Pa marrë parasysh se cila është arsyeja, Harvardi i ka dhënë zë një doktrine që, në përshtatshmëri me krizën klimatike, duhet të shpërndahet me shpejtësi përreth botës dhe të shtyjë përpara vendimet e ngjashme rreth dekarbonizimit gjetkë. U deshtë një dekadë përpjekje për të vënë Harvardin deri në këtë pikë. Por tani që ai më në fund po merr hapa drejt jetësimit të reputacionit të tij global si lider, investitorët e tjerë institucionalë duhet patjetër të marrin parasysh të njëjtën gjë. Në një epokë të krizës klimatike, mandati i këtyre aktorëve është që të ngrihen për të ardhmen, ose ndryshe do të rrezikojnë që të përfundojnë jo vetëm në anën e gabuar të historisë, por edhe në anën e gabuar të ligjit
Bevis Longstreth dhe Connor Chung
Këtë verë, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike e publikoi raportin e tij më të fundit dhe pjesa më e frikshme është ajo se sa jobefasuese ishte përmbajtja e tij. Shmangia e më së keqes, ka bërë të qartë raporti, është ende e mundur, por vetëm po qe se njerëzimi shkon drejt një ekonomie neutrale kundruall karbonit sa më parë që është e mundur. “Ky raport”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, “duhet të jetë kambanë e vdekjes për qymyrin dhe karburantet fosile, para se ato ta shkatërrojnë planetin tonë”.
Dhe, megjithëkëtë, ndonëse planeti po digjet, financat institucionale po u fryjnë flakëve. Shumë prej aktorëve më të fuqishëm financiarë vazhdojnë të investojnë në industri të karburanteve fosile, ani pse veprimet e tyre në mënyrë të parashikueshme po shpijnë drejt përçarjes masive ekonomike, katastrofës ekologjike dhe padrejtësive shoqërore. Deri më tani, ia kanë dalë që të shpëtojnë disi prej kësaj. Por një trend i ri ligjor po i detyron investitorët institucionalë që t’i dekarbonizojnë portofolat e tyre – apo që të mbahen ligjërisht përgjegjës.
Universiteti i Harvardit është rasti konkret në këtë aspekt. Për një dekadë rresht, drejtuesit e Harvardit i kanë injoruar thirrjet e studentëve, fakulteteve dhe të diplomuarve për ta hequr fondin 53 miliardë dollarësh të Universitetit për financimin e industrisë së karburanteve fosile. Mirëpo, duke e pranuar realitetin shkencor e financiar, në shtator Harvardi më në fund u zotua se do të distancohet nga kompanitë, modelet e biznesit të të cilave, duke u mbështetur në nxjerrjen e qëndrueshme të karbonit, janë në mospërputhshmëri me një të ardhme të jetueshme. “Duke pasur parasysh nevojën për dekarbonizimin e ekonomisë dhe përgjegjësinë tonë për të marrë vendime të investimit afatgjatë që e mbështesin misionin tonë të mësimdhënies dhe hulumtimit”, ka shkruar kryetari i Universitetit, Larry Bacow, “nuk mendojmë se të tilla investime janë të matura”.
Maturia, në statutin që i rregullon fondet e Harvardit dhe shumë fonde të tjera institucionale, është një koncept themelor ligjor që i përcakton përkujdesjen, aftësinë dhe kujdesin me të cilët duhet të administrohen investimet e një fondi. Maturia udhëzon se si një fond duhet të menaxhohet ashtu që t’u shërbejë interesave të përfituesve të tij, dhe ekzistojnë penallti të caktuara për çdo shkelje. Deklarata e Harvardit e pranon pamundësinë e përmbushjes së një detyre të këtillë përderisa investohet në karburante fosile.
Ka goxha arsye pse i këtillë mund të jetë rasti konkret. Si fillim, kompanitë e karburanteve fosile përballen me pasigurinë ekzistenciale. Një dallgë e ndryshimeve të tregut, rregullimeve dhe çështjeve gjyqësore paraqesin rreziqe thelbësore për interesat e industrisë, përderisa shumë prej aseteve të karbonit prej të cilave derivohet vlera e tij do të bëhen të padjegshme dhe të bllokuara për t’i përmbushur synimet ndërkombëtare të klimës. Përveç kësaj, ideja e të kërkuarit që të përfitohet nga bizneset, varësia e të cilave nga emetimet e dyoksidit të karbonit i shërben përshpejtimit të ndryshimeve klimatike, është e pështirë për sa u përket synimeve publike dhe obligimit shoqëror që investitorët e përgjegjshëm pretendojnë se u përmbahen, dhe që do të ishin arsye më se e mjaftueshme për të kërkuar dekarbonizim të gjerë.
Me fjalë të tjera, modeli afarist i industrisë së karburanteve fosile tani është aq në shpërputhje me realitetin financiar dhe atë shkencor saqë vënia bast në këto kompani (ose, më gjerësisht, në ato lloje të bizneseve që materialisht varen nga emetimet e CO2-shit) nuk është vetëm e devijuar. Është pakujdesisht e gabuar në aspektin ligjor. Për më tepër, koncepti i maturisë përdoret në një formë të ngjashme për çdo subjekt investues që i nënshtrohet standardit të mirëbesimit, duhet u zbatuar kësisoj në çdo fond akademik, bamirësie, si dhe në atë privat dhe publik të pensioneve. Kjo do të thotë se trilionë dollarë do të ndikohen nga precedenti i fundit i investimeve të Harvardit.
Në fakt, vendimi i Harvardit veçse po i jep efektet e para zinxhirore. Pak javë që pas deklarimit, një sërë investitorësh të tjerë me ndikim - duke filluar prej investimeve të Universitetit të Bostonit, Universitetit të Minnesotas e të Fondacionit MacArthur krejt deri te fondi publik i pensioneve në Holandë (më i madhi në Evropë) – kanë vepruar po kështu për t’i bashkërenduar paratë e tyre me kërkesat për maturi dhe veprime klimatike.
Duke e bërë një gjë të tillë, ata u bashkohen investitorëve me vlera prej mbi 39 trilionë dollarësh – shumica e të cilëve sugjerojnë dëshmitë nga tregjet, veçse po korrin përfitime financiare nga derdhja e stoqeve të karburanteve fosile.
Duke e bazuar vendimin e Harvardit në maturi, Bacow mund të ketë synuar fare lehtë që të gjenerojë një impakt gjithëpërfshirës që shkëputja e Universitetit nga karburantet fosile parashikueshëm do ta arrinte. Apo mbase ishte kjo një lëvizje mbrojtëse në kohë të duhur.
Kur Bacowi e publikoi vendimin, prokuroria e përgjithshme në Massachusetts ishte duke peshuar nëse duhet të veprojë lidhur me ankesën ligjore të adresuar nga studentët dhe anëtarët e tjerë të komunitetit të Harvardit, bashkë me Projektin jofitimprurës të Mbrojtjes së Klimës, duke vlerësuar se investimet e universitetit në karburante fosile paraqesin shkelje të obligimeve të saja bamirëse.
Pa marrë parasysh se cila është arsyeja, Harvardi i ka dhënë zë një doktrine që, në përshtatshmëri me krizën klimatike, duhet të shpërndahet me shpejtësi përreth botës dhe të shtyjë përpara vendimet e ngjashme rreth dekarbonizimit gjetkë. U deshtë një dekadë përpjekje për të vënë Harvardin deri në këtë pikë. Por tani që ai më në fund po merr hapa drejt jetësimit të reputacionit të tij global si lider, investitorët e tjerë institucionalë duhet patjetër të marrin parasysh të njëjtën gjë. Në një epokë të krizës klimatike, mandati i këtyre aktorëve është që të ngrihen për të ardhmen, ose ndryshe do të rrezikojnë që të përfundojnë jo vetëm në anën e gabuar të historisë, por edhe në anën e gabuar të ligjit.
(Bevis Longstreth, ish-anëtar i Komisionit amerikan për Shkëmbim dhe Sigurime (1981-84), është ish-partner në “Debevoise & Plimpton” dhe ishte ligjërues i së drejtës financiare në Shkollën e së Drejtës në Columbia. Connor Chung është anëtar i fushatës së Harvardit për heqjen dorë prej investimeve që vijnë nga industria e karburanteve fosile. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)