Përgjegjësia për degradimin e këtij procesi bie pikërisht mbi ata që ishin përgjegjës, duke filluar nga Komisioni qeveritar e deri te secili përgjegjës për verifikim në nivele të tjera, si në nivel kompanie, batalioni, brigade. etj. E drejta as nuk mund të fshihet e as të tjetërsohet. Dihet se kush ishin e kush nuk ishin luftëtarë të UÇK-së
Shtator 2017
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDuke qenë në rrethana krejt të padrejta, por gjithsesi specifike, nga këtu ku jam, herë pas here mundohem ta përcjell situatën dhe zhvillimet në Kosovë. Ka shumë gjëra që do t’i thosha dhe për të cilat do të flisja sikur të mos isha këtu i izoluar. Por kam heshtur. Por është një temë që po më bën të mos hesht dhe të jap mendimin tim. Është tema rreth trajtimit të veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Dëshmorët e lirisë janë më meritorët për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës. Por janë edhe veteranët dhe invalidët që meritojnë respekt dhe trajtim dinjitoz. Respekti dhe dinjiteti i invalidëve dhe i veteranëve të UÇK-së, shpesh janë lënduar me gjykime të padrejta për luftën e tyre, me trajtim jo të drejtë për ta e deri te manipulimet me të drejtat e tyre. Sot ata nuk kanë as trajtim të drejtë ligjor e as financiar dinjitoz.
Por në gjithë këtë situatë, padrejtësia ndaj veteranëve dhe invalidëve është bërë jo vetëm duke ua shkelur të drejtat, por edhe duke e manipuluar procesin e verifikimit të veteranëve.
Procesi i verifikimit të veteranëve është manipuluar dhe degraduar deri në shkallën sa veteranët janë tash më të pambrojtur, më të parespektuar dhe të fyer.
Fryrja e listave të veteranëve përtej çdo norme dhe logjike, e ka bërë të pamundur zgjidhjen e problemit deri në kompromitim total të këtij procesi. Duke qenë kështu, për këtë gjë dikush duhet të marrë përgjegjësinë.
Veteranët kanë shpresuar me të drejtë që një ditë do të zgjidhet problemi i tyre. Ka pasur shumë njerëz që janë munduar dhe kanë qenë korrekt, të sinqertë dhe të moralshëm në kontributin e dhënë për verifikimin e listave të veteranëve, por ka edhe të atillë që e kanë shfrytëzuar këtë proces në kundërshtim me të drejtat, me moralin dhe interesat e veteranëve.
Vetë fakti që është trefishuar numri i veteranëve nga ai që në të vërtetë ka qenë, tregon seriozitetin e problemit të procesit të verifikimit të veteranëve.
Në cilësinë e ish-komandatit të Zonës Operative të Drenicës, pastaj dhe të komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, natyrisht që i kam njohuritë e nevojshme për numrin e luftëtarëve në luftë. Ndoshta nuk kemi pasur shumë evidencë për të mobilizuarit në mbështetje të UÇK-së në Shqipëri apo për ata që kanë dhënë kontribut nga vendet e ndryshme të Evropës, Amerikës apo gjetiu, por së paku ne e dimë se kush ishte në njësitë e UÇK-së në Kosovë. E dimë se sa kishte luftëtarë në secilën zonë e brigadë.
Ne kemi shumë respekt për nënat, gratë dhe motrat tona, por ato nuk i respektojmë duke ua dhënë statusin e veteranëve si shpërblim, nëse jo edhe për ndonjë qëllim tjetër përfitimi. Kështu ne nuk i respektojmë as nënat dhe motrat që dhanë bukë e kontribuuan. Nuk iu bënë nder as luftëtareve gra e vajza, që ishin pjesë e luftës së UÇK-së dhe që morën pjesë në beteja e në fronte lufte e që shumë prej tyre ranë dëshmorë.
Ne kemi shumë respekt edhe për baballarët dhe civilët që rrezikuan jetët e tyre duke kontribuar, por ata nuk i nderojmë nëse dëshmojmë rrejshëm për ta.
Por duke qenë edhe komandant i TMK-së dhe pastaj komandant edhe i FSK-së, me shumë bashkëpunëtorë jemi dëshmitarë edhe të evidencave dhe listave të aprovuara nga komandantët e Zonave në fazën menjëherë pas luftës. Numri i veteranëve referuar atyre listave atëherë ishte krejt i ndryshëm prej numrit të sotëm. Për ta vërtetuar këtë, sot në arkivat e TMK-së ekzistojnë listat dhe procesverbalet e takimeve në TMK dhe IOM. Megjithëse edhe atëherë ishte pothuajse i njëjti ekip i komandantëve që i kishte aprovuar ato lista. Edhe Komisioni shtetëror, ku në përbërje të këtij ekipi janë dhe kanë qenë në dijeni të listave. Natyrisht që ata nuk kanë mundur t’i përpilojnë listat, por së paku ata e dinë përafërsisht se sa luftëtarë ishin në luftë. Ata kanë mundur dhe është dashur që ta mbrojnë procesin nga falsifikimet e kujtdo.
Pra, përgjegjësia për degradimin e këtij procesi bie pikërisht mbi ata që ishin përgjegjës, duke filluar nga Komisioni qeveritar e deri te secili përgjegjës për verifikim në nivele të tjera, si në nivel kompanie, batalioni, brigade. etj.
E drejta as nuk mund të fshihet e as të tjetërsohet. Dihet se kush ishin e kush nuk ishin luftëtarë të UÇK-së.
Prandaj, unë si njeri me përgjegjësi dikur, si komandant i ZO të Drenicës dhe si ish-komandant i Përgjithshëm i UÇK-së në një kohë të caktuar, pastaj edhe si komandant i TMK-së dhe FSK-së, nuk mund të rri indiferent dhe të mos reagoj me rastin e degradimit të procesit të verifikimit të veteranëve dhe karshi edhe shtrembërimit të historisë.
Ky proces i parregullt i verifikimit të veteranëve i ka edhe pasojat, por edhe përgjegjësitë e veta. Pasojat tashmë po shihen, por në të ardhmen duhet të shihen përgjegjësit para përgjegjësisë.
Ne e dimë që edhe vetë Ligji i ka problemet e tij. Ka shumë gjëra që do të duhej të ishin ndryshe në Ligj.
Prandaj, pavarësisht që është humbur shumë, ekziston mundësia që ky proces të përmirësohet. Që të bëhet një gjë e tillë unë mendoj që Kuvendi i Kosovës ta përmirësojë Ligjin për veteranët dhe të korrigjohen listat, dhe të bëhet kategorizimi i drejtë i veteranëve dhe atyre që kanë ndihmuar në çfarëdo forme UÇK-në.
Të gjitha këto probleme që ka ky proces nuk duhet t’i dekurajojë invalidët dhe veteranët dhe familjarët e dëshmorëve. Të gjithë veteranët duhet të ndihen krenarë për luftën që kanë bërë. Familjarët e dëshmorëve duhet të jenë krenarë për dëshmorët që ia dhanë atdheut. Lufta jonë ishte e drejtë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e shenjtë. As nuk mund të zbehet e as nuk mund të harrohet lavdia e UÇK-së.
Dubravë, 02.09.2017