OpEd

Energjia bërthamore nuk është zgjidhja

Teksa liderët botërorë mblidhen në COP27 për të diskutuar mbi agjendën globale të dekarbonizimit, ata duhet të përqendrohen në teknologji që mund të vendosen me ngut dhe t’i zëvendësojnë universalisht lëndët djegëse fosile. Siç kanë treguar botimet e njëpasnjëshme të WNISR-së, energjia bërthamore është tepër e ngadaltë dhe shumë e shtrenjtë për të konkurruar me masat e efiçiencës energjetike dhe me energjinë e ripërtërishme

Njëjtë sikurse pushtimi rus i Ukrainës që ka nxjerrë në pah varësinë e rrezikshme të Evropës nga lëndët djegëse fosile, ngjarjet përherë më të shpeshta dhe më intensive të motit të nxitura nga klima po e shpërfaqin vdekjen dhe shkatërrimin që varësia nga karburantet fosile po i gjeneron. Kuptueshëm, presioni politik dhe ai publik për reduktimin e emetimit të gazeve serrë, largimi nga furnizimet e pasigurta të energjisë primare dhe zhvillimi i të rejave, më të besueshme, të sigurta dhe të përballueshme të energjisë janë në nivelin më të lartë të të gjitha kohëve. Por, në vend të nxitimit ne duhet të shqyrtojmë me kujdes se cilat opsione janë më realiste dhe se si do të vendosen dhe të funksionojnë ato në botën reale.

Kijeni parasysh energjinë bërthamore. Teksa shumë vende dhe kompani tani i bëjnë këtij opsioni një rishikim të dytë (ose edhe të tretë), Raporti i Statusit të Industrisë Bërthamore Botërore 2022 (WNISR) ofron njohuri të vlefshme se si po ecën sektori.

Përderisa 12 muajt e fundit mund të mbahen mend si një pikë kthese për sektorin më të gjerë të energjisë, kjo nuk do të ndodhë për shkak të industrisë bërthamore. Hisja e energjisë bërthamore në prodhimin bruto të energjisë elektrike komerciale globale në vitin 2021 ra në 9.8 për qind, që është rënia e parë nën 10 për qind në katër dekada, vetëm pak më shumë se gjysma e pikut të saj prej 17.5 për qind në vitin 1996. Ndërkohë, era dhe dielli tejkaluan energjinë bërthamore për të parën herë më 2021, duke numëruar 10.2 për qind të prodhimit bruto të energjisë.

Këto trajektore divergjente mund të shihen qartazi në çdo indikator të investimeve, të vendosjes dhe të prodhimit. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), reaktorët operativë arritën kulmin në vitin 2018, si për nga numri i tyre (449) ashtu edhe për nga kapaciteti i përgjithshëm (396.5 gigavatë). IAEA-ja raporton se 437 reaktorë ishin “në funksion” globalisht në fund të vitit 2021, duke i përfshirë 23 reaktorët që nuk kanë prodhuar energji për të paktën nëntë vjet dhe të cilët mund të mos e bëjnë këtë më kurrë.

Në vitin 2018, kur energjia bërthamore arriti kulmin nën 400 GW, kapaciteti diellor dhe ai i erës u rrit mbi 1.000 GW, për të arritur në 1.660 GW deri në fund të vitit 2021. Brenda vetëm tre vjetësh energjia diellore dhe ajo e erës shtuan për dy të tretat më shumë kapacitet sesa ajo bërthamore në kulmin e fundit. Edhe nëse centralet bërthamore rëndom prodhojnë më shumë energji elektrike për njësi të kapacitetit të instaluar sesa era dhe dielli, divergjenca në këto shifra është tronditëse.

Në vitin 2021 investimet totale në burimet e rinovueshme johidro arritën një rekord prej 366 miliardë dollarësh, duke kontribuar me një vlerë të pashembullt prej 257 GW në rrjetet e energjisë elektrike, ndërsa kapaciteti bërthamor operativ u ul me 0.4 GW. Vetëm gjashtë reaktorë të rinj u lidhën në rrjet atë vit dhe gjysma e tyre ishin në Kinë. Më pas, në gjysmën e parë të 2022-tës, pesë reaktorë të rinj kaluan në rrjetin online, dy prej të cilëve ishin në Kinë. Por përderisa Kina ka më së shumti reaktorë në ndërtim e sipër (21, deri në mesin e vitit 2022), ajo nuk po i ndërton ata jashtë vendit.

Deri para pak kohësh këtë rol e kishte marrë Rusia, e cila po e dominon tregun ndërkombëtar me 20 njësi në ndërtim, përfshirë 17 syresh në shtatë vende, deri nga mesi i 2022-tës. Sanksionet dhe zhvillimet e tjera potenciale gjeopolitike i kanë vënë në dyshim shumë prej këtyre projekteve, teksa një konsorcium finlandez veçse ka anuluar ndërtimin e një objekti të bazuar në një projekt rus.

Vetëm 33 vende operojnë sot me termocentrale bërthamore dhe vetëm tre – Bangladeshi, Egjipti dhe Turqia – po ndërtojnë reaktorë për herë të parë (që të gjitha në partneritet me industrinë bërthamore ruse). Njëzet e gjashtë nga 53 projektet e ndërtimit përreth botës kanë pësuar vonesa të ndryshme, me ç’rast të paktën 14 raportuan vonesa të shtuara dhe dy vonesa të reja vetëm në vitin e shkuar.

Për herë të parë WNISR-ja i vlerësoi njashtu rreziqet e energjisë bërthamore dhe të luftës. Ka pasur shqetësime të konsiderueshme ndërkombëtare për sa i përket termocentralit bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia, i cili është pushtuar nga forcat ruse që nga 4 marsi i 2022-tës. Shkaku i bombardimeve të vazhdueshme në dhe përreth zonës, termocentrali ka humbur shpesh fuqinë e jashtme, duke i nxitur paralajmërimet nga IAEA-ja se situata është “e paqëndrueshme”. Operimi i një objekti bërthamor kërkon staf të motivuar, të pushuar dhe të aftë; por personeli ukrainas në Zaporizhzhia është nën stres të madh.

Sfida kryesore tani është ruajtja e ftohjes së vazhdueshme e bërthamës së reaktorit dhe e pishinës së karburantit të shpenzuar, edhe pasi reaktori është mbyllur. Dështimi në evakuimin e nxehtësinë nga prishja e mbetjeve do të shpinte në shkrirjen e bërthamës brenda pak orësh ose në një zjarr brenda karburantit të shpenzuar gjatë pak ditësh apo javësh, duke ndikuar në lirimin potencialisht të madh të radioaktivitetit.

Teksa liderët botërorë mblidhen në COP27 për të diskutuar mbi agjendën globale të dekarbonizimit, ata duhet të përqendrohen në teknologji që mund të vendosen me ngut dhe t’i zëvendësojnë universalisht lëndët djegëse fosile. Siç kanë treguar botimet e njëpasnjëshme të WNISR-së, energjia bërthamore është tepër e ngadaltë dhe shumë e shtrenjtë për të konkurruar me masat e efiçiencës energjetike dhe me energjinë e ripërtërishme.

(Antony Froggatt është bashkautor i Raporteve të Statusit të Industrisë Bërthamore Botërore. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).