OpEd

Fundi i politikës

Prandaj, fundi i politikës do të shënojë fillimin e rrugës si mjet për të kundërshtuar atë, që nga qeverisja, do të shndërrohet në sundimin e një njeriu. Kjo epokë e fundit e politikës do të përfundojë në rrugë sepse rruga do të mbetet mjeti i vetëm i shprehjes së pakënaqësisë, ideve, dhe kundërshtimit politik. Do të mjaftojë një shkëndijë, një ngjarje, që t’i nxisë njerëzit të dalin në rrugë, sepse mjetet demokratike nuk funksionojnë kur vjen fundi i politikës.

Pas shpalljes së rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, impulsi i parë që më erdhi ishte që të mos shkruaja më kolumne të rregullta për Kohën. Arsyeja për këtë është se ky rezultat shënon fundin e politikës në Kosovë. Kur vjen fundi i politikës, një kolumnisti politik siç jam unë, nuk i mbetet më çka të shkruajë. Siç e ka thënë Francis Fukuyama, në librin e tij të njohur, “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” ashtu edhe në Kosovë i erdhi fundi i politikës. Qytetarët e vendit, për arsyet të cilat për mua mbeten të pakapshme dhe të pakuptueshme, vendosën me më shumë se 51 për qind të votave t’ia jepnin edhe një mandat absolut e të pakontestueshëm Albin Kurtit, i cili ç’është e vërteta, gjatë mandatit të kaluar absolut nuk i solli Kosovës zhvillim ekonomik e social, e as perspektivë euroatlantike. Përkundrazi, e izoloi atë, e futi nën sanksione të BE-së, dhe nuk pati asnjë projekt a investim të mirëfilltë zhvillimor. Madje nuk zhvilloi as politika sociale, që ishin premtimi i tij kryesor para zgjedhjeve të vitit 2021. Kulmi i politikës së tij sociale ishte shpërndarja e qindra miliona eurove në periudhat parazgjedhore. Me këtë politikë e cila promovon papunësinë, dembelinë e jo zhvillimin e punën e ndershme, Kurti, si kryeministër e kryeministër në detyrë bëri keqpërdorimin më të madh të buxhetit të vendit për qëllimet e tij dhe të partisë së tij. Këto para si duket e arritën efektin e tyre sepse kundërshpërblimi për këto para belesh ishte vota masovike për LVV-në. 

Siç e thashë edhe në fillim, rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit shënon fundin e politikës në Kosovë. Tanimë kemi një parti/individ me pushtet absolut në mandatin e dytë dhe një opozitë e cila me numrat që ka dhe me krizën konceptuale, nuk do të jetë në gjendje t’i sfidojë vendimet e qeverisë në mënyrë të mirëfilltë. Për më tepër, me humbjen në zgjedhjet e fundit, partitë opozitare janë në krizë të thellë, si të identitetit të tyre politik, ashtu edhe në krizë konceptuale, sepse, rezultati zgjedhor tregoi se as ndryshimet personale, e as premtimet parazgjedhore, që thënë të drejtën nuk ishin as një e dhjeta e asaj që duhet të bëjë një opozitë serioze, nuk arritën t’i bindin qytetarët për validitetin e premtimit për një qeverisje më të mirë sesa ishte qeverisja e Kurtit gjatë pesëvjetëshit të fundit. Me mungesa konceptuale, partitë opozitare, nuk arritën ta sfidojnë populizmin social e nacionalist të Kurtit, duke i dhënë atij fitoren në pjatë. 

Tani, me fundin e politikës që e vulosën vetë qytetarët, Kosova do të kthehet në “One-man-show”, duke i gjasuar kështu Shqipërisë dhe Serbisë, në të cilat për më shumë se një dekadë, opozitë pothuajse nuk ka, kurse të gjithë penjtë i tërheqin liderët e pakontestueshëm të partive në pushtet. Pra, Kosova veç ka hyrë në një periudhë politike, në të cilën një parti e ka mundësinë të sundojë e pasfiduar. Ishte ky një vendim sovran i qytetarëve, të cilët zgjodhën ta fusin vendin në një epokë ku nuk zhvillohet politika, por ka njëmendësi dhe absolutizëm. Balanca e pushteteve qeverisëse, legjislative e gjyqësore, do të zbehet deri në zhdukje të plotë, sepse këtë zhdukje të balancës së pushteteve e ka paralajmëruar në shumë raste vetë lideri i partisë në pushtet. Me zhdukjen e kësaj balance të pushteteve, do të thellohet keqqeverisja, e do të lulëzojë korrupsioni, do të zbehet sundimi i ligjit, sepse nuk do të ketë forcë kredibile që ta sfidojë liderin dhe partinë në pushtet. Por, përsëri po e them, ky ishte vullneti qytetar në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Prandaj, u bëftë ashtu siç kanë dashur shumica e qytetarëve.
LVV-ja e ka dëshmuar vazhdimisht se është kundër balancës së pushteteve, sundimit të ligjit dhe pluralizmit politik. Gjatë qeverisjes së saj pesëvjeçare, ajo në vazhdimësi e ka shkelur kushtetutën, ka qenë në luftë të hapur me institucionet e sundimit të ligjit, të cilat nuk i ka kontrolluar, dhe ka hapur në proces të delegjitimimit të pluralizmit politik. Kur partitë opozitare nuk kanë qenë në gjendje ta sfidojnë, LVV-ja me në krye liderin e saj, u janë vërsulur opinionistëve, duke e delegjitimuar kështu pluralizmin e ideve e të pikëpamjeve politike. Ky stil i politikbërjes tregon një mendësi absolutiste, e cila në esencë jo vetëm që nuk e promovon tolerancën, por e kundërshton atë, duke promovuar njëmendësinë totalitare. Dhe kjo do të jetë alfa dhe omega e politikës kosovare në periudhën e ardhshme të qeverisjes absolute të LVV-së.

Argumenti se gjatë qeverisjes së Kurtit është shtrirë sovraniteti i veri të vendit është argument i rrejshëm dhe këtu qytetarët e Kosovës janë mashtruar keq. Nëse kjo mantra nacionaliste, e stërpërsëritur si një ritual, ka ndonjë domethënie, do ta shohim gjatë këtij mandati qeverisës. Veriu i vendit nuk mund të mbahet përgjithmonë me forcat speciale të policisë. Ajo çka i mungon veriut është integrimi politik, social, e ekonomik. Forca shërben për kontroll e jo për integrim. Kjo u pa në zgjedhjet e fundit lokale, në të cilat Lista Serbe u rikthye në pushtet në katër komunat veriore si dhe fitoi bindshëm në komunat e tjera me shumicë serbe, të cilat po ashtu janë të paintegruara. Pra, në një sistem ku legjitimiteti përcaktohet nga vota popullore, kontrolli policor dhe masat administrative kanë efekt të përkohshëm dhe propagandistik, por në afat të gjatë mund të kenë kundërefekt. 
Fundi i politikës do të sjellë qeverisje mujshare në të cilën lideri dhe partia e tij do të bëjnë atë çfarë u shkon për shtati për forcimin e pushtetit dhe pasurimin personal. Shpërndarja e parave në popull, si mjet populist për blerjen e votës, si dhe loja me kartën nacionaliste mbase do të jenë një maskë e mirë e keqqeverisjes për një kohë të caktuar, por jo përgjithmonë. Kjo gradualisht do ta rrisë pakënaqësinë qytetare sepse pushteti nuk mund të mbahet përgjithmonë përmes propagandës. Prandaj, fundi i politikës do të shënojë fillimin e rrugës si mjet për të kundërshtuar atë, që nga qeverisja, do të shndërrohet në sundimin e një njeriu. Kjo epokë e fundit të politikës do të përfundojë në rrugë sepse rruga do të mbetet mjeti i vetëm i shprehjes së pakënaqësisë, ideve, dhe kundërshtimit politik. Do të mjaftojë një shkëndijë, një ngjarje, që t’i nxisë njerëzit të dalin në rrugë, sepse mjetet demokratike nuk funksionojnë kur vjen fundi i politikës.  

Ajo që po shohim gjatë dy viteve të fundit në Serbi, ku qindra-mijëra studentë e qytetarë dalin në rrugë për ta kundërshtuar regjimin e Vuçiqit, do të ndodhë edhe në Kosovë një ditë. Mbase shumica e atyre që sot protestojnë kundër Vuçiqit e kanë sjellë vetë në pushtet atë. Jo nesër, as pasnesër, ndoshta as gjatë këtij mandati katërvjeçar, por do të ndodhë një ditë, sepse kur vjen fundi i politikës, rruga është e pashmangshme edhe për ata që sot e mbështesin liderin. Kur të ndodhë kjo, pushteti do ta tregojë fytyrën e vërtetë të tij. 

Në këtë kuptim, zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk ishin thjesht një proces elektoral, por një akt politik me pasoja afatgjata politike dhe demokratike. Qytetarët zgjodhën t’i japin pushtet absolut një partie, në vend se të promovojnë pluralizmin politik, duke i dhënë fund politikës si mjet për korrigjimin e pushtetit, si proces debatimi e balancimi të pushtetit. Kur politika shuhet, mbetet vetëm pushteti i zhveshur nga përgjegjësia dhe qytetari i reduktuar në spektator. Dhe historia na mëson se ky lloj pushteti nuk kundërshtohet në institucione, por në rrugë. Prandaj, fundi i politikës në Kosovë nuk është fundi i konfliktit politik, por vetëm shtyrja e tij drejt një forme tjetër të shprehjes demokratike, ku rruga do të jetë mjeti i kryesor i kundërshtimit.