Larg nga bërja e Amerikës madhështore sërish, Trumpi duket se po e përshpejton rënien e saj ekonomike.
Santa Barbara – Pasi ka fituar më shumë se 8 për qind në vlerë që nga fillimi i vitit, dollari amerikan po u afrohet lartësive të papara qe një dekadë, ndërsa indikatorët e tregut lënë të kuptohet se do ketë ngritje të mëtutjeshme në muajt që vijnë.
Në shikim të parë kjo mund të duket se e vërteton presidentin Donald Trump, i cili erdhi në post duke u zotuar se “Do ta bëjë Amerikën të madhe sërish”.
Një dollar i fuqishëm mund të kuptohet si shenjë se politikat pro-rritjes ekonomike po funksionojnë. E megjithatë, një shikim prej së afërmi tregon se punët janë më të ndërlikuara; në fakt, Trumpi ka gjasa se po nxiton drejt një rënie të madhe të dollarit. Për fillim, nuk është fare e qartë nëse Trumpi mund të marrë aq shumë merita për ngritjen e dollarit. Por, edhe nëse ai do t’i kishte, një monedhë e fortë nuk është domosdo e mirë për objektivat e politikave të tij; dhe as niveli i këmbimit nuk është një masë e mirë matëse për fuqinë e vërtetë të monedhës. Administrata e Trumpit do të dëshironte që ne të besojmë se ngritja e dollarit reflekton rritje më të shpejtë të ekonomisë, të nxitur nga agjenda e presidentit për çrregullim, shkurtimet masive të taksave, dhe harxhime substancialisht të shtuara në mbrojtje.
Pas viteve të keqmenaxhimit, po na thonë ata, qeveria tani ka arritur që të kthejë besimin e biznesit; Amerika më në fund po e përmbush potencialin që ka. Por, ekonomistët më të dijshëm do t’ia atribuonin ngritjen e dollarit rritjes së nivelit të kamatave. Në një përpjekje për të ndaluar inflacionin, US Federal Reserve (Sistemi Qendror Bankar Amerikan) tashmë i ka rritur dy herë gjatë këtij viti fondet e veta federale, dhe ka sinjalizuar për edhe dy rritje para fundit të vitit 2018. Kur niveli i kamatave amerikane ngrihet, ka rrjedhë më të madhe të kapitalit investues, gjë që shton kërkesën për dollarin. Dhe tani paratë po derdhën në Shtetet e Bashkuara nga çdo kënd i globit. Situata sot nuk është shumë ndryshe prej asaj të kohës së pararendësve republikanë të Trumpit. Ish-presidentët Ronald Reagan dhe George W. Bush po ashtu i kanë shkurtuar ashpër taksat, që rezultoi në deficit të buxhetit i cili nxiti rritjen e kamatave. Në secilin rast dollari u ngrit dramatikisht (deri në 60 % nën Reagainin mes viteve 1981 dhe 1985). Sot, Federal Reserve sërish po vepron në mënyrë të pavarur për t’i ngufatur efektet inflative të ekspansionit fiskal. Kështu, nëse dikush duhet të marrë meritat për ngritjen e dollarit, është Federal Reserve. Sidoqoftë, mund të imagjinojmë se Trumpi thotë që monedhat e dobëta janë për “humbësit”. Dhe ai mund të krekoset rreth dollarit në ngritje në përplasjen e tij të vazhdueshme me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, vendi i të cilit ka monedhën që ka rënë për gati 60 për qind që nga fillimi i vitit.
Por, derisa një nivel i fuqishëm këmbimi i dollarit mund të jetë atraktiv për egon e Trumpit, kjo nuk i shërben domosdo agjendës së tij të gjerë. Në fund të fundit, një dollar në fuqizim i shton çmimet e eksporteve jashtë vendit dhe i ul kostot vendore të importit, duke dekurajuar kështu të parën dhe duke inkurajuar të dytën. Kjo është direkt në kundërshtim me qëllimin e deklaruar të Trumpit për reduktimin e deficitit tregtar të SHBA-së. Obsesioni i Trumpit me deficitin tregtar e ka çuar atë drejt vendosjes së tarifave importuese për çelikun, aluminin dhe një numri të gjerë produktesh nga Kina. Por, ironikisht, importet më të shtrenjta po ashtu do të shtojnë presionin ndaj nivelit të inflacionit vendor, që do të mundë ta detyronte Fed.Reserve-in që t’i ngrejë nivelet e kamatave edhe më shpejt se që ishte planifikuar. Kjo, në anën tjetër, do të prodhojë edhe më shumë ngritje të dollarit dhe deficite edhe më të mëdha tregtare, siç ka ndodhur edhe në kohën e Reganit dhe Bushit. Së fundit, duhet kujtuar se lëvizjet afatshkurtra në tregjet e huaja të këmbimit nuk janë mënyrë për të gjykuar fuqinë bazike të një monedhe. Trendët afatgjatë rreth asaj se si përdoret monedha ndërkombëtarisht – posaçërisht si një vlerë e deponuar për investitorët e huaj apo bankat qendrore – janë shumë më treguese.
Me dekada, asnjë monedhë nuk ka qenë më shumë e përdorur sesa dollari. Falë dominimit të saj, SHBAja për kohë të gjatë ka gëzuar atë që ish-presidenti francez, Valery Giscard d’Estaing, e përshkroi famshëm si një “privilegj i tepruar”. Për aq sa të huajt janë të uritur për dollarë, SHBA-ja mund të shpenzojë çfarëdo që i duhet për të projektuar fuqinë e saj në mbarë botën. Për të paguar për gjithë këtë, asaj i duhet vetëm të ndezë shtypshkronjat. Por, politikat agresive të Trumpit po e rrezikojnë këtë privilegj. Premisa e tij proteksioniste për ta vënë “Amerikën para të gjithave” ka erë nacionalizmi ksenofob, dhe përdorimi i dhunshëm i tij i tarifave po i armiqëson edhe miqtë, edhe armiqtë. Sa më gjatë që ai i mban në funksion politikat e tilla, aq më shumë gjasa ka që tregjet gradualisht do të lëvizin drejt alternativave të dollarit. Dhe dikur dollari ngadalë do të rrjedhë tërësisht dhe privilegji i tepruar i Amerikës bashkë me ndikimin e saj global do të avullohen.
Ndërkohë Kina tashmë e ka bindur Rusinë që të pranojë renminbi- në (monedhën zyrtare të Kinës) si monedhë pagese për gazin natyror, derisa blerjet e tilla dikur bëheshin vetëm me dollarë. Dhe, së fundi, Kina ka nisur të përgatisë rrugën për blerjet e importit të naftës së papërpunuar me renminbi. Për shembull, më herët këtë vit, ajo ka lansuar tregje të reja të derivateve në Shanghai, që duket se është hap i menduar për të vendosur një çmimore të dominuar nga renminbi bashkë me derivatet e Brent and West Texas Intermediate. Nëse do të ketë sukses, tregu i Shanghait do të mundë të nisë një kalim të pagesave edhe për mallra tjera, po ashtu – të gjitha këto në dëm të dollarit. Njëlloj, një numër shtetesh tashmë po shikojnë për mënyrat si të anashkalojnë sanksionet e administratës së Trumpit ndaj prodhuesve iranianë të derivateve. India, për shembull, tashmë paguan për një sasi derivatesh iraniane me mallra tjera, dhe jo me dollarë.
Edhe
2.2 miliardë të ardhurat e Trumpit, historianët: Asnjë president s'ka përfituar kaq shumë
E që të dyja, edhe Rusia, edhe Kina, po investojnë shumë në ar për të reduktuar varësinë e tyre ndaj rezervave të çnominuara në dollarë. Këto dy vende bashkë tashmë kanë blerë rreth 10 për qind të arit në dispozicion në tregun botëror. Andaj, përkundër ngritjes së sotme të dollarit, një dobësim i monedhës së gjelbër mund të jetë në lojë në afat të gjatë. Larg nga bërja e Amerikës madhështore sërish, Trumpi duket se po e përshpejton rënien e saj ekonomike.
(Benjamin J. Cohen është profesor i Ekonomisë Politike Ndërkombëtare në Universitetin e Californias, Santa Barbara, dhe është autor i librit “Monedha e Fuqisë: Të kuptuarit e ribalitetit monetary”. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)