Në konkluzion - i gjithë ky episod i shkuarjes së Vuçiqit në Moskë rikonfirmoi se për BE-në, Serbia ngelet akter kyç në rajonin tonë. Për shkak të rëndësisë politike, ushtarake dhe ekonomike asaj i tolerohen gjërat që nuk u tolerohen të tjerëve. Madje edhe të festojë Ditën e Evropës në Moskë
Pak ditë para udhëtimit të Vuçiqit në Moskë, titulli në një nga mediat prestigjioze ndërkombëtare nuk do të mund të ishte më alarmant: “BE-ja do të sanksionojë Serbinë nëse presidenti i bashkohet Putinit në Paradën e Fitores”. Pritja ishte me gjasë që, pasi që Serbia tani e një kohë ka refuzuar të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së, vizita në Moskë do të ishte pika e fundit që mbush kupën e durimit të BE-së.
Por pavarësisht kësaj, Vuçiqi shkoi për të festuar Ditën e Evropës në Moskë. Atje shkëmbeu lëvdata me Putinin, dekoroi patriarkun rus Kiril dhe i ofroi mesazh rezistence BE-së, duke shtrënguar duart me kryeministrin sllovak, Robert Fico, me porosinë se “Serbia dhe Sllovakia do të fitojnë”. Se pse në Ditën e Evropës dy evropianët festojnë fitoren ndaj Evropës ngeli enigmë, por kjo nuk ndali mediat proqeveritare në Beograd të ndezin flakë kryetituj sikur “Presidenti me mesazh të ashpër nga Moska” dhe “Serbia çdoherë në anën e drejtë të historisë”. Mesazhi i pathënë ishte që Vuçiqi ia tregoi vendin BE-së dhe se ajo është në anën e gabuar të historisë. Në një sens e gjithë vizita e Vuçiqit në Moskë në Ditën e Evropës ishte simbolik, që kapi shumë bukur të gjithë kontradiktën e rrugës evropiane të Serbisë.
Dhe për të siguruar se BE-ja kuptoi këtë mesazh qartë, Vuçiqi nuk nguroi që t’ia përsëritë atë personalisht edhe presidentit të Këshillit të BE-së, z. Antonio Costa. Kur u pyet në konferencë për media për refuzimin e thirrjes së BE-së qe të mos shkojë në Moskë, Vuçiqi nën qeshje tha: “Puna ime nuk është të dëgjoj askënd. Unë jam president i Serbisë. Puna ime është t’i shërbej popullit të Serbisë dhe jo të dëgjoj apo t’i shërbej kujtdo”. Nga ana tjetër, presidenti i Këshillit të BE-së, z. Costa, relativizoi vizitën e Vuçiqit në Moskë duke thënë se “është mirë të bisedojmë edhe kur nuk pajtohemi” dhe se mbetet i kënaqur që dëgjoi se “integrimi evropian ngelet prioritet kyç i Serbisë”. Dhe me kaq kjo temë u mbyll.
Pra në fund, Vuçiqi përsëri pati të drejtë. Ai shkoi në Moskë dhe për këtë nuk barti asnjë pasojë. Vuçiqi është gjithçka në këtë botë, por nuk është budalla. Vuçiqi ka kalkuluar mjaft saktë se BE-ja do të jetë e paaftë të marrë çfarëdo mase serioze ndaj Serbisë. Maksimumi është disa deklarata protokollare që kritikojnë shkuarjen e tij, por asgjë më shumë se kaq. Kjo është për disa arsye. E para, vetë BE-ja nuk ishte e unifikuar rreth asaj që Moska e quan “Parada e Fitores”. Përderisa Vuçiqi ka në tryezën e BE-së njerëzit sikur Orban dhe Fico, ai nuk ka asnjë arsye të brengoset për reagimin e BE-së. Së dyti, Vuçiqi kupton se BE-ja është joserioze ndaj anëtarësimit të Serbisë në BE. Rrjedhimisht, ai kupton që në këtë moment nuk ka çfarë realisht të humbasë nga shkuarja në Moskë. Deklaratat sikur ato të Kaja Kallas dhe zëdhënësve të Komisionit Evropian ishin indikacion që BE-ja nuk është serioze në kërcënimet e saj. Thënë ndryshe, në kalkulusin e Vuçiqit përderisa nuk telefonohet nga Macron apo Merz, ai nuk ka çfarë të brengoset për deklaratat e Kajes Kallas. Së treti, edhe në një skenar ku BE-ja do të vendoste ndonjë masë ndaj Serbisë, Vuçiqi kuptoi saktë se kostoja më e madhe politike do të ishte mosshkuarja në Moskë sesa disa masa burokratike të BE-së. Populli serb ende ruan një simpati mistike për aleancën e Serbisë me Rusinë, dhe Vuçiqi është mjaft i kujdesshëm që të ruajë këtë sentiment serb. Thënë ndryshe, në mes simpatisë së popullit serb dhe deklaratave të Kaja Kallas, zgjedhja e Vuçiqit është e thjeshtë.
Në konkluzion, i gjithë ky episod i shkuarjes së Vuçiqit në Moskë rikonfirmoi se për BE-në, Serbia ngelet aktor kyç në rajonin tonë. Për shkak të rëndësisë politike, ushtarake dhe ekonomike asaj i tolerohen gjërat që nuk u tolerohen të tjerëve. Këtë e kupton edhe Vuçiqi. Dhe kështu të dyja palët, BE-ja dhe Vuçiqi, kanë ngritur një bashkëpunim ku në shkëmbim të afrimit të ngadaltë të Serbisë drejt BE-së, Vuçiqit do t’i tolerohen disa gjëra. Por ky modus operandi ngadalë është duke testuar limitet e tij. Në disa vitet e ardhshme BE-ja ose duhet të pranojë Serbinë në BE, ose regjimi i Vuçiqit do të bëhet më represiv. Kjo është çfarë kemi parë në disa vite të fundit. Për katër vjet të fundit procesi integrues i Serbisë është praktikisht i bllokuar dhe si pasojë ne kemi parë një Serbi çdoherë më represive. Thënë ndryshe, BE-ja dhe Vuçiqi mund të tolerojnë njëri-tjetrin, por qytetarët serbë nuk do të tolerojnë këtë status quo. Kësisoj, në fund fare gjasat janë që regjimi i Vuçiqit nuk do të kërcënohet nga “fuqitë e mëdha” dhe zhvillimet gjeopolitike, por “fuqitë e vogla” dhe zhvillimet e brendshme serbe. Pyetja që do të ngelet pastaj është si do të pozicionohet BE-ja ndaj këtij realitetit të ri. Këtë nuk e dimë, por dimë se kursit të tanishëm evropian ndaj Serbisë po i vjen fundi.