Fitorja e aq pritur e mikut të dëshmuar të Kosovës, ish-zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Joe Biden, është rasti i tretë i fatit me të cilin universi buzëqesh në drejtimin tonë. Puna dhe përgjegjësitë, të cilat do të na presin, janë kolosale për të gjitha dëmet, vjedhjet, parregullsitë, të cilat i kanë ndodhur vendit tonë të dashur. Është rast që të rindërtojmë respektin dhe miqësinë e pakompromis të ndërsjellë dhe ashtu siç gjërat janë dhe mund të duken në horizont, presidenti i ri i SHBA-së dhe një qeveri e sistem komplet ligjor i votuar që prej fillimit në shtetin e Kosovës, do të mund të ishin garanci për një udhëtim të vazhdueshëm të përbashkët dhe storie suksesi. Liria ka emër, ai emër është gjaku i derdhur ndër breza për këtë tokë, këta njerëz, këtë gjuhë dhe këtë komb
Ashtu si edhe pjesa dërrmuese prej jush, edhe unë sot u zgjova ende me ethet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Ka kohë që në ditarin tim shkruaj në lidhje me to, rëndësinë, peshën, si dhe rolin determinues që rezultati i tyre do të jetë pikë pivotale në atë se si në çfarë rruge do të vazhdojë Amerika përbrenda saj pas një përçarjeje të madhe të brendshme, që i ka ndodhur viteve të fundit, roli i saj me dhe ndaj partnerëve të saj ndërkombëtarë, si dhe nga këndvështrimi dhe interesi ynë i ngushtë nacional, roli dhe drejtimi i saj me qasjen ndaj Kosovës.
Në të gjitha këto pika administrata e fundit e presidentit Trump ka arritur që të mbjellë përçarje të mëdha dhe lëkundje të këtyre marrëdhënieve interesash. Ai nuk hezitoi që atë ta bënte dhe demonstronte edhe në natën e mbylljes së votimeve, ku ai pas mesnatës e shpalli fitoren e tij dhe bëri thirrje që votimi i mëtutjeshëm të ndërpritej menjëherë.
Demokracia dhe ligji zgjedhor amerikan fatmirësisht nuk funksionojnë ashtu. Atje secila votë numërohet dhe pesha e votimeve në kutitë e votimit dhe atyre të arritura me postë përbrenda afateve kohore ligjore është e njëjtë. E vetmja gjë e cila ndryshon janë mënyra dhe afati kohor i paraparë se si ato do të numërohen e që varen nga ligjet zgjedhore në secilin shtet veç e veç, prandaj kërcënimi i presidentit Donald Trump se do të ankimohet në gjykatën federale apo supreme pak pi ujë, pasi secili shtet vetëm u bindet ligjeve të saja dhe kështu ka qenë edhe me dhjetëra zgjedhje të tjera më parë. Në zgjedhjet e kaluara, kur ai e sfidonte Hillary Clintonin për garat presidenciale të cilat ky i fitoi, ai e kërkonte të kundërtën nga ajo që kërkon tani. Asokohe kërkonte që secila votë të njihej ashtu siç e parasheh ligji, mirëpo si fëmijë i rritur, i llastuar, çfarë është ai, demokracinë e kupton dhe shtrembëron ashtu siç atij i konvenon në një moment të caktuar. Ju duket i njohur ky refren apo jo?
Tani 6 vota të kolegjit elektoral e ndajnë Joe Bidenin nga fitorja legjitime e garës për president të SHBA-së. Nëse flasim për ndikimin e zgjedhjes së tij në këtë post në raport me Kosovën, atëherë unë do t’i referohem një thënie të vjetër nga këto trevat tona të Ballkanit, "e treta e vërteta". Është hera e tretë kur fati neve na buzëqesh dhe punon në anën dhe të drejtën tonë. Hera e parë ishte atëherë kur NATO-ja intervenoi në Kosovë, hera e dyte ishte shpallja e Kosovës dhe vendimi i GJND-së për të drejtën e Kosovës për shpalljen e Pavarësisë së saj dhe tash hera e tretë është kjo, e cila shpresojmë se po përmbyllet me përmbysjen e administratës së presidentit Trump e që shumë nga ne nuk dëshironin apo nuk e vërenin se ishte e ndikuar nga lobi serb dhe se qëndrimi i kësaj administrate ishte proserb.
Nëse po na jepet edhe ky rast i tretë dhe universi edhe një herë na e mundëson që ne ta marrim fatin në duart tona dhe që atë ta trajtojmë me respekt sidomos në raport me shtetndërtimin tonë, përgjegjësitë, luftimin e korrupsionit, ndërtimin e sistemeve të mirëfillta të shëndetësisë, arsimit, ngritjen e ekonomisë vendore dhe tërheqjen e investitorëve qofshin ata të huaj, qoftë ajo mërgata jonë e interesuar për të investuar në Kosovë.
Në pritjen e rezultateve të edhe 4-5 shteteve të Amerikës, të cilat do të determinojnë fituesin e këtyre garave presidenciale në skenën politike vendore janë duke ndodhur tërmete dhe lëkundje të mëdha në momentin përderisa unë jam duke e shkruar ditarin tim. Kadri Veseli sot më herët doli me një deklaratë mjaft të pjekur dhe korrekte politike duke thënë se ai sot do të udhëtonte për në Hagë pasi që aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës dhe se ai do të tërhiqej nga të gjitha pozitat politike dhe publike përderisa do të gjendet atje. Dje gjithashtu u dërgua për në Hagë ish-zëdhënësi i UÇK-së, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas shumë orë bastisjeje në shtëpinë e tij. Sot për në Hagë do të niset edhe Rexhep Selimi, i cili nuk deklaroi shumëçka në lidhje me këtë aktakuzë. Ai tha se zëri i tij do të ketë më shumë jehonë nga Haga. Sot përderisa jam duke i shkruar këta rreshta, sapo e mbajti konferencën për shtyp edhe presidenti Hashim Thaçi. Edhe ai sapo konfirmoi se Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës kanë konfirmuar aktakuzat kundër tij dhe se ky, ashtu siç kishte premtuar edhe më herët, do të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit. Ai gjithashtu bëri thirrje që mos të ketë as tubime përkrahëse e as protesta pasi që drejtësia mbrohet me argumente në gjyq dhe jo në rrugë.
E kam përmendur edhe shumë herë të tjera në shkrimet e ditarit tim, është e dhimbshme se në çfarë pozite klasa politike, e cila udhëhoqi Kosovën gjatë 21 vjetëve të fundit, i kanë sjellë shtetin dhe popullin e Kosovës. Askush nuk na ndaloi që ne të ndërtonim shoqëri dhe shtet ligjor. Nëse "nuk e dinë" se ka pasur civilë të vrarë apo të keqtrajtuar gjatë luftës, kemi shumë shqiptarë aktivistë politikë, civilë e gazetarë të vrarë pas luftës. Ata përmenden vetëm kur është nevoja e vjeljes së votave gjata fushatave zgjedhore dhe premtimeve për zbardhjen e vrasjeve të tyre.
Sikur të ndërtonim shoqëri dhe shtet ligjor, secilin tejkalim ligjor, secilin abuzim me pozitën zyrtare do ta dënonim dhe sot askush s'do të mund të abuzonte as me emrin e UÇK-së e as me kontributin e vet të dhënë gjatë luftës. Kur akuzat u ngritën nga eurodeputeti Dik Marty, paria politike kosovare ra në gjumë dimëror dhe u injorua sikur iniciativë deri në arrogancën e pafundme.
Kur ajo iniciativë si ortek bore u rrit dhe u soll deri para dyerve të Kuvendit të Republikës së Kosovës ku duhej ndërruar Kushtetuta në mënyrë që t’u bëhej vend Dhomave të Specializuara të Gjykatës në Hagë, edhe këtu politikanët që udhëhiqnin Kosovën dredhën e përzhdredhën duar deputetësh që këto ndërrime kushtetuese të votoheshin.
Kushdo që ka jetuar në iluzionet se kjo ditë nuk do të vinte, vetëm i tregon naivitetin, papjekurinë dhe mosnjohjen se si funksionojnë shtetet dhe sistemet ligjore.
Kështu që ne vetëm po e korrim atë të cilën e kemi mbjellë vetë. Atje në Hagë secili do t’i mbrojë veprat e tija vetjake, me gjithë akuzat të cilat u ngarkohen dhe janë faktet dhe argumentet ato të cilat mbizotërojnë dhe fitojnë në fund. Uroj që kundër asnjërit nga ta mos të argumentohen faktet e prokurorisë, por ajo mbetet të shihet në procesin dhe betejën e gjatë ligjore, e cila fillon nga dita e sotme.
Çka të bëjnë partitë politike, institucionet dhe Qeveria e Kosovës, i nderuari ambasador, dikush do të pyeste në këtë moment.
Do ta jap unë një mendim se si do të duhej të vazhdohej tutje. Pikësëpari Gjykata Kushtetuese do të duhej që të sillte një vendim në lidhje me votën e "deputetit" Etem Arifi, do të duhej që atë ta shpallte nul e si rrjedhojë edhe legjitimitetin e Qeverisë së tanishme Hoti. Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe partitë politike të vijnë në pajtim për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse teknike deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja, të cilat do të mbaheshin brenda 6 muajsh. Kjo do ta mbyllte rrugën e çfarëdo loje politike për pozita presidenti e kalkulime partiake e grupe interesash pa kurrfarë mbulese dhe përkrahjeje popullore. Kjo do ta mbyllte edhe rrugën e mundësisë për formim e ndarje resorësh qeveritarë, prapë për interesa partiake e individësh dhe pa legjitimitet të votave të mirëfillta. Çdo bisedim me Serbinë do të duhej të suspendohej deri në legjitimitetin e plotë të secilës strukturë dhe institucioni shtetëror dhe një plani e platforme të mirëfilltë, të thukët, sistematik dhe transparent shtetëror/nacional për bisedimet me Serbinë.
Fitorja e aq pritur e mikut të dëshmuar të Kosovës, ish-zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Joe Biden, është rasti i tretë i fatit me të cilin universi buzëqesh në drejtimin tonë. Puna dhe përgjegjësitë, të cilat do të na presin janë kolosale për të gjitha dëmet, vjedhjet, parregullsitë, të cilat i kanë ndodhur vendit tonë të dashur. Është rast që të rindërtojmë respektin dhe miqësinë e pakompromis të ndërsjellë dhe ashtu siç gjërat janë dhe mund të duken në horizont, presidenti i ri i SHBA-së dhe një qeveri e sistem komplet ligjor i votuar që prej fillimit në shtetin e Kosovës, do të mund të ishin garanci për një udhëtim të vazhdueshëm të përbashkët dhe storie suksesi.
Liria ka emër. Ai emër është gjaku i derdhur ndër breza për këtë tokë, këta njerëz, këtë gjuhë dhe këtë komb.