u dënuan për abuzim me milionat e dedikuara për bujq.

Por, vitin e shkuar, Gjykata e Apelit i liroi. E, arsyetimi i vendimit krijon bazë për ta arsyetuar secili zyrtar korrupsionin dhe secili gjyqtar amnistimin e të korruptuarve.

“Te vendimet dhe veprimet e të akuzuarave kërkohet dhe është e domosdoshme të ekzistojë ‘qëllimi kriminal’, që shkeljet e cituara ligjore të jenë bërë me dashje e në funksion që t’iu sigurojnë kompanive të sipërpërmendura përfitime të jashtëligjshme. Përderisa nuk ekziston, nuk manifestohet dhe nuk provohet ky qëllim, shkeljet eventuale ligjore sado të numërta që mund të jenë, mbesin jashtë domenit të juridiksionit penal, rrjedhimisht kjo e paraqet edhe kufirin ndërmjet përgjegjësisë penale dhe atyre jopenale”, konstatoi gjykata në arsyetim të vendimit.

Pra, gjykata tha se zyrtarët publikë mund të abuzojnë me milionat e shtetit, mund t’ua japin familjarëve, shokëve apo bashkëpartiakëve, por nuk duhet të dënohen, përderisa nuk “vërtetohet qëllimi”. Edhe kur shkelja shihet, edhe kur dëmi konstatohet, për gjykatën krimi nuk ekziston, sepse po “munguaka” qëllimi. Prandaj, zyrtari sot abuzon pa frikën se ndëshkohet.

***

“Pa qëllim” edhe një zyrtar me gradë të ulët në një komunë “kampion për transparencë e mirëqeverisje”, u bë sebep që një biznesmen që qëndron pas një rrjeti pompash karburanti, të marrë një pronë komunale me vlerë milionëshe, që ndodhet në të dyja anët e rrugës Prishtinë-Pejë, fare pranë hyrjes në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Kur Komuna e Drenasit e shpalli thirrjen për dhënien në shfrytëzim të disa pronave për 99 vjet, për këtë hapësirë ofertoi me një projekt Filloreta Bujupi. Ajo e ofroi një projekt për ngritjen e një pompe karburantesh aty, por në Komunë i thanë se projekte të tilla nuk lejohen afër vendbanimeve. Prandaj, iu desh ta ndryshonte idenë e të hartonte projekt tjetër.

Për këtë pronë, Komuna e shpalli fitues kompaninë “IP Kos”, pikërisht me projekt për pompë karburantesh. Pra, projekt i natyrës së njëjtë me atë që u refuzua.

Autoritetet komunale nuk e mohuan manipulimin. E pranuan se vepruan kësisoj, pra Filloretës nuk ia pranuan ofertën, e “IP Kos”-it po, por fajin e gjuajtën te një zyrtar.

“Sa i përket zyrtarit, për të njëjtin që ka dhënë informacione të tilla, është shqiptuar masë disiplinore nga ana e Komisionit Disiplinor”, u arsyetuan atëkohë në Komunë.

Për padrejtësinë milionëshe masa ishte qesharake – ulje e një përqindjeje page për pak muaj.

Prokurorë e gjyqtarë s’u morën me të, ndërsa eliminimi i konkurrentit për pronën milionëshe, u mbulua me “masën disiplinore” ndaj zyrtarit abuzues.

Në atë valë kur u dhanë në shfrytëzim afatgjatë pronat komunale, tri kryesoret përfunduan tek i njëjti biznesmen. Dy i siguroi drejtpërdrejt, duke paraqitur ofertën, e të tretën e siguroi përmes aplikimit nga një person fizik. Askush në prokurori apo gjykatë nuk e shqyrtoi këtë aferë. Ndërkaq, zyrtari që “pa dashje” e eliminoi konkurrencën për pronën milionëshe, u “ndëshkua” me pak euro që iu hoqën nga paga.

Një leksion që e trimëron secilin zyrtar, që “pa qëllim” t’ua çojë pasurinë publike të pasurve, qoftë duke “sakrifikuar” ndonjë euro nga paga e vet.

***

Vrasjet si ajo e trefishtë në Gjilan do të parandaloheshin, sikur kriminelëve të mos u jepej mundësia ta blinin lirinë. Qytetarët do të ishin të mbrojtur nga banditët, sikur gjykatat të mos ua hapnin dyert e burgjeve gangsterëve. Gjykimet nuk do të orientoheshin nga raporte abuzive, po ta merrte dënimin meritor mjeku që lëndimin që e lidhi Blertën për karroce, e përshkroi si “të lehtë”. Paratë e shtetit do të ruheshin, sikur ministra e zyrtarë të mos amnistoheshin në emër të mungesës së “vërtetimit të qëllimit” për abuzimet e bëra. Prona publike do të ruhej, sikur zyrtarët komunalë që e eliminojnë konkurrencën dhe u japin asete milionëshe bizneseve të mëdha, ndëshkohen me masa të forta dhe jofiktive.

Prandaj, problemet në Kosovë në masë të madhe burimin e kanë te hetuesit, prokurorët e gjyqtarët që sillen si në pazar e funksionojnë me logjikën e tuxharit.

Fiton kush paguan më shumë. Prandaj, fuqia e parave dhe ndikimi politik janë bërë më të forta se ligji e gjyqi.

Sot, ky sistem i ndëshkon të vegjlit, ata që nuk kanë para e mbështetje, kurse i mbron të pasurit e të fuqishmit. Mbron kriminelët e profilit të lartë.