OpEd

Fryma e Milanos

Vetëm pak ditë pasi që e mori lajmin për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE, Shqipëria ka demonstruar solidaritet të përnjëmendtë evropian, duke dërguar një kontingjent 30-anëtarësh të mjekëve në veri të Italisë. Shpresoj se edhe shumë të tjerë do ta ndjekin këtë shembull dhe të ofrojnë një dorë të rëndësishme të ndihmës për rajonet më të goditura nga COVID-19. Menjëherë pas një dhurate të ngjashme për qytetin e Budapestit, një ndihmë e tillë do të jetë pjesë e serisë së intervenimeve që “Fondacioni për Shoqëri të Hapur” do të ndërmarrë gjatë ditëve në vijim për t’iu përgjigjur kësaj krize.

Kryetitujt janë tmerrues. Mungesa e pajisjeve jetike po i shtrëngon mjekët që t’i marrin vendimet e dhembshme se kush jeton dhe kush vdes. Radhë të gjata të të sëmurëve që presin kot për një test apo për shtrat spitali. Biznese, dyqane, lokale dhe restorante bosh, që po i gjunjëzojnë ekonomitë lokale në krejt botën. Dhe përllogaritja e zymtë se cilat shtete janë të goditura më së rëndi nga koronavirusi COVID-19, me ç’rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vihen tani në rendin e parë të këtij mesi – pasi numërojnë afër 61.000 raste të konfirmuara më shumë sesa Kina, e cila ishte epiqendër e shpërthimit të pandemisë.

Në Evropë, pandemia e ka goditur veçanërisht rëndë Italinë, e cila ndodhet në bllokadë totale që nga 9 marsi, në përpjekje për ta ngadalësuar përhapjen e virusit. Deri më 30 mars, Italia ka raportuar për afro 98.000 raste të konfirmuara me COVID-19. Më shumë se 10.700 italianë, kryesisht në rajonin verior të Lombardisë, kanë vdekur nga sëmundja deri më tani. Milanoja, kryeqyteti rajonal, është më shumë se motori i ekonomisë së Italisë. Qyteti që dikur gumëzhinte ndërlidhet pashmangshëm me projektin evropian dhe është një nxitës i rëndësishëm i ekonomisë evropiane si tërësi.

Megjithëkëtë, derisa shifra e të vdekurve po rritet dhe rajoni po ballafaqohet me numër më të lartë të rasteve të përhapjes se cilido vend tjetër në Kontinent, Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare janë treguar të ngadalta për të ndërmarrë veprime kuptimplota dhe për të demonstruar solidaritet me fqinjët e tyre në telashe. Në vend të kësaj, vendet anëtare të BE-së kanë mbyllur kufijtë dhe janë kthyer kah vetja. Gjendja e vështirë e Italisë është rënduar edhe më tepër nga mbyllja e kufijve, e cila e ka penguar sigurimin e furnizimeve dhe pajisjeve mjekësore tejet të nevojshme.

Qeveritë janë përfshirë në grindje të parëndësishme, duke u treguar më të shqetësuara për vetë avantazhet e tyre ekonomike. Përfaqësuesit e disa shteteve veriore evropiane kanë sfiduar vendimet e fundit ekonomike të Italisë dhe po del se brengosen më shumë për të ditur se si do ta menaxhojë Italia situatën me kthimin e borxheve të papaguara sesa për numrin e të vdekurve dhe rënien ekonomike.

Si rezultat, në një kohë kur Kontinenti, dhe ç’është e vërteta, bota mbarë po përballen me kriza të proporcioneve historike të shëndetit publik dhe ekonomik, Evropa është një shtëpi e ndarë, në rrezik për shpërbërje të mundshme territoriale. Nëse Brexit-i i bashkoi 27 vendet e mbetura anëtare dhe e eliminoi spektrin e daljes nga arena evropiane, koronavirusi e ka kthyer çështjen sërish në agjendë.

BE-ja ka përgjegjësi ndaj vendeve anëtare dhe popullit që t’i përdorë ndonjë apo të gjitha instrumentet financiare që i ka në dispozicion apo të krijojë të reja, për të garantuar që Italia dhe Unioni si tërësi të mund ta përballojnë – dhe përfundimisht të këndellen në këtë krizë. Kjo gjë kërkon që të hiqet dorë nga varësia e zakonshme në modelin e vjetruar, të presupozuar të qeverisjes në mungesë të ndonjë burimi të përbashkët financiar përbrenda unionit monetar. Nëse Italia dështon, çmimi që do ta paguajë ekonomia evropiane do të jetë shumë më i lartë sesa çmimi i shkeljes së një rregulli financiar apo një tjetri, gjatë një kohe të rrezikut të jashtëzakonshëm.

Para samitit virtual të Këshillit Evropian javën e shkuar, një grup prej nëntë vendesh evropiane, përfshirë shtetet jugore, si Portugalia dhe Sllovenia, kërkuan një lloj eurobondi dhe riorganizimin e borxhit të përbashkët. Institucionet financiare të Evropës janë ngarkuar në samit me detyrën e nxjerrjes së propozimeve që potencialisht mund ta zbusin presionin mbi krerët individualë të qeverive (shumica e të cilëve janë të preokupuar me opozitën e brendshme). Në të njëjtën kohë, disa prej figurave më autoritare dhe ekstreme politike në Itali e kanë shfrytëzuar momentin për t’u ngritur kundër BE-së dhe për ta vënë në tryezë të diskutimit çështjen e daljes italiane nga euroja dhe vetë blloku.

Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nën administratën aktuale po sprapsen nga aleanca transatlantike e pasluftës, BE-së i është ofruar mundësia që ta jetësojë përkushtimin e shprehur për vlerat, të drejtat dhe bashkëpunimin multilateral dhe të tregohet si një lider global.

Nuk është krijuar për të sfiduar. Derisa e ardhmja e Evropës tani duket e zymtë, nuk është ende tepër vonë që institucionet dhe qeveritë evropiane ta sfidojnë këtë shteg. BE-ja nuk mund t’ia lejojë vetes luksin që ta humbë Italinë apo të kalojë nëpër këtë krizë pa një përgjigje kuptimplotë. Të gjitha vendet dhe ekonomitë e bllokut do të vuanin si pasojë e kësaj.

Babai im, George Soros, ka jetuar nëpër disa prej krimeve më të urryera të shekullit të shkuar, dhe ka dalë prej kësaj përvoje me bindje të thellë dhe të palëkundur në domosdoshmërinë e një projekti evropian. Jam krenar për të arriturat e tij në aspektin e përdorimit të institucioneve të veta filantrope për promovimin e një të nesërme më të mirë për Evropën dhe botën.

Prandaj nuk është për befasi pse organizata që ai themeloi, “Fondacioni për Shoqëri të Hapur”, po i del në ndihmë Italisë në këtë moment vendimtar, duke premtuar 1 milion euro për qytetin e Milanos, në përkrahje të punës së zellshme të më të cenuarve të saj dhe në ringjallje të ekonomisë, shëndetësisë dhe frymës së qytetit në muajt në vijim.

Sa për dijeni, disa vende të BE-së – me disa vonesa – kanë dërguar po ashtu furnizime mjekësore dhe shumë italianë kanë dhënë donacione për ta fuqizuar përpjekjen e vendit në luftë kundër krizës. Dhe vetëm pak ditë pasi që e mori lajmin për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE, Shqipëria ka demonstruar solidaritet të përnjëmendtë evropian, duke dërguar një kontingjent 30-anëtarësh të mjekëve në veri të Italisë. Shpresoj se edhe shumë të tjerë do ta ndjekin këtë shembull dhe të ofrojnë një dorë të rëndësishme të ndihmës për rajonet më të goditura nga COVID-19. Menjëherë pas një dhurate të ngjashme për qytetin e Budapestit, një ndihmë e tillë do të jetë pjesë e serisë së intervenimeve që “Fondacionit për Shoqëri të Hapur” do të ndërmarrë gjatë ditëve në vijim, për t’iu përgjigjur kësaj krize.

(Alex Soros është themelues i fondacionit “Alexander Soros Foundation”, i cili i nderon aktivistët e mbrojtjes së mjedisit me çmime vjetore. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)