OpEd

Fati i të pagjeturve nuk lejon të harrohet e kaluara

Javën që shkoi, Vukovari në Kroaci shënoi 30-vjetorin e okupimit nga forcat serbe. Krimet që u bënë atëherë janë rasti më i madh i krimeve të luftës në Ballkan pas Srebrenicës. Por, edhe 30 vjet nga kjo ngjarje, janë me mijëra familje që akoma kërkojnë zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre. Përderisa të jetë kështu, lufta dhe pasojat e saj nuk janë diçka që i takojnë së kaluarës. Shembulli i Vukovarit dëshmon edhe mungesën e vullnetit të sinqertë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Lufta në Kroaci praktikisht kishte përfunduar në gusht të vitit 1995, kur forcat ushtarake të këtij shteti kishin çliruar rajonin e Krajinës, të cilin e mbanin nën kontroll forcat serbe. Lufta në Bosnjë-Hercegovinë kishte përfunduar disa muaj më vonë me arritjen e Marrëveshjes së Daytonit. Lufta në Kosovë kishte përfunduar më 11 qershor të vitit 1999. Ishin këto tri konflikte të mëdha, më të mëdhatë në territorin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Pos që lanë prapa tokë të djegur, dhjetëra e mijëra të vrarë, miliona njerëz të zhvendosur, këto konflikte lanë edhe kujtesa individuale dhe kolektive, të cilat është vështirë të tejkalohen. Sidomos jo nëse ka aq shumë dallime në kuptimin e së vërtetës për këto luftëra.

Nga Evropa, sidomos nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, tash e sa vite dëgjohet thirrja se “duhet shikuar nga e ardhmja e jo nga e kaluara”. Dhe shpesh përmenden krahasimet se si janë pajtuar Franca dhe Gjermania, si i ka bashkuar interesi i përbashkët, krijimi i asaj që sot është Bashkimi Evropian. Dhe si shembull këtë do të duhej ndjekur popujt e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kur përmenden shembujt se si Gjermania u pajtua me Francën vetëm pasi u kërkua falje për krimet nga periudha naziste, thuhet se “edhe për këtë u desh kohë”.

Në aspektin e pajtimit, Ballkani ka një problem serioz. Ai është tentimi i pajtimit në bazë të harresës, ose në bazë të “pajtimit se nuk mund të pajtohemi rreth së kaluarës”. Nuk është e mundur të ketë pajtim për të ardhmen pa pajtimin rreth së kaluarës. Së paku rreth fakteve të pakontestuara nga e kaluara. E aktet janë se në të tri konfliktet, në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, krimet më të mëdha të luftës u bënë nga forcat që ishin nën kontroll të Beogradit. Ndonëse mund të ketë dëshmi se ka pasur krime edhe nga radhët e atyre që bënë luftë çlirimtare, përgjegjësia primare e Beogradit nuk mund të mohohet.

Serbia me qeverinë e sotme është duke udhëhequr në qasjen “nuk mund të pajtohemi rreth së kaluarës, por le të pajtohemi rreth së ardhmes”. Edhe qasja e tillë bëhet më shumë për shkak të bashkësisë ndërkombëtare, ku ka shumë injorantë të cilët nuk e dinë se çfarë ka ndodhur para 21, 25 apo 30 vjetësh. Apo nuk duan ta dinë. Por brenda në Serbi, të njëjtit merren shumë me të kaluarën, por në mënyrë selektive. Merren me të kaluarën e para 300 vjetëve, 70 vjetëve apo si u konvenon. Ndërsa edhe për të kaluarën e afërt e kanë interpretimin e tyre për opinionin e brendshëm. E në atë interpretim është se “Vukovari u çlirua më 19 nëntor 1991”, se “Në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid” në verën e vitit 1995, “Masakra e Reçakut në janar të vitit 1999 ka qenë një gënjeshtër”, se Ratko Mladiqi ka qenë një hero dhe policia e ruan muralin e tij në Beograd.

Kuptohet se autoritetet në pushtet sot në Serbi pos për një të ardhme më të mirë luftojnë edhe për një të kaluar më të mirë. Ka një arsye edhe personale, edhe kolektive për këtë. Personale, sepse njerëzit kryesorë që janë sot në pushtet ishin bashkëpunëtorë aktivë të regjimit të Slobodan Milosheviqit, i cili ishte përgjegjësi kryesor për luftërat dhe krimet e bëra në territorin e ish-Jugosllavisë, nga Vukovari e Sarajeva deri në Srebrenicë e Drenicë. Me qasje të tillë nuk është lehtë të harrohet e kaluara edhe pse kanë kaluar aq shumë kohë. Nëse e krahasojmë me Gjermaninë e Francën, me përfundimin e luftërave të fundit, atëherë Kroacia është në vitin 1971, Bosnjë-Hercegovina po ashtu, e Kosova në vitin 1967. Në këtë kohë, Gjermania ishte krejt ndryshe nga ajo e kohës së Hitlerit. Në të nuk kishte më murale të tij e as që dikush në skenën politike mohonte krimet si Holokausti. Gjermania ishte në vrullin e zhvillimit dhe bashkëpunimit të sinqertë me fqinjët, me të cilët pak a shumë u pajtua edhe rreth së kaluarës.

Një pasojë e rëndë nga konfliktet në ish-Jugosllavi ishin të zhdukurit, të pagjeturit për të cilët tash e shumë vite nuk dihet akoma fati. Familjet e tyre po kërkojnë të vërtetën. Disa nuk e ka humbur atë shpresën e fundit që mund të jetë dikush diku ende gjallë. Por shumë nuk kanë shpresa të tilla. Dëshirat e tyre modeste janë të gjejnë një copë asht që ta varrosin diku dhe të kenë një varr ku mund të vendosin lule. Janë akoma afro 10 mijë të pagjetur. Numri më i madh, mbi 6.000 nga konflikti në Bosnjë-Hercegovinë, afro 1.900 nga Kroacia dhe pak më shumë se 1.600 nga Kosova.

Javën që shkoi, Vukovari në Kroaci shënoi 30-vjetorin e okupimit nga forcat serbe. Krimet që u bënë atëherë janë rasti më i madh i krimeve të luftës në Ballkan pas Srebrenicës. Por, edhe 30 vjet nga kjo ngjarje, janë me mijëra familje që akoma kërkojnë zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre. Përderisa të jetë kështu, lufta dhe pasojat e saj nuk janë diçka që i takojnë së kaluarës. Shembulli i Vukovarit dëshmon edhe mungesën e vullnetit të sinqertë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Dihet se kush i mori civilët apo edhe robërit e luftës nga Spitali i Vukovarit. Dihet për shumë prej tyre se ku i dërguan në Serbi. Heshtja e atyre që dinë është pengesa më e madhe për të zbuluar fatin e të pagjeturve. E heshtja jo vetëm se stimulohet nga Qeveria në Serbi, por haptas edhe janë kërcënuar ata të cilët kanë folur apo duan të flasin. Rasti më skandaloz ka qenë kërcënimi i kryetarit të tashëm të Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, vetë një prej personave aktivë në regjimin e Milosheviqit. Ai në një emision televiziv kishte kërcënuar, duke thënë se “çfarë të bëjmë ne me ata serbë që u thonë shqiptarëve dhe kroatëve marrëzira, u tregojnë se ku janë varrezat e shqiptarëve në Serbi!”. Nuk duhet ta dish tepër mirë gjuhën serbe për ta kuptuar se ky ishte një kërcënim i qartë. Dhe ndaj kësaj, pos disa reagimeve të buta në rajon, nuk pati reagime fare në Serbi, e reagimet në BE ishin të përgjithësuara në stilin “ftojmë liderët në tërë rajonin që të përmbahen nga deklaratat që shkojnë kundër pajtimit”.

Për fat të keq, shembulli i Vukovarit dëshmon se sa më shumë kohë kalon e nuk zbulohet fati i të pagjeturve, aq më vështirë edhe bëhet. Prandaj, zbulimi i fatit të tyre duhet të jetë prioritet mbi prioritetet.