Derisa gjermanët pritet që për të katërtën herë ta vënë një grua në krye të shtetit, në Kosovë çështjet shtetërore vazhdojnë të jenë “punë burrash”
Drejt saj do të fluturonin domatet. Por gruaja më e pushtetshme e botës do të mbetej guri, e ftohtë. Do të krenohej me shtetin e saj që lejon protestën... fundja këtë e ka demokracia.
Edhe ashtu, ajo nuk e kishte sefte një situatë të tillë. Në siklet, me raste, do ta vinin homologët e saj, liderët “maço të botës”... të tillë si Vladimir Putini e Donald Trumpi. Mund të jetë rastësi që në atë tubim, gazetarët do ta pyesnin se cila është formula e saj e suksesit.
“Përgatitja është çelësi”, do të përgjigjej ajo. Mbase atëherë, kancelares gjermane, Angel Merkel, mund t’i jetë kujtuar qeni, të cilin Putini e futi në zyrë në një takim zyrtar me të. Apo rasti kur liderin rus e pati pritur në takim për plot katër orë e gjysmë! Arsyeja: Putin do të vonohej në Milano, pasi do të ndalej në Beograd, ku, midis të tjerash, do ta kontestonte pavarësinë e Kosovës.
Në siklet Merkel do të ndihej edhe nga presidenti i SHBA-së, Trump. Rishtazi në samitin e NATO-s në Bruksel.
Shpesh do t’i testoheshin kufijtë e tolerancës. Por ajo do të ishte e aftë ta gjente mesin. Do t’i shtynte përpara interesat e shtetit të saj. Në të njëjtën kohë edhe kauzën evropiane. Në dymbëdhjetë vjetët si kancelare, atë do ta karakterizonin stabiliteti dhe mbrojtja e parimeve. E në një botë jostabile dhe me turbulenca, fjala e saj do të kishte peshë të madhe.
Gjermanët, si duket, e duan këtë stabilitet. Prandaj Merkel nuk pritet që ta ketë të vështirë t’i sigurojë edhe katër vjet të tjerë në krye të Gjermanisë. Ajo i ka fituar zemrat e votuesve të saj, për t’u konsideruar “kancelare e përjetshme”. “Lidere e botës së lirë”. “Mbrojtësja e fundit e Perëndimit”. Epitete si këto i janë vënë gjatë karrierës së saj. “Burrneshë”, do të ishte ndërkaq versioni kosovar i lëvdatës për një politikane të fjalës dhe parimeve.
****
Për punën që bëri gjatë mbi dy dekadave në Kancelari, Merkel do të lavdërohej, por edhe kritikohej. Kritika këto në formë domatesh dhe vërshëllimash në Gjermani. Në Greqi do të pritej me pankarta protestuese, që e portretizonin me mustaqet e Hitlerit. Madje do të quhej “mbretëresha e ashpërsisë”, shkaku i politikave ekonomike. Gjetkë do të lavdërohej si shpëtimtare e refugjatëve.
Për Kosovën, ndërkaq, ajo do të ishte “Nëna” – apo “Mutti” siç e quajnë gjermanët. Si e tillë, ajo do të bëhej njëra prej forcave kryesore që e shtyu përpara kauzën e shtetësisë. Do të ishte prapë ajo “burrnesha” që e trimëroi Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian. Nuk do të ndihej fare në siklet t’u vihet përballë gjithë atyre që do ta pengonin. Me vendosmërinë që e karakterizon, ajo do t’i thoshte qartë Serbisë se për ecjen përpara drejt Bashkimit Evropian do t’i duhet që së pari ta njohë Kosovën shtet.
“Nëse Serbia dëshiron ta sigurojë statusin e shtetit kandidat për BE, duhet ta vazhdojë dialogun dhe të shënojë rezultate në këtë dialog, t’ia mundësojë EULEX-it funksionimin në të gjitha rajonet e Kosovës dhe t’i shfuqizojë strukturat paralele e të mos i krijojë të rejat”, ishte deklarata e saj e këtij fillimviti.
Kaq e vendosur do të tregohej edhe në vendin e saj. Atje dyert do t’ua hapte miliona refugjatëve nga Lindja e Mesme. Do të vërshohej nga kritikat e gjermanëve, por nuk do të zmbrapsej nga besimet e veta. Do të thoshte qartë se Gjermania dhe Evropa duhej të mbeteshin konkurruese karshi një bote që po ndryshon.
Në këtë vijë do të qëndrojë edhe për katër vjet të tjerë. Ndryshim politikash nuk do të ketë as për Ballkanin e Kosovën, dhe as për vetë Gjermaninë. Kështu të paktën thotë në një intervistë për “Kohën Ditore” analisti nga Berlini, Bodo Weber.
*****
Vendosmëria e saj mbase do të buronte nga vitet e rinisë, të kaluara në kohën e “Perdes së Hekurt” në Gjermaninë komuniste. Si e bija e një prifti protestant, ajo studioi fizikën në Universitetin e Liepzigut dhe doktoroi në kiminë kuantike në Berlin. U dekorua me mirënjohje për zotërimin e rusishtes dhe për njohuritë në matematikë. Pati një fëmijëri dhe rini tejet modeste. Të tillë siç e ka edhe jetën sot. (Një kontrast ky i madh krahasuar me paradoksin kosovar, ku liderët bëjnë jetë luksi në shtetin më të varfër të botës).
Ndonëse gjithmonë i është shmangur lojës me kartën gjinore, Merkel ishte inspirim për gratë në gjithë botën. Sidomos politikanet. Normal, edhe për ato në shtetet që e kanë avancuar pozitën e grave.
E “Zonja e Hekurt” e Evropës, megjithatë, nuk e ka pasur të lehtë. Ngritja e saj aty ku është sot, ishte rezultat i besimit që në të pati një politikan i madh. Më 1991, kancelari tanimë i ndjerë, Helmut Kohl, do ta emëronte ministre në kabinetin e tij. Ajo do ta merrte drejtimin e çështjeve të grave dhe fëmijëve. Dhe do të ishte vetëm tridhjeteshtatëvjeçare kur iu besua pushteti i vërtetë për ta bërë ndryshimin e vërtetë.
Do të zgjidhej kryetare e Unionit Kristiandemokrat, në kohën kur partia qe dridhur nga një skandal financiar.
Jo shumë kohë më vonë, do të bëhej edhe gruaja e parë në krye të Gjermanisë.
“Mendoj se një grua e emëruar si kancelare mund të shërbejë si shembull i mirë”, ishte deklarata e Merkelit në fillim të mandatit të parë, si shefe e Qeverisë gjermane. Shembull ky që Kosova assesi nuk po arrin ta ndjekë. Derisa Gjermania pritet që për të katërtën herë radhazi ta vërë një grua në krye të shtetit në Kosovë, politikanet nuk po gjejnë përfaqësim pothuajse në asnjë nivel pushteti.
***
“… Për femrën kosovare është edhe më e vështirë të arrihet tek një vend pune, e veçanërisht për atë që jeton në zonën rurale”, do të deklaronte në Kuvend tashmë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, para se të prezantonte një mega-Qeveri prej 19 ministrash, pesë zv.ministrash dhe vetëm dy gra në poste kabineti.
Vetëm disa ditë më vonë, një fotografi e Zyrës së kryeministrit të Kosovës do të bënte xhiron. Shoqëruar me lajmin për zhbllokimin e krizës energjetike, në fotografi do të shfaqej një tavolinë, në të cilën janë burrat ata që merren vesh. Një fotografi kjo nga Kosova, ku çështjet e shtetit vazhdojnë të jenë “punë burrash”.
Hiç më e mirë nuk është gjendja as në nivelin lokal. Si duket hipokrizia, kur është fjala për politikanet gra, është e pranishme edhe tek partitë politike. Pothuajse të gjitha flasin për domosdoshmërinë e avancimit të grave. E në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, vetëm katër për qind nga më shumë se 100 kandidatët për kryetarë të komunave janë gra! Kuotat e ligjet Kosova i ka. Pra, në letër punët janë mirë!
E në realitet politikanet në Kosovë vazhdojnë të mos e gjejnë veten. Edhe pse e gëzojnë bagazhin e domosdoshëm – votat e fituara të popullit - ato kanë mbetur peng i një mjedisi, ku ndarja e posteve është shndërruar në pazar. Nganjëherë edhe vetë gratë ngurrojnë të marrin poste në një mjedis të tillë. Kjo shkaku i presionit të madh mbi to.
Është për keqardhje, pasi Kosova ka shumë politikane të cilave mund t’ua shohë hairin.
Koha e tyre, herdokur, duhet të vijë!