OpEd

Evropianizimi i partive politike të Kosovës

Me pranimin e Vetëvendosjes në grupimin e Partisë Socialiste Evropian (PES), me statusin e njëjtë që ka LDK-ja në grupimin e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe anëtarësinë e PDK-së në grupimin e Liberalëve Evropianë (ALDE), të tri partitë më të mëdha të Kosovës janë profilizuar në tri grupimet kryesore politike evropiane. Këtë mund ta shfrytëzojnë edhe për evropianizimin e mëtejmë të tyre, por edhe për të promovuar interesat e Kosovës në forumet e këtyre partive. Duhet të evitojnë përdorimin e këtyre forumeve, që për inat të kundërshtarëve politikë në vendin e tyre, të bëjnë fushat në dëm të shtetit, siç bëjnë shpesh dy partitë kryesore nga Shqipëria kur nuk janë në pushtet

Partia politike Vetëvendosje ka kaluar një proces jo të lehtë disavjeçar, i cili ka rezultuar me pranimin e saj në Partinë e Socialistëve Evropianë (PSE) në Kongresin e kësaj partie në Amsterdam. Ky pranim, në një mënyrë dëshmon edhe evolucionin që e ka kaluar VV-ja, e cila kur ishte lëvizje në Kosovë, sulmonte jo vetëm verbalisht, por edhe fizikisht pjesëtarët e pranisë së BE-së. Këto sulme nuk i tejkaluan aq lehtë në PSE, e cila shquhet, krahas dy partive të tjera tradicionale politike evropiane, për respektimin dhe mbrojtjen e vlerave të BE-së. Sa herë i afrohej VV-ja anëtarësimit, në PSE paraqiteshin disa pengesa, sepse kërkoheshin dëshmi se ajo nuk është kundër BE-së dhe vlerave evropiane. Për këtë arsye, për një kohë jo të shkurtër VV-ja merrte pjesë në punimet e PSE-së vetëm në cilësinë e “vëzhguesit”. Javën që shkoi, ajo u pranua si anëtare e asociuar, që është statusi më i lartë të cilin mund ta ketë një parti nga një vend joanëtar i BE-së. Tash VV-ja në PSE e ka statusin e njëjtë sikur që e ka PS-ja nga Shqipëria me një përvojë shumë të gjatë në këtë grupim të qendrës së majtë. Duket disi ironike se si në kohën kur mediat dhe analistët shqiptarë merren me raportet mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, këta të dy u bënë anëtarë të së njëjtës familje politike në nivel evropian.

Se ideologjia nuk e ka gjithmonë rolin vendimtar kur janë në pyetje qëndrimet politike, dëshmon se nga PSE pikërisht në Kongresin e Amsterdamit u përjashtua partia SMER e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico. Kjo parti, nominalisht Socialiste, është shndërruar në një parti me qëndrime të ekstremit të djathtë, e cila e luan rolin e “Kalit të Trojës“ të regjimit të Putinit nga Rusia.

PSE është grupimi i dytë më i madh politik evropian. Para tyre është partia e qendrës së djathtë EPP, në të cilën nga Kosova qëmoti është anëtare e asociuar LDK-ja, ndërsa nga Shqipëria PD-ja. Nga EPP është larguar partia Fidesz e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, për shkak të shkeljes së parimeve të sundimit të ligjit dhe vlerave evropiane. Edhe partia e Orbanit ndjek një politikë pro-ruse sa i përket luftës në Ukrainë, duke e kritikuar për luftë më shumë faktin se ukrainasit po mbrohen sesa faktin se Rusia e ka sulmuar Ukrainën.

Grupimi i tretë politik evropian, ndonëse këtë pozitë e ka humbur në Parlamentin Evropian, janë Liberalët ALDE, që në Parlamentin Evropian përfaqësohen përmes grupimit “Renew”. Në grupin liberal ALDE nga Kosova, anëtar, dhe atë fuqiplotë, është PDK-ja. Kjo parti kosovare e gjeti veten në këtë grup pas bredhjeve nga socialistët në fillim të ekzistimit të saj, pastaj qendrës së djathtë, konservatorët për t’u profilizuar në ALDE.   

Grupimi i të gjelbërve ka rëndësinë e vet, por ka shënuar rënie viteve të fundit. Dhe në Kosovë e Shqipëri nuk kanë pasur sukses partitë e orientimit të tillë. Këto katër parti në nivel evropian bashkëpunojnë, sepse pavarësisht dallimeve ideologjike, angazhohen për fuqizimin e BE-së. Ato në disa raste bashkëpunojnë edhe mes vete në nivel kombëtar e jo vetëm atë evropian. Vija të kuqe kanë vetëm ndaj së djathtës dhe së majtës ekstreme. E djathta ekstreme është në rritje dhe ka formuar grupimet e saj në Parlamentin Evropian.

Me pranimin e Vetëvendosjes në grupimin e Partisë Socialiste Evropiane (PES), me statusin e njëjtë që ka LDK-ja në grupimin e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe anëtarësinë e PDK-së në grupimin e Liberalëve Evropianë (ALDE), të tri partitë më të mëdha të Kosovës janë profilizuar në tri grupimet kryesore politike evropiane. Këtë mund ta shfrytëzojnë edhe për evropianizimin e mëtejmë të tyre, por edhe për të promovuar interesat e Kosovës në forumet e këtyre partive. Duhet të evitojnë përdorimin e këtyre forumeve, që për inat të kundërshtarëve politikë në vendin e tyre, të bëjnë fushatë në dëm të shtetit, siç bëjnë shpesh dy partitë kryesore nga Shqipëria kur nuk janë në pushtet.
Mbrojtja e interesave të shtetit në nivel evropian është e nevojshme edhe nga partitë politike, të cilat kanë mundësi të shumta. Në fund të fundit nuk janë partitë ato që integrohen në BE dhe përfitojnë nga BE-ja, por shtetet. Partitë në pushtet ndërrohen e shtetet mbeten. Shqipëria edhe këtu është një shembull i mirë. Ajo u integrua në NATO dhe mori liberalizimin e vizave në kohën e pushtetit të PD-së, ndërsa tash po avancon drejt integrimit në BE me PS-në në pushtet.

Edhe Kosova pati një episod të suksesshëm kur në nivel ndërkombëtar punuan të gjithë së bashku, pa dallime partiake. Ndodhi kjo në Këshillin e Evropës, ku deputetë nga Kosova ishin të bashkuar në Asamblenë Parlamentare për të siguruar konfirmimin se Kosova i përmbush kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Dhe kishte mbështetje, po ashtu mbipartiake nga kolegët nga Shqipëria. Për fat të keq këtu mbeti ky proces, sepse shansi për anëtarësim nuk u shfrytëzua dhe nuk dihet kur do të vijë përsëri.   

Partitë politike kanë shumë tema rreth të cilave mund të zhvillojnë betejën e brendshme politike dhe nuk duhet t’i bartin grindjet e tyre në forumet evropiane. Një mësim që mund ta nxjerrin nga “shembujt evropianë”, është edhe gatishmëria për kompromis dhe ndërtim të koalicioneve. Mungesa e vullnetit për kompromis dhe ndërtim koalicionesh e ka lënë Kosovën pa institucione me legjitimitet të plotë.