Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Fëmijët të jenë të parët për të cilët bëhen investime dhe të fundit për shkurtime buxhetore

(Autorja është shefe e UNICEF-it në Kosovë. Ky vështrim është shkruar enkas për KOHËN me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve)

Duke pasur parasysh krizën ekonomike globale, rritjen e konflikteve rajonale dhe përkeqësimin e emergjencës klimatike, është tejet urgjente të zbatohet një qasje që i vendos fëmijët në rend të parë. Gjersa punojmë së bashku me qeveritë, partnerët zhvillimorë, shoqërinë civile dhe sektorin privat për ta trasuar rrugën tonë të përbashkët në kohëra të pasigurta, ne duhet t'i kemi fëmijët të parët në radhë për investime dhe të fundit në radhë për shkurtime buxhetore. E ardhmja jonë do të vendoset nga prioritetet që i caktojmë në të tashmen

Si në shumë vende në botë, edhe fëmijët në Kosovë nuk janë kursyer nga ndikimi indirekt i luftës në Ukrainë. Varfëria tashmë është një realitet i ashpër për shumë familje në Kosovë. Edhe para krizës rajonale, rreth 23 për qind të fëmijëve jetonin në varfëri, duke përfshirë më shumë se 7 për qind në varfëri të skajshme. Ne jemi të vetëdijshëm se rritjet e ndjeshme të çmimit të ushqimeve dhe energjisë elektrike po ndikojnë negativisht më së shumti te këto familje.

Në të njëjtën kohë, fëmijët në mbarë botën janë ende duke u përballur me efektet e vazhdueshme të pandemisë COVID-19, gjë që po e kthen prapa progresin e bërë përgjatë dekadave në qasjen në shërbimet shëndetësore, edukative dhe në ushqyeshmëri, si dhe po kërcënon mirëqenien e shëndetit mendor të fëmijëve dhe prindërve. Humbjet globale të mësimnxënies për shkak të pandemisë kanë qenë tronditëse, me ç’rast mbyllja e shkollave ka bërë që deri në 70 për qind të 10-vjeçarëve në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të mos jenë në gjendje të lexojnë ose kuptojnë një tekst të thjeshtë, duke e rritur këtë shkallë nga 53 për qind, sa ishte para pandemisë. Pandemia ka rritur gjithashtu edhe varfërinë e fëmijëve dhe ka shtuar pabarazitë. 100 milionë fëmijë të tjerë vlerësohet se tani jetojnë në varfëri shumëdimensionale për shkak të pandemisë, gjë që paraqet një rritje prej 10 për qind nga viti 2019. Hulumtimi i UNICEF-it paralajmëron se edhe në skenarin më të mirë, do të duhen shtatë deri në tetë vjet për rimëkëmbje dhe kthim në nivele të varfërisë, sikur para pandemisë COVID-19.

Në këto rrethana, UNICEF-i i vlerëson përpjekjet e institucioneve të Kosovës në reformimin e politikave për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Këto reforma janë shoqëruar me rritjen e investimeve për fëmijët, familjet dhe të rinjtë, duke përfshirë pagesën e shtesave për fëmijë dhe pagesën e lehonisë për gratë e papuna, si pjesë e pakos së rimëkëmbjes ndaj pandemisë COVID-19; ndarja e 20 milionë eurove për ta promovuar zhvillimin e aftësive dhe punësimin për të rinjtë; financimi i 300 mësuesve asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe miratimin e financimit shtesë për programin e vizitave në shtëpi të Ministrisë së Shëndetësisë për foshnjat dhe prindërit.

Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që t’i vazhdojnë e madje edhe t'i rrisin këto investime për fëmijë. U kërkojmë atyre të sigurojnë që politikat në zhvillim e sipër ndaj sfidave makroekonomike t’i mbrojnë shërbimet sociale, fëmijët dhe familjet më të varfra. Veçanërisht, ne bëjmë thirrje që ta përshpejtojnë reformimin e Skemës së Ndihmës Sociale për ta përmirësuar ndikimin e këtyre pagesave në uljen e varfërisë, e sidomos për familjet me një numër më të madh fëmijësh. Në kohë të pasigurisë ekonomike, shpërndarja e transfereve në të holla dhe gjithëpërfshirja për sa u përket përfitimeve të fëmijëve janë investime thelbësore që mund t'i nxjerrin familjet nga problemet ekonomike dhe t'i ndihmojnë ato të përgatiten për krizat e ardhshme.

Ne e inkurajojmë Kuvendin ta miratojë projektligjin për Edukimin në Fëmijëri të Hershme, i cili duhet të përfshijë njohjen e qendrave të zhvillimit të fëmijërisë së hershme me bazë në komunitet si një nga ofruesit kryesorë të shërbimeve. Ky ligj vë themelin e politikave dhe rregulloreve për një zgjerim të shpejtë të edukimit në fëmijëri të hershme, që aktualisht përfshin vetëm 15 për qind të fëmijëve të moshës 3 deri në 4 vjeç në Kosovë. Rritja gjithëpërfshirëse e këtyre shërbimeve është qenësore për të përmirësuar gatishmërinë për shkollë dhe për të siguruar që fëmijët e vegjël më të cenueshëm të kenë një fillim të mbarë në jetë.

Edhe Kurti: Fëmijët janë qytetarët më të cenueshëm në Kosovë Arbëri Kurti: Fëmijët janë qytetarët më të cenueshëm në Kosovë

Kërkojmë nga autoritetet që ta përshpejtojnë zbatimin e Ligjit të vitit 2020 për Mbrojtjen e Fëmijëve, duke përfshirë miratimin e udhëzimeve administrative, të cilat do t’i krijojnë mekanizmat dhe burimet e nevojshme për t’i mbrojtur fëmijët nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, shfrytëzimit dhe neglizhencës.

Në fund, i bëjmë thirrje Kuvendit që ta miratojë projektligjin për Financat e Pushtetit Lokal, i cili parashikon krijimin e një Granti Specifik për Shërbime Sociale. Ky financim për shërbimet sociale në nivel komunal është thelbësor për t’i mbrojtur fëmijët më të cenueshëm, duke u siguruar kështu që punëtorët socialë të mund të ofrojnë shërbime të vazhdueshme dhe cilësore për familjet në nevojë.

Duke pasur parasysh krizën ekonomike globale, rritjen e konflikteve rajonale dhe përkeqësimin e emergjencës klimatike, është tejet urgjente të zbatohet një qasje që i vendos fëmijët në rend të parë. Gjersa punojmë së bashku me qeveritë, partnerët zhvillimorë, shoqërinë civile dhe sektorin privat për ta trasuar rrugën tonë të përbashkët në kohëra të pasigurta, ne duhet t'i kemi fëmijët të parët në radhë për investime dhe të fundit në radhë për shkurtime buxhetore. E ardhmja jonë do të vendoset nga prioritetet që i caktojmë në të tashmen.