OpEd

Dominimi, rezistenca dhe dialogu

LVV-ja gjendet përballë një sfide të rëndësishme që do ta përcaktojë atë si parti në periudhën e ardhshme: të transformojë veten nga një forcë që operon mbi bazën e dominimit dhe rezistencës në një aktor të pjekur politik, të aftë për dialog dhe për konsensus. Zgjedhjet e 9 shkurtit ia ndryshuan asaj pozicionin – nga mandati për të qeverisur vetëm si parti dominuese në një mandat për të negociuar. Nëse LVV-ja nuk arrin të përshtatet me këtë realitet të ri politik dhe të adoptojë një kulturë dialogu, atëherë rrezikon jo vetëm të mbetet e izoluar, por edhe ta humbasë përfundimisht besimin e atyre që dikur e panë si përfaqësuese të ndryshimit

Dominimi, rezistenca dhe dialogu janë tri koncepte politike që janë përkufizuar nga autorë të ndryshëm të shkencës politike. Sipas Steven Lukesit, dominimi është ushtrim i fuqisë nga një grup apo aktor mbi të tjerët, shpeshherë i institucionalizuar përmes ligjeve, normave e praktikave. Dominimi mund të burojë edhe nga rezultatet zgjedhore, siç ishte rasti i dominimit të Lëvizjes Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021. Max Weberi i përkufizon tri forma të dominimit: dominimin tradicional, atë karizmatik dhe ligjor-racional. E sipas James C. Scottit, rezistenca i referohet kundërshtimit aktiv ose pasiv që shpeshherë manifestohet përmes veprimeve individuale apo kolektive që sfidojnë ose kanë për qëllim të përmbysin a të refuzojnë një sistem ose normë sociale. Ndërkaq, sipas David Bohmit dhe Jurgen Habermasit, dialogu i referohet një procesi të komunikimit të hapur, gjithëpërfshirës dhe reflektiv në mes të aktorëve me pikëpamje të ndryshme, që ka për qëllim ndërtimin e mirëkuptimit, konsensusit dhe bashkëjetesës paqësore. Habermasi e thekson “veprimin komunikues” si një proces të dialogut në të cilin pjesëmarrësit synojnë të mirëkuptohen (dakordohen) përmes argumentimit racional duke e përjashtuar dominimin.

Këto koncepte janë relevante për ta kuptuar krizën aktuale institucionale në Kosovë, e cila pas zgjedhjeve të 9 shkurtit u përball me një ngërç të thellë politik. Prandaj, kjo kolumne ka për qëllim të shtjellojë ngërçin aktual politik si një proces, ku palët kalojnë nga pozitat e dominimit, në rezistencë ndaj realitetit politik të krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, e deri te dialogu pa palë dominuese, si mënyra e vetme për të dalë nga kriza aktuale institucionale.

Pas zgjedhjeve, Kosova hyri në një paqartësi politike në të cilën ekziston konflikt mes forcave politike lidhur me legjitimitetin politik të aktorëve hisedarë në skenën politike. Kjo paqartësi buron nga pamundësia e partisë së parë të dalë nga zgjedhjet, LVV, për të krijuar shumicë parlamentare dhe nga mungesa e vullnetit për dialog politik me partitë e tjera – PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe NISMA-n – për të gjetur zgjidhje të ngërçit aktual. Këtë paqartësi po e shtojnë akoma më shumë deklaratat e  eksponentëve kryesorë politikë, të cilat në vend që të japin sinjale për vullnetin e një marrëveshjeje përmes dialogut, kanë për synim fajësimin e palëve të tjera para opinionit publik. Në këtë kontekst, partia që është sfiduar më së shumti nga rezultati zgjedhor i 9 shkurtit është LVV-ja, e cila e ka humbur pozitën e saj dominuese në skenën politike. Ajo tani ka kaluar në fazën e rezistencës ndaj këtij realiteti të ri, duke mos e pranuar gjendjen faktike, që medoemos kërkon dialog me të tjerët për të dalë nga ngërçi aktual politik.

Rezultati zgjedhor dha një porosi të qartë për forcat politike, para së gjithash për LVV-në: e vetmja mënyrë për ta qeverisur Kosovën në periudhën pasuese është rruga e bashkëpunimit dhe jo e dominimit, siç ka qenë në katër vjetët e shkuar. Por LVV-ja ende nuk e ka kuptuar këtë porosi. Prandaj, i ka hyrë një rruge pa krye me kandidaten për kryetare të Kuvendit që është e papranueshme për partitë e tjera, në vend që ta kërkojë një kandidat/e që do ta marrë mbështetjen edhe të partive të tjera. Rikandidimi i Albulena Haxhiut për të dymbëdhjetën herë derisa po i shkruaj këta reshta është shndërruar në një fizkulturë bajate që e delegjitimon tërësisht legjislaturën e nëntë të zgjedhur më 9 shkurt. Rihedhja në votim e kandidaturës së njëjtë për kryeparlamentare pa e pasur shumicën për ta zgjedhur e ka burimin te vetëperceptimi i LVV-së si parti që ka për mandat të dominojë skenën politike të Kosovës. Mirëpo, këtij dominimi i kaloi koha më 9 shkurt, kur votuesit thanë se nuk e dëshirojnë dominimin e një partie politike, por dialog dhe bashkëpunim mes forcave politike parlamentare.

Letra që këtë javë lideri i LVV-së, Albin Kurti, ia drejtoi liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, e përbën planin B të LVV-së për ta vazhduar dominimin në politikë dhe tregon për rezistencën e kësaj partie ndaj një qasjeje dialoguese me forcat e tjera politike. Është kjo rezistencë ndaj një realiteti politik të ri, në të cilin baraspesha ndërmjet forcave politike në Kuvend ka ndryshuar, duke i dhënë opozitës së deridjeshme një ndikim më të madh në vendimmarrje. 

Megjithëkëtë, letra e Kurtit drejtuar Abdixhikut hapi një mundësi të re për dalje nga qorrsokaku aktual. Kjo mundësi u hap me kundërpropozimin e Abdixhikut dhe të LDK-së që të dialogohet për krijimin e një qeverie tranzicionale të unitetit deri në zgjedhjen e presidentit më 2026. Në kolumnen time të 14 shkurtit, “Balanca e re politike e krijuar më 9 shkurt: Rruga përpara”, e pata përmendur krijimin e një qeverie tranzicionale të unitetit kombëtar si opsionin e parë parimor për t’u dhënë përgjigje rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit. Dy opsione të tjera ishin formimi i një qeverie të përbashkët nga partitë opozitare dhe opsioni i fundit qe mbështetja e një qeverie të pakicës, të udhëhequr nga LVV-ja. Duke qenë se kjo nuk ka gjasa të realizohet, mbeten dy opsionet e para. E LDK-ja e ka hedhur në tavolinë pikërisht opsionin e parë, si më të mirë. Derisa po i shkruaj këta rreshta, PDK-ja është shprehur e interesuar për ta diskutuar propozimin e LDK-së, kurse AAK-ja preferon qeveri nga ish-partitë opozitare.   

Shqyrtimi i këtij opsioni me seriozitetin më të plotë u hap rrugë dialogut dhe bashkëpunimit. Mirëpo kësaj ende po i reziston LVV-ja, e cila u hodh kundër LDK-së me tërë arsenalin e saj retorik, duke e kundërshtuar idenë për një qeveri tranzicionale të unitetit. Kjo tregon se LVV-ja ende vetëperceptohet në pozita dominuese dhe i bën rezistencë dialogut të hapur dhe bashkëpunimit me partitë e tjera. Por edhe trajektorja e sjelljes së LVV-së mund të ndryshojë nga dominimi, në rezistencë e deri te bashkëpunimi. Problemi me ndryshimin e kësaj trajektoreje është se LVV-së po i nevojitet shumë kohë të kuptojë se më nuk është në pozitë dominuese sikurse para katër vjetësh dhe prandaj po u bën rezistencë dialogut e bashkëpunimit. Mund të ndodhë që derisa kjo parti dhe lideri i saj ta kuptojnë dhe ta pranojnë realitetin e ri të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, partitë e tjera të mos jenë më të interesuara të hyjnë në dialog me të. Dhe kjo jo vetëm për shkakun e vazhdimit të retorikës nxitëse dhe përçarëse të eksponentëve të saj, por edhe ngase askush nuk dëshiron të hyjë në partneritet me një parti që modus operandi e ka konfrontimin me të gjithë dhe me të cilën do të ishte e vështirë të bashkëqeveriset, sepse bashkëqeverisja me të do të prodhonte krizë pas krize dhe rrjedhimisht, joefikasitet qeverisës.

Prandaj, është e rëndësishme që LVV-ja ta kuptojë sa më parë se e ka humbur pozitën dominuese në politikë. Retorika nxitëse e eksponentëve të saj, manipulimi me procedurat e votimit dhe rikandidimi i kotë i kandidates së njëjtë për kryetare të Kuvendit tregojnë për rezistencën e kësaj partie ndaj realitetit politik dhe nevojës për t’u ulur me të gjithë për të gjetur një zgjidhje fatlume të ngërçit aktual. 

Se a do të shkojë trajektorja e kësaj partie nga dominimi te rezistenca e deri te bashkëpunimi, është vështirë të thuhet, sepse LVV-ja nuk është parti e zakonshme politike. Ka ardhur në pushtet përmes rezistencës, e cila si metodë e luftës politike për ta rifituar pozicionin dominues mund t’i duket ende joshëse lidershipit të saj. 

LVV-ja gjendet përballë një sfide të rëndësishme që do ta përcaktojë atë si parti në periudhën e ardhshme: të transformojë veten nga një forcë që operon mbi bazën e dominimit dhe rezistencës në një aktor të pjekur politik, të aftë për dialog dhe për konsensus. Zgjedhjet e 9 shkurtit ia ndryshuan asaj pozicionin – nga mandati për të qeverisur vetëm si parti dominuese në një mandat për të negociuar. Nëse LVV-ja nuk arrin të përshtatet me këtë realitet të ri politik dhe të adoptojë një kulturë dialogu, atëherë rrezikon jo vetëm të mbetet e izoluar, por edhe ta humbasë përfundimisht besimin e atyre që dikur e panë si përfaqësuese të ndryshimit.