Gjatë kësaj fundjave isha viktimë e abuzimit verbal online të dhjetëra militantëve e simpatizantëve të LVV-së. Arsyeja për këtë ishte një status në Facebook, përmes të cilit i shpreha pikëpamjet e mia lidhur me integrimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor serb brenda kornizës institucionale të Kosovës, si dhe me çështjen e nisjes së procesit të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky status, të cilin e publikova të premten në mbrëmje, tërhoqi vëmendje të madhe publike, me mbi pesëdhjetë mijë (50.000) lexime të drejtpërdrejta dhe me transmetimin e tij në lajmet qendrore të KTV-së
Statusi në fjalë nuk kishte asgjë kontradiktore. Përkundrazi, ai e bënte një vlerësim pozitiv të iniciativës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për shkrirjen e sistemit arsimor e shëndetësor të Serbisë që funksionon brenda territorit të Kosovës, në kornizën institucionale të Kosovës. Aty thashë se kjo iniciativë është në përputhje me qëllimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit të vitit 2023, për njohjen de fakto të Kosovës nga Serbia dhe se serbët nuk do të humbnin asgjë nga kjo. Përkundrazi, ata do të kenë mundësinë të jetësojnë autonominë e gjerë funksionale që ua garantojnë Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës. Më tutje, në këtë status vlerësova se tani që i ka fituar 51 për qind në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, z. Kurti duhet t’i lëvizë proceset përpara, në vend se të bëjë lojëra për qëllime elektorale, dhe se si gjest të vullnetit të mirë, ta dërgojë draftstatutin evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, për të shmangur postulatin e vetëmenaxhimit të komunitetit serb, të cilin e kishte nënshkruar në Ohër, në vitin 2023. Kjo, sipas këtij statusi në Facebook, ishte e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, që do t’ia siguronte Kosovës forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar pa e cenuar sovranitetin e brendshëm, sepse Gjykata Kushtetuese është siguresë e mjaftueshme për të ruajtur karakterin unitar të shtetit dhe do t’i hapte asaj rrugë për anëtarësim edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Pra, ky status bënte një vlerësim politik të favorshëm për iniciativën e zotit Kurti për shkrirjen e institucioneve serbe brenda kornizës institucionale të Kosovës, por bënte edhe konstatimin e faktit që ai në Ohër kishte nënshkruar diçka që shkonte përtej krijimit të Asociacionit, e që është parimi i vetëmenaxhimit, e që është eufemizëm për vetadministrim të komunitetit serb në Kosovë.
Nga kjo filloi një vërshimë e fyerjeve, sharjeve e shprehjeve dehumanizuese nga persona anonimë e joanonimë, në mënyrë individuale e të organizuar, e cila zgjati për tri ditë rresht. Për fat të mirë nuk pati kërcënime e sharje të atij niveli, siç i kishte përjetuar gazetari Lirim Mehmeti këto ditë nga një person, po ashtu simpatizant i LVV-së. Pasi që është e pamundur që në një kolumnë t’i bëhet një analizë këtij diskursi helmues që ka zënë rrënjë në kuadër të një pjese të popullatës në Kosovë dhe në diasporë, mendoj se ky diskurs helmues ka nevojë për studim më të thelluar psiko-social, për shkak se, konsideroj se e ka burimin në një eksperiment psiko-social të vetë Albin Kurtit, i cili edhe vetë, personalisht, ka përdorur shpeshherë fjalor fyes e dehumanizues ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Pra, nëse e vlerësojmë për nga aspekti politik, trashëgimia politike që e ka krijuar Kurti gjatë veprimtarisë së tij politike është helmimi me urrejtje, nga i cili rrjedhin polarizimi, fyerjet, kërcënimet me jetë, sharjet e dehumanizimi i atyre që nuk e mbështesin zotin Kurti në mënyrë të verbër. Linçimi publik i kundërshtarëve politikë dhe i atyre që jo domosdo janë kundërshtarë, por që mendojnë në mënyrë kritike për proceset politike, ka për qëllim krijimin e një njëmendësie totalitare, në të cilën askush nuk guxon ta shprehë mendimin e vet. Në mungesë të dispozitave ligjore që e përcaktojnë dhe e ndëshkojnë deliktin verbal (shprehjen e pavarur të mendimeve), dhe e gullagjeve e kampeve internuese për ata që mendojnë me kokë të vet, LVV-ja në krye me Albin Kurtin po përdor falangat online, për të intimiduar e për të frikësuar ata, mendimi i të cilëve nuk e tregojnë Kurtin si lider të pagabueshëm. Por kush janë liderët e pagabueshëm? Në historinë njerëzore, sidomos të shekullit XX, liderë të pagabueshëm kanë qenë dhe janë diktatorët në sistemet totalitare, siç janë sot Rusia e Bjellorusia. Këta diktatorë, për të qëndruar në pushtet, kanë nevojë për adhurim në mënyrë që të shndërrohen në kult, i cili e ka shëmbëlltyrën e zotit dhe çdo kritikë ndaj tij është asgjë me pak sesa një blasfemi. Pra, ky adhurim i kultit të personalitetit shkon aq larg, saqë arrin të bëhet njëfarëlloj adhurimi religjioz.
Për të arritur këtë pikë të pacenueshmërisë, këtyre liderëve u nevojiten pasues të verbër, të cilët i vërsulen secilit që guxon të mendojë me kokë të vet. Këta pasues, që në këtë shkrim i cilësova si falanga, bëjnë çmos për ta mbrojtur liderin e vet. Nëse nuk kanë mundësi të bëjnë eliminimin fizik të blasfemuesve të totemit të mishëruar në liderin, atëherë, përpiqen të bëjnë eliminimin emocional e intelektual, me qëllimin e vetëm që t’i heshtin një herë e përgjithmonë zërat e pavarur. Kjo për arsye se zërat e pavarur tregojnë se lideri, që synon të shndërrohet në simbol totemik nuk është i pagabueshëm. Këta zëra, që përfaqësojnë pluralizmin e shëndoshë të një shoqërie demokratike, janë antidot i monizmit politik, në të cilin, të gjithë, pa përjashtim mendojnë njëlloj dhe ku adhurimi për liderin shndërrohet në vlerë politike. Prandaj, çdo mendim ndryshe shndërrohet në antivlerë dhe për këtë arsye meriton ndëshkim, nëse është e pamundur ligjor, atëherë ndëshkim shoqëror. Ky ndëshkim shoqëror mund të manifestohet me vërsulje falangash, në formën e sharjeve, fyerjeve e dehumanizimit, si dhe me ndëshkim me subtil, siç është izolimi shoqëror e institucional.
Konsideroj se Kurti ka përgjegjësi personale politike për këtë gjuhë helmuese kundër zërave të pavarur që me angazhimin e tyre e pasurojnë pluralizmin shoqëror në Kosovë. Ai edhe vetë ka përdorur gjuhë dehumanizuese ndaj partive opozitare e personaliteteve të pavarura: “Ka kaluar koha e hajvanave dhe e hajvanatit!”, kishte thënë ai në një tubim partiak kur po festonte fitoren e tij pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Mirëpo, ai edhe më shpesh dhe në mënyrë më sistematike kishte sulmuar gazetarët dhe opinionistët, duke i devalvuar ata në pikëpamje politike, shoqërore e intelektuale. Kjo e shpjegon përse ai, prejse ka ardhur në pushtet në vitin 2021, nuk ka qenë shumë i preokupuar me kundërshtarët e tij politikë në opozitë, sepse pluralizmi politik në Kosovë është në krizë. Kjo krizë e pluralizmit politik është thelluar në zgjedhjet e 28 dhjetorit, pas të cilave partitë opozitare edhe për një kohë do të merren me vetveten, në vend se të merren me mënyrën se si po qeveris Kurti.
Prandaj edhe Kurti, edhe partia e tij, e besa edhe falangat online të LVV-së janë përqendruar në zëra individualë të pavarur, të cilët janë kritikë ndaj qeverisjes së liderit. Ky qëndrim kritik, përmes të cilit shpërfaqet korrupsioni, keqqeverisja e mungesa e strategjisë afatgjate shtetndërtuese, cenon besimin e mbjellë se lideri është i pagabueshëm. Prandaj, këta zëra të pavarur janë shndërruar në shënjestra të gjalla të qitjes së pjesëtarëve të falangës politike, që me zellin pothuajse religjioz, përmes sharjeve, fyerjeve, dehumanizimit e kërcënimeve atakojnë personalitete për t’i heshtur ata. Se këta militantë nuk veprojnë krejtësisht krye më vete, por bëhet fjalë për sulme të dirigjuara politikisht, e vërteton edhe një status i funksionarit të LVV-së, Artan Abrashi, i cili, pas një aktivizmi të deputetit më të ri të LDK-së, Paris Guri, në Kuvendin e Kosovës, që tërhoqi vëmendjen e shtuar publike, shkroi në Facebookun e tij se Guri është adresa. Me këtë status Abrashi po u drejtohej militantëve e falangave online për t’iu vërsulur Gurit.
Ku e çon Kosovën ky stil i politikëbërjes, në të cilin militantët përdoren për të atakuar në mënyrën më të vrazhdët të mundshme zërat e pavarur dhe kundërshtarët politikë? Qëllimi i kësaj politike është krijimi i një mendësie shoqërore, ku lideri konsiderohet i pagabueshëm dhe i paprekshëm. Përmes këtyre të dyjave arrihen edhe konsolidimi dhe jetëgjatësia e pushtetit të tij, i cili përmes instalimit të një totalitarizmi politik, sepse totalitarizmi nuk përjashton ekzistimin e më shumë se një partie politike, mëton krijimin e mendësisë kolektive në favor të liderit. Kjo shpjegohet me faktin se esenca e totalitarizmit është se të gjithë duhet të mendojnë njësoj, sipas postulateve të liderit e të partisë, kurse ata që nuk mendojnë ashtu siç do lideri e partia duhet të heshten e të izolohen. Ky qëllim nuk mund të rrihet vetëm nga zyrat e partisë. Për këtë shërben militanti, i cili, me porosi apo në mënyrë vetjake, i shërben kauzës më të lartë. E ajo kauzë është pushteti absolut, në të cilin lideri adhurohet deri në përkëdhelje me cilësime si “Baba” (Albini) e “Xhaxhi” (Enveri), për të krijuar një oreolë shenjtëruese për të.
Nëse kjo prirje vazhdon të normalizohet e të tolerohet, atëherë Kosova rrezikon të rrëshqasë nga një demokraci formale në një rend politik ku frika, heshtja dhe konformizmi shndërrohen në virtyte qytetare. Shoqëritë demokratike nuk maten me numrin e votave që fiton një lider përmes zgjedhjeve, por me hapësirën që u garantohet zërave kritikë për të folur pa u linçuar. Prandaj, sfida thelbësore për Kosovën sot nuk është vetëm se kush qeveris, por se çfarë kulture politike po ndërtohet: një kulturë e debatit racional dhe pluralizmit, apo një kulturë e adhurimit të liderit dhe e ndëshkimit të mendimit ndryshe. Historia ka dëshmuar se falangat, sado të zellshme të jenë, nuk ndërtojnë shtete funksionale; ato vetëm përshpejtojnë degradimin moral dhe institucional të shoqërive që zgjedhin t’i tolerojnë.