OpEd

Filozofia e qiradhënësit uzurpator

Këto më pak se dy javë që kanë mbetur para se Kuvendi të shpërndahet do të jenë vendimtare për fytyrën e re politike që do ta ketë Kosova, po qe se do ndryshime. E ndryshimet nuk mund të ndodhin as me filozofinë e qiradhënësit uzurpator; as me filozofinë e miteve e as me njerëz të vjetër. Nëse vërtet këto parti do të bashkoheshin për ta qitur krejt krahun e luftës në opozitë, do të duhej t'i tejkalonin sedrat personale, dhe që të dilnin me një ofertë ndryshe para votuesve: që qeveria e ardhshme të jetë teknike e jo politike, dhe ta ketë përkrahjen e mjaftueshme në Kuvend

Nëse dikush e ka dyshuar, fushata zgjedhore tashmë ka nisur.

Kjo pavarësisht faktit se Kryesia e Kuvendit vendosi që ta shtynte seancën ku Parlamenti do ta shpërndante veten deri më 22 gusht. Kush e di çfarë hesapesh kanë pasur në mend kur kanë caktuar këtë datë. Mbase kanë thënë “hajt të shkojmë në pushim e t'i shfrytëzojmë këto beneficione edhe ndonjë ditë, se nuk i dihet, mbase më nuk ua mbushim syrin shefave e nuk na fusin më në listë”.

Vakuum pa vakuum

Çështja e dorëheqjes së kryeministrit dhe rënies së Qeverisë ka mbetur e pasqaruar. Kryeministri iu drejtua Kushtetueses, kjo nuk ktheu përgjigje ende, po qe se ai, si i dorëhequr, ka të drejtë të shtrojë kërkesë për interpretimin e Kushtetutës, pas situatës së krijuar.

Në mungesë të interpretimit, Qeveria e rënë bashkë me kryeministrin e ministrat vazhdojnë të dalin në zyra, vazhdojnë të kryejnë punët e tyre, thuajse asgjë nuk ka ndodhur dhe gjithçka vazhdon ashtu siç ka qenë para disa javësh.

Vetë Haradinaj kishte deklaruar se nuk do ta lejonte vakuumin e pushtetit pas dorëheqjes së parevokueshme, porse juridikisht shtrohet pyetja nëse cilido vendim, i cilitdo ministër, apo edhe i Qeverisë e ka fuqinë ligjore për t'u zbatuar.

Por kur e mendon më hollë, në Kosovë pakkush mërzitet për ligjshmërinë a kushtetutshmërinë. Sa e sa gjëra kanë kaluar si të paligjshme e të pandëshkuara saqë as këto të fundit të këtij mandati nuk do të lënë ndonjë përshtypje. Nuk e besoj se mund të bëhet më keq se kaq. Edhe pse, duke e parë çfarë po ngjan me Kosovën këta 20 vjet, mbase duhet lënë hapësirë edhe për ndonjë befasi tjetër të pakëndshme.

Fytyra e vërtetë

Nuk u desh shumë kohë për të parë zbulimin e fytyrave të vërteta të atyre që e bënë koalicionin e fundit qeveritar.

Kur kishin vendosur të bëheshin bashkë partitë e “krahut të luftës” dhe kur e fituan mandatin për ta krijuar Qeverinë, atëbotë kisha shkruar se ky është kombinimi më i keq i mundshëm që na kishte rënë hise për ta udhëhequr këtë vend.

Ende besoj se kam pasur të drejtë në vlerësimin tim, ngase kjo do të ketë qenë qeverisja më e keqe që kemi pasur që nga çlirimi. Kjo për arsye se, sado e natyrshme që do të ishte bashkimi i komandantëve në krye të Qeverisë, aq i panatyrshëm ka qenë bashkimi i njerëzve të cilët i ka ushqyer antipatia për njëri-tjetrin. Akuzat që ishin dëgjuar para fushatës së shkuar përnjëherë u tretën në çastin kur vendosën të bashkoheshin, ngase ishin shumë të vetëdijshëm se secili për vete do të arrinte sukses të mangët dhe të pamjaftueshëm për t'u bërë me pushtet. E aq më shumë u tretën, kur u themeluan institucionet dhe nisën t'i drejtoheshin njëri-tjetrit me “i nderuar” - edhe pse nuk e kishin me sinqeritet.

Se sa të pasinqertë ishin u dëshmua menjëherë posa nisi fushata zgjedhore ende pa u shpallur. Tash përnjëherë secili nisi të veçohet nga tjetri duke u përpjekur që t'ia lërë kilen 'të nderuarit” të deridjeshëm për situatën e nderë në të cilën gjendet Kosova. Për vendimet e gabuara të Qeverisë në dy vjetët e fundit; për abuzimin me pushtetin e çkamos.

Sa skandaloze aq edhe zbuluese ishte deklarata e Veselit, i cili pak a shumë tha se si Mustafa ashtu edhe Haradinaj kishin qenë “kryeministra me qira”. Pra, qiramarrës të një prone që PDK-ja e pretendon të veten. Ashtu siç janë pretenduar të gjitha pronat pas luftës kur i vihej mbishkrimi “e nxant' UÇK”, duke mos qenë asgjë tjetër pos uzurpimit të të huajës.

Në formën më të qartë të mundshme, Veseli e shpalosi filozofinë e PDK-së që nga fundi i luftës: ajo që është e të gjithëve, në fakt është pronë e uzurpuar nga PDK-ja. Për më tepër, jo vetëm prona, por edhe vetë shteti, që trajtohet si mall që çdokush që e ka fuqinë e armëve dhe të kërcënimit mund ta merrte nën kontroll dhe të bënte me të çfarëdo që t'ia kishte ënda.

Kështu ka funksionuar PDK-ja, dhe kështu mëton të vazhdojë, me gjithë pallavrat që na i sheshin zyrtarët e saj për “Dekadën e re”.

Dekada e re, tabiatet e vjetra

Deklarata e dytë më e pabesueshme e Veselit është edhe kjo: “Ne e kemi një ëndërr, ta bëjmë Kosovën vend pa korrupsion dhe nepotizëm”.

Kjo është njësoj sikur me thënë tash kemi vendosur me e zbrazë administratën shtetërore prej krejt kushërinjve dhe militantëve që i kemi punësuar këta 20 vjet; t'i lirojmë krejt ndërmarrjet publike nga ata që shërbejnë për të siguruar fonde për partinë a për dikë të caktuar; apo do t'i largojmë krejt policët e korruptuar nga shërbimi dhe do t'i shkarkojmë krejt prokurorët dhe gjykatësit që na kanë shërbyer gjithë këta vjet.

Po asnjëri nga këta që u numëruan lart nuk kanë rënë prej qiellit, por i ka sjellë aty politika për motivet e saj meskine dhe për zhvatjen e parasë publike. A vërtet mendon ky njeri se dikush mund t'i besojë, kur të gjithë e dinë se partia e tij është përgjegjësja kryesore (krahas partive të tjera që kanë mbajtur pushtetin) pse e kemi gjendjen si e kemi plot nepotizëm e korrupsion.

Po ky vend është mësuar të shohë, të përjetojë e të dëgjojë gjithçka. Dhe këtë që e kemi dëgjuar në këto tri-katër ditë, është vetëm fillimi. Fati në fatkeqësi është se fushata mund të na qëllojë sërish e shkurtër, e do të kemi më pak raste për të na e mbushur kokën me rrena e tallje.

Kush me kë

Tri partitë që e bënë koalicionin e shkuar po deklarohen se do të garojnë të vetme në zgjedhje, e sinqerisht, unë s'po iu besoj. Për t'u bërë faktor vendimmarrjeje dhe krijimi të një qeverie jostabile, ku do të shpërfaqet sërish mentaliteti i qiradhënësit uzurpator, këto parti do të kenë nevojë për përkrahje nga partitë më të vogla. Kurse partitë më të vogla janë të interesuara për t'u kapur për një parti më të madhe, pra të mesme, për ta kaluar pragun se vetëm nuk do t'ia dalin.

Kështu, po dëgjohen tash propozime të ndryshme dhe kombinime turlifare. PSD-ja kërkon bashkimin e partive të majta: pra vetveten me NISMËN dhe VV-në, nga e cila u nda. Nga ana tjetër, pavarësisht deklaratave, nuk e di sa e majtë është PSD-ja, se për NISMËN po e di që nuk është, ngase është derivat i PDK-së, që prej të majtës brenda natës kaloi në të djathtën dhe mund të kthehet në të shmajtën kurdo që të dojë - ngase në këto parti nuk ka ideologji. Ka pushtet komandantësh.

Indikative është deklarata e Mustafës që dy herë radhazi, pas zgjedhjes së sërishme për kryetar të LDK-së me aklamacion, deklaron se “opozita e deritanishme duhet ta marrë pushtetin”. Me këtë deklaratë, në një formë po e amniston VV-në, e cila e kishte shpallur edhe argat të Serbisë e edhe njeri të paaftë. Mustafa i kishte akuzuar se VV-ja ia kishte sulmuar shtëpinë me molotovë përderisa ky ua kishte lëshuar forcat policore për t'i shpërndarë “me bisht nën shalë”, siç ishte shprehur kolegu i tij i atëhershëm i koalicionit, Thaçi. Pra, nëse vlen ajo e moçmja “kush përlahet, në fund dashurohet”, me gjasë do të mund ta kemi një kësi lloj koalicioni parazgjedhor.

Porse për t'u arritur ky koalicion, shumë shtiza do të duhej të thyheshin. Përderisa VV-ja e ka të qartë se do t'i hynte kësaj matematike me Albin Kurtin kandidat për kryeministër, kjo punë te LDK-ja nuk është lehtë e pranueshme. Një, për shkak se LDK-ja, pavarësisht humbjeve elektorale, vazhdon ta konsiderojë veten partinë më të madhe, për pasojë do të duhej ta jepte edhe kandidatin për kryeministër, të cilin e dimë me siguri se nuk do të jetë Isa Mustafa. Dy, për shkak se rryma pro-PDK në LDK është aq e fuqishme, sa nuk do të lërë që kjo punë të kalojë kështu dhe kaq lehtë. Dhe tre, për shkak se aspiratat e brezit të përjetshëm të LDK-së janë që të bëhen me pushtet për të mos e sjellë asnjë ndryshim në këtë vend. Se po ai brez është po aq përgjegjës për kaosin që e jetojmë sa edhe PDK-ja.

Këto më pak se dy javë që kanë mbetur para se Kuvendi të shpërndahet do të jenë vendimtare për fytyrën e re politike që do ta ketë Kosova, po qe se do ndryshime. E ndryshimet nuk mund të ndodhin as me filozofinë e qiradhënësit uzurpator; as me filozofinë e miteve, e as me njerëz të vjetër. Nëse vërtet këto parti do të bashkoheshin për ta qitur krejt krahun e luftës në opozitë, do të duhej t'i tejkalonin sedrat personale, dhe që të dilnin me një ofertë ndryshe para votuesve: që qeveria e ardhshme të jetë teknike e jo politike, dhe ta ketë përkrahjen e mjaftueshme në Kuvend.

* * *

Gjitha këto matematika e kanë edhe një parakusht për t'u përmbushur: e ky është që diplomatët e akredituar në Kosovë të insistojnë që këtu të ndodhin ndryshime kualitative. Vitet kur të huajt i përkrahnin figurat që më së shumti dëm i kanë shkaktuar këtij vendi, në emër të stabilitetit politik, do të duhej të kenë përfunduar.

Dhe jo, nuk është punë të gjendet dikush servil që do të marrë urdhra nga të huajt për çfarëdo çështjeje. Është puna që të huajt mos t'i mbyllin sytë para krimit, korrupsionit dhe rrënimit të Kosovës e as para vjedhjes industriale të votave që mund t'i mbajnë në pushtet këta që nuk e kanë vendin aty.

Mbase edhe të huajt, sikurse edhe ne, janë ngopur më në fund me gjepurat e qiraxhinjve uzurpatorë.

[email protected]