OpEd

Fronti amerikan në luftën globale ndaj grave

Dhuna ndaj grave është e parandalueshme. Legjislacioni gjithëpërfshirës është thelbësor dhe numri i vendeve që e miratojnë atë ka shkuar duke u rritur. Mirëpo, zbatimi efektiv është po aq jetik, përfshirë mbështetjen për gratë që të raportojnë rastet, ashtu si edhe financimin, monitorimin e bashkëpunimin e duhur ndërmjet policisë, prokurorëve dhe gjykatave për vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

Përplasjet politike të nisura në SHBA, që prej vendimit të Gjykatës Supreme që përmbysi Roe v Wade, vendim ky historik i vitit 1973 që vendos të drejtën federale për abortin, kanë qenë të menjëhershme dhe të furishme. Mirëpo, më pak vëmendje i është kushtuar sfondit ndërkombëtar kundrejt të cilit duhet qëndron vendimi i Gjykatës. Dëshmitë nga e gjithë bota tregojnë për sulmin gjithnjë e më të gjerë ndaj lirisë së grave, përfshirë edhe në demokracitë më krenare.

“Thjesht shmangni marrëdhëniet intime, nëse nuk doni fëmijë”, tha një e re pasionante, jashtë Gjykatës Supreme, në qershor të vitit 2022. Sikur ta kishin të gjitha gratë këtë zgjedhje. Dhe, nëse vetëm aktivistët kundër abortit do të angazhoheshin për ta bërë atë të tillë. Në fakt, sulmet seksuale ndodhin mesatarisht çdo 68 sekonda, brenda vetë Amerikës. Një në çdo gjashtë gra amerikane ka qenë viktimë e tentativës ose përdhunimit. Nga vitet 2009-13, agjencitë amerikane të Shërbimeve për Mbrojtjen e Fëmijëve vërtetuan ose gjetën prova të forta që tregojnë se 63 mijë fëmijë në vit ishin viktima të abuzimit seksual.

Në Mbretërinë e Bashkuar, veprat penale të përdhunimit janë në nivelin më të lartë vjetor të regjistruar deri më sot, me policinë në Angli dhe Uells që regjistruan 67,125 raste në vitin 2021. Megjithatë, kishte vetëm 1,557 ndjekje penale në vitin 2021, nga 2,102 më 2020. Gjatë katër viteve të fundit, përndjekjet për përdhunime në Angli dhe Uells kanë rënë me 70 për qind. Thënë thjesht, e drejta e gruas për të mos u përdhunuar nuk po mbështetet.

Pothuajse njëjtë, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se gati një e treta e grave në mbarë botën i është nënshtruar dhunës fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim ose dhunës seksuale nga jo-partneri gjatë jetës. Në shumë vende, kufizimet dhe izolimet e lidhura me pandeminë rritën ngarkesën e rasteve dhe zvogëluan kapacitetin e sistemeve për ta menaxhuar atë.

Mirëpo pandemia nuk është faktori i vetëm që fshihet pas rritjes së dhunës ndaj grave. Në Rusi, dhuna në familje është rritur që nga janari 2017, kur ligjvënësit nxitën neveri ndërkombëtare, duke e dekriminalizuar atë. Në mënyrë të parashikueshme, incidenca më e lartë është shoqëruar me rënien e madhe të raportimit dhe mungesës së vullnetit të policisë për të hetuar rastet.

Dhe, nuk është vetëm Rusia. Në Angli dhe Uells, pothuajse gjysma e grave të vrara në vitin deri në mars të 2021-s, u vranë në familje, derisa 1.6 milionë gra raportuan abuzim në familje. Por, teksa numri i krimeve të regjistruara, të lidhura me dhunën në familje në Angli dhe Uells, u rrit në 845 mijë e 734 raste në këtë periudhë, numri i referimeve nga Policia në Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës ra në 77,812, nga 79,965 në vitin që përfundon në mars të 2020-s. Dhe për vitin e tretë radhazi, shkalla e ngritjes së akuzave për krimet e lidhura me abuzimin në familje në Angli dhe Uells u ul në 70 për qind, nga 76 për qind sa ishte në vitin që përfundon në mars të 2018-s.

Provat tregojnë se në shumicën e vendeve, partneri i dhunshëm që kërcënon me përdhunim dhe mbarsje nuk ka gjasa të përballet me pasoja. Në SHBA, Gjykata Supreme tani ka përforcuar jashtëzakonisht fuqinë shtrënguese të këtij kërcënimi. Me fjalët rrëqethëse të gjyqtarëve kundërshtarë, “që nga momenti i fekondimit, gruaja nuk ka të drejta, të cilave mund t’u referohet. Shteti mund ta detyrojë atë ta mbajë një shtatzëni, madje edhe me kostot më të mëdha personale dhe familjare”.

Atëherë, çfarë është liria për gratë në Amerikë dhe vende të tjera sot? A duhet të pranojmë që sistemet e drejtësisë penale nuk mund ta mbajnë hapin, edhe kur gratë sulmohen, abuzohen dhe përdhunohen? A duhet të pranojmë se në shtetet amerikane, që tashmë e kanë të jashtëligjshëm abortin, pa përjashtime për përdhunimin apo incestin, “një grua do të duhet të mbajë fëmijën e përdhunuesit të saj ose një vajzë të re të babait të saj - pa marrë parasysh nëse kjo do t’ia shkatërrojë jetën?”

Dhuna ndaj grave është e parandalueshme. Legjislacioni gjithëpërfshirës është thelbësor dhe numri i vendeve që e miratojnë atë ka shkuar duke u rritur. Mirëpo, zbatimi efektiv është po aq jetik, përfshirë mbështetjen për gratë që të raportojnë rastet, ashtu si edhe financimin, monitorimin e bashkëpunimin e duhur ndërmjet policisë, prokurorëve dhe gjykatave, për vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

OBSH-ja përshkruan një grup të mëtejshëm masash me akronimin RESPECT: Forcimi i aftësive të marrëdhënieve; fuqizimi i grave; shërbimet e siguruara; reduktimi i varfërisë; mjedise mundësuese (shkolla, vende pune, hapësira publike) të krijuara; parandalimi i abuzimit të fëmijëve dhe adoleshentëve; dhe qëndrimet, besimet dhe normat e transformuara.

Provat ndërkombëtare nxjerrin në pah masa specifike, si mbështetja psiko-sociale, programet e fuqizimit ekonomik dhe social, transfertat e parave dhe programet shkollore që rrisin sigurinë, zvogëlojnë ose eliminojnë ndëshkimin e ashpër, sfidojnë stereotipet gjinore dhe promovojnë marrëdhëniet e bazuara në barazi dhe pëlqim. Këto janë disa nga gurthemelet për lirinë e gruas.

Gjykata Supreme e SHBA-së ka shkuar në drejtim të kundërt. Në vend që të shikojnë përpara drejt një bote ku të drejtat e grave dhe fëmijëve mbrohen më mirë, gjyqtarët që goditën Roe-n ua kthejnë shpinën “historisë dhe traditës” për të udhëhequr pikëpamjet e tyre rreth kuptimit të “lirisë së urdhëruar”. Ata vërejnë se “deri në fund të shekullit të njëzetë, nuk kishte asnjë mbështetje në ligjin amerikan për një të drejtë kushtetuese për të kryer abort... Në të vërtetë, aborti ka qenë prej kohësh një krim në çdo shtet të vetëm”.

Por, gjyqtarët injorojnë se gjatë pjesës më të madhe të asaj historie, liria ishte pothuajse ekskluzivisht prerogativë e meshkujve të moshës madhore (të bardhë). Deri në vitin 1920, gratë në SHBA nuk mund të votonin dhe për shumë kohë më pas, ato nuk ishin në gjendje të shkurorëzoheshin, ose të merrnin kredi në emrin e tyre. Në shumë shtete, martesa me viktimën u njoh si mbrojtje legjitime kundër një akuze për përdhunim (deri në vitin 1979 në Nju Xhersi, për shembull). A janë traditat historike vërtet udhëzuesi më i mirë për të interpretuar se çfarë lirie duhet t’i jepet dikujt?

Me të drejtën e votës, pjesëmarrja e grave në politikën përfaqësuese është rritur gradualisht. Por, edhe ajo tani është nën sulm. Gratë po përjashtohen nga jeta publike nëpërmjet ngacmimeve intensive, nënçmuese dhe seksuale në internet. Në Japoni, është dokumentuar një model sulmesh seksiste në Tuitter, të drejtuara kundër politikaneve femra.

Në mënyrë të ngjashme, një studim në Suedi tregon se derisa politikanët janë kryesisht në shënjestër sa u përket roleve të tyre zyrtare, deputetet u nënshtrohen komenteve degraduese që i synojnë në mënyrë eksplicite ato si gra, duke i çuar drejt vetëcensurimit më të theksuar se homologët burra. E njëjta pabarazi është gjetur në Kanada. Në Mbretërinë e Bashkuar, politikanet nga e majta në të djathtë kanë folur për këtë problem.

Është koha që të gjithë politikanët të mbështesin jo vetëm legjislacionin e fortë, por edhe fondet dhe institucionet e nevojshme për të mbështetur lirinë dhe sigurinë e grave, qoftë në shtëpi, në politikë apo edhe te mjeku i tyre.

(Autorja është dekane e Shkollës së Qeverisjes Blavatnik në Universitetin e Oksfordit. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)