Më 2 shtator të vitit 1901, presidenti amerikan Theodore Roosevelt këshillon: "Fol qetë dhe mbaje një stupc të madh me vete". Me ta lexuar këtë të fundit disi u stepa dhe nuk shfaqa më interesim që t’i hulumtoja edhe ngjarjet e tjera të rëndësishme historike të cilat ndërlidheshin me datën 2 shtator. Në gjuhën diplomatike amerikane, përveç "karotave dhe stupcit", qenka edhe biseda e qetë me stupc në dorë. Shumë kollaj mund ta paramendoj Richard Grenellin teksa endet aty në njërën nga dhomat e Shtëpisë së Bardhë "me stupc në dorë", duke biseduar ashtu "qetë" me Avdullah Hotin dhe Aleksandar Vuçiqin, njëjtë ashtu qetë siç bisedoi edhe me zyrtarët të cilët nënshkruan "marrëveshjet historike" për hapjen e fluturimeve Prishtinë – Beograd, si dhe hapjen e linjës hekurudhore
Disi u zgjova me dëshirën që ta kuptoja se çfarë ka sjellë data 21 gusht gjatë historisë së shkruar të njerëzimit. Hapa sirtarin rim të dosjeve të pafundme diplomatike.
Më 21 gusht 1541, Perandoria Otomane, nën udhëheqjen e Sulejmanit të Madhërishëm, pushton Budën, kryeqytetin e Mbretërisë Hungareze dhe kështu e dominon Hungarinë Qendrore për më se 150 vjet.
Më 21 gusht 1703, armata turke largon Sulltan Mustafën II dhe në këtë mënyrë e zbeh forcën e sulltanëve.
Më 21 gusht 1718, perandori i shenjtë romak Charles VI, Turqia dhe Venediku nënshkruajnë Traktatin e paqes.
Më 21 gusht 1915, Italia i shpall luftë Turqisë në Luftën e Parë Botërore.
Më 21 gusht 1926 u shënua ngritja popullore kundër presidentit grek Pancialos.
I shpalova këtu disa ngjarje historike të cilat korrespondojnë me datën e njëjtë të botimit të Ditarit tim në ditën e sotme.
I veçova ngjarjet historike të cilat ndërlidheshin me Turqinë apo me Greqinë, pasi që këtyre ditëve të fundit kemi parë acarime të raporteve midis këtyre dy fqinjëve ballkanikë, anëtarë të NATO-s. Ky acarim midis raporteve të këtyre dy shteteve ka bërë që të ketë dallime edhe në qasjen amerikane ndaj kësaj problematike. Presidenti aktual, Donald Trump, e quan presidentin Erdogan mjeshtër të lojës së shahut, ndërsa kandidati demokratik për zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020 në Amerikë, Joe Biden, deklaron se ai do ta rrëzonte Erdoganin nga pushteti.
E shohim pra një Amerikë e cila, pavarësisht se kush është duke administruar me politikën e saj, e ka një qasje të ndryshme për zgjidhjen e të njëjtit problem.
Me datën 2 shtator 2020 pritet vazhdimi i bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë. Të shohim se çfarë ngjarjesh historike e karakterizojnë këtë datë.
Më 2 shtator të vitit 44 para Epokës së Re, Mbretëresha Kleopatra shpalli djalin e saj Ptolemeun XV Cesarionin si bashkësundues të Egjiptit.
Më 2 shtator të vitit 31 Para Epokës së Re, beteja e Actiumit. Ishte beteja vendimtare detare e cila në mënyrë efikase e përfundoi Republikën e Romës. Forcat e Oktavianit i mundin ato të Kleopatrës dhe të Mark Antonit, afër brigjeve perëndimore të Greqisë.
Më 2 shtator 1192, Sulltan Saladini dhe Mbreti Richard, Zemërluani i Anglisë, nënshkruajnë Traktatin e interesit mbi Jerusalemin, me përfundimin e Kryqëzatës së Tretë.
Më 2 shtator 1666 filloi Zjarri i Madh i Londrës në Pudding Lane. 80% e qytetit digjet dhe shkatërrohet.
Më 2 shtator 1686, armata e Habsburgut e çliron Budën nga okupimi otoman.
Më 2 shtator 1870 Napoleoni III humb luftën dhe dorëzohet kundër armatës pruse në Betejën e Sedanit.
Më 2 shtator të vitit 1900 fillon shërbimi telegrafik ndërmjet Gjermanisë dhe Amerikës.
Më 2 shtator të vitit 1901, presidenti amerikan Theodore Roosevelt këshillon: "Fol qetë dhe mbaje një stupc të madh me vete".
Me ta lexuar këtë të fundit disi u stepa dhe nuk shfaqa më interesim që t’i hulumtoja edhe ngjarjet e tjera të rëndësishme historike të cilat ndërlidheshin me datën 2 shtator. Në gjuhën diplomatike amerikane, përveç "karotave dhe stupcit", qenka edhe biseda e qetë me stupc në dorë.
Shumë kollaj mund ta paramendoj Richard Grenellin teksa endet aty në njërën nga dhomat e Shtëpisë së Bardhë "me stupc në dorë", duke biseduar ashtu "qetë" me Avdullah Hotin dhe Aleksandar Vuçiqin, njëjtë ashtu qetë siç bisedoi edhe me zyrtarët të cilët nënshkruan "marrëveshjet historike" për hapjen e fluturimeve Prishtinë – Beograd, si dhe hapjen e linjës hekurudhore.
Në vizitat e fundit të zyrtarëve kosovarë në Washington, si ajo e koordinatorit për bisedimet me Serbinë, z. Skënder Hysenit, dhe tash të vizitës së ministres së Punëve të Jashtme znj. Meliza Haradinaj-Stublla, dhe ministrit të Drejtësisë z. Selim Selimi, ajo që bie në sy janë që takimet e tyre me zyrtarët amerikanë mbahen në zyrat e Ambasadës së Kosovës me fotografinë e presidentit Hashim Thaçi në sfond. A po kursejnë para për të mos i takuar miqtë amerikanë në dreka apo darka të shtrenjta, apo miqtë amerikanë i shohin aq të vegjël dhe të parëndësishëm saqë takimin e mbajnë në Ambasadën e Republikës së Kosovës dhe jo në ndonjë ambient zyrtar të administratës amerikane. Me aq sa unë e kuptoj diplomacinë, kjo ndodh më shumë kur ti shkon diku i paftuar dhe takimet, nëse ndodhin, aranzhohen ad-hoc, apo nuk ndodhin fare. Gjithashtu disi indikative se të gjithë këta protagonistë u takuan me zëvendësndihmës sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer.
Njeriu kyç i emëruar nga ana e presidentit Donald Trump si emisar për negociatat Kosovë - Serbi, Richard Grenell, nuk është askund për t’u parë.
Në të vërtetë, ngjarjet në skenën politike zhvillohen me shpejtësinë e dritës. Sapo lexova deklaratën e Ramush Haradinajt se "ose ai do të zgjidhet president, ose do të dalë nga qeveria".
Këto cirkushanet e politikanëve tanë dhe "sakrifica" e tyre për popull e për shtet patën çmim shumë të lartë.
Ramush, ti edhe mundesh me dalë prej qeverisë, veç Kadrushi është duke ndenjur në një këmbë për të hyrë në të. Ti duhesh me ditë që në ditët e vështira për Kosovën institucionalistët dhe partnerët herë legalë e herë në të zezën, LDK dhe PDK, gjithmonë bëhen bashkë dhe "sakrifikohen" për të mirën e shtetit dhe institucioneve.
Përndryshe, Ramush, a mund të na tregosh pse do të duhej të zgjidhnim ty president? Dy herë u zgjodhe kryeministër dhe të dyja herët dhe dorëheqje për shkak të ftesave të gjykatave, një herë nga Tribunali i Hagës dhe herën e dytë nga Gjykata Speciale. Po, bëre shumë mirë që e dhe dorëheqjen tënde dhe që nuk e mbajte Kosovën peng të postit tënd, mirëpo tash, përveç egos tënde, unë nuk e kuptoj se çfarë tjetër e bën që ti ta meritosh postin e presidentit të Republikës së Kosovës?
Si mund të na bindësh se mbrojtja jote në heshtje gjatë intervistës në Gjykatën Speciale ka qenë e mjaftueshme që kjo gjykatë mos të ngrejë aktakuzë edhe ndaj teje? Pikërisht është ky moment ai që më bind se egoja jote ka dalë jashtë kontrollit. Ramush, të moçmit kanë thënë, "kojtja të koritë". E në Kosovë si duket asnjëherë nuk është vonë për njeriun që të koritet.
Apo ndoshta më edhe nuk ka mbetur te kush të koritesh? "Askujt" nuk po ia ndien për asnjë gjë përveçse si të mbijetohet. E ju politikanët e dini këtë gjë dhe këtë e ekspolatoni deri në maksimumin e mundshëm. Është e rëndë kur luhet në kurriz të fatit të fukarasë dhe të të dobëtit, as Universi nuk e do atë gjë.
Unë mbetem skeptik se diçka e mirë do të dalë nga takimi i 2 shtatorit apo ndonjë marrëveshje e mundshme nga ai takim. Unë i besoj Amerikës, por kjo administratë amerikane e momentit e ka problem pikë së pari që ta ketë besimin e popullit të vet, e si ta ketë besimin tim?
Nuk e kuptoj pse aq kollaj heqim dorë nga dinjiteti, integriteti dhe shndërrohemi në lëpirës të ligë dhe pakurrizorë që s’e kanë shokun.
Shiheni edhe marrëveshjen e Ali Ahmetit me Zaevin për qeverisjen në Maqedoninë e Veriut. Ka bërë marrëveshje që 100 ditët e fundit të mandatit të ketë një kryeministër shqiptar. Sa për kuriozitet, asnjë qeveri e deritanishme në Maqedoninë e Veriut nuk e ka çuar mandatin e saj deri në fund. Por, ashtu edhe e lexova diku nga komentet e lexuesve në Facebook, kjo pozita e kryeministrit shqiptar është karrem i mirë që Aliu t’i mbajë nën dizgjinë njerëzit e tij, duke ua premtuar atë post. 1360 ditë do të qeverisë Zaevi dhe 100 ditë do të qeverisin shqiptarët - sukses se jo mahi. Së paku, pse nuk e negocioi që ato 100 ditët e qeverisjes së shqiptarëve të ishin 100 ditët e para të qeverisë? Ah, nuk bën kjo sepse do ta irritonte masën e komunitetit maqedonas e kështu janë psikikisht të përgatitur me narrativën për diçka që në fakt as nuk do të ndodhë. E dini se unë zakonisht bëj analogji me ngjarjet politike dhe nga jeta e përditshme.
Kjo marrëveshja e Ali Ahmetit m’i kujton fundvitet e ’80-a kur punoja si croupier për një kompani (Casino) gjermane "Modern Games", e cila operonte në shumë shtete të Evropës Lindore, si dhe në Belgjikë, Holandë e Gjermani. Aty zakonisht klientët ishin të rregullt dhe rrallëherë edhe ashtu njerëz të rastit. Sidoqoftë, ata bixhozgjinjtë më të rryer - të cilët për arsye privatësie nuk do t’i emëroj në emrat e tyre të përveçëm - kishte raste kur brenda një nate humbnin 50,000+ DEM. Kur i humbnin paratë e veta aty silleshin edhe njerëz të cilët u huazonin para me fajde, me arsyen se këta "po duan me u nxjerrë". Edhe Ali Ahmeti me këtë marrëveshje është "nxjerrë" po aq sa janë nxjerrë ata bixhozgjinjtë pasi që kanë marrë edhe para me fajde.
E nënshtrimi, nënçmimi dhe poltronizmi do të vazhdojnë në trojet shqiptare edhe për ……. kohë.