OpEd

Edhe dy javë si n’pazar

Kushdo që do t’i fitojë zgjedhjet, mbase do të duhej të mendonte seriozisht për krijimin e një qeverie të formuar prej njerëzve me kapacitet intelektual dhe me dije. Këta nuk do të duhej të ishin domosdo njerëz partiakë e as “profesorë doktora” – sepse problemet e Kosovës nuk zgjidhen me teori të thatë e as me pallavra odash, por me vendosmëri dhe me veprime praktike.

Kaloi edhe një javë e fushatës para fushatës, për të cilën gjë e vetmja që është e ndaluar është propaganda politike me pagesë. E që na mbytën me propagandë politike që nga 22 gushti, ajo nuk ka dert. Ligji nuk e parasheh ndalimin e debateve, e mbajtjes së tubimeve dhe as të transmetimeve nëpër media sociale – prandaj edhe po munden me na ngufat dita më ditë.

Se a jemi lodhur me këtë intensitet pallavrash, me siguri se po. Mirë është që fushata nis zyrtarisht javën që vjen, bile e dimë që po hyjmë në fazën finale të asaj që edhe e kishim paraparë, por edhe dëshiruar prej kohësh: që të dalim në zgjedhje. Ani që duhet duruar edhe dy javë pazarin e ofertave “unë jam më i miri/e mira”.

Voton diaspora

Të parëve që do t’iu bjerë hisja të votojnë do të jenë bashkatdhetarët tanë jashtë. Një numër impresiv sish, krahasuar me zgjedhjet paraprake, janë paraqitur për të votuar. Mbetet të shihet se në çfarë numri do të votojnë, dhe sa prej votave të tyre do të mbërrijnë me kohë në KQZ. Porse, nëse duhet mbështetur në përvojat e zgjedhjeve të shkuara, dhe po qe se numri i përgjithshëm i votuesve është mesatarisht i njëjti, këto 30 e kusur mijë vota (nëse mbesin aq), do të mund të sigurojnë mbase edhe 6 vende në Kuvend – aq sa nevojiten për krijimin e një grupi parlamentar, për shembull.

E nëse bazohemi në atë që po e lexojmë nëpër rrjete sociale, duket se kësaj radhe diaspora është e angazhuar si kurrë më parë, jo vetëm për të bërë thirrje për votim, por edhe për të votuar. Nuk e di se sa janë të vërteta informatat se janë rezervuar shumë bileta autobusësh e aeroplanësh nga ata që kanë ndërmend të vijnë e të votojnë dhe të kthehen nga kanë ardhur më 6 tetor. Porse nëse kjo qëndron, në situatën aktuale, ku gara ndërmjet partive është e ngushtë (sipas sondazheve që nuk po bëhen publike), fitoren me gjasë do ta përcaktojë diaspora.

Çuditërisht, ka pasur të tillë që e kanë kritikuar të drejtën e votës së diasporës, me arsyetimin se “ata që nuk jetojnë në Kosovë s’kanë pse përzihen në zgjedhjen e partive që do të na sundojnë”. Porse kur po kemi nevojë që dikush të na i sigurojë paratë për të jetuar, e jo vetëm për të mbijetuar, atëherë diaspora ka pse përzihet, apo jo?

Ka shumë shtete në botë që kanë diasporë gjithandej, dhe qytetarëve jashtë shtetit ua sigurojnë të drejtën e votës në përfaqësitë e veta diplomatike. Ne, qe 11 vjet, nuk ishim në gjendje që bile njëherë t’ua mundësonim votën nëpër ambasada e konsullate njerëzve tanë. E kjo nuk është për mungesë të parave, se vitet e shkuara kanë dëshmuar se kishim qenë shtet shumë i pasur, sa paraja po na shkon nëpër shëtitje, benzina e kredit-kartela të politikanëve. Është për mungesë të vullnetit politik.

Por kur po e mendoj më mirë, mbase është edhe më mirë që përfaqësitë tona diplomatike nuk i organizojnë zgjedhjet, se aq shumë janë mbushur me militantë partiakë e kushërinj të atyre që kanë mbajtur pushtet kaq gjatë, sa s’ka asnjë garanci që votat nuk do të vidheshin.

Sidoqoftë, do të jetë shumë interesante të përcillet vota e diasporës. Besoj se do të jetë vendimtare për rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve.

Ndërkohë

Ka dy javë që për çdo ditë gazeta po boton artikuj, në të cilët përshkruan se sa para kanë shpenzuar ministritë e Qeverisë së shkuar gjatë dy vjetëve. Ajo që po publikohet vetëm po tregon se qëllimi i marrjes së pushtetit në Kosovë ka qenë si me i “qepu” buxhetit për pikë të qejfit. Mbi të gjitha, tepër irritues përdorimi i kredit-kartelave me të cilat disponojnë ministrat (me udhëzim administrativ) dhe zëvendësministrat (me vendim të veçantë)... se rrogat e vogla, mëditjet e pamjaftueshme, e nuk po iu dalin... Kush e di sa pelenat e sa parfumi janë blerë me ato “plastika” e që të mos jenë arsyetuar ndryshe pos si shpenzime udhëtimi...

Nga ana tjetër, ka një kohë që gazeta kishte raportuar për ndërhyrjen e një zyrtari policor në hetimet në lidhje me keqpërdorimet në PTK (për shërbime marketingu), kurse para dy ditësh doli në pah ndërhyrja e edhe një zyrtari policor nga Departamenti i Krimeve Ekonomike që ishte përzier në hetimet për 53 milionët që mbaruan në arkën e “Bechtel-Enkas”. Në të dyja rastet bëhet fjalë për shumë miliona dhe për përfshirjen e zyrtarëve të profilit të lartë dhe, që, ja, gëzojnë mbrojtjen e atyre që do të duhej t’i hetonin dhe ndiqnin për hajni e mashtrime.

Pra, janë raste që do të thellojnë bindjen se Policia ka nevojë për një pastrim të thellë nga të gjithë ata që u kanë shërbyer kokave të krimit dhe të korrupsionit. Se ende, sot e kësaj dite, Policia nuk e ka dhënë përgjigjen se kush i vodhi dhomën e dëshmive në Prishtinë dhe arin në Pejë. Logjikisht, “hajnat” nuk kanë mundur të jenë të tjerë pos të dikujt nga brenda në Polici, për interes të atyre që normalisht do të duhej të përfundonin në burg. E kjo vazhdon të jetë njolla më e madhe që e bart Policia prej kohësh e që nuk do të hiqet përderisa në këtë institucion të vazhdojnë punën njerëzit që ndërhyjnë në hetime për interesa të “dikujt të madh”.

Nga linja e sundimit të ligjit, tash nga sistemi gjyqësor, vjen një lajm paksa bombastik – një gjyqtar i Gjykatës Themelore në Pejë është arrestuar në flagrancë duke marrë 2 mijë euro mitë për “zgjidhjen e një rasti”. I arrestuari, i cili u suspendua dje, ka punuar në Departamentin e Krimeve të Rënda. Këtu mbetet njeriu pa koment tjetër pos të zakonshmit: ku ka mungesë sundimi ligji, edhe kjo punë s’është far befasie. Është normale, për shkak se ky vend e ka legalizuar dhe shndërruar mosndëshkimin në vlerë shoqërore.

Prej sistemit arsimor na vjen lajmi se as tri javë pas nisjes së vitit shkollor, librat ende nuk janë shpërndarë. Për shkak se me gjasë nuk janë gati. Improvizimet në arsim i dëshmon edhe fakti se mëtohet të shpallet konkursi për librat e një grumbull klasave, kështu midis fushatës, për ta bërë punën edhe më llom seç e kanë bërë deri tash. E në mungesë konkursi, do të shfrytëzohen librat e vitit të shkuar, në edhe një veprim të pakuptimtë – ngase më nuk po dihet nëse ka ndonjë përputhje ndërmjet planprogrameve mësimore dhe teksteve që duhen përcjellë ato. Po as kjo nuk do të duhej të befasonte: po të ishte ndryshe, rezultatet e PISA-s nuk do të ishin kaq dëshpëruese sa dolën.

Sikur këto telashe të mos mjaftonin, pardje u raportua se dikush në Rahovec e kishte ndotur ujin e pijshëm, ashtu siç kishte ndodhur disa ditë më parë në Kamenicë (Dardanë) – në dy veprime që dëshmojnë se sa lehtë mund të na rrezikohet jeta dhe sa pak mërzitemi për pastërtinë e mjedisit në të cilin jetojmë e frymojmë. Aq pak brengosemi, saqë lejojmë që të huajt të na qortojnë se jetojmë në mjedis të ndotur. Kjo, me gjithë 800 mijë eurot që i shpenzojmë pa tender për pastrimin e nuk e di sa deponive, ashtu që një javë më vonë t’i zbulojmë edhe nja 1000 të tjera ilegale, për të cilat askush nuk ndiqet e as nuk jep përgjegjësi.

Në segmentin që është shndërruar në njërën nga brengat më të mëdha që i kemi, shëndetësia, përnjëherë temë kyç u bë lista esenciale e barnave, dhe kjo bash në fushatë. Revidimi i listës esenciale është detyrim i përvitshëm apo i dyvitshëm i ministrit të resorit. Ismajli e zgjodhi parafushatën dhe prezencën e shefit të vet për ta nënshkruar atë (në prezencën edhe të një fëmije, që në kushte fushate do të ishte shkelje zgjedhore, për shkak se është keqpërdorim i të miturve për çështje politike). E, megjithatë, lista e reviduar ose jo nuk e zgjidh problemin e furnizimit të spitaleve me barna, sepse ajo u nënshtrohet tenderëve. E tenderët përherë kanë qenë pjesa më e madhe e problemit. Pjesa tjetër ka qenë vjedhja dhe stërshitja e barnave nga spitalet nëpër farmaci gjithandej.

Për kapak, na konfirmohet ajo që e dimë prej kohësh: që Kosova nuk mund ta ushqejë veten. Agjencia e Statistikave e Kosovës ka publikuar shënimet për vitin 2018, dhe sipas saj prodhimet bimore dhe blegtorale kanë shënuar rënie krahasuar me një vit më parë. Dhe arsyet pas kësaj gjendjeje janë se bujqit dhe blegtorët janë të demotivuar për shkak të rënies së eksportit dhe rritjes së importit, ndarjes kuturu të subvencioneve dhe migrimit të të rinjve jashtë vendit. Shto kësaj dhe migrimin e pandalshëm fshat-qytet dhe shndërrimin e tokave pjellore në toka ndërtimore – krejt këta janë faktorë që tregojnë se as nuk kemi politika të zhvillimit rural (me gjithë dy ministri kot që ka pasur Qeveria e shkuar) e as politikë të mirëqenë të zhvillimit ekonomik. Pallavrat për rritjen ekonomike prej 4% amortizohen në çastin kur e kuptojmë se vazhdojmë të shpenzojmë para të gatshme për të importuar gjithçka, përderisa fitojmë krejt pak duke shitur kryesisht hekurishte.

Fatkeqësia e të gjitha këtyre pikave të përmendura më lart është se nuk janë fenomene të çastit. Janë pjesë përbërëse e jetës sonë që nga çlirimi. Janë tregues se ka nevojë për ndryshim rrënjësor në qasjen e shtetit karshi problemeve të mëdha me të cilat jetojmë.

* * *

Kjo është gjendja me të cilën do të ballafaqohet Qeveria e ardhshme, e cila do të dalë nga zgjedhjet e tetorit. Dhe tash nga fundi i parafushatës ende jemi në pritje të programeve politike që do të na i ofrojnë partitë që mëtojnë ta marrin pushtetin. Mbase do të dëgjojmë diçka më konkrete, dhe sinqerisht, më të realizueshme në 10 ditët e fushatës zyrtare. Ajo nëpër të cilën kemi kaluar në të gjitha zgjedhjet paraprake kanë qenë fjalë për havaje – premtime populiste dhe llafe odash që na kanë lënë me pasoja, që na çuan buzë hendekut.

Kushdo që do t’i fitojë zgjedhjet, mbase do të duhej të mendonte seriozisht për krijimin e një qeverie të formuar prej njerëzve me kapacitet intelektual dhe me dije. Këta nuk do të duhej të ishin domosdo njerëz partiakë e as “profesorë doktora” – sepse problemet e Kosovës nuk zgjidhen me teori të thatë e as me pallavra odash, por me vendosmëri dhe me veprime praktike. Natyrisht, parakusht për sukses do të ishte transparenca e plotë për veprimet e ndërmarra dhe, pa dyshim, sigurimi i sundimit të ligjit, ku nuk ka njerëz që mund të amnistohen për shkak se i kanë shërbyesit e tyre në polici e gjyqësi.

Vazhdimi me të vjetrën do të jetë vetëm zgjatja e agonisë sonë kolektive.

[email protected]