Tridhjetë vjet pas gjenocidit në Srebrenicë dhe përsëritjes “kurrë më” po ndodh gjenocidi në Gaza. E, sot po mungon madje edhe një Yasushi Akashi, simboli i pafuqisë së OKB-së. Tash ka vetëm heshtje
1.
Aeroplani ishte ukrainas dhe i ngjyrosur me të bardhë e me shenjën UN në të, karriget me komoditet sovjetik, piloti mezi kuptohej kur shpjegoi se si do të udhëtonim nga Prishtina për në Vjenë dhe e tëra dukej krejtësisht surreale në atë verë të vitit 1995 ndërsa shkoja në një konferencë që e organizonte në Vjenë i dërguari i veçantë i OKB-së për ish-Jugosllavi Yasushi Akashi.
Dr. Akashi kishte mirësjelljen tipike japoneze me buzëqeshje të vërejtshme edhe në sy, dashamirësinë budiste për paqe dhe mungesën e njohurive për vendin dhe kohën në të cilën shërbente. Koha dhe vendi qenë ish-Jugosllavia që shpërbëhej me luftë, një Kroaci që po çlironte territorin e vet, një Bosnjë e Hercegovinë që zhbënte me gjak tërë strukturën e jetës së vet sociale, ne të tjerët që shikonim se si do të zhvillohej kjo luftë e me dëshirë intime që e tëra të mbetej pa forcë e të mos mbërrinte te pragu i shtëpisë.
Mbërritëm në Vjenë, të pamësuar me faktin se distanca mes nesh dhe atij qyteti është më pak se dy orë, u takuam me miq të shoqërisë civile e të politikës demokratike nga shtetet e ndryshme të ish Jugosllavisë, biseduam me ekspertë e diplomatë, folëm çka folëm në konferencë dhe u kthyem sërish me avionin e veçantë, ende të mrekulluar me normalitetin e nisjes prej Vjenës pasdite dhe arritjes në shtëpi para mbrëmjes.
U dakorduam në Vjenë që të takohemi sërish së shpejti. Ndoshta jo pse shihnim ndonjë vlerë të shtuar por aty ishin të gjitha benefitet e tjera të udhëtimit me avion special, qëndrim në hotel luksoz, bisedë intelektuale të nivelit të lartë, aromë e pamje Vjene e qytetërimi e njerëzish të pabrengosur me ekzistencën imediate.
Kur erdhi ftesa për të shkuar sërish Iso Rusi , një prej gazetarëve më të njohur dhe intelektual publik i respektuar gjithandej Maqedonisë veriore, u dakordua me mua që të mos shkojmë. Ia shkruam një letër Yasushi Akashit, i shpjeguam se ishte moralisht e papranueshme për ne të shkonim në Vjenë për të folur sërish për pajtimin e popujve përderisa në Srebrenicë ishin të zhdukur disa mijëra meshkuj myslimanë. Ndonëse nuk e shkruam ashtu, që të dy ishim të pajtimit se fjalët janë të tepërta kur ndodh gjenocidi e ti përpiqesh të vazhdosh aty ku e le herën e kaluar.
2.
Ja, nga ajo letër kaluan 30 vjet. Nuk ndryshuam historinë-dy gazetarë që i shkruajnë një zyrtari të lartë të OKB-së që beson se ia vlen të mbahet një konferencë në Vjenë me temë pajtimi të popujve, ndërsa njëri prej popujve po zhduket biologjikisht, nuk ndikuan as që të ndalet konferenca; ajo vazhdoi siç qe parashikuar.
Por, si autorë të letrës (dhe besoj se mund të flas edhe në emër të Isos) besuam se duhej mbrojtur parimësinë për hir të parimësisë, por në të njëjtën kohë edhe ta shndërrojmë parimësinë në funksion të vetinteresit. Srebrenica ishte një akt gjenocidi dhe nëse nuk e ngre zërin kundër gjenocidit i ke dhënë rrugë që të vijë te ti. Kjo nuk kishte të bënte vetëm me ish-Jugosllavinë. Siç kishte kuptuar presidenti Clinton, gjatë mandatit të tij ndodhi gjenocidi në Ruanda dhe andaj nuk mund ta lejonte në Bosnjë e Hercegovinë. Dhe, kur shkuam në Shtëpi të Bardhë si delegacion i Kosovës në maj të vitit 1998 na premtoi që nuk do të lejojë që Bosnja të përsëritet në Kosovë.
Mbrojtja e parimit është gjithnjë më e vlefshme nëse fillon ta mbrosh për të tjerët e jo për veten.
3.
M’u kujtua Yasushi Akashi, sepse më duket se po kalojmë nëpër një moment të ngjashëm politik, por në një botë krejt tjetër. Atëherë Yasushi Akashi u shndërrua në simbol të dobësisë së OKB-së, sepse po ashtu simbolizonte paaftësinë e asaj që po ndodhte në ish-Jugosllavi. Tash OKB-ja ka si të dërguar për Palestinë Francesca Albanesen, një akademike e guximshme e cila e përshkruan realitetin me përshkrim që nuk lë vend për dykuptimësi: pra gjenocid.
Por, tash ka sërish heshtje apo formulime që “dënojnë ashpër sulmin e dronëve ndaj Kievit” apo “dënojnë ashpër dhunën që shkaktoi vdekjen e civilëve në Gaza”. Këto formulime janë të njëllojta me heshtje, nuk kanë ndikim ndonjëfare. Çdo lider në cilindo vend të botës mund të jetojë me “dënim të ashpër”, e liderë si Putini apo Netanyahu posaçërisht. Që të dy jetojnë me aktakuzë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pa ndonjë telashe. Për më tepër që të dytë jetojnë me kënaqësinë e të pasurit njëri tjetrin. B.Netanyahu është në thelb përkrahës i Rusisë së Putinit që do të zgjerojë kufijtë e vet aty ku mendon se është Rusia e popullit rus. V.Putini është shumë i kënaqur me praninë e Netanyahut në këtë moment historik: çka janë disa dronë që dërgohen në Kiev kundër ukrainasve kur Netanyahut i lejohet gjenocidi i hapur në Gaza, sepse fundja edhe ai do të krijojë Izraelin e Madh, atë biblik, shtetin kombëtar hebre.
Para tridhjetë vjetësh brenda disa ditëve u ekzekutuan disa mijëra boshnjakë-myslimanë. Do të ketë pasur urrejtje tek ata që kryen ekzekutimet, sepse në fund dinin që po u merrnin jetë njerëzve të tjerë. Por, kjo urrejtje ishte e lidhur me një përllogaritje mendore, me një racionalitet: ai territor duhej të ishte pjesë e shtetësisë së zgjatur serbe (qoftë si Serbi të Madhe , qoftë si Republika Srpska) dhe në atë territor nuk kishte vend për boshnjakët.
Vrasja masive apo në këtë rast gjenocidi nuk janë organizim kolektiv i shfryrjes së urrejtjes, janë projekte racionale që kërkon zgjidhje mekanike; në Srebrenicë ishin pushkët automatike të autoblindave dhe ato personale, në Auschwitz ishin komorat e gazit, në Gaza është bombardimi nga lartësia deri në krijimin e kushteve që aty të mos ketë palestinezë, të gjallë a vdekur.
4.
Në Evropë para Srebrenicës gjenocidi kishte ndodhur gjatë nazizmit. Ideja fillestare qe ajo e dëbimit të hebrenjve prej shtetit të “pastër” gjerman. Kur u pa se kjo po shkon ngadalë u zhvillua metodologjia e shfarosjes në masë.
Tri gjëra ndodhën prej atëherë. E para ishte motoja “kurrë më”, pra vendosja e standardeve morale dhe juridike që gjenocidi të mos ndodhë ndonjëherë tjetër. E dyta ishte procesi i ballafaqimit me të kaluarën e popullit gjerman , atij që ndonëse nuk ishte fajtor individualisht kishte përgjegjësi kolektive për gjenocid. E treta ishte themelimi i shtetit të Izraelit, si një lloj kompensimi për një ndjenje fajësie të popujve evropianë e të SHBA-ve për lejimin që para syve të tyre të ndodhte Holokausti.
Kur ndodhi në Srebrenicë u përsërit “kurrë më”.
Tash po ndodh në Gaza. Nga liderët evropianë po mungon një pyetje thelbësore: përse po ndodhë kjo tridhjetë vjet pasi thamë “kurrë më” dhe çfarë mund të bëjmë ne dhe shtetet tona që kjo të ndalet? Ata kanë gjithsesi më shumë në duart e tyre se mundësinë e shkrimit të një letre Jasushi Akashit të kësaj epoke.
Dhe, kanë në duar momentin kur do të përsërisin “kurrë më”, por për ta bërë këtë duhet të pranojnë realitetin që tashmë çdo studiues i gjenocidit e di, se ajo që po ndodh në Gaza ka një emër.