Pjesëmarrja e shoqërisë civile në konsultimet publike të Qeverisë dhe në punimet e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit do të jenë thelbësore për të ardhmen e mjedisit në Kosovë. Ky kontribut i shoqërisë civile dhe i grupeve të interesit duhet bërë brenda një kornize të rregulluar dhe me standarde të transparencës e të identifikimit të individëve që kryejnë çfarëdo forme avokimi apo lobimi.
Aktivitetet minerare dhe industriale janë ndër shkaktarët kryesorë të degradimit të mjedisit në Kosovë. Nga kjo katastrofë mjedisore preken fillimisht ujërat sipërfaqësore dhe shtretërit e lumenjve bashkë me ekosistemet që dikur jetonin në to. Lumenj të vdekur me peshq të ngordhur sipër tyre, vërshime shkatërruese për banorët përreth e kontaminimi i tokave bujqësore janë vetëm nota elegjie të një vepre që fillet i ka qysh në hartimin e legjislacionit. Në shumë raste, degradimi mjedisor fillon në sallat e Kuvendit, aty ku legjislacioni favorizon gërryesit e një pjesë e standardeve ndërkombëtare lihen për t’u zbatuar “më vonë“.
Kur në vitin 2017 komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri u mblodh për të amendamentuar Ligjin Nr. 03/L-163 për Miniera dhe Minerale një nen papritur u vu në diskutim. Ishte neni 13 mbi Aktivitetet e Kufizuara. Në bazë të Ligjit aktual, nuk mund të eksploatosh gurë apo minerale të tjera në distancë të paktën 20 metra nga pendë apo rezervuar ujor. Kishte ide që këto distanca të hiqeshin fare. Shoqëria civile zhvilloi një debat të ashpër dhe për fat të mirë, ky kufizim sado i vogël për abuzuesit nuk u largua nga ligji final dhe ndryshim-plotësimi asnjëherë nuk gjeti miratim.
Në vitin 2019, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale raportoi se kishte lëshuar gjoba për 54 subjekte ekonomike në një vlerë prej afro gjysmë milioni euro. U bënë inspektime të shumta e megjithatë, gërryerjet ilegale dhe degradimi vazhdoi. Sepse nganjëherë problemi me legjislacionin nuk është kualiteti apo zbatueshmëria e tij, por në fakt, mungesa e tij. Prej vitesh ne flasim për mungesën e një Ligji për Trajtimin e Mbetjeve Industriale, por ky ligj zhduket vit pas viti nga agjenda legjislative. Kjo jo vetëm që do të mundësonte vendosjen e parimit “ndotësi paguan”, por do të ndikonte drejtpërdrejt në kthimin e jetës në lumenj duke detyruar KEK-un, Trepçën dhe kompanitë e tjera publike e private të ndërtojnë njësi të trajtimit të mbetjeve në vend se të ndërtojnë gypa për hedhjen e tyre në lumenj!
Procesi legjislativ duhet të përfshijë zërin e organizatave të shoqërisë civile. Kjo, jo vetëm në monitorimin e zbatimit të legjislacionit apo hartimit të tij, por edhe për të identifikuar nevoja të reja për legjislacion apo për përcaktimin e agjendës në ciklin e politikëbërjes. Rasti me Ligjin për Miniera dhe Minerale tregon sa e rëndësishme është pjesëmarrja e zërit të shoqërisë civile në Kosovë. Gërryerja e shtretërve të lumenjve po vazhdon, edhe për faktin se një pjesë e madhe e vendimeve merren pa publikun dhe larg publikut. Për këtë, pjesëmarrja e shoqërisë civile në konsultimet publike të Qeverisë dhe në punimet e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit do të jenë thelbësore për të ardhmen e mjedisit në Kosovë. Ky kontribut i shoqërisë civile dhe i grupeve të interesit duhet bërë brenda një kornize të rregulluar dhe me standarde të transparencës e të identifikimit të individëve që kryejnë çfarëdo forme avokimi apo lobimi.
Mjedisi në Kosovë dhe degradimi i tij nuk janë thjesht pamjet e vdekura që shohim me sy apo kundërmimi i rëndë që ndjejmë kur kalojmë kah lumi. Krimi mjedisor, me dashje apo pa dashje, fillon shpesh diku në zyrat qeveritare gjatë hartimit të legjislacionit, apo në korridoret e Kuvendit gjatë amendamentimit të tij. Vigjilenca e shoqërisë civile dhe aktivizmi qytetar janë instrumentet më të rëndësishme për të bërë kthimin e madh. Për të ndërtuar dekadën e ardhshme bazuar në ekonomi qarkore dhe zhvillim të qëndrueshëm, mbrojtje të mjedisit nga gërryesit dhe frymim më të lirshëm për të gjithë. Sepse ashtu siç me të drejtë e argumenton juristi dhe ambientalisti Daniel C Esty: "Zhvillimi i politikave të shëndosha kërkon që burimet natyrore të shihen si dividentë e produktivitetit të qëndrueshëm të ekosistemit e jo si rezervë e aseteve."
(Ky editorial është pjesë e projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) “Dhënia fund korrupsionit përmes ngritjes së transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies gjatë procesit ligjvënës në Kosovë”, i financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim nuk i paqyrojnë medoemos ato të Fondacionit.)