Kosovarët janë shumë falënderues ndaj BE-së për gjithë ndihmën që BE-ja ua ka dhënë dhe po ua jep. Nuk ka popull në Ballkan që është më falënderues dhe që e do më shumë BE-në sesa Kosova. Por, nga aspekti politik, është më se e vërtetë se BE-ja diskriminon Kosovën, nuk e njeh si shtet, e ka futur në kurth të një dialogu që i ka bërë dëme Kosovës dhe vetëm qytetarët e saj i mban pa mundësi udhëtimi. Këto gjëra duhen dalluar si fakte e s’duhen përzier ashtu që shifrat për ndihma financiare të merren si argumente për t’i kundërshtuar faktet për diskriminimin e Kosovës dhe kosovarëve
Dikush duhet ta ketë keqinformuar përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, se në Kosovë “po dëgjoj të thonë se BE-ja nuk po bën shumë për Kosovën”. Për më shumë se 20 vjet shkruaj për raportet mes BE-së dhe Kosovës dhe asnjëherë – nga askush relevant e besa edhe jorelevant – në Kosovë nuk kam dëgjuar të thotë se “BE-ja nuk po e ndihmon Kosovën.” Por, shefi i diplomacisë së përbashkët të BE-së, që nuk është as “diplomaci” e as “e përbashkët” në rastin e Kosovës, në një konferencë për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha pikërisht këtë: “Se po dëgjoj të thonë se BE-ja nuk bën shumë për Kosovën”. Pastaj përmendi shumë fakte që dëshmojnë se sa shumë Bashkimi Evropian e ka ndihmuar Kosovën. Përmendi mbi 1.3 miliardë euro që BE-ja ka dhënë për Kosovën prej vitit 2007 deri më sot. Vërtet ka dhënë për Serbinë dy herë më shumë në të njëjtën kohë, pra rreth 3 miliardë euro, por kjo nuk e bën ndihmën ndaj Kosovës më të vogël.
Në vigjilje të Ditës së Evropës, që për habi festohet si ditë zyrtare vetëm në Kosovë, kolegu Rexhep Maloku bëri një reportazh të jashtëzakonshëm, i cili ilustron dashurinë, besimin, synimin dhe orientimin e kosovarëve kah BE-ja. Madje, në Kosovë duket se është bërë edhe obsesion orientimi pro BE-së (qëllimisht nuk po e përmendim termin “pro evropian”, sepse Kosova është Evropë, jashtë apo brenda BE-së). Kolegu konstatoi se në rrugën Prishtinë-Ferizaj në pothuajse çdo 2 kilometra sheh ndonjë ndërmarrje apo mbishkrim me emërtimin “Euro”. Janë kryesisht ndërmarrje, por ka edhe të rinj që e kanë emrin e lidhur me Evropën, si “Eurolind”. Edhe rezultatet e anketave dëshmojnë se asnjë popull, jo vetëm në rajon por edhe në Evropë, nuk ka besim në BE-në dhe nuk aspiron anëtarësimin më shumë sesa kosovarët.
Kosova pa BE-në sot nuk do të mund të jetonte. Ndihma e BE-së, por edhe e shteteve anëtare në mënyrë individuale, është jetike për Kosovën. Po e shohim tash në kohën e pandemisë, kur Kosova akoma nuk e ka siguruar vetë as një dozë të vetme vaksine – këto vaksina po vijnë vetëm si donacione nga BE-ja. Së pari përmes Covax-it, të paguara nga BE-ja, pastaj si donacion i BE-së nëpërmes Austrisë. Edhe Kroacia ishte e para që në mënyrë individuale deklaroi se do t’i dhurojë 10.000 doza. Asistenca financiare, por edhe ndihma e BE-së në reforma, janë kyçe për Kosovën. Këtyre u duhen shtuar edhe ndihma e Gjermanisë, e Austrisë, e Suedisë dhe vendeve të tjera.
Dhe – që është po ashtu fakt i rëndësishëm – Kosovës i vijnë mjete nga remitencat nga diaspora, që janë gjysma e buxhetit të saj. E ajo diasporë kryesisht është në BE. Këtu duhet përfshirë edhe Zvicra, e cila ndonëse nuk është formalisht pjesë e BE-së, praktikisht nga aspekti ekonomik dhe ai i lëvizjes është. Në Evropën Perëndimore sot jetojnë më shumë shqiptarë sesa në Kosovë. Ndonëse është e vështirë të merren shifra të sakta, sepse shumë shqiptarë tashmë kanë marrë shtetësi të vendeve ku jetojnë dhe punojnë, supozohet se së paku 600.000 shqiptarë jetojnë në Itali, 400.000 në Greqi, po aq në Gjermani, mbi 200.000 në Zvicër, diku rreth 50.000 në Belgjikë, Francë, Austri e Suedi. Nëse këtyre u shtohen edhe shqiptarët në Finlandë, Danimarkë, Holandë Kroaci, Slloveni e madje edhe në Luksemburgun e vogël, shifra kalon 2-milionëshin. Këta janë taksapagues evropianë. Dhe të tyre janë paratë që BE-ja i dërgon në Kosovë. Pra, do të ishte e vështirë të imagjinohej jeta e Kosovës pa BE-në.
Do të ishte e pasaktë dhe e pamoralshme që dikush ta vërë në dyshim se BE-ja e ka ndihmuar, po e ndihmon dhe se edhe në të ardhmen (besojmë) do ta ndihmojë Kosovën. Do të ishte po ashtu gjest jofalënderues nëse dikush nuk e njeh këtë si ndihmë. E shqiptarët janë vërtet popull falënderues. Prandaj, nuk ka njerëz as relevantë e as jorelevantë që thonë se BE-ja nuk e ka ndihmuar Kosovën.
Por, nga aspekti politik, është më se e vërtetë se BE-ja e diskriminon Kosovën, nuk e njeh si shtet, e ka futur në kurth të një dialogu që i ka bërë dëme Kosovës dhe vetëm qytetarët e Kosovës i mban pa mundësi udhëtimi. Këto gjëra duhen dalluar si fakte dhe s’duhen përzier ashtu që dhe që shifrat për ndihma financiare të merren si argumente për t’i kundërshtuar faktet për diskriminimin e Kosovës dhe kosovarëve.
Për të gjitha dëmet dhe padrejtësitë që ia ka bërë BE-ja Kosovës në krahasim me vendet e tjera të rajonit, do ta kritikojmë pa asnjë ngurrim sepse edhe ato janë fakte. E drejta për të kritikuar është një prej vlerave të BE-së dhe një prej shumë arsyeve pse synojmë integrimin në BE po ashtu. Por, për gjithë ndihmën që BE-ja ia ka dhënë Kosovës, në Ditën e Evropës duhet thënë një “faleminderit” të madh për BE-në. Populli i Kosovës kurrë nuk e harron këtë gjë dhe prore do të jetë falënderues.
© KOHA Ditore